July 18, 2012

Big Bother Imami

Big Bother Imami ose Hafija i Madh Imami

Plas skandali i përgjimeve në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka urdhëruar personalisht në shkurt të vitit 2011 blerjen e kësaj pajisjeje me vlerë 1.586.000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë dhe diplomatë të huaj në Tiranë. Në listën e të përgjuarve janë përkohësisht dhe ministra dhe drejtues të lartë të qeverisë, përfshi dhe Ilir Metën. Në përgjim kanë qenë po ashtu dy zyrtarë të lartë të ambasadës së SHBA në Tiranë, një diplomat i lartë italian si dhe diplomatë të tjerë të OSBE dhe Bashkimit Evropian.

July 17, 2012

Ferdinand Xhaferri sun©


Ferdinand Xhaferi i shkruan Petrit Vasilit: 

Mos më vidh idetë!

Ferdinand Xhaferi ishte duke dëgjuar lajmet si i papunë që është, kur brofi në këmbë i revoltuar. Lulëzim Basha, kreu i Bashkisë së Tiranës, i kishte vjedhur atij idetë që kishte për Bashkinë e Durrësit. Duke prezantuar Petrit Vasilin si nënkryetar të Bashkisë së Tiranës, Basha tha se “ardhja e një profesionisti si zoti Vasili në drejtimin e bashkisë, bën që qeverisja e Tiranës të marrë një hov të ri nëpërmjet mbrojtjes së konsumatorit dhe përmirësimit të parametrave që nga cilësia e jetës, ajrit e deri te gjelbërimi….”

I revoltuar pa masë, fillimisht Xhaferi vendosi t’i shkruajë Lulëzim Bashës, por pastaj u kujtua se ia mund t’ia çonte letrën Doktorit, dhe ky i fundit, i cili ndoshta ka ndonjë mendje ta fusë Ferdinandin në ndonjë punë, mërzitet dhe e lë përsëri pa punë. Kështu që vendosi t’i bëjë një letër vetë Petrit Vasilit.


I dashur Petrit.

Dëgjova fjalët që tha kryetari i Bashkisë në adresë tuaj dhe objektivat e punës tuaj në Tiranë si nënkryetar Bashkie. Nuk dua të hyj në polemika publike për idetë e mia, pasi ato tani janë të njohura gjerësisht nga shqiptarët, të cilët i kanë konsideruar ato ide shumë largpamëse dhe më kanë premtuar se do të më votojnë për to pas 30 ose 40 vjetësh. Sidoqoftë, unë dua të bëj me dije se ideja për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujit, diellit është ide e imja origjinale, për të cilën ka pasur shumë debate publike në Shqipëri. Populli i Durrësit, të cilit unë ia premtova, më ka siguruar se do të vijë dita që këto ide të shpërthejnë dhe të bëhen vendimtare për mua kur të kandidoj disa dekada më pas.

Zoti Basha, i cili m’i ka vjedhur këto fraza nga programi im, nuk i kupton ato dhe i thotë pa dashje, por ti bëj kujdes se njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj këtyre premtimeve dhe reagojnë shumë keq. Për mua kanë bërë dhjetëra- qindra barsoleta, pasi brezi i tanishëm nuk e kupton rëndësinë e këtyre ideve. Siç e shikon, jo vetëm opozitarët që nuk kuptojnë fare nga këto ide, por as shumica jonë proevropiane nuk e kupton rëndësinë e përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe gjelbërimit. Bile dhe Zamiri që ka jetuar në Vjenë nuk e kupton se prerja e pemëve të Parkut e bën rrugën drejt TEG-ut si drejt Kandaharit. Detyra jote si nënkryetar bashkie për mbrojtjen e konsumatorit duhet të fokusohet tek gjëra më praktike. Për shembull kontrollo cilësinë e ushqimeve të TEG-ut se më kanë thënë që në Tiranë vijnë ushqime të skaduara nga Bullgaria, u ndërron Gimi etiketat në Kombinat dhe i shesin për të reja. Sa për cilësinë e ajrit, mos u shqetëso se shumica e popullsisë së Tiranës janë të ardhur nga malet, ku ka pasur ajër të pastër dhe i kanë mushkëritë në rregull, durojnë dhe nja 30 vjet sa të vijë dita e ideve të mia. Lidhur me gjelbërimin unë mendoj se është temë shumë konvencionale. Mjafton që në Tiranë në vend të pemëve të ndërtohen pallate më ngjyrë të gjelbër dhe gjithçka është në rregull.

Propozimi im është që ti të distancohesh nga premtimet e Lulit për detyrat e tua dhe të përqendrohesh në detyra konkrete. Nëse më dëgjon mua, dhe nëse ke ndërmend të bësh ndonjë lek, kërkoji Lulit disa detyra, të cilat të japin lekë. Për shembull, Kunati ka vënë nën kontroll gjithë lokalet e natës dhe u merr një taksë ditore për të zgjatur orarin e punë pas orës 12:00. Përpiqu t’ia marrësh këtë biznes, pasi rregullon dhe cilësinë e ajrit pas orës 12:00, dhe cilësinë e xhepit. Nga ana tjetër këtu nuk ke as problemin që do dorëzosh një kuotë fitimesh në parti, pasi nuk e deklaron si fitimprurës.

E dyta, kërko të vendosësh nën kontroll karrotrecat, me të cilat Kunati bën rreth 2 mijë euro dita fitim. Sikur tua lehtësosh pak cilësinë e jetës qytetarëve dhe tu marrësh vetëm 1 mijë euro në ditë, nuk është pak pasi përmirëson 50 për qind të jetës së tyre.

E treta, shiko se janë duke u ndërtuar disa pallate në pika kyçe të Tiranës. Zeni po merr cirkun e Tiranës dhe do bëjë pallat, do ndërtohen disa pallate tek Parku që po prishet dhe tek stadiumi Qemal Stafa. Bakshishi për metër katror ka shkuar 100 euro. Përpiqu ta bësh pesëdhjetë dhe e kë përmirësuar mjaft klimën e biznesit.

E katërta, kompania e Zamirit që shet kasat elektronike në biznesin e vogël ka rënë ujdi me Kunatin dhe u bllokon gjithë biznesmenëve të vegjël kasën online dhe u kërkon 100 mijë lek tua zhbllokojë. Nëse ata nuk paguajnë, shkon Kunati për kontroll dhe u merr 300 mijë lek. Unë them t’i ulësh këto tarifat dhe tua bësh 50 mijë lek për bllokim kase dhe 100 mijë gjobë nëse nuk pranojnë ta paguajnë 50. Edhe këtu mund ta përmirësosh jetën 50 përqind. Do të jepja dhe këshilla të tjera për gjobat e Sahitit tek sahatet e ujit apo taksat e dhjetëfishuara të pastrimit e gjelbërimit, por njëherë për një herë besoj se të mjaftojnë këto këshilla. E rëndësishme është që të mos biesh në kurthin e përmirësimit të cilësisë së ajrit, ujit e dellit siç rashë unë, pasi ato janë ide që i përkasin disa dekadave më vonë kur të vijë dita ime si politikan. Tani përpiqu të bësh këto që janë më të thjeshta dhe ke për të pasur sukses.

Me respekt, Ferdinand Xhaferi, autor i patentës për përmirësimin e cilësisë së diellit.