August 12, 2015

Ndaje këtë Coca Cola puthje me Milosheviqin /Ove Coca Cola Poljupce neka dobiju Mlosevici


Një fotografi e mbërritur në redaksitë e mediave kosovare shpreh indinjatën e disa qytetarëve që kanë hasur në një shishe Coca Cola me sloganin e tyre të fundit “Ndaje Coca Cola puthjen me …”.

Në Kamenicë ky slogan ka një frazë mjaft provokuese për të gjithë shqiptarët. Aty shkruan: “Ove Coca Cola Poljupce neka dobiju Mlosevici” e shqipëruar dhe e përshtatur i bie: “Ndaje këtë Coca Cola puthje me Milosheviqin”.

Kjo ka indinjuar mjaft qytetarët kur kujtojmë që vetëm për një shprehje “Republikë” dhe një shfaqje të flamurit tonë kuq e zi, serbët shpërthejnë propagandën.


*    *    *

Kina ndalon 120 këngë “imorale”, ja cilat janë


Kina ka ndaluar 120 këngë nga interneti pasi i konsideron ato “të dëmshme” për shoqërinë.

Njoftimi u bë i ditur të hënën nga Ministrja e Kulturës së Internetit, që i cilësoi këngët e ndaluara si të “turpshme, dhunshme, mosbindës, apo imorale”.

Titujt ofendues – të gjitha këngë kineze – përfshijnë “Pa para s’ka miq,” “Nuk dua të shkoj në shkollë,” dhe “Vetëm për  një natë.”

Një këngë e njohur e MC Hotdog, që përfshin vargun ‘Unë nuk i dua gratë kineze, unë dua vajzat tajvaneze” u përfshi në listën e zezë, ashtu sikurse edhe një këngë e quajtur “Pordhë”, që përfshin tekstin: “Ka disa njerëz në botë që iu pëlqen të mos bëjnë asgjë por vetëm të pjerdhin”, raporton CNN.



*   *   *







August 11, 2015

Ilir Meta zhvesh nudo gazetarin e ABC news


Një kronikë e pazakontë është shfaqur këtë pasdite në ABC News, televizioni që përgjatë sezonit veror transmeton direkt nga bregdeti i Jugut atmosferën e plazhit. Lajmi se Ilir Meta gjendej me pushime në Jalë me Menduh Thaçin, duket se u eklipsua nga incidenti që i ndodhi gazetarit Eni Shehu gjatë intervistës me dy politikanët.

Kryetari i Parlamentit u xhirua me kamera gjatë ditës së tij të pushimit në Jalë, ku, së bashku kryetarin e PDSH-së së Maqedonisë, po notonin mes shkëmbinjëve. 

Pasi dolën nga deti, ata të dy me rrobabanjo shkëmbyen batuta me gazetarin, të cilin, Ilir Meta e ftoi të heqë kanatjeren dhe të futej në det për t'u freskuar. Eni u duk entuziast dhe nuk ia prishi kreut të Kuvendit. Pasi zhveshi kanatjeren dhe gjithë ç'kishte nëpër xhepa, u drejtua për tek shkalla mbi shkëmbinj.

Por, një incident i sikletshëm po aq sa edhe humoristik i ndodhi gazetarit, kur sapo u hodh në det për të notuar. Një dallgë e vogël por e rrezikshme, bëri që rrobabanjot e tij të uleshin deri tek gjunjët, duke dhuruar një moment të papërsëritshëm, që shkaktoi të qeshura tek "spektatorët" Meta e Thaçi. Shfaqja e të pasmeve në prani të dy politikanëve u shoqërua me batuta dhe si për të qetësuar sado pak situatën, Ilir Meta komentoi: "Nga transparenca s'ka asgjë të keqe".



*    *    *




Edi Rama nga Dhërmiu:


Marrëdhëniet me Metën? 
Dy anë të medaljes. 
Qeveri PS-PD? Pretty Woman me Lulin e Kaçin

Në një intervistë për DITA nga Dhërmiu ku po pushon me bashkëshorten dhe djalin Zahon (në foto) kryeministri Edi Rama flet për ato që ai i quan “zhurmat e kësaj vere”.

Çfarë po ndodh mes tij dhe Metës? Çfarë ka ndërmend të bëjë në shtator. Si i komenton zërat për qeverisje PS-PD. Pse i quan këto pushime më të zhurmshmet e jetës së tij. A do taksohen rrogat e ulëta? A do rriten taksat? A kanë dështuar sipas tij Dogana dhe Tatimet? Çfarë do ndodhë me krizën e RTSH-së. Pezmi me mediat dhe diçka për pilotin gjerman…

Më poshtë një pjesë e intervistës që botohet nesër në DITA, ajo që ka të bëjë me raportet brenda koalicionit.

– Shtatori mesa duket paralajmëron shumë furtuna nga ato që ju keni për zemër zoti Kryeministër! Por përpara se sa të kalojmë tek furtuna e madhe e luftës kundër informalitetit apo ajo e shkundjes së shtetit përmes decentralizimit, të cilat ju keni deklaruar se do të nisin në shtator, lejomëni t’ju pyes nëse ju vetë i besoni zërat se do të ketë edhe një furtunë të parë brenda koalicionit? Më konkretisht një furtunë të mbjellë gjatë zgjedhjeve të qershorit për të cilat LSI nuk e ka fshehur nervozizmin ndaj PS…

Ka jo pak njerëz sot në opozitë që e ëndërrojnë një furtunë të kësaj natyre. Por nuk mungojnë as njerëz brenda vetë koalicionit që e dëshirojnë diçka të tillë. Për arsye të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë përgjithësisht pakënaqësirat personale.

Nuk ka asgjë të panatyrshme sidoqoftë në këtë ëndërr të opozitarëve ose dëshirë të disa shokëve në partitë e ndryshme të koalicionit, përfshirë edhe PS apo LSI.

Por ka një problem vështirësisht të kapërcyeshëm për ëndrrën a dëshirat e tyre. Ky është fakti se koalicioni ka funksionuar më së miri në funksion të reformave reale dhe ky është, në fund të fundit, elementi themelor që e bën të suksesshëm e të dobishëm për vendin koalicionin tonë. Çka do të thotë se furtuna e pritshme në këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në gota të ndryshme.

– Në Pogradec nuk po betohet dot ende kryetari i ri i bashkisë zoti Kryeministër, apo vazhdon pazari i Roskovecit?

-Mirë e kujtuat për të mbështetur tezën e furtunës, s’kam ç’them, po besomëni, është tipikisht një furtunë krejt kalimtare në gotën e politikës lokale. E cila s’ka gjasë të ngrejë dallgë të vërteta as në liqenin e atij qyteti dhe jo më të influencojë kursin politik të shumicës që qeveris Shqipërinë!

-Troç muhabeti zoti Kryeministër, si janë marrëdhëniet mes PS e LSI dhe jush e zotit Meta?

-Troç muhabeti zoti kryeredaktor, unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milionë votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë!

E të mos harrojmë, rikonfirmuam kufirin historik të 1 milionë votave me pjesëmarrjen më të lartë në një palë zgjedhje vendore njëzet e pesë vitet e fundit, pas një periudhe të parë qeverisëse me aq shumë problem të rënda të trashëguara dhe reforma të munguara njëzet e kusur vite me radhë.

Ndërsa mes meje dhe bashkëkryetarit të koalicionit, marrëdhëniet reflektojnë të dyja anët e medaljes së bashkëjetesës në këtë koalicion. Nga njëra anë bindjen e përforcuar nga suksesi i zgjedhjeve vendore, se ky partneritet është strategjik jo vetëm për të dyja partitë tona po për Shqipërinë në radhë të parë; dhe nga ana tjetër, edhe shqetësimet reale të secilit prej nesh, për t’iu përgjigjur sa më mirë pritshmërisë së lartë të publikut ndaj qeverisë e shumicës sonë qeverisëse, të cilat kanë nevojë vijimësisht për nxitje të mëtejshme dhe korrigjime të vazhdueshme.

Kush ëndërron apo dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së ose, konkretisht, mes meje e Ilir Metës, duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator.

-Mbase do të jetë kështu, po ndërkohë ndonjë media ka arritur deri në pikën që të paralajmërojë një përmbysje të madhe të konfiguracionit të sotëm politik, duke përcjellë informacionin e burimeve të rezervuara brenda kampit tuaj për një skenar të ri koalicioni të madh PS – PD! A e parafytyroni ju si të mundshme diçka të tillë?

-Ah po, të famshmet “burime të rezervuara” brenda kampit tonë të ndonjë medieje që, në fakt, bën rëndom korrierin e atyre që e ëndërrojnë apo dëshirojnë më kot furtunën. Ose, pse jo, edhe të ndokujt që hyn gjysmë padashje në vallen e thashethemeve të avullta të kësaj vape të madhe dhe teston, përmes ndonjë gazete, pulsin e llogores së gjatë të koalicionit. Nejse, të mos humbasi kohë me këto dokrra gushti dhe pse pushimet na e justifikojnë këtë lloj bashkëbisedimi!

Për mua personalisht skenari për një koalicion të madh PS – PD është po aq i mundur sa ç’do të ishte e mundur që Bollywood-i të xhironte versionin indian të Pretty Woman dhe, në vend të Julia Roberts të zgjidhte Lulin, ndërsa në vend të Richard Geere të merrte Kastriot Islamin. Madje edhe sikur për një moment të mendonim se, Luli dhe Kaçi, mund të jepnin dakordësinë për ta risjellë në ekran atë histori të beftë dashurie, është e pamendueshme qoftë edhe për një moment të vetëm, që PS dhe PD të qeverisnin bashkë në këtë periudhë të historisë sonë.
  

Intervista e plotë dhe fotot ekskluzive nga Dhërmiu (Vijon)/
Dita


*    *    *

August 10, 2015

'When I'm Sixty Four', Louis Van Gaal sings during conference (video)


Trajneri që feston ditëlindjen duke kënduar në konferencë për shtyp 


Luis van Gaal ka festuar në mënyrën më të mirë ditëlindjen e tij të 64-të.


Pas fitores në ndeshjen hapëse të sezonit të ri, trajneri holandez ka kënduar në konferencën për shtyp këngën e grupit legjendar The Beatles, “Kur isha 64”.
Fitorja ndaj Totenhamit në ndeshjen e parë të sezonit të ri ka qenë dhurata më e mirë që mund ti kishte bërë dikush trajnerit të Manchester United, Luis van Gaal. Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, holandezi ka kënduar disa vargje të këngës “Kur isha 64”, të kënduar nga grupi legjendar The Beatles.
“Kur ju dëgjoni atë që jam duke kënduar të gjitha dëshirat më janë plotësuar”, ka thënë van Gaal për të plasur vaji në konferencë. Kjo nuk është hera e pare që holandezi bënë të qeshë gazetarët, ai edhe në mbrëmjen e fundit të vitit të shkuar kishte treguar një barsoletë shumë interesante që shumë kush ia kujton në daljet e tij për shtyp.


*    *    *