September 10, 2014

Shtëpia e varur në shkëmb




Një shtëpi që të fut të dridhurat, me një pamje unike mbi oqean. Me një fjalë të vetme: ekstreme. “Cliff House” është ideuar nga agjencia e arkitektëve australianë "Modscape". Shtëpia është e projektuar për një çift që kanë në zotërim një copë të vogël toke në brigjet e Viktorias, në Australi.



Shtëpia bëhet si një lloj shtojce e shkëmbit që bie mbi oqean dhe lidhet me shkëmbin shufra çeliku.



Hyrja për në shtëpi është nga sipër, përmes një ashensori që lidh të pesë katet.

 

*   *   *




Maks Velo: Pse jam antiverior e antimysliman





Maks Velo

Kjo intervistë do të mrrolë shumë fytyra ose do të anashkalohet me togfjalëshin “prapë ky i çmenduri!”. Sido që të jetë, Maks Velo është një nga të paktët, në mos i vetmi që i shpëton mbërthimit të hekurt të të qenit politikisht korrekt.

Pra flet troç ose ‘speaks his mind’ për të përdorur një term të anglishtes (shumë fytyra po rrudhen tashmë nga ky jopurizëm në gjuhë ose shitmendje me anglisht). Për t’iu përgjigjur pyetjes së tij ‘sa janë veriorët gegë?’ duhet një epos më vete. Por për të antiprovokuar pa u munduar të jem politikisht korrekt, mund të them se veriorët (apo gegët në daç) nuk i gjymtojnë apo masakrojnë kurrë të vrarët e tyre. Ata e duan të bukur kufomën e kundërshtarit të vrarë! Në Korçën e zotit Velo, për shembull, vrasje ndodhin ndoshta jo rrallë, por makabritetet e plotësojnë këtë vakuum. Apo jo?!

Ju duket se keni padurim ndaj bedenave, miteve, Kanunit, ndërkohë që flisni për vlerat e pazëvendësueshme të trashëgimisë. A mos e keni fjalën për një trashëgimi vetëm të krishterë e posaçërisht ortodokse, pra kishat e ritit bizantin, ikonat e afresket? A mos jeni për një Shqipëri paraosmane? A nuk është kjo e pamundur?

Kështu si e bëni Ju pyetjen, sigurisht është e pamundur. Kur një njëri numëron pasurinë e fillon nga ato më me vlerë, në fillim diamantet, pastaj florinjte, pastaj eurot dhe në fund leket. Pasuria e një kombi merr në konsiderate në radhë të parë ato me të çmuarat. Kodikët e shekullit 6 dhe 9-të, Epitafi i Gllavenicës, ikonat ( mbi 5000 – je) dhe afresket (ndër to edhe ato të Rubikut ). Nëse këto janë Ortodokse për mua ka pak rëndësi, këto janë sikurse janë katër B–të e mëdhenj Budi, Buzuku, Bardhi dhe Bogdani.

Këto vepra që përmenda janë prodhim i Bizantit Ballkanik, atelietë ishin lëvizëse nëpër manastire. Piktorët ikonografë lëviznin në gjithë siujdhesën. Sot janë një baze për të bashkuar gjithë Ballkanin Perëndimor drejt Europës. Por mos harrojmë MARUBIN e madh dhe shumë të çuditshëm për nga moderniteti. Kanuni është një nga Opuset më madhore të Drejtësisë Mesjetare, është një nga kodet bazë të drejtësisë botërore. Është klasifikimi dhe kodifikimi i jetës se kaluar. Por duhet të mbetej një Opus shkencor. Kur aplikohet sot në Veri, tregojmë se nuk kapërcejmë dot Mesjetën. Ne po bisedojmë për Trashëgiminë, dhe nuk zgjidhen dot kohët, epokat, territoret, por vlerat. Onufri është në kohën osmane, por ka një iluminim perëndimor.

Mitet janë ëndrrat e popujve, pa to nuk deshifrohet dot historia.

BEDENAT? Kemi Kalanë e Shkodrës, të Lezhës, të Krujës, atë të Beratit dhe atë të Gjirokastrës.

Janë të dëmtuara dhe kur shkon sikur do të ikësh sa më parë, nuk po arrijmë dot t’i bëjmë të lakmuara.

E jeni antigeg ju, zoti Velo?

Jam antiverior, jo antigeg. Kur isha i vogël, në Korçë afër shtëpisë ish një dyqan kinkalerish, i Geges, quhej. Pronari ish një plak i urtë, i dashur, zemërgjerë, kështu do mbesin në përfytyrimin tim Gegët. Si shegët me një lëng të kuq brenda dhe të bukura për të pikturuar natyra të qeta. Shega ndofta edhe përfaqëson gegërinë. Vazhdoj të vizatoj prej 50 vitesh gratë me xhubleta, është ajo që më lidh direkt me kohët homerike. Tani vijmë në Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?

Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Europës.

Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me themel.

Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe bilancin. Pastaj më drejto pyetjen mua. Tani po ju drejtoj unë një pyetje: sa janë veriorët, gegë?

Po antimysliman?

Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.

Lavdërim Muhaxhiri, ish-mysliman kosovar, edhe 120 xhihadistët e tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më tremb se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell.

Islami nuk të jep asnjë garanci. Unë dua dhe vlerësoj fetë paqësore. Kur Islami të bëhet i tillë, nuk do jem më anti-mysliman.

Ju e trajtoni kryeministrin Rama, apo mikun tuaj Edi Rama, si shpëtimtar, por të mos harrojmë se shpëtimin e qytetit nga kioskëzimi e pasoi me betonizimin. 1900 leje ndërtimi në 10 vjet janë dhënë nga Rama kryetar Bashkie, sipas opozitës. Por edhe pa fjalën e saj, ‘Komuna e Parisit’ për shembull, është pasqyrë e këtij dorëlëshimi në kaos…

Nuk duhet të jenë 1900. Me sa di unë janë afro 360, flas për objektet kryesore. Megjithatë ka një pjesë të vërtetë në ato që shkruhen. Por Ju nuk merrni parasysh dy gjëra: të tëra rregullat e shkruara e të pashkruara për administrimin e territorit dhe për Tiranen në veçanti ishin formuluar gjate viteve 1993 – 2000. Ish shumë vështirë të ndaloje mendimin që u ngulit se kam një tokë, dua leje ndërtimi. E quanin zhvillim të pronës. Sepse kjo ish mënyra e re e dembellëkut anadollak. Jetoj me tokën. Është sanksionuar edhe në Kushtetutë. Dhe Rama bëri lëshime, që nuk duhej t’i kish bërë. Tirana dhe Shqipëria është shumë e vështirë për t’u qeverisur. Se e para ish mafia dhe jo parlamenti që caktoi ligjet e veta. Kur them mafia nënkuptoj të gjithë ne. Një popull që nuk do punën, do me patjetër shkeljen e çdo ligji. Po Rama ka kohë që edhe ato që ka bërë gabim t’i korrigjojë. Këtë presim të gjithë.

Çfarë ju trishton më shumë në Shqipëri sa i takon profilit të saj arkitektonik? Çfarë është një gjë që nuk mund të zhbëhet më?

Janë dy. Kaosi urban dhe mungesa e çdo sensi estetik. Kjo e dyta është më e rëndësishme: SENSI ESTETIK. Po nuk pate një intuitë estetike je i marrë fund. Kjo vjen me një edukim mijëvjeçar. Ne, fatkeqësisht nuk e patëm. Osmanët nuk e kishin. Të gjithë popujt orientalë nuk e kanë. Ky është dëmi më i madh që pësuam në 500 vjet nga pushtimi osman. Asgjësimi i nervit estetik. Pa të nuk bën dot asgjë: as qeveri, as shtet, as qytet, as katund, as rrugë, as pyje, as lumenj, as ujqër, as arinj. Në Europë edhe arinjtë kanë sens estetik. Sensi estetik është ekuilibër, është vetërregullim, është frenim, është vajtje intuitive drejt se bukures, është respekt, është adhurim. Neve kjo na mungon. Jemi kaotikë, egërshanë, pushtues pa mëshirë, vetëshkatërrues. Nuk mund të bëjmë dot asnjë fshat, asnjë qytet, palë pastaj një shtet për të qenë.

A e keni parë projektin e ri të qendrës së Korçës dhe a jeni dakord me të, apo rreshtoheni me disa arkitektë nga Diaspora me origjinë nga Korça, të cilët botuan një letër të hapur te MAPO kundër këtij plani?

Nënshkruesit e protestës kishin parasysh vetëm një objekt që po ngrihet në sheshin para Teatrit dhe jo gjithë projektin. Unë kam botuar disa artikuj për këtë temë. Ndërtimi i atij objekti është i paligjshëm sepse Juria Ndërkombëtare, pranoi projektin, por duke specifikuar që ky objekt të mos ndërtohet. Bashkia ka bërë shkelje. 20 metra larg tij është Hotel Grand–i, në katin e 8 të të cilit gati në të njëjtën lartësi mund të bëhet një kafe panoramike. Ashensorët janë dhe jam ngjitur disa herë. Është e njëjta pikë panoramike me atë që po ndërtohet. Përse duhej ky dublim? Në kohën kur bërtasin se nuk kemi fonde dhe duhen kursime, ato qindra miliona mund të ishin shpenzuar për të mbaruar Muzeun e Artit Mesjetar.

Çfarë duhet bërë me trashëgiminë e socrealizmit në pikturë e skulpturë?

Duhet ruajtur me shumë kujdes. Ka shumë vepra nga një prodhimtari e bollshme. Ajo kohë nuk përsëritet më. Duhen mirëmbajtur sidomos ato që janë jashtë në natyrë: mozaikët dhe skulpturat. Po ashtu edhe piktura dhe grafika që janë nëpër muzeume dhe koleksione private. Këto ditë çova në shtyp një Album GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST në SHQIPËRI. Besoj se del deri në fund të muajit. Është një botim enciklopedik, me 149 autorë dhe 970 vepra, vizatime, gravura dhe pllakatet. Është një punë 22-vjeçare, gravurën e parë e futa në dosje në vitin 1992. Aty shihet puna kolosale që kanë bërë artistët, aftësitë profesionale, pavarësisht shtrëngimeve dhe disiplinës partiake. E përmenda këtë për t’Ju thënë se personalisht jam munduar që kjo trashëgimi të ruhet dhe mirëmbahet. Vetëm atëherë mund të studiohet dhe interpretohet.

A ekziston shoqëria civilë në Shqipëri? Në kuptimin e një trupi që i dhemb çfarë ndodh me vendin, jo një lukuni OJQ-sh që shqyhen mes vedi për fonde, që me sa duket përfundojnë në një humnerë të paditur?

Jo, nuk ekziston. Ekzistojnë disa gazetarë që herë mbas here ngrenë probleme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, por kjo jep pak rezultat sepse pushteti nuk i përfill. OJQ–ve u dhemb vetëm vetja e tyre, atë “dhembkën” për vendin e kanë maskim. Ne si popull kemi të zhvilluar në maksimum lojën teatrale, maskimin, hipokrizinë. Kështu janë të gjithë. Pse OJQ-të do ishin ndryshe? Gjoja si të preokupuar ranë në copat e majme të programeve europiane. Punojnë kur formulojnë ato programet e kërkimit të fondeve dhe sa vijnë paret në bankë, mendojnë për herën tjetër. të lodhur zhduken në ca ishuj të vetmuar. Problemet që nuk zgjidhen kur ata i dinë mirë: jevgjit, fëmijët e rrugëve, homoseksualët, dhe kondicionet e burgjeve.

Meqë europianët përloten shpejt, ata i kanë të gatshme skenat mëshirëplota. Por po të besh një listë të ojeqevistëve e të shohësh apartamentet, vilat, bizhutë dhe pasuritë bankare, kupton se ata dhe ato janë gati të hanë edhe një tavë me mish njeriu pa iu bërë syri terr, por ama OJQ-të nuk i lëshojnë.

Një prej librave tuaj me, le të themi ‘shqetësime arkitektonike’, titullohet “Betonizimi i demokracisë”. Si do ta krahasonit këtë me betonizimin e lirisë në komunizëm, domethënë me mijëra bunkerë e vendstrehime të përhapura në gjithë trupin e vendit nga diktatura e Hoxhës?

Duket sikur njëra dhe tjetra nuk kanë lidhje, domethënë “ betonizimi i lirisë në komunizëm” dhe “betonizimi territorit në demokraci” nuk kanë lidhje. Është e kundërta. Janë të lidhura si sëmundjet në trupin e një njeriu. Betonizimi i lirisë është skleroza që solli betonizimin e demokracisë. Se nuk mund të kesh demokraci kur liria që sjell ajo shkatërron gjënë më të rëndësishme për një shtet, TERRITORIN. Bunkerët e Hoxhës janë asgjë në krahasim me dëmin e vilave të fshatarëve që nuk duan të quhen fshatarë); dhe pallatet e qytetarëve që duan të rrinë gjithë ditën në kafe. Mbaj mend njëherë Berishën që po fliste i entuziastmuar se kish parë gjithë ato ndërtime fshatarësh gjatë një rrugëtimi. Nuk kuptonte Berisha se aty ish vdekja e shtetit, se ndërtimi mund të transformohet në shkatërrim. Sepse ata fshatarë duhet të jetojnë nëpër fshatra të grumbulluara (dhe jo veç e veç) dhe të ndërtojnë banesa me tipologji fshatare një ose dykatëshe sikurse bëjnë fshataret e Francës, Spanjës, Holandës, Anglisë…kështu foli edhe në Sarandë, kur Saranda është shembulli më i tmerrshëm i dhunimit të një dhurate të natyrës.

A mund të kishte një jetë të dytë për bunkerët, dmth a mund të rifunksionalizoheshin si diçka tjetër, apo ‘privatizimi’ i tyre qe i drejtë?

Po, mund të kish. Si dekor, si memorie. Francezët i ruajnë gjithë bunkerët e Luftës së Parë Botërore në Normandi. Konservimi i memories është një nga prioritetet e popujve të qytetëruar europianë. Duhet të ish bërë një rikonjicion dhe përveç atyre që pengonin qarkullimin, bunkerët e tjerë duhet të ishin ruajtur. Më vinte keq kur shihja që i shkërmoqnin për skrap, për t’iu marrë hekurin. Vendstrehimet janë ruajtur më mirë. Më kryesoret janë ky i Bllokut, i Gjirokastrës, i Gramshit. Ato po mund të rivitalizohen.

A mund të jeni dakord me atë se ç’u ndërtua në periudhën e Zogut, koha e dëshmoi si më të sigurtën, më estetiken dhe më oksidentalen? Si përplaset kjo me narrativën që komunizmi desh të nguliste rreth Zogut (nuk di pse mendoj se edhe ju do ta keni përvetësuar një të tillë edhe pse jeni antikomunist) si oriental, satrap, prapanik e të tjera si këto?

Po, por kjo vinte se ishin ndërtimet e para pas një letargjie anadollake. U ndërtuan kryesisht me projekte austriake dhe italiane, ose nga arkitektë shqiptarë që kishin studiuar aty. Kish hapësirë, pastaj mos harroni se Shqipëria nuk ish as 1.000.000 banorë. Me e çuditshmja ish se Zogu donte të bënte mbretëri mbi një katrahurë orientalotribale mesjetarooksidentale-feudale. Mbretëritë kërkojnë popuj homogjenë. Ne nuk ishim dhe nuk jemi të tillë. Prandaj dhe mbretëria nuk pati jetë të gjatë. Po Mbretit Zog nuk ia mohoj ato që i ka bërë mirë.

Çfarë na ka mbetur me vlerë arkitektonike nga koha e Hoxhës?

Na ka mbetur Kinostudioja, që tani e restauruar bukur, shkëlqen sikur është Pallati i Dimrit. Pastaj kemi Hyrjen e Kombinatit, edhe pallatet e Lanës që duhen restauruar, Fakulteti Filologjik që po pastrohet, Muzeun Historik dhe Pallatin e Kongreseve, si dhe “Mihal Durin”, po duhet ruajtur edhe stacioni i Radios me antenën në Kashar. Pastaj kemi sheshin “komunist” në Librazhd që u dëmtua nga hoteli i lartë që u ndërtua aty, kemi Ersekën e padëmtuar, qendrën e Përmetit, klubin e Maliqit dhe të Orikumit, Hotel Turizmi në Gjirokastër. Përmenda vetëm disa.

A mund të veçoni një numër ngrehinash në Tiranën e tranzicionit, që janë estetikisht të bukura dhe kanë njëfarë etike në raport me qytetin dhe njerëzit?

Po përmend Qendrën ABA, Rogner-in, Sheraton-in; Kulla e re e Belgëve, (që Rama thotë është një nga 10 grataçelat më të bukura në botë), Ura mbi Lanë e Belgëve, Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin EPOKA, Aeroporti NËNË TEREZA, TEG-u etj.

Nëse do t’i rifunksionalizonit uzinat, fabrikat, kombinatet e kohës së socializmit shqiptar, çfarë do të bënit me to: jo vetëm në kuptimin e biznesit, por sidomos të hapësirës publike apo urbane? Çfarë do të bënit me qytezat e lindura pas ardhjes në pushtet të komunistëve, domethënë me avanpostet ‘industriale’ të socializmit?

Fabrikat, uzinat, kombinatet kanë disa karakteristika dhe veçori që të japin mundësi t’i përdoresh për shumë funksione. Sepse ato kanë hapësira të mëdha, kanë lartësi dhe kanë dritë.

Kjo pyetje ka qenë shtruar për urbanistët dhe arkitektët edhe në vende të tjera europiane, si në Francë, Angli, Gjermani. Ata ndoqën politikën e konservimit të disave për të ruajtur tipologjinë dhe adaptimit të shumicës me funksione industriale ose publike. Po marr një shembull: Uzina e Instrumenteve të Precizionit në Korçë ishte një vepër e përkryer si nga ana e arkitekturës, po ashtu edhe e konstruksionit. Kish hapësira pafund, lartësi të shteteve, e realizuar me materialet më të mira dhe me kualitet të lartë. Atje mund të ish bërë pazari, po ashtu mund të ish futur stacioni i autobusëve dhe taksive. Mund të ishin adoptuar edhe salla ekspozitash. U prish e tëra për qëllime abuzive. Shembull i mirë në Tiranë është Profarma. Duhen shpëtuar ato që kanë mbetur, pastaj duhen studiuar dhe adoptuar.

A jeni fatalist, a mendoni se kemi humbur gjithçka sa i takon pikëpamjes urbane apo arkitektonike?

Po, jam fatalist. I vetëm realitet i vërtetë në Shqipëri është fataliteti. Këtë ma ka mësuar jeta e dhimbshme që kam kaluar. Kjo gjë që ka ndodhur me ne nuk ka ndodhur në asnjë vend, në asnjë kohë, me asnjë popull. Të shkatërrosh territorin në këtë shkallë me anën e ndërtimit. Janë shumë që duhen prishur nga Shkodra në Konispol. Janë mbi 400.000. Janë tërë qytetet kryesore: Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Kruja, Librazhdi, Prrenjasi, Shëngjini. Janë qindra mijëra gjatë arterieve kryesore rrugore. A mund të jem optimist?

Çfarë duhet bërë me Piramidën?

Piramidën e prishi një regjisor teatri, atëherë ish këshilltari i një ministri kulture. Nuk ka më të rrezikshëm se artistët kur ngatërrojnë disiplinat. Atij i dukej se teatri ish gjëja më e rëndësishme në Shqipëri. Janë harxhuar fonde për ta prishur kur ajo ish mirë e bukur. Kish nevoje vetëm për një riparim sepse futej ujë dhe pikonte në salla poshtë. Por nga funksioni ish perfekt, ish polifunksionale. Tani duhet caktuar një grup pune për ta sjellë në gjendjen e parë. Kjo mund të bëhet. Ne për fantazira shkatërruese jemi shumë të aftë.

Çfarë duhet bërë me magazinat apo ndërtesat karabina në përdorim fragmentar që shtrihen në dy krahët e rrugës që të çon në Kinostudio dhe Porcelan?

Sigurisht, kështu apriori nuk mund të sugjeroj gjë. Duhen studiuar me kujdes, por ajo zonë ka një traditë artizanati dhe stacionesh televizive, mund të përmblidhen edhe redaksi gazetash, shtëpi botuese, shtypshkronja.

Çfarë mund të bëhet me Krujën që qyteti të rivitalizohet, të rishpiket sepse duket se po vdes edhe si qendër urbane edhe si pikë turistike?

Nuk është e vështirë të japësh mendime për Krujën apo për qytete apo fshatra të tjera turistike, janë me dhjetëra. Do përmendja edhe Ersekën, Leskovikun, Tepelenën, Delvinën, Vithkuqin etj., etj. Vështirësia qëndron në zbatimin e tyre. Janë disa faktorë që japin dënimin ME HARRESË. Ky është ndryshimi i modës së të jetuarit. Që të mbash një qytet si Kruja në këmbë, do popull me ndjenja dhe etika të një shteti të pasur. Nuk i kemi as njërën dhe as tjetrën. Nuk jemi aq patriotë sa hiqemi.

A mund të jepni një ide për funksionalizimin e pikave që janë gjithandej në vendin tonë, dhe ku janë zhvilluar episode të mëdha e tragjike gjatë Antikitetit? Për shembull, janë disa beteja mes Çezarit e Pompeut që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Llogara. A mund të riinskenohet diçka në favor të historisë, trashëgimisë dhe turizmit?

Po është e njëjta pyetje si për Krujën. Të gjithë kur nisen për udhë, mendojnë ku do të pushojnë dhe ku do të hanë. Asnjëri nuk interesohet se çfarë ka ndodhur në këtë hapësirë gjatë historisë. Pastaj ka edhe të tjerë që duan të ndërrojnë historinë. Ne bëjmë një luftë të padukshme, të fshehtë, se nuk jemi popull homogjen. Të njëjtin fakt dy komunitete e interpretojnë ndryshe. Kjo i vështirëson të gjitha, edhe udhëtimin. Pastaj duhet të shpëtosh edhe kokën, se ata 3 studentët çekë që donin këtë gjë, të njihnin malet, i vranë në Veri.

Na thoni një këshillë urbanistike që i keni dhënë kryeministrit Rama dhe ai ju ka premtuar se do ta realizojë?

Unë këshillat i kam dhënë me shkrime. Janë mbi 80 artikuj në 20 vjet. Rama i lexonte të gjitha dhe më ka kontaktuar shpesh. Urdhrat e Ramës për ndërtimet pa leje kanë edhe një kontributin tim të vogël aty. Rama është një njëri që di të vlerësojë dhe respektojë çdo njeri që punon, sidomos ata që janë idealistë dhe profesionin e duan vërtet./MAPO


                                                *   *   *







Ka rënë modeli, jo guvernatori





Nga Skënder Minxhozi

Kaluan vetëm pak orë dhe për ish-guvernatorin Adrian Fullani ka nisur të flitet në kohën e shkuar. Pardje, Këshilli Mbikëqyrës votoi shkarkimin e tij, kurse krerët e lartë të institucioneve nisën konsultimet për të projektuar atë që mund të quhet “epoka post-Fullani”. Gjykatat u kujdesën që ish-guvernatori të mbetet në burg, ndërsa priten masa të tjera të ashpra, pas 18 arrestimeve të deritanishme.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar katër ditë nga arrestimi i njërit prej njerëzve më të fuqishëm në vend, thashethemet rreth faktorëve që çuan në burg Adrian Fullanin, vijojnë më të gjalla se kurrë. Dy kampet politike duket se kanë tendencë t’ia faturojnë nën zë njëri-tjetrit arrestimin. Këtë gjë duket se e beson edhe opinioni publik, i cili merret gjerësisht me kalkulime nga më të habitshmet, duke nisur nga roli i Berishës, e deri tek influenca e Samitit të Uellsit! Çka nënvizon në themel, një mosbesim thuajse total të shqiptarëve, ndaj mundësisë që burgosja e ish-guvernatorit të ketë qenë një proces i maturuar brenda mureve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Një tjetër kapitull po aq me interes duket të jetë ai i përfitimeve politike nga kjo ngjarje. Me arrestimin e Fullanit, të gjithë shpresojnë indirekt, që të marrin një “certifikatë” të vogël ndershmërie, performance dhe profesionalizmi. Kjo është ligjësia e arrestimeve të bujshme, në një vend ku rëndom nuk hyn askush në burg. Megjithëse mbajti një profil të ulët gjatë javëve të fundit, shumica qeverisëse nuk ka pse të ndihet keq për heqjen qafe të një zyrtari që krijoi një problem jo të vogël perceptimi publik, për sinqeritetin e luftës së saj kundër korrupsionit. Së dyti, edhe vetë drejtësia ka rastin të rrahë paksa gjoksin sot, për të na thënë “e shihni ç’bëmë, s’jemi aq të këqij sa na kujtoni”! Kurse Presidenti ka mundësinë të ndërtojë një strategji të tijën për emërimin e guvernatorit të ri, ndërsa opozita, nga ana e saj, mund të shohë në këtë situatë të re, mundësinë e rivendosjes së dialogut me palën tjetër, për emrin e pasardhësit të Fullanit. Shumëçka mund të jetë relative dhe fluide në këto orë në këtë histori, por një gjë u vërtetua: u desh hyrja e Fullanit në burg, që kreu i shtetit dhe Kryeministri t’i japin dorën njëri-tjetrit!

Adrian Fullani e meritonte largimin nga posti i guvernatorit, e kjo jo vetëm për skandalin e 7 milionë dollarëve të vjedhura, por për një epokë të tërë menaxheriale të dështuar në krye të Bankës së Shqipërisë, gjatë së cilës ai ndërtoi një sulltanat të padeklaruar. Por, nga ana tjetër, gjesti i skajshëm i arrestimit të tij, po u jep mundësinë të gjithë atyre që kërkuan kokën e tij, që të ngrenë zërin, për të lëvduar “forcën e shtetit ligjor”. Të gjithë e dimë që kjo është thjesht e pavërtetë. Burgosja e Adrian Fullanit nuk është as fundi i epokës së errët të korrupsionit endemik dhe aq më pak fillimi i erës së re të zbatimit rigoroz të ligjit. Shqipëria nuk u bë Zvicër sepse hyri në burg guvernatori i Bankës Kombëtare.

Për pasojë, çdo abuzim me ngjarjen (e bujshme, padyshim), përbën një përdorim banal të një hapi që duhet të jetë premisë themelore për të ndërtuar një sistem bankar, që të respektojë dhe të ruajë paranë publike, e jo ta hedhë atë nga dritarja.

Fullani ndërtoi një sistem nepotik dhe koniunkturor në institucionin që drejtoi. E bëri këtë në harkun e një dekade, me ndihmën, bekimin, mbështetjen, presionin, heshtjen dhe bashkëfajësinë e të gjithë vitrinës politike së këtij vendi. I zgjedhur nga e majta, ai u bë me kalimin e kohës një fëmijë i mbrojtur i së djathtës. Ikja e Fullanit, më shumë sesa rënien e një personi, shënon fundin e një modeli.

Dënimi i tij, cilido qoftë ai, duhet të jetë edhe dënimi i bashkëjetesës së deformuar dhjetëvjeçare, mes politikës dhe Bankës së Shqipërisë. Dënimi dhe zëvendësimi i guvernatorit, pa dënuar njëherësh edhe mentalitetin që i lejoi atij atë lloj drejtimi të bankës, do të ishte një gjest gjysmak që politika duhet t’ia kursejë shqiptarëve. E ky ndryshim kursi fillon me gjetjen e një pasardhësi të Fullanit, që të mos jetë rezultat i pazareve e kulisave banale numerike, në të mëngjër dhe në të djathtë të sallës së Parlamentit, por një përzgjedhje që të synojë shëndoshjen e imazhit të bankës dhe imunizimin e ardhshëm të saj, ndaj precedentëve si ky i tanishmi. Pa këtë hap, ngjarja e bujshme e burgosjes së kreut të Bankës së Shqipërisë do të ketë shërbyer vetëm për disa faqe të para gazetash, e asgjë më tepër.


                                                                           *   *   *








9/11, rrëfimi i ish-shefit të CIA-s, George Tenet










George Tenet

Në vorbullën e akuzave dhe kundërakuzave që u shfaqën në valën e 11 Shtatorit dhe të luftës në Irak, binte shumë në sy mungesa e dëshmisë jetike të një njeriu. Me sinqeritet dhe emocion, libri “Në syrin e ciklonit”     rrëfen kohën e Xhorxh Tenetit në Agjencinë Qendrore të Informacionit, një vështrim zhbirues në punët e brendshme të organizatës më të madhe inteligjente në botë gjatë kohës më të vështirë të historisë së viteve të fundit. Me një njohje të pashoqe, si të skalioneve më të larta të qeverisë dhe informacionit të gjallë nga terreni, Teneti ndriçon përpjekjet tepër të sakta të CIA-s për të përgatitur vendin kundër kërcënimeve të reja dhe vdekjeprurëse, shkoklavit ngjarjet e ngatërruara që çuan te 11 Shtatori, ndërsa ofron informacion të ri shpërthyes mbi diskutimet dhe strategjitë që kulmuan me pushtimin amerikan të Irakut.


Duke filluar me emërimin e tij si Drejtor i Informacionit Qendror në vitin 1997, Teneti shpalos ngjarjet shumë të rëndësishme që çuan te 11 Shtatori, ashtu siç i pa dhe përjetoi ato: shpalljen nga ana e tij të luftës me al-Kaedën; operacionet e maskuara të CIA-s në Afganistan; planin operativ mbarëbotëror për të luftuar terroristët; paralajmërimet e tij drejtuar zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë për sulmet e afërta kundër interesave amerikane në verën e vitit 2001; si dhe planin për bashkërendimin dhe kundërsulmin shkatërrues kundër al-Kaedës që u skicua vetëm gjashtë ditë pas sulmeve.

Twin Towers/Kullat Binjake 9/11
 

Rrëfimi imponues i Tenetit i kthehet pasandaj luftës në Irak, ndërsa jep një pamje dramatike nga brenda dhe në sfond të pushtimit që po afronte me shpejtësi, përfshi një përshkrim autentik për mbetjet radioaktive nga futja e “gjashtëmbëdhjetë fjalëve” në fjalimin e presidentit drejtuar Kongresit në vitin 2003, të cilat pohonin se Sadam Huseini kishte kërkuar të blinte uranium nga Afrika; kontekstin e vërtetë të shprehjes tashmë të famshme të Tenetit “slum dunk” në lidhje me programin e armëve të shkatërrimit në masë të Sadamit; si dhe rolin e rëndësishëm të CIA-s në një administratë të gatshme për ta futur vendin në luftë. Ai rrëfen ashtu siç duhet për operacionet e CIA-s dhe u tregon lexuesve se e vërteta është më komplekse sesa thuhet në variante të tjera të historisë më të re të ofruar gjer më tani.

Përmes gjithë këtyre episodeve, Teneti pikturon një autoportret të padyshimtë, të kapur midis forcave kundërshtuese të procesit vendimmarrës të administratës, tufës së madhe të informacioneve të frikshme që vinin aty nga e gjithë bota, si dhe vetëdijes së tij. Xhorxh Teneti vozit në përvojën e tij të pashoqe brenda pasqyrës së padepërtueshme të inteligjencës dhe jep informacion vendimtar të panjohur më përpara për të ofruar një portretizim prekës dhe të paparë si të një njeriu, ashtu edhe të një vendi në kohë krizash.

E mërkura e 12 shtatorit 2001 gdhiu si dita e parë e një bote që ish çmendur. Asgjë nuk do të ishte më njëlloj si më përpara. Herët në mëngjesin e asaj dite, pasi kisha mundur të flija pak orë, u drejtova nga dera ballore për te makina e blinduar Ford Expedition që po priste për të më çuar të takoja presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Masat e sigurisë jashtë shtëpisë sime në rrethinat Merilend të Uashingtonit ishin më të rrepta se kurrë. Me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, pashë personelin e Shërbimit të Fshehtë të gardhuar shumë pranë njëri-tjetrit, të gjithë me armët gati për zjarr. Mbi kokat tona fluturonin aeroplanë gjuajtës, që përshkonin tej-tëhu qiellin e kryeqytetit. Më pak se njëzet e katër orë më parë, Amerika ishte sulmuar nga një ushtri e huaj e panjohur. Mijëra të vdekur në Nju-Jork, në Pentagon dhe në një fushë të Pensilvanisë. Në CIA, unë kisha shumë arsye të besoja se sulme të tjera mund të ndodhnin në orët apo ditët e tjera dhe se 11 Shtatori ishte vetëm breshëria fillestare e një goditjeje të shumëfishtë mbi kontinentin amerikan.

Po mendoja mbi gjithë këto ndërsa ecja nën strehën që të çon në Anën Perëndimore dhe pashë Riçard Perlin duke dalë nga ndërtesa ndërkohë që unë po hyja. Perli është një nga krijuesit e lëvizjes neokonservatore dhe, në atë kohë, ishte kryetar i Komisionit për Politikën e Mbrojtjes, një grup këshillimor i pavarur i sekretarit të Mbrojtjes. Njohja midis nesh ishte më pak se sipërfaqësore. Ndërsa dyert u mbyllën pas tij, ne shkëmbyem nga një vështrim dhe i përkulëm kokat njëri-tjetrit. Sa kisha mbërritur te dera ku do të hyja, kur Perli u kthye nga unë dhe më tha, “Iraku ka për ta paguar shtrenjtë për atë që ndodhi dje. Ata e kanë përgjegjësinë”.

U shastisa, por nuk thashë asnjë fjalë. Tetëmbëdhjetë orë më parë kisha këqyrur me vëmendje listat e udhëtarëve të katër aeroplanëve të rrëmbyer që tregonin pa dyshim se al-Kaeda ishte pas atyre sulmeve. Gjatë muajve dhe viteve në vazhdim ne do të shqyrtonim me kujdes mundësinë e një roli bashkëpunues të mbështetësve shtetërorë. Megjithatë, informacionet e shërbimit të fshehtë pasandaj nuk treguan ndonjë përzierje të Irakut në ngjarje.

Në pikën e kontrollit të Shërbimit Sekret të sigurisë ktheva kokën nga Perli dhe mendova: Çfarë dreqin po thotë ai? Pak çaste më vonë, më erdhi një mendim tjetër: Me kë ishte takuar Riçard Perli në Shtëpinë e Bardhë kaq herët në një ditë kaq të rëndësishme? Kurrë nuk e mësova përgjigjen e kësaj pyetjeje…



Rrëfimi i ish-shefit të CIA-s, George Tenet

9/11: Dita kur u përmbys bota e sigurt amerikane

Në mëngjesin e 11 Shtatorit, ditën që ndryshoi gjithçka, në tetë e gjysmë unë takova ish-senatorin Dejvid Boren për të ngrënë mëngjes në Hotelin St. Regis, në rrugët 16 dhe K në Uashington. Presidenti ishte jashtë qytetit, duke udhëtuar për në Florida, çka donte të thoshte se nuk kishte njoftim të shkurtër të përditshëm presidencial. Dejvidi më kishte nxjerrë nga terri në vitin 1987, duke më punësuar si shef stafi i Komisionit të Zgjedhur të Senatit për shërbimin inteligjent, të cilin ai e kryesonte. Unë mezi prisja, sikurse kisha bërë gjithnjë, ta kalonim bashkë atë mëngjes.

Ne sa kishim zënë vend, kur Tim Uardi, i cili ishte duke drejtuar ekipin tim të sigurisë atë ditë, erdhi drejt nesh me një çehre tejet të shqetësuar. Siç ia donte puna, Timi ishte një njeri i qetë dhe gjakftohtë, por sjellja e tij ishte kaq urgjente kur ai na ndërpreu, saqë nuk kishte dyshim se kishte medoemos diçka të rëndësishme. Unë u largova paksa nga tryeza dhe ai më tha se një aeroplan kishte goditur Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë. E kuptova që shumica e njerëzve menduan se përplasja e parë ishte një aksident tragjik. Por përplasja e aeroplanit të dytë me kullën e dytë u tregoi atyre se diçka shumë më e keqe po ndodhte. Por nuk ishte rasti që unë të mendoja gjatë për këtë. Ne kishim jetuar shumë afër me mundësinë e një sulmi terrorist mbi Shtetet e Bashkuara. Menjëherë mendova se kjo kishte të bënte me al-Kaedën.

Ia thashë lajmin senatorit Boren. Ai më përmendi Bin Ladenin. E kuptuam që të dy se unë duhej të ikja menjëherë. Hipa në makinë me Tim Uardin dhe, me dritat e ndezura, filluam të ngasim me shpejtësi për në seli.

Të gjitha njollat e rastësishme që kishim parë filluan të marrin formën e një monstre. Me sa më kujtohet, në ato minuta të para koka ime ishte duke shpërthyer nga telefonatat. Përnjëherësh më shkoi mendja te komploti “Bojinka” për të hedhur në erë njëzet avionë amerikanë mbi Paqësor dhe një plan në vijim për të fluturuar një aeroplan të vogël brenda selisë së CIA-s, i cili ishte prishur në vitin 1994.



Njëzet minutat më të gjata të jetës sime

Bota jonë e sigurt amerikane ishte përmbysur. Lufta kundër terrorit kishte ardhur në brigjet tona.

Rrugës i telefonova shefit të stafit tim, Xhon Mozmanit, dhe i thashë të mblidhte stafin e ngushtë në sallën e konferencave ngjitur me zyrën time, tok me njerëzit më të rëndësishëm të Qendrës së Kundërterrorizmit. Nëpër gjithë atë ferr të shfrenuar, ishte e vështirë të merrje thirrje përmes telefonit të sigurisë. Shkurt, unë isha krejtësisht i bllokuar në komunikim midis St. Regis-it dhe Langlejit, njëzet minutat më të gjata të jetës sime. Nuk kisha mbërritur ende në seli kur, ndërsa isha duke dalë nga rruga “Xhorxh Uashington” me rreth tetëdhjetë milje në orë, mora vesh se një aeroplan i dytë kishte goditur Kullën Veriore.

Ndërsa mbërritën raportet e para për aeroplanët që goditën Qendrën Botërore të Tregtisë, Gjeneral lejtnant Mahmud Ahmedi, shefi i shërbimit ndërinteligjent të Pakistanit (ose ISI), dhe një ndër njerëzit që mund të kishin bërë më shumë për të na ndihmuar në kapjen e Usama bin Ladenit para 11 Shtatorit, ishte në Kapitol Hill me kongresmenin Lindsej Grehem, përfaqësuesin Porter Gos, i cili në fund do të më zëvendësonte mua si Drejtor i CIA-s, dhe të tjerë. Një gjysmë ore më vonë, Mahmudi ishte duke i dhënë makinës përgjatë Bulevardit të Kushtetutës, kur dikush shquajti një shtëllungë tymi që ngrihej nga përtej Potomakut – shenja e parë se Pentagoni ishte goditur.

Edhe tani, e kam të vështirë të përshkruaj gjendjen në sallën e konferencave kur, më në fund, mbërrita. Mendoj se ora shënonte me përafërsi 9.15. Dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë ishin goditur dhe unë nuk mendoja se kishte ndonjë person në sallë që të kishte qoftë edhe dyshimin më të vogël se ne ishim në mes të një mësymjeje në shkallë të gjerë, të orkestruar nga al-Kaeda. Ne kishim qenë në këtë gjendje prej shumë kohësh, duke menduar për të në shumë mënyra.

Por të parashikosh një sulm dhe ta përjetosh atë kur ndodh – të shikosh rënien e Qendrës Botërore të Tregtisë – nuk janë e njëjta gjë. E para është shkencore. E dyta, me shpejtësi shndërrohet në organike, ndërsa niveli i ankthit në sallën e konferencave në atë orë të parë ishte i jashtëzakonshëm. Vetëm pak minuta pasi ishte goditur Kulla Jugore, Qendra e Kundërterrorizmit mori një raport ku të paktën një avion tjetër udhëtarësh ishte zhdukur. Në orën 9.40, Xhon Meklaflin dhe Kofer Blleku morën pjesë në një konferencë të siguruar me video me Dik Klarkun, nga Shtëpia e Bardhë. Në atë kohë Pentagoni sapo ishte goditur, ndërsa ne dinim se aeroplanë të tjerë kishin humbur. Në mbarim të goditjes së Pentagonit, filluan të bien telefonat – jo nga shërbimi i fshehtë, por nga miq dhe kolegë, të cilët përcillnin thashethemet që po pushtonin Uashingtonin dhe që shpresonin se ne do ta dinim se çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt; një bombë kishte shkuar bosh në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë; Kapitoli dhe Departamenti i Shtetit ishin në flakë. Në fakt, ne nuk e kishim idenë se çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë jo, por gjithkush ishte duke pyetur, çfarë tjetër? Aty erdhën njoftimet për disa aeroplanë që nuk u përgjigjeshin komunikimeve nga toka dhe ndoshta ishin duke fluturuar drejt Uashingtonit. Disa oficerë të Qendrës së Kundërterrorizmit na kujtuan se dikur anëtarët e al-Kaedës kishin diskutuar për fluturimin e një avioni drejt selisë së CIA-s, katin e sipërm të së cilës e zinim ne në atë kohë.

Më kujtohet pyetja që i bëra Majk Holfelderit, shefit të ekipit tim të sigurisë, dhe ajo çfarë rekomandoi ai. “Le të ikim që këtu,” u përgjigj ai. “Le të largohemi.” Unë hezitova. Ne nuk donim që punonjësit tanë ose bota të mendonin se ne ishim duke braktisur detyrën. Por, nga ana tjetër, nuk donim të rrezikonim jetën e njerëzve tanë pa qenë nevoja dhe, sikurse tha dikush në sallën e konferencave, në rast se ndërtesa ishte vënë në shënjestër, udhëheqja jonë duhej të ishte e pacenuar dhe në gjendje të merrte vendimet.

Rreth orës 10.00 u dërgua fjalë që dhjetëra mijë punonjësit tanë të shkonin në shtëpi. Ata shumë shpejt iu bashkuan trafikut tej mase të rënduar që kishte asfiksuar rrugët e Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë ishte boshatisur pesëmbëdhjetë minuta më herët, menjëherë pasi ishte goditur Pentagoni. Në Nju-Jork Siti, kompleksi i Kombeve të Bashkuara, me rreth dymbëdhjetë mijë punonjës, kishte filluar të zbrazej në orën 10.13. Në Uashington, departamentet e Shtetit dhe të Drejtësisë dhe Banka Botërore e bënë këtë disa minuta më vonë.

Fillimisht, ekipi ynë më i lartë drejtues lëvizi nga salla e konferencave në katin e shtatë në një sallë të katit të parë – një çikë më e qetë, por, gjithashtu, e pasigurt, nëse një aeroplan vinte dhe përplasej në ndërtesë. Pasandaj ne u larguam krejtësisht nga ndërtesa, duke dalë nëpër këndin juglindor të ndërtesës së selisë dhe shkuam diagonalisht matanë godinës së shtypshkronjës së Agjencisë, ku ishte ndërtuar një mjedis zëvendësues operativ.

Tani që ne ishim nën goditje, Qendra e Kundërterrorizmit, me atë depozitë të pafundme të dhënash dhe me një sistem komunikimi të sofistikuar, ishte më jetike se kurrë. Dhe, ndërsa ne ishim duke diskutuar të iknim apo të qëndronim, CTC-ja ishte duke u dërguar një alarm global stacioneve tona anembanë botës, duke i urdhëruar të shkonin në shërbimet e tyre të ndërlidhjes dhe agjentët të mblidhnin çdo copë informacioni që mund t’u kapte dora. Admirova kurajën dhe përkushtimin e tyre të patundur. Ndërtesa e CIA-s është një shtëpi e bukur prej qelqi. Nëse një aeroplan e kishte shenjuar atë për ta goditur, njerëzit në Qendrën e Reagimit Global mund ta kishin parë vdekjen e tyre se si fluturonte drejt e mbi ta.



Reagimi i parë i Presidentit Bush

Brenda mjediseve të shtypshkronjës, skena fillestare ishte tepër kaotike. Ne kishim vetëm mundësi minimale për hyrjen e të gjitha të dhënave tona dhe rrjete kominikimi. Më pas, të gjithë e kuptuam se kishim nevojë për pajisje shtesë rezervë komunikimi, nëse një situatë e ngjashme përsëritej. Njerëzit ishin duke u përleshur për të rrëmbyer telefonat operativë dhe për të hyrë në kontakt me Majk Morelin, njoftuesin e Presidentit, i cili ishte me Xhorxh Bushin në Florida kur goditi aeroplani i parë. Ndërsa Majku do të tregonte më vonë ngjarjen, se ai, Karl Rovi dhe Ejri Flisher, sekretari për shtypin i Shtëpisë së Bardhë, ishin në një furgon në krye të një autokolone kur Ejri mori një telefonatë, pastaj iu kthye Majkut dhe e pyeti nëse dinte ndonjë gjë për një avion të vogël që kishte goditur Qendrën Botërore të Tregtisë. Majku përnjëherësh i telefonoi Qendrës sonë të Drejtimit dhe ata i thanë se aeroplani nuk ishte i vogël. Pak më vonë, duke pritur që presidenti të mbaronte një takim me nxënësit dhe mësuesit e një shkolle fillore, Majku pa në TV goditjen e kullës së dytë. Më vonë, në bordin e aeroplanit Air Force One, presidenti i shprehu dyshimin Majkut për një grup ekstremist palestinez, Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, ose PFLP, i cili ishte duke u bërë i besueshëm për sulmin në shtyp. Nuk ka të ngjarë, i tha Majku atij. PFLP thjesht nuk i ka aftësitë për diçka si kjo. Presidenti e tërhoqi atë që kishte thënë dhe pastaj i tha Majkut që nëse ne merrnim vesh diçka përfundimtare për sulmin, ai donte të ishte i pari që ta dinte. I sertë, me pamje rinore dhe tejet i mprehtë, Majku flet me një zë melodioz, të qartë dhe të prerë, që të bind shumë shpejt. Ai dhe Xhorxh Bushi kishin shkuar mirë thuajse menjëherë. Në një krizë si kjo, Majku ishte njeriu i përkryer për ne për të qenë përkrah kryekomandantit.

Përnjëherësh me vendosjen e kontaktit me presidentin dhe me grupin e tij udhëtues, ne u përpoqëm të lidheshim me zyrën tonë në Nju-Jork Siti, për të parë nëse të gjithë ishin të pranishëm dhe si e çmonin gjendjen atje, ndërsa u përpoqëm të merrnim të dhëna sa më shumë të ishte e mundur. Siç ndodh në raste turbullirash, anomalitë dalin në sipërfaqe, duken shenjat që në kohëra të qeta do të ngjanin krejt të pakuptimshme, por në kohë të tilla mund të thonë gati gjithçka. Një shembull: Aeroplanët janë gjurmuar me anë të transponderëve. Secili prej tyre jep një sinjal të veçantë. Të paktën disa prej rrëmbyesve atë mëngjes kanë ditur se si të fikin transponderët, kështu që aeroplanët e rrëmbyer do të ishte e vështirë të gjurmoheshin. Tani një aeroplan udhëtarësh në fluturimin e tij për në Britaninë e Madhe ishte duke emetuar të gjitha llojet e sinjaleve që shkonin larg. Të kishte ndërmarrë al-Kaeda një sulm në dy kontinente? Përfundimisht, enigma u zgjidh – nuk kishte ndonjë gjë të qëllimshme, thjesht transponderi nuk ishte në rregull – por, ndërkohë, unë i telefonova Riçard Dirlovit, homologut tim të MI-6, për t’i treguar se çfarë ishim duke dëgjuar dhe çfarë dinim.



(Vijon nesër)

Përktheu dhe përgatiti për botim: Xhevdet Shehu


*   *   *   





Gary Kokalari: FBI filmoi Nanon me mijëra USD në kazino,




por ai ishte amator në korrupsion përballë Berishës


Më shumë se Berishën dhe Nanon, në këtë foto vini re surretërit e ngazëllyer që i rrethojnëata. Nuk janë badigardë, janë llumi i gazetarisë shqiptare: Aleksandër Frangaj, Henri Naim Cili, Armand Shkullaku dhe dora vetë Korani.
imazhe shqip


I ftuar në emisionin, Tonight Ilva Tare, shqiptaro-amerikani, Geri Kokalari kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europin të ndihmojnë Shqipërinë për të luftuar korrupsionin e politikanëve të lartë. Tregon se në 2005 e ka ndihmuar Berishën për të ardhur në pushtet, por thotë se ai është aq koruptuar, sa Fatos Nanon dukej amator para tij

I.T Si mund të rritet elita politike? Nuk është publiku që i zgjedh ata ose janë përgjegjës ata për kë zgjedhin?

G.K Kjo është pyetje shumë e rëndësishme. Në SHBA, ne I telefonojmë kongresmenit, senatorët tanë. Edhe një njeri që nuk është shumë i pasur i bie tefefonit dhe ata dëgjojnë sepse ata duan të votohen. Nuk e di nëse ky sistem ka përparuar këtu. Mendoj se një gjë e mirë që ndodhi me situatën e guvernatorit Fullani është që thirrjet politike kanë detyruar qeverinë të bëjë diçka. Duhet të jetë më shumë se kaq. Duhet të ketë më shumë elektorat që i bën presion njerëzve që zgjedhin për aksionet e tyre.

I.T Dhe mendoni se më në fund populli po del nga apatia që zakonisht kemi patur këto 24 vjet?

G.K Të paktën, herën e fundit u zgjuan, por shpresoj që të mos bien përsëri në gjumë.

I.T Keni ndonjë rol në këtë zgjim?

G.K Mendoj se në disa raste, disa nga gjërat që kam ekspozuar, shpresoj të kem patur pak influencë në mënyrën se si njerëzit kanë hetuar çështjet këtu. Kam vënë në dyshin çështje që në pamje të parë dukeshin të ligjshme por nuk kanë qenë aq të ligjshme.

I.T Cili ka qenë interesi juaj që e bënit këtë?

G.K Të përpiqesha ta bëja Shqipërinë më të mirë. Nuk kam fituar para. Zoti e di që kam humbur para duke e bërë këtë.

I.T Disa nga kritikët thonë se keni qenë i përfshirë dhe kur jeni përjashtuar nga pazare ose përfitime, atëhere i keni bërë gjërat publike.

G.K I përjashtuar nga çfarë?

I.T I përjashtuar nga marrëveshje të mundshme, nga influenca?

G.K Jo

I.T Pse do ta thonin këtë nëse nuk është e vërtetë?

G.K Sepse duhet të thonë diçka . Duhet të më diskreditojnë.

I.T Në 1997 të gjithë e dimë se ç’ndodhi, ishte brutale. Çfarë bëtë pas kësaj?

G.K Së bashku sollëm qeverinë e koalicionit së bashku me ambasadorët në Shqipëri, edhe me pjesëtarët e opozitës dhe i thamë njerëzve të Berishës se ai duhet të ikte. Fajin më të madh ia vë piramidave dhe Sali Berishës. Kishte hajdutë tek piramidat, por ai u paralajmërua jo vetëm nga unë por edhe agjensitë ndërkombëtare t’i ndalonte, gjë që nuk e bëri. Aty marrëdhëniet u prishën, por u rivendosën më vonë.

I.T Kur dhe pse veçanërisht?

G.K Në atë pikë një tjetër karakter u shfaq dhe ai ishte Fatos Nano.

I.T I votuar dhe i zgjedhur nga populli shqiptar.

G.K Dhe në opinionin tim, shumë shumë i korruptuar. Jo vetëm në opinionin tim, unë kam dokumente që e mbështesin nga FBI.

I.T Ai kurrë nuk u shpall i fajshëm apo i dënuar nga gjykata shqiptare për korrupsion që ju po e akuzoni. Po flas për drejtësinë shqiptare të cilën mendoj se duhet ta marrim parasysh kur flasim për ish Kryeministra.

G.K E kuptoj. Unë mund t’ju tregoj një raport nga FBI që e kanë ndjekur në kazino me roje sigurie në kazino me njerëz që ecin me të që mbajnë mijëra dollarë dhe luajnë para. Nga vjen kjo para? Ranë nga qielli?

I.T Dinte gjë FBI për këto para meqë po e merrni si burim?

G.K I thashë që t’i gjurmonin

I.T Gjurmuan gjë?

G.k I gjenin në kazino, sa herë linte para, gjenin njerëz që sillnin mijëra dollarë.

I.T Si mund ta provoni këtë sepse kjo ngjan më shumë si thashethem sesa si fakt?

G.K Nuk është thashethem. Është një raport që e kam marrë nga akti i lirisë së informacionit të FBI

I.T Çfarë viti ishte ky raport?

G.K Ky raport është… po përpiqem ta gjej. Ky raport është i 2004. Njerëzit që shoqëronin Nanon udhëtojnë në kazinonë Mohegan Sun. Një pjesë e mirë e Nanos në kazino është kapur nga kamerat e sigurisë. Nano luajti tek tavolina black jack 100 dollarëshe. Ishte më shumë se një rast. Atij iu dha 7000$ cash nga një individ. FBI e Neë York po pret që zyrtarët e kazinosë të gjejnë shumën totale të humbur të Nanos ashtu si dhe informacionin e hotelit. Nuk e kam raportin e plotë pas kësaj por ata po e ruanin atë.

Ku i gjeti Fatos Nano paratë? Njerëzit i jepnin mijëra dollarë dhe në një rast, nuk e kam të provuar ishin një qind mijë dollarë. Pse do ta bënin njerëzit këtë? Sepse i pëlqen Fatosi? T’i rikthehemi bisedës

I.T Kujt bisede?

G.K Unë që sulmoja Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Në 2004 unë mora një telefonatë nga Linda Shani. Ajo ka vdekur. Unë kisha simpati Lindën, ajo ishte një zonjë e këndshme. Ajo më mori në telefon për të më takuar në Neë York. Ajo e dinte që po sulmoja Fatos Nanon dhe në atë pikë Berisha ishte gati të rikthehej në pushtet.

I.T Linda nuk është më midis nesh dhe nuk mund ta konfirmoj këtë por ajo u dërgua nga Sali Berisha apo foli personalisht?

G.K Mund të konfirmohet sepse u regjistrua tek sistemi i sigurisë në ndërtesën time. Ajo erdhi, më foli. Gjëja e parë që i thashë ishte se Sali Berisha nuk është i mirë, Sali Berisha është përgjegjës për piramidat. Asaj nuk i pëlqeu ajo që i thashë unë. Ajo tha jo, ai ka ndryshuar. Ai ka shumë respekt për atë që po ben ti për sa i përket Fatos Nanos dhe ai kërkon që të ndjekë penalisht Fatos Nanon që të zhdukë korrupsionin nga Shqipëria. Unë thashë ok, erdha në Shqipëri dhe takova Sali Berishën.

I.T Në çfarë viti?

G.K Viti 2004, 2005

I.T Afër zgjedhjeve të përgjithshme

G.K Dhe Sali Berisha më prezantoi me Mero Bazen, me të cilin bashkëpunuam për të sulmuar Fatos Nanon. Unë punova me shqiptarë të tjerë në Neë York dhe filluam protestat kundër Fatos Nanos. Nuk po them që isha arsyeja e vetme por kontribuova për të treguar se Fatos Nano ishte një individ i korruptuar.

I.T Në fakt në një nga intervistat tuaja thoni se Sali Berisha e bëri Fatos Nanon të dukej një amator në korrupsion? Si mund ta provoni këtë

G.K Tani kemi ecur përpara në kohë sepse një nga gjërat që duhet të shohim tek Sali Berisha është se Sali Berisha bëri fushatë për të luftuar korrupsionin. Ai gjithashtu bëri fushatë për të punuar me mua për të sjellë të gjitha mospërputhshmëritë dhe problemet në industrinë e telekomit shqiptar e cila ishte një barrë për gjithë shqiptarët. Ai tha se do ta rregullonte industrinë e telekomit dhe tha që do të pastronte korrupsionin. Ai gënjeu. Ai gënjeu.

I.T A kanë amerikanët interes tek Shqipëria?

G.K Mendoj se qeveria amerikane nuk ka interes tek Shqipëria, por po të mendojmë në mënyrë strategjike, sigurisht ata kanë interes në stabilitetin e Ballkanit. Mendoj se kjo nuk është një problem i madh tani, mendoj se gjërat janë të stabilizuara por kush e di, asnjëherë nuk e di por ata duan të mbajnë stabilitetin në Ballkan dhe sigurisht janë të interesuar në bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit. Jo vetëm nga Shqipëria por nga çdo vend por është një faktor shumë i rëndësishëm.

                                                                               (Dita/Ora News)



*   *   *