March 26, 2014

Tirona Fanatics

<img src="tirona fanatics.jpeg" alt="tirona fanatics, erion isufi, kunati, lul basha," />
                17 NENTORI FANATICS       imazhe shqip



Kunati i befasuar nga thirrjet naziste në stadium

Kunatit ju hap një telash i ri i papritur lidhur me klubin Tirana. Si familje, Kunati që i vogël ka qenë tifoz me Partizanin. Babai i tij ishte kapter në ushtri, dhe si shumica e familjave të ushtarakëve, ishin me Partizanin. Edhe pse nuk ishte shumë tifoz, sa herë ishte tifoz me dikë, ishte me Partizanin.

Kur mori në dorë bashkinë, mësoi se kishin dhe klubin Tirana. Sado që Kunati mundohej t’i thoshte Tirana, me mendje e kishte 17 Nëntori. Prapë punë partizanësh. Biles sa herë fliste me babain e tij, ai i thoshte vetëm 17 Nëntori dhe kjo e ngatërronte punën kur flisnin në sy të njerëzve të klubit.

Dje në stadium, një tifoz i 17 Nëntorit, d.m.th Tiranës, kishte shkruar një parrullë ku thoshte “ne për ju do rihapim Aushvicin”.

Parrulla ishte naziste, por nuk u mor shumë seriozisht.

Sidoqoftë, Luli e këshilloi Kunatin ta hetonte kush e vuri atë parrullë.

Kunati filloi hetimet dhe i doli që tifozi ishte nga Erseka.

-Si ka mundësi, tifoz i 17 Nëntorit nga Erseka, mendoi Kunati?

Filloi të gërmojë më shumë për të. Doli që kishte pasur dhe babën oficer.

-Si ka mundësi oficer, tha Kunati, dhe kërkon të hapet Aushvici?

Gërmoi dhe më tej, dhe doli që ai punonte në Bashki.

-Si ka mundësi, pyeti Kunati, kush ta ketë futur në Bashki?

Dhe thirri menjëherë shefen e kuadrit, që e ka vajzë teze.

-Ma shiko pak këtë emër, i tha. Si ka filluar punë në Bashki?

Ajo i hodhi një sy të dhënave dhe pa u menduar shumë tha, “këtë unë e kam futur”.

-Po kush ta rekomandoi, i tha Kunati?

-Plotësonte kriteret, i tha vazja e tezes. Ishte nga rrethet, kishte babain oficer, familje me origjinë komuniste. Epo thashë, dora jonë ky, dhe e kam marrë. Bile dhe kur e mora intervistë, e pyeta me kë je tifoz. Më tha me 17 Nëntorin, jo Tiranën. Babi jot gjithmonë nga këta më sjell për punë.

-Mirë, dakord, i tha Kunati. Mos ja thuaj njeriut, se mërziten këta tifozat e Tiranës.

Pas kësaj i raportoi Lulit për situatën.

I tha që tifozi është nga Erseka, familje oficeri, i lidhur me Partinë e Punës, por tani është demokrat i vendosur.

-D.m.th nuk distancohemi dot, tha Luli?

-E kemi pak vështirë, i tha Kunati, se mërzitet babi. E ka djalin e shokut.

-Po mirë, gjej ndonjë mënyrë që të shmangim përgjegjësinë, tha Luli.

-Nuk kemi shumë mundësi, tha Kunati. Vetëm po ja kthyem skuadrës emrin 17 Nëntori dhe të themi që dhe ne me luftën jemi, s’kemi punë me nazistët. Gjithë bashkia dakord është. Vetëm këta tifozët janë kundër.





*   *   *