November 4, 2013

Proces gjyqësor ndaj Sali Berishës


Mero Baze thotë se “Sali Berisha ka një siguri të tepruar për mosdënimin e tij”. Në editorialet e tij të ditëve të fundit në Tema Online, Baze, përmend arrestimin e Berishës, por lexuesit që komentojnë poshtë shkrimeve, tregohen skeptikë lidhur me këtë mundësi.

Shkruan Baze ndër të tjera: “…Duke menduar se ka kryer krimi në emër të pushtetit, ai kujton se është i paprekshëm dhe kërkon që drejtësia të gjejë kriminelë të tjerë për të ilustruar situatën kriminale në vend. Mendoj se nuk ka nevojë. Duke filluar nga Sali Berisha, është më e lehtë të shkosh tek dera e çdo krimineli. Mjafton dera e shtëpisë së tij për të arrestuar shumicën e autorëve të krimeve në këtë vend. E gënjen mendja kur mendon se e ka të blinduar me pushtet dhe imunitet politik si opozitar. Do të rrijë aq gjatë dhe aq pa kthim në këtë status, sa do kërkojnë ta arrestojnë dhe të vetët”.

Lidhur me arsyet pse Berisha dhe opozita e re është bërë kaq agresive ende pa u mbushur 100 ditë nga qeverisja e majtë, duke akuzuar këtë të fundit për një krizë ekonomike që e ka shkaktuar vetë, Baze thotë:

“Berisha i druhet asaj që ai vetë ka në kokë në raste të tilla. Ai e di si kalohen kriza të tilla depresive për shoqërinë. E ka aplikuar vetë dy- tre herë këtë praktikë. Kur në vitin 1991, shqiptarët ishin nën tmerrin e batutës “ka dhe gjashtë ditë bukë”, ai arrestoi Nexhmijen dhe njerëzit e harruan. Në vitin 1993, kur njerëzit ishin thellësisht të zhgënjyer nga reformat e tij dhe po refuzonin pushtetin e tij, për të cilin dhanë 70 përqind të votave, ai arrestoi Fatos Nanon dhe njerëzit u morën me të. Në vitin 1995, kur e pa që sërish nuk po ia dilte të qetësonte situatën me qeverisjen, arrestoi gjithë ish- Byronë Politike dhe njerëzit u morën me të. Ajo që ai ka frikë realisht tani është se mos Edi Rama po mendon ekzaktësisht atë që ai ka bërë sa herë vendi ka qenë në një depresion të tillë ekonomik dhe financiar. Ai thjesht po mendon çdo kish bërë vetë po të ishte në vend të Edi Ramës në këto momente. Dhe s’e ka keq që e mendon!”

Po a mendon Baze se një proces gjyqësor ndaj Berishës është i mundur? Këtë pyetje DITA ia bëri mbrëmë gazetarit të njohur dhe ai përgjigjet: “Nuk besoj se arrestohet gjatë kohës që është në pushtet Rama-Meta, por nuk kam asnjë arsye që të humb shpresat se do dalë dikush në këtë vend ta ndëshkojë”


Një Byro Kombëtare Hetimi?

Xhevdet Shehu

Ideja e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit ka qarkulluar prej disa muajsh. Nga ajo që dihet deri më tani ka qenë një propozim i këshilltarit të Ramës, ish-kryeministrit britanik Toni Bler, për të precizuar tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, diçka e ngjashme me FBI-në amerikane, por e përshtatur për realitetin shqiptar të një vendi të vogël.

Pse një Byro Hetimesh? A po ngrihet për të goditur zyrtarët e lartë të ish-administratës së djeshme dhe administratës së sotme? A do dublojë Prokurorinë dhe Gjykatën? A ka lindur për shkak të dështimit të organeve shqiptare të drejtësisë për krime të tilla të rënda penale si çështja Gërdeci, vrasjet e 21 janarit, apo krimin ekonomik në nivele të larta? Këto pyetje ua kemi drejtuar, ministrit aktual të Drejtësisë, Nasip Naço, ish-kryeprokurorit Arben Rakipi dhe ish-shefit të Shërbimit Informativ, Fatos Klosi.


Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço: “Dënime zyrtarësh deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve”

Intervistoi: Artur Qoraj

Ngritja e Byrosë së Hetimit ka shkaktuar debat, me zëra kundër dhe pro në politikë dhe në fushën e jurisprudencës. Debati përfshin faktin se kjo Byro mund të dublojë prokurorinë apo gjykatën dhe se ka dyshime që mund të bëhen goditje selektive të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, deputetëve apo ministrave dhe ish-ministrave. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, shpjegon në një intervistë për gazetën “Dita” këndvështrimin e tij mbi këtë Byro.


Zoti Naço, si lindi ideja e ngritjes së Byrosë së Hetimit dhe cili është qëllimi i një strukture të tillë?

Së pari, ishte dhe një prej objektivave të programit të qeverisjes, e cila nga ide tashmë po zbatohet. Qëllimi i saj është funksionimi sa më mirë i veprimtarisë në goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Në të gjitha nivelet.


Kjo strukturë do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit?

Kjo strukturë do jetë si një nukël që do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, por gjithashtu do drejtojë dhe kontrollojë zyrtarët e mesëm dhe të ulët. Por kjo do të sjellë padyshim edhe ndryshimin e ligjit.


Dhe si do funksionojë kjo strukturë, cila do jetë përbërja e saj?

Këto janë çështje teknike në vijimësi që po diskutohen dhe do të zbatohen. Mendohet të ngrihet një grup i mirëfilltë oficerësh. Por këto janë çështje teknike, për të cilat nuk mund të flitet tani. Dua të them se krimi i organizuar, trafiqet apo korrupsioni, që janë edhe krime të rënda, duhet të goditen me efikasitet. Kjo nuk cenon institucionet e tjera si Gjykata e Lartë apo Prokuroria, për rastin e deputetëve apo zyrtarëve të lartë.


Pra nuk dublohet prokuroria apo gjykata?

Byroja e Hetimit mund të ketë edhe një emër tjetër. Nuk ka të bëjë as me prokurorinë dhe as me gjykatën, për më tepër që t’i dublojë. E theksova më sipër se kishte nevojë për reformim përsa i përket strategjisë së goditjes së krimeve të rënda, krimit të organizuar, korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të ulët, të mesëm dhe të lartë, që ky korrupsion të goditet në zemër dhe të kalojë një fazë më tej.


Çfarë do të thotë një fazë më tej?

Deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve. Kësaj i shërben edhe projektligji, apo paketa e re për ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Ndryshimi i kompetencës, pra hetimi i rasteve të korrupsionit që do të bëhet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, do të japë efektet e duhura. Pra i japim këtij institucioni mundësinë që të reagojë dhe të luftojë realisht korrupsionin.


Ky institucion ngre akuza?

Është prokuroria që i ngre akuzat, kurse ky nukël që do krijohet, ka për detyrë të gjejë prova, fakte dhe të kopsisë dosjet sa më mirë dhe me rezultate. Edhe vendimet për këto dosje do i japë gjykata, pra nuk ka dublim të institucioneve të drejtësisë.


A mendoni se do ngrihet steka e arrestimeve deri te zyrtarët e lartë?

E thashë që qëllimi për të cilin po ngrihet Byroja e Hetimit është goditja në zemër e korrupsionit, e krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave. Dhe kur themi lufta ndaj korrupsionit, nuk bëhet fjalë vetëm për zyrtarët e mesëm, por edhe të lartë. Gjithnjë bazuar në fakte dhe prova.

Rezultatet ndaj krimit dhe korrupsionit i kërkon publiku shqiptar, i kërkojnë edhe ndërkombëtarët. Por të gjitha këto do bëhen hap pas hapi. Momentalisht nuk mund të flasim nëse do ketë apo jo efikasitet. Ende nuk ka nisur puna.


Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi: “Tre elementë që mund ta bëjnë të suksesshme këtë strukturë”

Zoti Rakipi, si e komentoni lajmin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimeve?

Ende nuk kemi njohje të thelluar për këtë projekt. Kam lexuar në shtyp se do të ngrihet një strukturë e tillë, por nuk kam lexuar ndonjë projekt se si do të ngrihet, si do të funksionojë etj. Gjithësesi mendoj se krijimi i një Byroje Hetimesh është korrekt dhe i mirëpritur. Në parim mendoj se është një akt i drejtë për të rritur efikasitetin e organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit.


Ministri Drejtësisë thotë se kjo Byro do të ngrihet për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore. Pra, mund të mendohet se do të kemi edhe arrestime të bujshme për krime dhe vepra të rënda, hetimi i të cilave ka dështuar deri më sot?


Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që mund të them me bindje tani është se ky hap do të ndihmojë organet prokurorisë dhe të gjyqësorit.


Si ish-prokuror i përgjithshëm, çfarë duhet sipas jush, për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë?

Për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë, duhet harmonizimi dhe kombinimi i drejtë i tre elementeve: saktësia e strukturave; përzgjedhja e njerëzve që do të punojnë aty; bashkëpunim i frytshëm dhe i vullnetshëm me organet e prokurorisë dhe të gjyqësorit. Po të harmonizohen si duhet këta tre elementë unë besoj se kjo strukturë e re do të jetë e suksesshme dhe do të ketë autoritetin e nevojshëm për të bërë punë të mira.


Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi: “Byroja e Hetimit të bashkëpunojë me SHISH-in dhe policinë antikrim”

Zoti Klosi, tani së fundmi po diskutohet ngritja e një Byroje Kombëtare të Hetimit, ngjashëm me FBI-në amerikane. Mendoni se ky akt  do të jetë efikas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Mendoj se do të jetë një hap efikas. Akoma sot, ka një farë kakofonie në mjediset e institucioneve, që merren me trajtimin e dukurive të korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Barra për të përgatitur materialet e akuzës i ka mbetur kryesisht Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.

Do të ishte një sistem më efikas nëse në këtë detyrë të rëndësishme, të ingranohej më shumë dhe Policia kriminale dhe  Shërbimi Informativ Shtetëror. Sidomos për këtë të fundit, implikimi më konkret, nëpërmjet ligjit, në punën në favor të akuzës, do të ishte shumë më efikas se sa delegimi i kësaj detyre, nga ana e Kryeministrit, siç mund të bëhet sot. Kjo do ta vinte këtë Shërbim në pozita përgjegjshmërie më të madhe, në luftën kundër dukurive të mësipërme.


Krijimi i kësaj Byroje Hetimesh, mos do të thotë se do të ngrihet steka e arrestimeve, pra do të kemi një shkallë më të lartë ndëshkueshmërie, madje dhe në rangjet e larta të politikës?

Nuk mendoj se ka të bëjë me ngritjen e stekës, ligji nuk mund të parashikojë “steka”, kurrëkush nuk mund ta ndalojë as sot Prokurorinë, ta ngrejë stekën deri ku duhet. Problemi i riorganizimit më duket se është më shumë teknik se politik. Besoj se bëhet fjalë për një bashkëpunim të organizuar me ligj, midis të gjithë institucioneve investigativë, shpresojmë në të mirë të një profesionalizmi të shtuar të punës për zbulimin dhe dënimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Planifikimi i organizuar i prioriteteve të punës të secilit prej institucioneve investigativë dhe organizimi i bashkëpunimit institucional midis tyre, është ndjerë si nevojë qysh shumë vite më parë, por fatkeqësisht nuk është bërë dot e mundur. Mbase ka ardhur koha që të kapërcehet dhe kjo prapambetje.


Artur Qoraj - Xhevdet Shehu










Ambasada Britanike:



Akuzat e PD ndaj “Crown Agents”, 
të rreme dhe të pandershme

Ambasada Britanike në Tiranë reagon për debatin rreth kompanisë private “Crown Agent”. Në të parin deklarim zyrtar pas “zhurmës” në media, Ambasada britanike deklaron se akuzat për korrupsion ndaj kësaj kompanie janë të rreme dhe praktika të pandershme biznesi.
“Crown Agent” vepron në përputhje me legjislacionin strikt të Mbretërisë së Bashkuar, mbi praktikat e biznesit dhe me ligjet e vendeve në të cilat është duke punuar. Mirëmbajtja e parimeve më të larta dhe standardeve etike është e rëndësishme për kompaninë dhe për qeverinë britanike. Projekti i propozuar nga Crown Agents është një temë legjitime për mediat dhe debatin politik. Pa dyshim ka argumente pro dhe kundër një propozimi të tillë. Megjithatë dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër Crown Agents, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike. Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuar dhe krejtësisht pa baza” thuhet në deklaratë.


Sipas Ambasadës britanike, kontraktimi i kësaj kompanie ka ardhur si kërkesë e qeverisë, pas probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore, që e kanë shoqëruar Shqipërinë. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, thekson Ambasada, ndërsa shton se është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në Shqipëri për disa kohë ka patur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit.
Ka gjithashtu një kërkesë për ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve në fushën e doganave dhe për masa për të ulur nivelin e korrupsionit.
Kompania britanike Crown Agents i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës.
Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit, dhe koston. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në Kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj. Megjithatë, është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997, dhe Qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agent” shprehet Ambasada britanike .

Në përfundim Ambasada britanike nënvizon se aktivitetet e “Crown Agents” janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” si edhe ”guidën doganore” të BE-së.

“Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës, dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. “Crown Agent” ka menaxhuar projekte specifike në fushën e doganave me sukses, në Bullgari, Maqedoni, Bosnjë– Hercegovinë dhe Kosovë. Ata që punojnë në projektet e Crown Agents për qeverisjen e mirë dhe të ardhurat, janë gati të gjithë zyrtarë në shërbim apo në pension nga shërbimet britanike doganore, ose të shërbimeve doganore të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Aktivitetet e Crown Agents janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian,dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” (të gjitha parimet, legjislacionin, rregulloret, udhëzimet politike, praktikat dhe detyrimet e rëna dakort nga gjithë shtetet anëtare të BE-së), si edhe ”guidën doganore” të BE -së “.

LEXO: