Mimi Kodheli dhe Ursula Von Der Leyen
Sido që të jetë,
efektin si lajm prej “shoubizi” një titull grek mbi ministren e Mbrojtjes Mimi
Kodheli, e arriti. Sepse kurioziteti është i garantuar pavarësisht se kush e
thotë, kur dëgjon që Kodheli dikur, në fillim të viteve 90-të paska punuar si
balerinë në Athinë.
Pastaj, kur vëren që
kësi lloj llogjesh janë shkruar në një faqe online që quhet militaire.gr, e
kupton që reagimi nga ana tjetër e kufirit qenka “ushtarak”.
Njëfarë kthim restoje,
mesa duket, ndaj komentit ende të freskët të ministres ndaj homologut të vet të
çatrafiluar, që del para kamerave me uniformë ushtarake teksa takon ushtarët.
Për t’u thënë se “unë
jam një prej jush, mos më shihni si ministër nga halli, si patericë ekstra e
djathtë e një qeverie ekstra të majtë”.
Kurioziteti mund të
mbaronte këtu, sepse materiali në fjalë nuk ofronte asgjë tjetër veç një
fjalie. Duke vijuar pastaj me thirrjen që Kodheli të mos i bashkëngjitet
retorikës nacionaliste të kryeministrit të saj, sepse “ka ngrënë bukë” në Greqi
derisa i doli një shkollë në Amerikë.
Por problemi është që
paçavuren në fjalë, një çerek shantazhi i maskuar keq, e ka shkruar një gazetar
me përvojë të gjatë në mediat greke.
Autori është Paris
Karvunopulos, që e ushtron zanatin (jo të qymyrxhiut siç sugjeron mbiemri) e
gazetarit që nga viti 1986.
Paris Karvunopulos, autori i shkrimit
Referencën për
“balerinën Kodheli” ai thotë se e ka marrë nga kolegu i vet Kristos Kapuccis,
dhe vetëm kaq. Thjesht e përdor në një rresht dhe vazhdon me paralajmërimet e
veta.
Karvunopulos është
reporter i lajmeve ushtarake dhe ka punuar në disa media qendrore, pra nuk mund
të injorohet lehtë. Jo për gjë, por sepse përderisa e kanë përdorur në këtë
farë feje, domethënë se shantazhi është i porositur.
Ndoshta edhe nga
qypi-ministër Kamenos, (i djegur, përkthimi i mbiemrit të ministrit të
Mbrojtjes), që mbase zanati i balerinës i erdhi ndërmend për Kodhelin si
reflektim i problemeve personale me mbipeshën.
Ministri Panos Kamenos
Por përtej
thashethemeve rozë me politikanë e ministra, ironia është se Karvunopulos
nxjerr një koment-pseudolajm që pastaj xhiron edhe mediat e tjera online greke,
me etiketën e “skandalit shqiptar”.
Dhe shakaja qëndron në
faktin se Athina u skandalizoka me kësi titujsh, kur kryeministri i vet dhe
politikani historik Andreas Papandreu, e bëri hasha në mes të ditës dhe në krye
të detyrës familjen e vet dhe u marros pas një stjuardese, Dhimitra Liani.
Deri aty sa Dhimitra
(shtohet ironia: Shkurt i thonë Mimi) e vuri në darë Papandreun e shkretë dhe
erdhi puna që Mimi e tyre të bënte politikat në Pasok dhe të ulte e ngrinte
ministrat në qeveri.
Dimitra Liani Papandreu (Mimi)
E nxorrën Miminë me
dashnorë, e fotografuan nudo, madje në pozicione të sikletshme me qen e me
mace, çfarë nuk i thanë… Por ja që u sikletoskërkan nga Mimi shqiptare që
besojnë se mund ta njollosin përmes një rreshti paçavure.
Për t’u kthyer në
seriozitet, e vërteta është se ka një problem në koalicionin qeverisës grek.
Një shumicë të pamjaftueshme të majtë, e mban në këmbë një grusht votash të
Grekëve të Pavarur të Panos Kamenos.
Ky, i djeguri për
ministër Mbrojtjeje, me siguri nuk e ka pritur mirë reagimin (et) e Kodhelit
dhe në përgjithësi, Athina zyrtare po befasohet sesi ka mundësi që Tirana së
fundi thotë dhe ndonjë fjalë, dhe nuk rri lepe-peqe si qëmoti.
Për të forcuar profilin
e vet politik prej obezi luftarak, I Djeguri vuri veteranin Qymyrxhi ta bëjë
Mimin e Tiranës balerinë, duke pretenduar një skandal me fishekë manovre.
Ndërkohë që Mimitë e
Athinës e kanë qeverisur Greqinë për vite të tëra vetëm me një palë brekë.
Derisa erdhi puna që e lanë edhe pa to…
Dita
* * *