Nga Olsi Tujani
Është për një vizitë në
Shqipëri dhe, në momentin që lë një takim me të, kërkon me përpikëri zbatimin e
orarit.
Gjatë bisedës është sa
në humor, aq edhe i matur me frazat që përdorë ndaj të gjitha çështjeve
delikate. Xhani De Biazi, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” zbardh
ofertat e shumta që ka marrë në drejtim të tij për të lënë përgjysmë rrugëtimin
e artë me kuqezinjtë.
Gjithashtu bën me dije
kërkesat e tij në lidhje me vazhdimësinë e kontratës dhe planet pas Europianit.
“Nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur, apo se unë dhe stafi im
s’kishim se me çfarë të merreshim.
Për mua ka qenë një
eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj
se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një
rëndësi maksimale. Sapo kam refuzuar pesë milionë euro për Shqipërinë”, bën me
dije trajneri i kuqezinjve, i cili në fund flet edhe shqip kur uron shqiptarët
për festat.
Çfarë note i vendosni
këtij edicioni që përfundoi?
Mendoj se edicioni mund
të konsiderohet shumë pozitiv dhe për këtë, si votë mund të them nëntë, pasi
dhjetë është maksimumi. Nëntë, sepse skuadra ka pasur një rezultat që, sipas
meje, ka qenë i rëndësishëm. E them këtë duke iu referuar arritjes së kualifikimit
për në Europian. Pastaj edhe sepse ekipi ka pasur një rritje konstante dhe
është relativisht i ri që mendoj se do të jetë një avantazh për të ardhmen.
Një notë për veten?
Për mua ka qenë një
eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj
se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një
rëndësi maksimale.
Pas kaq shumë kohësh në
Shqipëri, kush është shqiptari me të cilin jeni afeksionuar më tepër?
Le të themi që kam një
raport të mirë me të gjithë. Normalisht me njerëzit që i takoj në rrugë kam
krijuar një raport gjithmonë korrekt. Nuk bëj personazhin apo arrogantin.
Përkundrazi, kur më kërkojnë një autograf apo një fotografi, kam qenë gjithmonë
i gatshëm. Në vendin ku unë qëndroj, sa herë që vij në Shqipëri, kam një raport
mjaft të mirë me pronarin, Adin.
Cili ka qenë momenti më
i vështirë?
Pas humbjes në shtëpi
kundër Serbisë. Ka qenë një plagosje e rëndë për ne. Kërkuam që të fitonim
ndeshjen dhe t’i jepnim mundësinë vetes që të luanim për një barazim në Armeni.
Për fat të keq, u mundëm në minutat e fundit, pasi mbizotëroi e paarsyeshmja
mbi të arsyeshmen. Në fund u mundëm, edhe pse donim shumë që ta fitonim atë
takim.
Jeni nominuar në shumë
anketa të ndryshme. Çfarë domethënieje kanë për ju?
Jam i lumtur për këtë.
Mendoj se ajo që kemi arritur me Shqipërinë ka qenë një rezultat për të cilin
të gjitha mediat, jo vetëm ato italiane, por edhe europiane, kanë folur shumë.
Kjo, sipas meje, është diçka e bukur, sepse është përralla e bërë realitet. Kjo
është një mundësi edhe për të rinjtë që të mësojnë se sa herë kanë një ëndërr
apo dëshirë, ekziston gjithmonë mundësia që ta arrijnë nëse bëjnë gjënë e
duhur.
Është diskutuar shumë
rreth të ardhmes suaj. Sa mundësi ka që të qëndroni edhe pas Europianit?
Unë kam kontratë edhe
për dy vite të tjera, që përfshijnë edhe kualifikueset për në Botëror, pra deri
në 2017-n. Federata, në mënyrë të veçantë zoti Duka, e di që kërkon të më
kënaqë edhe më shumë. Unë nuk kam kërkuar asgjë. Gjithsesi, më vjen mirë për
ato që do të më japë.
Çfarë do të kishit bërë
më mirë gjatë kësaj kohe që keni qëndruar në Shqipëri?
Nuk kam ardhur me
stafin tim në Shqipëri për t’u bërë të pasur apo se nuk kishim se me çfarë të
merreshim. Kemi ardhur këtu për ta vënë në zbatim dhe për të realizuar një
objektiv. Në gjithçka kemi bërë, kemi pasur vetëm pasionin për të përmirësuar
futbollin në Shqipëri. Kemi punuar me bazën e Kombëtareve të moshave dhe
kërkojmë që puna të bëhet më në thellësi për të kuruar taktikën e të gjithë
këtyre ekipeve.
Shqiptarët ju
konsiderojnë si babagjyshin që u dha kualifikimin. Ju vetë, çfarë kërkese do të
kishit për të?
Babagjyshit do t’i
kërkoja që të kem në dispozicion për Europianin të gjithë lojtarët që kanë
kontribuuar për të shkuar në Francë. Të jenë të angazhuar gjatë kësaj kohe me
ekipet e tyre dhe që në Europian të kenë ende energji për një kompeticion kaq
të rëndësishëm sa ai në Francë.
Sa oferta keni pasur
gjatë kësaj kohe nga ekipe apo Kombëtare?
Shumë! E fundit ka qenë
rreth disa orë më parë (dje në mesditë). Megjithatë kam marrë një impenjim, të
cilit dua që t’i shkoj deri në fund. Mbi të gjitha, të shkojmë në Francë dhe të
shohim se çfarë mund të bëjmë. Pas saj është radha që të përqendrohemi te
kualifikueset në Botëror dhe më pas të shohim. Megjithatë, bota e futbollit
është magjepsëse.
Më lejoni të insistoj
në lidhje me ofertën që përmendët?
Kam refuzuar një shumë
të konsiderueshme parash. Ishte e jashtëzakonshme, nga një ekip kinez. Bëhej
fjalë për një ofertë prej pesë milionë eurosh në dy vite. E refuzova menjëherë,
edhe pse, në kushte të tjera, do ta kisha pranuar.
Çfarë rëndësie pati për
ju që të merrnit titullin “Honoris Causa” në Shqipëri?
Jam krenar, siç e
thashë edhe në fjalimin tim. E dëshiroja shumë, sepse, le të themi, që për faj
të futbollit nuk kam studiuar aq shumë sa do të doja për t’u bërë avokat.
Pastaj i kam ndërprerë. Jam shumë i kënaqur dhe e falënderoj universitetin që
ma dha këtë mundësi edhe për motivin sepse ishte shumë i bukur. Arrita të bëja
krenar edhe popullin shqiptar.
Çfarë raportesh keni me
Kaçen?
Krejt normale si me të
gjithë lojtarët e tjerë të Kombëtares. Nuk krijoj marrëdhënie të ndryshme me
dikë që të mund ta privilegjoj ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, është mirë që
kur dikush flet, të jetë përballë një që kupton menjëherë atë që po thua. Ai ka
probleme me komunikimin, por ka cilësi shumë të mëdha dhe është një djalë i
mirë.
Mendoni se është gati
për Serinë A?
Shpresojmë që po! Uroj
që të arrijë të transferohet në Serinë A. Kam parë në media të ndryshme që
është përfolur emri i Lacios. S’e di nëse është e vërtetë apo thjesht një
sajesë e mediave. Megjithatë, nëse do të bëhej pjesë e Serisë A, do të isha i
lumtur. Së pari, sepse do ta kisha më shumë nën kontroll. Së dyti, edhe sepse
Seria A mendoj se ka diçka më shumë sesa kampionati grek.
Jeni shprehur që Gashi
po kalon një situatë të çmendur?
Gashi është duke kaluar
një moment mjaft të trishtueshëm, duke qenë se është një futbollist i shpallur
për dy sezone radhazi si golashënuesi i kampionatit zviceran dhe nuk po luan.
Shpresoj që të sistemohet sa më shpejt. Më kanë pyetur edhe në Itali për të dhe
shpresoj që të mund të bëjë edhe ai një kalim të tillë. Mos më pyesni për emra
ekipesh, sepse nuk tregoj asnjë…
Ju tremb diçka përpara
Europianit?
Ne jemi në një grup të
vështirë. Kemi përballë një ekip si Franca që, mbi të gjitha, do të luajë në
shtëpi. Luajmë me Zvicrën, e cila ka shumë lojtarë cilësorë. Gjithashtu
Rumaninë, që ka bërë një ngjitje të konsiderueshme në renditjen e FIFA-s në
vitet e fundit.
Ndaj them që janë të
tria skuadra të rrezikshme. Por, nuk duhet të harrojmë që në Europian nisemi të
gjithë nga e njëjta bazë. Gjithashtu që ne jemi ekip që vinim nga vazoja e
katërt. Megjithatë, e kemi treguar shumë herë që përballë kundërshtarëve shumë
të vështirë edhe ne bëhemi më të fortë.
Sa lojtarë të rinj mund
të vijnë në Kombëtare për Europianin?
Shumë pak, për të mos
thënë asnjë.
Asnjë?
Them që asnjë. OK,
vetëm nëse do të kemi situata emergjente. Nuk mund të anashkaloj ata lojtarë që
na kanë çuar deri në Francë. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se janë më të
besueshëm dhe një grup unik, një skuadër. Mbi të gjitha, ata e dinë që ekipi
është përpara të gjithave dhe mbi të gjithë.
As Manaj apo Rashica,
si dhe Salihi që mungoi në grumbullimin e fundit?
Salihi ka bërë disa
paraqitje me ne gjatë këtij edicioni. Të gjithë do të jenë nën vëzhgim deri në
momentin që do të vendosim. Një muaj përpara se të nisemi atje, do të bëjmë
llogaritë se kush do të vijë dhe do të shohim gjithashtu kush është në formën më
të mirë, ka luajtur më shumë e kështu me radhë.
Arlind Ajeti është
transferuar në Itali, por ende asnjë minutë për të…
Ishte e pritshme.
Madje, unë e dija dhe ja kisha bërë me dije edhe trajnerit të tij që nuk është
në gjendje për të luajtur menjëherë. Në momentin kur nuk stërvitesh, kur nuk
aktivizohesh, s’mund të kesh një kondicion fizik të përsosur dhe që të të
mundësojë të jesh në fushë. Ai tashmë po punon që të mund të rikuperojë edhe
kondicionin fizik optimal që të mund të jetë një prej zgjedhjeve të trajnerit.
Shpresoj që, pas pushimeve të vitit të ri, të mund të jetë pjesë aktive e
skuadrës.
A keni një tjetër
mesazh për Xhemailin, meqenëse ka qenë ndër të parët që ju ka uruar për
kualifikimin?
Xhemaili ka qenë
lojtari im te Torino, shumë i dashur për mua, por që për fat të keq do ta kemi
kundërshtar në Europian. Uroj që të dy të mund të kalojmë fazën e grupeve.
Është shumë i fortë dhe e di gjithashtu që bën tifo edhe për ne.
Duka ka shprehur
dëshirën e tij që ju të qëndroni sa më gjatë me Kombëtaren, por ka shtuar se
“nuk do të shesë shtëpinë për t’ju paguar juve”. Kaq shumë kërkon De Biazi?
Absolutisht jo! Mendoj
se jam paguar për aq sa Federata Shqiptare e Futbollit mund të përballojë. Unë
nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur dhe kjo është e sigurt. Mbase,
jam pasuruar nga kënaqësia e madhe dhe nga mirënjohja pa kufi që më kanë dhënë
njerëzit dhe kjo, për mua, është shumë e rëndësishme. Mendoj se i kam dhënë një
kontribut të mirë federatës që të rrisë bilancet sepse tashmë i vijnë para edhe
për faktin që do të jetë në Francë. Jam i bindur se të dy, si Duka edhe unë e
kemi shijuar këtë eksperiencë.
Kush jua shkroi
fjalimin shqip që mbajtët në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF-ja?
E kam shkruar vetë, por
për ta përkthyer më ndihmoi një mik. Në fakt, ishte një e lexuar keq (qesh),
por sigurisht që e kam shkruar vetë. Ishin mendimet e mia sepse unë gjithmonë
jam i idesë që duhet të jemi të bashkuar. Nëse mendojmë se njëri është më i mirë
se tjetri, atëherë jemi të marrë fund. Shembulli që ka bërë Skënderbeu me
shkopinjtë është diçka që mbahet mend përjetësisht.
Cilat do të jenë
miqësoret që do të zhvillojë Shqipëria përpara Europianit?
Nuk janë përcaktuar
ende. Madje as vendi se ku do të qëndrojmë në Francë. Kemi parë shumë vende,
por ende nuk kam caktuar se ku do të jemi. Kemi diskutuar me Turqinë dhe
Poloninë, por akoma nuk është përcaktuar asgjë.
Çfarë i thatë
Tramexanit në Armeni kur e përqafuat pasi mbaroi ndeshja?
(Qesh…) Sinqerisht që
as që e kujtoj fjalë për fjalë se çfarë i kam thënë. Por ishte diçka në një
moment entuziazmi. Ai ka qenë një njeri që më ka qëndruar shumë pranë gjatë
gjithë kohës, më ka ndihmuar dhe mbështetur maksimalisht shumë. Kemi arritur së
bashku që të zgjidhim edhe situata që të tjerë nuk i besonin. Kemi pasur gjatë
gjithë kohës edhe diskutime për zgjedhje të caktuara, por që në fund unë
vendosja gjithmonë (qesh…). OK, i kam dhënë të drejtë edhe atij ndonjëherë.
Por, ai është më i ri dhe disi entuziast. Tamam si shqiptarët (qesh…) dhe më
duhet gjithmonë që t’i them: Kujdes, ulu me këmbë në tokë se po fluturon!
Urimi për shqiptarët?
Të jetë një vit njësoj
si 2015-ta, pasi në aspektin sportiv mendoj se ka qenë i shkëlqyer. Madje, edhe
2014-ta ka qenë mjaft i mirë duke kujtuar fitoren në Portugali. Shpresojmë që
të jetë i mirë nga ana sportive. Nga ana tjetër, ju uroj (flet shqip:
Gezuar
Vitin e Ri per te gjith!”).
* *
*