July 17, 2014

Njeriu që i trembet incestit në vendlindje


Nga Mero Baze

Kohë më parë dërgova një gazetar në vendlindjen e Sali Berishës. Shkoi tek kulla e tij, me të vërtetë e hijshme, edhe pse e rrënuar, dhe takoi njerëz të vendlindjes së tij. U bëri një kërkesë të thjeshtë të shikonte varrezat e fshatit dhe varret e prindërve të Sali Berishës. Një i afërt i tij e shoqëroi, por nuk mundi t’i gjejë dot ekzakt varrin. I tregoi diçka të përafërt në një varrezë, që siç e përshkroi ai, ishte mbuluar nga ferrat dhe harresa. I vetmi justifikim i bashkëfshatarit ishte se ai nuk kishte shkuar asnjëherë aty, pasi Berisha nuk kishte qenë asnjëherë aty.

Historia e distancës që Sali Berisha ka me prindërit e tij, që s’i përmend kurrë, vendlindjen që nuk e shkel kurrë, me kohën e gjatë që ka kaluar pa takuar nënën para se të mbyllte sytë, është një histori, që në vendlindjen e tij i ikin të gjithë. Është si një histori me djaj, që të bën kurioz përse ky njeri ka këtë raport të prishur me vendlindjen, nënën, babanë dhe ndonjë pjesëtar tjetër në familje.

Si për ta bërë më të plotë këtë histori, Sali Berisha ishte sot në Tropojë. Një ditë më parë atje zbarkoi Garda e Republikës, pastaj autobusët nga Tirana për ekskursion në Valbonë, dhe më në fund, herët në mëngjes, duke ndërruar rrugës helikopterë dhe makina, mbërriti Sali Berisha. Njeriu, që e ka bërë padrejtësisht Tropojën zhargon kafenesh në Tiranë duke rendur pas mentalitetit të tij tribal, nuk ndihet rehat dhe i sigurt në shtëpinë e tij. Prej vitit 1990 nuk ka mundur të shkojë më shumë se tre herë në atë qytet, dhe asnjëherë vetëm si qytetar. Nuk ka shkuar të vizitojë shtëpinë e tij ku ka lindur, kullën e familjes së vërtetë që ka pasur, njerëzit që i kanë mbetur, varrin e harruar të nënës dhe babait, që nuk i gjente dot askush.

Ka shkuar aty me qindra policë dhe gardistë, është super ruajtur në sheshin kryesor të qytetit, dhe ka vrapuar drejt Kukësit ku e ka pritur një miting i dështuar vetëm me policë dhe ushtarë në shesh.

Por pa dashur t’i ik Tropojës, ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte se e vetmja gjë që u tha tropojanëve është se ai është njeri i ndershëm, se ka vetëm një grua, dhe se Edi Rama ka ndërruar disa. Që Berisha të bëjë objekt jetën personale të Edi Ramës në fushatë, nuk është ndonjë çudi. Bile normale është ta bëjnë të dy për njëri- tjetrin. Që Edi Rama ka ndërruar dhe e kanë ndërruar disa gra, dhe kjo dihet, por është thjesht statistikë dhe jo vlerë apo antivlerë. Me ritmin që ka për moshën, i biri i Berishës dhe mund t’ia kalojë, duke e filluar nga martesa me kushërirën, dhe tashmë me bigaminë e tij të turpshme.

Por ajo që nuk kuptoj dot është se si njeriu mund të shkojë në vendlindjen e tij si kryeministër, i super ruajtur dhe korracuar me antiplumb, vetëm që të shajë kundërshtarin nga gratë si plakat llafazane të lagjes.

Njeriu, kur shkon në vendlindje, harron që është politikan, harron që është kryeministër, harron që ka kundërshtarë. Njeriu kur shkon në vendlindje, ka punë me gurët, me rrugët, me pemët, me kullën, me komshiun, me pllakën e varrit të nënës apo babit, me oxhakun e nxirë, me oborrin plot bar, me rrugët e braktisura, me shkollat e prishura, me cicërimat e zogjve që e kanë rritur, me pyllin që ka pasur pranë… ka punë me jetën e tij.

Vetëm një njeri që ka një makth me vendlindjen e tij, një njeri që fsheh një incest me gjënë e dashur të tij, nuk arrin të shkojë dot në vendlindje si bir i saj. Vetëm një njeri me makth të tillë mund të shkojë në vendlindje, dhe në vend t’i kujtohen rrugët, zogjtë, bari, kulla, vatra, kali, pylli, i kujtohen gratë e kundërshtarit. Vetëm një burracak, një njeri pa vendlindje, një njeri që e torturon ideja pse ka lindur atje dhe pse ai vend i kujton diçka të rëndë që ia fsheh të gjithëve, mund të bëjë atë që bëri Sali Berisha.

Sheqerja dhe Ram Berisha kanë vdekur pa e pasur tek koka djalin e tyre. Kështu mund të vdesin dhe prindërit e mi, por është e sigurt që më kanë pasur një ditë më parë e do më kenë një ditë më pas tek vari. Eshtë e sigurt se unë shkoj në vendlindje jo për të gjetur socialistë dhe demokratë, por për fëmijërinë time dhe jetën time të harruar atje. Vetëm Sali Berisha shkon në vendlindje për t’u thënë atyre njerëzve të mirë atje se ai ka vetëm një grua!!! Përse vallë?!! Çfarë i hyn në punë vendlindjes ta dëgjojë këtë? Për një grua serbe që nuk e ka njohur? Pse e mundon ideja e familjes Sali Berishën para bashkëvendlindasve të tij? Përse nuk sillet dot si djali i Sheqeres dhe Ramës në atë vend?

Të gjitha këto të kujtohen ndërsa shikon se ai ka një problem të madh pikërisht me ata që i njohin të shkuarën në atë vend. Të shkuarën e largët dhe të afërt. Të shkuarën e afërt, që ka hapur 72 varre në Tropojë, e ka siguruar me qindra policë dhe gardistë. Po të shkuarën e largët nuk e mbuloka dot. Ka një makth që ja kujton pikërisht ajo shtëpi që nuk guxon të shkelë, ai pyll aty afër dhe varret e harruara të prindërve të tij të mirë. Ka diçka që e tërbon dhe e bën të flasë papritur si i çmendur…: Ej, mos më gjykoni, Edi Rama ka ndërruar disa gra…. Ulëret sikur të ketë pasur ndonjë femër tjetër, që nuk ia dimë, brenda asaj shtëpie ku nuk shkel kurrë…




*   *   *










July 14, 2014

Germany World Cup Champion Over Argentina (photo & video)




Mario Gëce vjen nga stoli dhe shënon gol, duke thyer murin e pakalueshëm argjentinas për 112 minuta lojë. Gjermania fiton Botërorin e katërt në historinë e vet, ndërkohë që milionat e tifozëve e saj anekënd botës, kanë shpërthyer. Bashkë me to edhe kancelarja Merkel, e pranishme në stadium.



“Countdown” i fillimit të finaleve të Kupës së Botës shkoi kësisoji drejt fundit të tij. Beteja vendimtare u zhvillua në agonizëm të plotë në “Maracana”, në Rio de Zhaneiro, ku festa filluar me ceremoninë përkatëse tri orë përpara se kryesori Nikola Rizoli t’i frynte bilbilit për fillimin e pëplasjes titanike, Argjentinë-Gjermani, e mbyllur me fitoren minimale të kësaj të fundit. Kombi i Lionel Mesit, krejt në hije në këtë ballafaqim, dështoi të fitonte titullin e tretë (dy i ka fituar më 1978 dhe 1986), ndërsa “pancerat” gjermanë ngritën në duar titullin e katërt botëror, pas atyre të arkivuar më 1954, 1974 dhe 1990

GJERMANI-ARGJENTINE  1:0

Golat: Gotze 112′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels, B.Schweinsteiger, M.Özil, C.Kramer (A.Schürrle 30′), T.Kroos, M.Klose, T.Müller. Trajner: J.Loev
ARGJENTINA: S.Romero, M.Demichelis, P.Zabaleta, E.Garay, M.Rojo, J.Mascherano, L.Biglia, E.Pérez (F.Gago 86′), L.Messi, G.Higuaín (R.Palasio 78′), E.Lavezzi (S.Aguero 46′). Trajner: A.Sabella
Gjyqtare: N.Rizzoli, R.Faverani, A.Stefani
Kartonë të verdhë: Shvajnshtaiger 29′, Höwedes 34′ / Maskerano 64′, Aguero 65′

Pjesa e parë:


Me një lëvizje surprizë në momentin e fundit, që ka ndryshuar edhe formacionin e publikuar zyrtar, e ka nisur ndeshjen Gjermania. Nuk luan prej fillimit Khedira, por Kramer. Pjesa tjetër e skuadrës së “pancerave” është e njëjta me atë që triumfoi në gjysmëfinale ndaj Brazilit. Po ashtu, pa asnjë ndryshim paraqitet edhe Argjentina, teksa Di Maria i dëmtuar qëndron në stol. Loja është e zjarrtë që në fillim. Gjermanët përpiqen të vendosin diktatin që në start, teksa e nisin me një goditje dënimi në pozicion të favorshëm në minutën e 2-të. Ekzekutim i dobët. Kundërpërgjigjen me një kundërsulm të shpejtë “albiceleste”, që finalizohet jo saktë nga Higuain. Topi kalon pak jashtë portës së Nojerit. Skuadra e Lëvit është e vendosur thuajse në gjysmëfushën e kundërshtarit, ku vija e saj mbrojtëse është dukshëm e spostuar përpara. 
Eshtë e qartë: përmes presionit gati asfiksues, gjermanët duan ta zhbllokojnë sa më shpejt rezultatin e ndeshjes dh eta fusin kundërshtarin në ngërc psikologjik. Argjentina është e detyruar dhe orientuar të mbrohet, por pa harruar të kundërsulmojë. Kështu bën Mesi në minutën e 9-të, kur merr krahun e djathtë të sulmit të të tijve dhe futet në zonën gjermane, pason paksa pas te pika e penalltisë, por shokët e skuadrës nuk e mbështesin. Mbetet në sulm skuadra e Sabejës, që pak e nga pak mendon të dalë nga llogorja në prapavijë, më forca të shumta. Me pak pasime të sakta, argjentinasit dalin mjaft rrezikshëm para portës së Nojerit. 


Shvajnshtaiger nuk i ndahet kurrkund Mesit, duke qenë një roje personale e yllit të Barcelonës, përvec mbrojtjes zonale që ushtrojnë gjermanët ndaj tij. Numri 10 i Argjentinës duket shumë i tendosur, ndryshe nga sfidat pararendëse në këtë Botëror, kur ka lëvizur pak. Eshtë ndeshja e jetës për të, ndaj i shkarkon të gjitha bateritë, ashtu si shokët e tjerë të skuadrës. Interesant është edhe dueli Tomas Myler-Rojo. 
I pabesueshëm momenti i Higuainit në minutën e 21-të, kur merr një asist nga mbrojtja gjermane, që bën gafë në këtë moment. Sulmuesi i Napolit është i vetëm me Nojerin, por e dërgon topin në mënyrë të pabesueshme dhe amatoreske, jashtë kudratit. Rast i artë për Argjentinën, foshnjarak mënyra e veprimit dhe finalizimit të Higuain. Në minutën e 27-të Lahm fut një top pas krahëve të mbrojtjes argjentinase për të Myler, por ky i fundit zihet në pozicion jashtë loje. Kundërpërgjigjet Argjentina, por Lavezi pengohet në mënyrë të parregullt. Kartoni i parë i verdhë i ndeshjes shkon për Shvajnin, në minutën e 29-të. Një minutë më pas Higuain shënon në portën e Nojerit, por anësori anulon gjithcka për pozicion jashtë loje. Përmes kundërsulmit, amerikano-jugorët janë tepër të rrezikshëm, e bëjnë të vuajë mbrojtjen gjermane. Kramer dëmtohet dhe zëvendësohet në minutën e 30-të me Shyrlen. Höwedes merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 34-t, pas një ndërhyrjeje të egër ndaj kundërshtarit. Duket disi e tensionuar Gjermania pas minutës së 30-të, kur u detyrua të bëjë një zëvendësim të detyruar. Kanë parë rreziqe tepër të mëdha në portën e tyre, por edhe mbrojtja e “pancerave” luan shumë hapur. Ajo cahet nga Laveci dhe Higuain disa herë, por lojtarët argjentinas gabojnë në momentin final, për të realizuar. Shyrle teston gadishmërinë e portierit Romero me një goditje ballore, edhe pse më parë është zënë në pozicion jashtë loje. Tjetër mundësi e artë e Argjentinës në minutën e 40-të, por fati nuk është me ta. Shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme të besuarit e Sabejës, që kanë marrë lojën në dorë tashmë dhe përmes driblimesh individuale arrijnë ta corientojnë e nervozojnë kundërshtarin. Pjesa e parë mbyllet me një shtyllë të Hëvedes, por anësori ka sinjalizuar pozicion jashtë loje më parë. Betejë e vërtetë, sulme e kundërsulme, raste të pastra për shënim, por gol nuk ka në 45 minutat e para.


Pjesa e dytë:

Nis me një zëvendësim tek Argjentina. Aguero hidhet në lojë në vend të Lavecit. Mendon më shumë për sulmin tashmë Sabeja, teksa dihet se pa shënuar gol s’mund të fitohet një finale. Lëv vijon me ata që mbyllën pjesën e parë. E nis sërish me rast të humbur skuadra “albiceleste”. Leo Mesi nuk është në gjendje të realizojë në minutën e dytë të kësaj pjese, teksa gjendet në pozicion ballor me Nojer. Ylli i Barcelonës vijon zhgënjimin, duke qenë në hije si gjithë këtë Botëror. Mbrojtja gjermane vijon të shfaqë pasiguri të dukshme, por fatmirësisht për ta në këtë situatë janë edhe sulmuesit kundërshtarë. 

Neuer & Higuain

Nojer korrigjon gabimet e prapavijës së të tijve me daljet e guximshme, sikurse bën në minutën e 57-të ndaj Higuainit, që e përplas përtokë, në një mënyrë shumë të rrezikshme. Argjentinasit kontestojnë arbitrin italian, i cili nuk jep asgjë, por vazhdon lojën. Klose kryen goditjen e parë në portën e Romeros për pjesën e dytë në minutën e 60-të, por pa ndonjë rrezik për portën kundërshtare. Iniciativën e kanë sërish “pancerat”, por nuk kanë atë befasinë dhe grintën e ndeshjeve të kaluara. 

P.S. Shiko videon
Duket njëfarë lodhje fizike te skuadra e Lëvit, edhe tension e ngarkesë e madhe psikologjike, por meritë ka po ashtu kundërshtari, mjaft mirë i vendosur në fushë taktikisht. Shyrles i del një rast ideal pas karombolit të topit mes mbrojtësve argjentinas, por lojtari gjerman nuk finalizon dot. I shpejtë në ndërhyrje portieri Romero. Sabeja bën zëvendësimin e dytë në minutën e 78-të. Ndërrim kokë për kokë në sulm, Higuain-Palasio. Argjentina tenton të shfrytëzojë shpejtësinë e sulmuesit të Interit në minutat e mbetura për ta fituar ndeshjen me “fotofinish”. Rrit ritmin edhe Gjermania, që me Toni Kros i afrohet golit nëntë minuta para mbarimit të kohës së rregullt. “Albicelestët” kryejnë edh zëvendsimin e tretë në kohën e rregullt, pak minuta nga fundi. Gago zë vendin e Perez. Edhe Klose lë ndeshjen pa mbaruar koha e rregullt, teksa Lëv beson te talenti Gëce në kohën shtesë. Kjo, pasi koha e rregullt nuk nxjerr dot në dritë golin e shumëdëshiruar.


Koha shtesë:

Nis me një mundësi shumë të mirë të gjermanëve, që silurojnë portën argjentinase, por Romero grushton mrekullisht. “Flakë për flakë” përgjigjet Aguero, që në pozicion disi të prirët me portën e Nojerit godet tokazi, por pa kolaudimin e duhur. Skuadrat mendojnë më shumë të mos pësojnë tashmë, ndërsa gjermanët vijojnë ta mbajnë të gozhduar kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Skuadra e Sabejës ndjek të njëjtin “itinerar” si në gjysmëfinale me Holandën, duke shpresuar se mrekullia do të jetë për ta, qoftë edhe përmes penalltive. Megjithatë, titullin e botës e ka në dorë Palasio në minutën e 97-të. Sulmuesi i Interit del i vetëm me Nojerin, e ngre topin sipër kokës së “gardianit” gjerman, por jashtë. Fatale si mundësi e shpërdoruar, ashtu si ajo e Higuainit në fillim të finales. Dhe kur nuk shënon, do ta pësosh. Mario Gëce, i hedhur në lojë si zëvendësues, shënon në minutën e 113-të dhe gjunjëzon më në fund Argjentinën. Titulli i katërt kampion i Botës është pronë e “pancerave”, ndërsa albicelestët ikin tepër të zhgënjyer, duke shpërdoruar raste fatale në një finale drithëruese, si kjo e “Maracana”.

Goal & Highlight germany vs Argentina 2014
- video amatore -



Intervista dhe Libri i Artë i FIFA

Johachim Low:

E merituam, tani u bëmë të pavdekshëm


Projekti i nisur në 2006-n e mori fryt in e tij me kurorëzimin kampion bote 8 vite më pas. Si mund të ndihet Joakim Lëv, përveçse krenar për përmbushjen e një ëndrre 24-vjeçare, aq vite sa gjigantët nuk preknin arin e Kupës së Botës.
Finale dramatike, ndoshta nuk e kishit parashikuar kaq të mundimshme?
Jo aspak. Ne e kishim parashikuar të tillë. E kishim të qartë që nga fillimi se Argjentina do të na i mobilizonte lojtarët në maksimum dhe na dërgoi përtej limiteve tona. Por dhamë gjithçka për të përjetuar këtë emocion.

E kujt është merita për fitoren e Gjermanisë?

Kjo skuadër ka nisur të ndërtohet 10 vite më parë me Jurgen Klinsmanin. Ne vazhduam punën për të arritur deri në këtë ditë. Dhamë gjithçka dhe askush nuk e ka merituar këtë kupë më shumë se ne. Kemi bërë kaq shumë progres dhe kemi mësuar nga gabimet tona. I mësuam leksionet dhe tani morëm atë që meritonim të merrnim.

Por ishte fitorja e trajnerit, golin e fitores e shënoi një lojtar që hyri nga stoli?

Nëse doni ta thoni këtë OK, edhe unë kam meritën time. Kisha ndjesinë se Gëce do vendoste finalen. Ai është një lojtar vendimtar në momente të veçanta.

Sa i rëndësishëm është fitimi i këtij trofeu në “Marakana”, në shtëpinë e Brazilit?

Një europiane nuk kishte fituar kurrë në këtë kontinent. Kjo që bëmë ne, na bën të pavdekshëm. Është skuadra e parë nga kontinenti ynë që triumfon në tokën latine. U shpallëm kampionë bote në tokën e Brazilit, në tokën e futbollit.
Është folur shumë për revolucionin e stilit të ri të lojës së kësaj kombëtareje dhe shumë e vunë në dyshim nëse kjo ishte rruga e duhur për të sjellë suksesin…

Po, dhe është e vërtetë. Por ne nuk i humbëm asnjëherë në këtë rrugëtim virtytet e Gjermanisë. Pa karakterin e fortë të kësaj skuadre, nuk do kishim fituar kurrë.
Është e kotë të bëjmë edhe pyetjen e së ardhmes, por në fund duhet bërë edhe ajo: a do të jetë vazhdojë Lëv të jetë trajneri i Gjermanisë?

Unë kam një kontratë. Kjo skuadër ka një të ardhme. Humels, Rojs dhe Gëce janë të rinj dhe kanë një të ardhme të ndritur përpara.

Mario Gotze (Gëce):



M’u deshën disa sekonda për të kuptuar çfarë bëra

U transferua te Bajerni i Mynihut me shumë bujë, por ndërkohë nuk kaloi një sezon të parë të lehtë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Botërori i tij nisi në malore, sepse pas ndeshjeve të para si titullar e pa veten në errësirën e pankinës. Gjithsesi, talenti i tij shkëlqeu atëherë kur duhej, në ndeshjen më të vështirë të Gjermanisë, në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj përfaqësueseje prej gati një çerekshekulli dhe Mario Gëce nuk lë pa kujtuar asnjë detaj. “Ky ka qenë një sezon i vështirë, i mbushur me dyshime dhe me jo pak kritika, por unë gjithmonë kam punuar, kam luftuar dhe jam i lumtur që sot jam pjesë e kësaj kombëtareje që e meritoi Kupën e Botës”.
Gëce, çfarë ndien kur shënon një gol kaq të rëndësishëm?
Të them të drejtën, as tani nuk di t’ua shpjegoj. Në fushë realizova dhe m’u deshën disa sekonda për të kuptuar se çfarë kisha arritur të bëja. Nuk di të them se çfarë emocioni të kalon në trup, nuk ka një shpjegim për këtë…

Është e vërtetë që Klose ju tha në vesh se do ta vendosje ti sfidën?
Po, Miro nuk është vetëm një kampion në fushë, por edhe një kampion në parashikimin e situatave me sa duket (qesh). Fjalët e tij ishin ato që më përshkonin mendjen teksa bëja hapat e para, por realisht që as vetë nuk e besoja se në fund kjo ëndërr, ai gol i rëndësishëm, do ndryshonte gjithë atë situatë jo të lehtë.

Me këtë gol iu përgjigjët fort dikujt që nuk besoi shumë te ty në këtë fillim sezoni?

Ky ka qenë një vit me ulje-ngritje, por unë kam qenë gjithmonë i gatshëm, asnjëherë nuk është dorëzuar. E kuptoj që duke parë investimin e madh që mund të jetë bërë tek unë, dikush pret magjira, por unë jam një individ, nuk mund të bëj gjithçka vetë. Gjithsesi, mendoj se me këtë gol besoj se e kam shpërblyer besimin e të gjithëve, ndonëse forca e madhe e kësaj skuadre është ky grup kampionësh, mbi të cilin ne të rinjtë mund të rritemi të sigurt dhe pa frikë. Jemi kampionë bote, por unë nuk e besoj ende që e vendosa unë këtë takim.

Miroslav Klose: 

I thashë Gëces, ti do të na japësh kupën!


“Një herë i dyti në 2002-in dhe dy herë i treti 2006 dhe 2010. U realizua një ëndërr”. Këto janë fjalët e tashmë zyrtarisht një legjende te Gjermania, Miroslav Klose. Golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit (me 16 gola) theu disa rekorde të tjera mbrëmë, njëri prej të cilëve i Pelesë: 4396 ditë kishin kaluar nga finalja e fundit e Kloses 2002 dhe kësaj të 2014-ës, 21 ditë më gjatë se rekordi që e mbante Peleja 1958 & 1970. “Në momentin e zëvendësimit i thashë Gëces. Ti do të na e japësh këtë kupë! E ardhmja? Do të fle disa ditë gjumë për t’u qetësuar dhe pastaj do të vendos”, përfundoi 36-vjeçari. Sulmuesi parakaloi Maldinin me 23 prezenca në Botëror dhe tani është vetëm 1 ndeshje larg rekordit të Mateusit.

Argentina's Messi is challenged by Germany's Boateng and Lahm during their 2014 World Cup final at the Maracana stadium in Rio de Janeiro.


Philip Lahm: 

Na provokuan, triumfi për ekipin që sakrifikoi.


Filip Lahm është përfaqësuesi i denjë i një gjenerate të artë të kësaj Gjermanie. Ai, së bashku me Shvajnin dhe Klosen, mbajtën peshën kryesore jo vetëm në aspektin atletik dhe futbollistik, por edhe në atë psikologjik. Në një Gjermani që hera-herës ishte e ngurtë dhe e pasigurt, kapiteni dhuronte gjithnjë frymëmarrje dhe qetësi. “Ishte një fitore e merituar. Tentuan të na provokonin, por ne nuk ramë pre e tentativave të tyre që në disa raste i kaluan limitet sportive”, u shpreh Lahm pas ndeshjes, vetëm pak çaste para se të ngrinte Kupën e Botës.

Lahm, kujt ia dedikoni këtë triumf historik?

Ua dedikoj të gjithë atyre që luftuan me mish e me shpirt për të arritur këtu. Ua dedikoj të gjithë gjermanëve.
A mendoni se Gjermania vuajti më shumë sesa duhej në këtë ndeshje?

Nuk mund të fitojmë çdo ndeshje 5-0 që në 30 minutat e para… bëmë gjithçka mundëm përballë një kundërshtari shumë agresiv dhe që mbrohej heraherës me 9 ose 10 lojtarë.
Si do ta përkufizonit këtë arritje?

E mrekullueshme, e pabesueshme. Prej muajsh mendoja për këtë trofe dhe tani që e kemi fituar, më duket e pabesueshme.
Pse vuajti kaq shumë Gjermania?

Sepse ishte një finale e Kupës së Botës dhe dihet që në të tilla ndeshje nuk mund të fitosh asnjëherë me lehtësi. Ne e donim trofeun po aq sa edhe Argjentina, edhe pse në disa gjëra ne ndryshojmë plotësisht sa i përket sjelljes në fushë.

E keni fjalën për provokimet e kundërshtarëve në fushë?
Po, pa dyshim që po. Bënë gjithçka mundën që të na nervozonin, por ne nuk e humbëm kurrë kontrollin. E prisnim një gjë të tillë, ndaj edhe u treguam të duruar dhe në fund triumfuam.


Manuel Neuer : 

Ja si grushtova… Higuainin


Pa dorashkat e arta të Manuel Nojerit, Gjermania nuk do arrinte këtë rezultat historik. Portieri gjerman ka qenë shumëfunksional në fushë kur në këto 7 finale ka sakrifikuar dhe rrezikuar jashtëzakonisht. Me reflekset dhe eksperiencën e tij, gardiani bavarez ka bërë që të mbajë portën të blinduar dhe mos lejuar të prekin rrjetat Mesi & Co. Falë zgjuarsisë dhe performancës së jashtëzakonshme është vlerësuar edhe portieri më i mirë i turneut duke shkurorëzuar Iker Kasijasin. Pas triumfit ndaj Argjentinës në finalen e 8-të, Manuel Nojer ka falënderuar sakrificën e shokëve të tij dhe ia ka dedikuar trofeun lojtarëve që munguan në këtë Botëror fantastik.

Nojer, urime për çmimin! Si ndiheni?

Nuk di si ta përshkruaj! Më dridhet zëri dhe trupi nga emocionet e këtij triumfi. Jam krenar për këtë çmim. Jam përpjekur të ndihmoj skuadrën, më e rëndësishmja është kupa. Realizuam një ëndërr.

Gjermania ia doli. Sa e vështirë ishte për ju?

Është e pabesueshme! Bashkimi bëri fuqinë në këtë Botëror. Secili donte ta fitonte këtë kupë. Kemi besuar te ky fund i gëzuar dhe tani vështirësitë harrohen. Vështirësia më e madhe ishin këto 120 minuta.

Kujt ia dedikoni këtë triumf?

Ne kemi qenë altruistë dhe egoistë për këtë kupë, por nuk duhet të harrojmë ata që nuk mundën të ndodheshin këtu me ne, si binjakët Bender dhe Marko Rojs. Kjo kupë është edhe për ta. Të gjithë gjermanët ndihen sot kampionë, sepse janë ata që na kanë besuar dhe mbështetur në çdo sekondë në Brazil.

A mund të na tregoni si u ndiet pas grushtimit të topit sipër Higuainit dhe rastit të Palasios?

U përpoqa të qetësoja sa më shumë lojtarët. Kujdesi ishte në maksimum dhe e pashë që ata ndiheshin edhe më të sigurt kur unë u jepja kurajë. Atë kërcim ndaj Higuainit më duhej ta bëja, në të kundërt nuk e di ç’do ndodhte. Skena të tilla më takojnë mua t’i zgjidh. Ndërsa Palasios ia zura rrezen. Nuk mund të ndëshkohesha në atë situatë aq të shpejtë.


Bastian Shvajnshtaiger

"Gladiatori” i Gjermanisë, Bastian Shvajnshtaiger, ia dedikon Uli Hënesit triumfin e djeshëm. Ish-presidenti i Bajernit të Mynihut është duke vuajtur dënimin me burg për shkak të evazionit fiskal, por Shvajni mendon se pa atë njeri Gjermania nuk do të kishte mundur të triumfonte, duke lënë të kuptohet se baza e kombëtares mbetet Bajerni dhe se kjo skuadër është një “krijesë” e Uli Hënesit.





Shvajni, kujt ia dedikoni këtë triumf?

Ia dedikoj Uli Hënesit dhe të gjithë Mynihut.

Pse Uli Hënesit?

Sepse pa atë njeri, unë dhe ndoshta edhe Gjermania nuk do të ishte këtu ku është sot. Falenderoj gjithashtu edhe familjen time.

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Uli Hënes ka bërë shumë për mua, për futbollin gjerman. Ia dedikoj atij! Ia dedikoj edhe shokëve që qendruan në stol, sepse diferenca erdhi edhe prej tyre.

A e kishit menduar kaq të vështirë finalen?

Jo, ndoshta… Nuk e di. Nuk di ta them tamam, por di t’ju them me siguri se unë s’do të dorëzohesha edhe sikur kjo ndeshje të riluhej nga e para. Ishte ndeshja jonë, unë e ndieja këtë.

Si e keni plagën?
Mjekët thanë që nuk është edhe aq keq. Mund të mbijetoj… (qesh).

A është kjo arritja më e madhe për ju?

Pa diskutim që po. Po! Të gjithë e kanë ëndërr të shpallen kampionë të botës.


Mats Humels: 

Kupa s’fitohet vetëm, por si grup


Qendërmbrojtësi Mats Humels ua bën të qartë edhe një herë kolegëve se kampion bote nuk shpallesh dot i vetëm, por si skuadër. “Nisëm një aventurë në një botë tjetër ku mundëm të sfidonim dhe fitonim çdo duel. Patëm probleme me dëmtimet dhe sërish trajneri bëri lëvizjet e duhura. Dikush shpallet kampion vetëm kur luan i bashkuar si skuadër dhe jo duke qenë egoist. Neve ia bëmë të qartë botës gjatë gjithë kohës dhe në fund u vendos drejtësia. E kam mësuar që një finale fitohet edhe me pak fat. Ishte një lojë mjaft e hapur dhe fati qe me ne”, deklaroi Mats Humels, i cili shënoi dy gola në këtë Botëror.


Per Mertesaker: 

Gëcen do ta kenë zili të gjithë

Mbrojtësi i kombëtares gjermane, Per Mertesaker, është shfaqur tepër i lumtur pas suksesit të djeshëm në finale kundër Argjentinës. Në një prononcim për mediat, lojtari i Arsenalit u shpreh: “Është nata më e bukur e jetës sime. Nuk do t’i harroj kurrë këto emocione. Besoj se morëm një sukses të merituar, për gjithçka kemi treguar gjatë të gjithë Botërorit dhe për ndeshjen e sotme (djeshme). Gëce? E kam zili, pasi shënoi një gol që do ta kishin zili të gjithë. Është e pabesueshme të futesh në një finale dhe të vendosësh takimin. Tani dua të shikoj këtë trofe. Jemi krenarë që i kemi dhuruar një gëzim të madh të gjithë popullit gjerman!”.

Shkodran Mustafi, shqiptari i parë kampion bote



Në festën e Gjermanisë ka gëzim edhe për një shqiptar. Shkodran Mustafi bëhet shqiptari i parë që ka fituar një kampionat botëror. Qendërmbrojtësi nuk luajti në duelin me Argjentinën në finale, pasi ishte i lënduar, por medalja e artë i takon edhe atij. Në të kaluarën, medalje të bronztë kishte fituar Ardian Kozniku me Kroacinë, edhe pse nuk kishte luajtur asnjë minutë. Futbollisti i Sampdorias është kërkuar me insistim edhe nga tekniku i Shqipërisë, Xhani De Biazi, por preferoi të vishte fanellën e “pancerave”. Lojtari ka luajtur tri takime në Kupën e Botës, përfshirë edhe atë kundër Algjerisë, ku pësoi dëmtimin që e la jashtë deri në finale. Historia e mbrojtësit me kombësi shqiptare është deri diku interesante, sepse thirrja e tij në Botëror erdhi si pasojë e dëmtimit të yllit të kombëtares gjermane, Marko Rois, dhe grumbullimi i shqiptarit nga Lëv u pa si një lëvizje pak e zgjuar, por që më pas rezultoi krejt e kundërta.

Kramer pësoi goditje cerebrale


Një ndërhyrje e dhunshme e Lavecit, por e pavullnetshme në pjesën e parë ndaj Kristof Kramerit, i dha goditjen e dytë Joakim Lëvit pas tërheqjes muskulore që pësoi Sami Khedira në nxehmje. Trajneri nuk kishte më një mesfushor shkatërrues në fushë dhe Shvajni ndjeu mungesën e tyre, duke u bërë pre e goditjeve të ashpra të argjentinasve. Kristof Kramer pësoi një goditje cerebrale dhe nuk mundi ta vazhdonte dot më lojën, duke ia lënë vendin Shyrrles. “Ishte një goditje e rëndë, por jam mirë. Nuk e mbaj mend se çfarë ndodhi. Për disa sekonda harrova gjithçka”, – tha me humor mesfushori i talentuar i Borusia Mynshegladbahut.


Franz Bekenbauer: 

Diferencën e bëri dita e pushimit e gjermanëve



Franc Bekenbauer e kishte parashikuar fitoren e Gjermanisë me rezultatin 2-0, por është gjithsesi i kënaqur me triumfin e “pancerave”. “Ishte një ndeshje që doli jashtë parashikimeve, sepse Argjentina rezistoi më shumë se sa duhet. Por nuk ishte ky problemi, pasi ndodhi ajo që unë i druhesha më shumë se çdo gjë tjetër: tensioni i tepruar. Kjo na bëri të rrezikonim shumë dhe mendoj se Argjentina mund të na kishte shënuar, nëse edhe lojtarët e saj nuk do të ishin po aq të tensionuar sa tanët”, deklaroi “Kajzeri” pas ndeshjes. Më tej ai tha se diferencën në një ndeshje si ajo e djeshmja e bëri edhe freskia fizike. “Isha i bindur se kur të shkonim në kohën shtesë Gjermania do të luante akoma më mirë. Arsyeja? Ishin shumë më të freskët se Argjentina. Kishin pasur më shumë se një ditë pushimi avancë, çka nuk është pak për ndeshje të niveleve të tilla. Gjithsesi jam i impresionuar nga rezistenca fizike e argjentinasve dhe disiplina taktike. Duhet t’ua njohim meritat, sepse edhe ata luajtën ndeshjen e jetës”, u shpreh Bekenbauer pas finales.


Alehandro Sabeja: 

Sa shumë gabuam!


Trajneri Alehandro Sabeja do të kishte dashur që të jepte një tjetër konferencë për shtyp, një më të lumtur sesa ajo e djeshmja. 59-vjeçari nuk kërkon që ta humbë qetësinë që e karakterizon, nuk kërkon të shtojë edhe më shumë dhimbjen, pasi ai e di mirë se, nëse Higuain, Mesi dhe Palasio do të kishin dërguar në portë të paktën një prej atyre tre rasteve flagrante për gol, atëherë festa mund të kishte pasur ngjyra të tjera: “Jam pafundësisht i dëshpëruar, për faktin se nuk mundën ta fitonim këtë sfidë, por në të njëjtën kohë dua të ndihem krenar për këta futbollistë. Kundër një superfuqie futbolli si Gjermania bëmë një ndeshje gati perfekte, madhështore, nëse analizojmë sesi e zotëruam atë për 120 minuta. Por fatkeqësisht, përballë këtyre skuadrave duhet të shënosh, nuk mjafton vetëm t’i trembësh me tre, mbase katër raste të pastra për gol që mund të na vlenin një kupë bote. Gjithsesi, i tillë është futbolli dhe s’besoj se këtë impenjim tonin populli dhe tifozët tanë do të na e mohojnë. Kemi bërë një udhëtim fantastik, duke luftuar vetëm kundër të gjithëve që nga dita e parë, por në këtë finale të madhe na mungoi ajo pak saktësi që mund të kishte bërë diferencën, – nënvizon i dëshpëruar Alehandro Sabeja. – Gjatë gjithë kohës jemi vetëm kritikuar, madje më shumë nga ato figura që kanë edhe kombësinë tonë, por në fund e meritojmë të gjithë një duartrokitje të madhe. S’e kemi nisur me hapin e duhur këtë Botëror, sepse të gjitha skuadrat ndaj nesh mendonin vetëm të mbroheshin, por ekipi vetëm rritej dhe përmirësohej ndeshje pas ndeshjeje, ndonëse më vjen të ulërij që në këtë finale na mungoi ai gramë fati më shumë për të fituar dhe më vjen shumë keq. E ardhmja ime? Nuk mendoj se ky është momenti për të folur për kontrata apo për gjëra të tilla. Dua të qëndroj me lojtarët e mi, t’u flas dhe t’i përgëzoj ata, sepse e meritojnë!”.


Havier Maskerano: 

Ky trishtim do na përndjekë gjithë jetën


Havier Maskerano ka qenë një nga luftëtarët e Argjentinës që dha gjithçka në fushë, ndonëse nuk mundi që të ngrinte trofeun dhe të lumturonte kombin e tij. Mesfushori shprehet se është e dhimbshme që në fund të shikosh kundërshtarët të shpallen më të mirët në botë, hidhërim që do ta shoqërojë atë gjatë gjithë jetës. “Për fat të keq kjo dhimbje do të na përndjekë sa të jemi gjallë, sepse kishim një mundësi të artë për të fituar Kupën e Botës. Është shumë e vështirë për t’u shpjeguar kjo humbje, duke qenë se e pësuam atë gol në fund. Ne dhamë gjithçka që të fitonim. Kishim shanset më të mira deri sa mundësitë fizike na e lejonim këtë gjë”, u shpreh futbollisti “albiçelest”. Maskerano trishtohet edhe për tifozët e jashtëzakonshëm, të cilët e kishin ëndërr këtë trofe. “Po vuajmë shumë, sepse mund të ishim ne ata që do ta ngrinim Kupën e Botës, por në fushë dhamë gjithçka nga vetja jonë. Ndihemi të gjithë shumë të zbrazur, treguam në fushë atë që mund të bënim dhe na ka trishtuar të gjithëve kjo humbje. Sidomos për të gjithë ata argjentinas që ndodheshin këtu në Brazil, si dhe për popullin në atdhe”, vazhdoi mesfushori.

Mesazhi - Pavarësisht humbjes së rëndë, Maskerano ka një mesazh për miqtë dhe të gjithë argjentinasit. “Ky është futbolli! Ne duhet që ta ngremë kokën lart dhe ta durojmë këtë dhimbje”. Në fund, futbollisti i Barcelonës vuri në dukje se ky takim u mbyll nga shokët e ekipit me ndjesinë se ata bënë më të mirën ndaj Gjermanisë. “Kjo është ajo që ne dhamë në fushë, ishte gjithçka që mund të bënim. Kundërshtarët tanë patën një mundësi që e shfrytëzuan dhe na ndëshkuan. Ata ishin të vendosur mirë dhe luajtën me kujdes në mbrojtje. Megjithatë, unë jam krenar që bëj pjesë në një ekip të tillë dhe për gjithçka kemi dhënë në këtë Botëror”, përfundoi lojtari 30-vjeçar, i cili në këtë kompeticion ishte një nga liderët e “albiçelesteve”.


Lionel Mesi: 

Doja të ngrija vetëm kupën


Lionel Mesi u shfaq i dërmuar nga humbja e pësuar në finale ndaj Gjermanisë. Kapiteni i Argjentinës s’e fshehu trishtimin për këtë zhgënjim të madh, pasi kombëtarja e tij i kishte të gjitha shanset që të shpallej më e mira në botë. “Më vjen shumë keq që nuk arritëm t’i kthenim në gola rastet që kemi pasur gjatë lojës. Ishim më të fortë. Meritonim më shumë në përfundim të përballjes dhe kjo më sjell më shumë mërzi. Ekipi luajti mirë ndaj gjermanëve, por nuk arritëm ta përfundonim me sukses misionin. Në përfundim përjetuam një mashtrim të madh të gjithë”, u shpreh “Pleshti”. Mesi ka vlerësuar shpirtin luftarak të shokëve të ekipit në fushë, ndërkohë që ka dhënë edhe një falënderim për të gjithë tifozët, të cilët i kanë dhënë një ndihmë të madhe kombëtares me mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Ndërkohë, ai nuk e fsheh vuajtjen për mosrealizimin e ëndrrës. “Doja vetëm që të ngrija Kupën e Botës. Sa keq!”.

Lukas Bilja 

Mesfushori i përfaqësueses së Argjentinës, Lukas Bilja, nuk arrin të gjejë dot ngushëllim pas humbjes në finale kundër Gjermanisë. Mesfushori, i cili militon në radhët e klubit të Lacios, është shfaqur tepër i zhgënjyer në përfundim të finales së “Marakana”-së, teksa i është kërkuar të analizojë takimin: “Nuk arrijmë dot të gjejmë ngushëllim për humbjen. Jemi shumë të zhgënjyer, më duket sikur gjithçka e mirë që kemi bërë deri në këtë pikë është krejtësisht e pavlefshme”. Më pas Biglja ka vijuar të thotë: “Mendoj se e meritonim më shumë ne se Gjermania këtë kupë, kjo për arsye të asaj që treguam në fushë, por për fat të keq nuk arritëm dot t’i konkretizonim me sukses rastet e shumta për gol. Në futboll, çdo gabim i vogël, të kushton shumë dhe ne vuajtëm fatin e keq”.
“Pleshti” vjell sërish në fushë

Mund të jetë tensioni, ose ndoshta stresi i finales. Leo Mesi vjell sërish në fushë. Ylli argjentinas, në një ndeshje mes gabimesh dhe numrash klasi, pati edhe një herë tjetër një problem me stomakun. Telekamerat e filmuan kapitenin argjentinas duke vjellë dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh gjatë një ndeshjeje. Problemet nisën këtë pranverë. Me kombëtaren, hera e parë ndodhi gjatë miqësores midis Rumanisë e Argjentinës dhe para se të udhëtonte për në Brazil, në testin kundër Sllovenisë. Por edhe me klubin e tij, Barcelonën, ndodhi që ai të ndihej keq (para takimit ndaj Atletiko Bilbaos). Megjithatë, Mesi nuk është kampioni i vetëm që përpara një ndeshjeje me rëndësi ndihet keq. Edhe Omar Sivori, në kohën e tij, kishte shqetësime me të vjellat.


Hernan Krespo dhe Lamela 
falënderojnë kombëtaren


Ish-futbollisti i Kombëtares argjentinase, Hernan Krespo, ka vlerësuar lojën e bërë nga ekipi në finale. “I falënderoj këta djem. E kanë përfaqësuar kombin me shumë krenari. Në këtë takim më shumë se kurrë. Luftuan fort fushë ndaj një kundërshtari tepër të rrezikshëm dhe të disiplinuar. Arritën që të mbanin në kontroll një ndeshje me të vërtetë të vështirë, për t’u ndëshkuar vetëm në momentet e fundit”, u shpreh ish-sulmuesi i “albiçelesteve”. Edhe argjentinasi tjetër, Erik Lamela që luan në Premier Ligë te Totenhemi, ka falënderuar përfaqësuesen për paraqitjen që bëri në “Marakana”. “Një paraqitje, e cila merr shumë vlerësim. Këta djem dhanë gjithçka në fushë dhe bënë një ndeshje për të cilën duhet të jemi krenarë. Paraqitja e tyre duhet të vlerësohet. I falënderoj për emocionet që na kanë dhuruar në këtë Botëror”, u shpreh futbollisti 22-vjeçar. Ndërkohë, blerja e re e Sitit, Uilli Kabajero nuk i kursen vlerësimet për ekipin. “Nuk mund të ndihem veçse krenar për këta 23 lojtarë që dhanë jetën në fushë. Sot, më shumë se kurrë, vlerësoj faktin që jam argjentinas”, tha portieri.


Pas 84 vitesh, Gjermania triumfon në tokën amerikane

Gjermania ka shkruar historinë në Kupën e Botës, duke qenë e vetmja kombëtare që triumfon në një botëror të organizuar në kontinentin amerikan. Pas 84 vitesh thyhet tersi në stadiumin epik të “Marakana”- së, ku Gjermania fiton 1-0 falë golit të Gëces. Në vitin 1930 në Uruguai, kur Gjermania nuk mori pjesë, triumfuan organizatorët. Në Botërorin 1950 në Brazil kishim një “seleçao” spektakolar, por ishte Uruguai që bëri ligjin në metropolin brazilian. Në 1962-in në Kili, Brazili bëri diferencën, duke mos lënë asnjë europian të dominonte në kontinentin e tyre. Pas triumfit në “Suedi 1958″, Brazili bëri dopietë në Kili, duke treguar se në Amerikën e Jugut fitonin të zotët e shtëpisë. Përveç Amerikës së Jugut, amerikano- jugorët kanë triumfuar edhe në Meksikë. Në Botërorin 1970, të organizuar në Meksikë, ka triumfuar jo një europian, por ka qenë sërish amerikano-jugor, Brazili. Historia vazhdon të flasë për kombëtaret amerikane, kur forca fizike, mentaliteti dhe regjimet karikonin në maksimum lojtarët, madje duke thyer rregullat e dopingut. Në Botërorin 1978 ishte Argjentina organizatore dhe, në fakt, qenë po ata që triumfuan duke e fituar me dhunë finalen. Në “Meksikë 1986″ Argjentina e Maradonës fitoi kupën e dytë në finalen ndaj Gjermanisë. Në “SHBA 1994″ janë sërish latinët, por këtë herë Brazili. Në “Korenë e Jugut-Japoni 2002″ europianët dështojnë sërish në finale, duke mos triumfuar dot jashtë kontinentit. Në 2010-n ishte Spanja kombëtarja e parë që fitoi kupën jashtë Europës, në Afrikën e Jugut, dhe Gjermania që triumfon në “Brazil 2014″.


Rodrigez, Mesi dhe Nojer, ja yjet e këtij Botërori


Përpara ceremonisë së dorëzimit të Kupës së Botës, FIFA nëpërmjet “sponsorit” të saj, një tjetër gjiganti gjerman si “Adidas”-i ka dorëzuar dy trofetë individualë për portierin dhe lojtarin më të mirë të këtij edicioni. Mbrojtësi më i mirë i shtyllave nuk mund të ishte askush tjetër sivjet përveç Manuel Nojerit, një ikonë e rolit të tij që ka treguar një siguri fantastike edhe jashtë kuadratit të portës dhe atij të zonës së rreptësisë. Më shumë sesa kaq, Manuel Nojer nuk mund të priste nga një natë finale, sepse teksa “Doreza e Artë” është një vlerësim individual, ai ka shkruar emrin e tij mbi trofeun e Kupës së Botës, diçka që historia nuk do ta harrojë kurrë. Por, ndërkohë, edhe Lionel Mesi nuk del pa një trofe nga finalja e djeshme. Ai është vlerësuar si lojtari më i mirë i këtij Botërori, ndërsa sot do mësojë edhe ata që e kanë pasur në renditjen finale të sponsorit “Adidas”. Gjithsesi, as ky “Top i Artë” nuk i solli buzëqeshjen “pleshtit”. Ndërkohë, pas lotëve të shumtë të shpenzuar ndaj Brazilit, ku mbase u eliminuan edhe pa e merituar, Kolumbia dhe fantazisti i saj 22-vjeçar, Xhejms Rodrigez, mund të krenohen me trofeun e skuadrës “fair-play” dhe golashënuesit më të mirë, pasi me 6 realizimet e tij ai la pas në renditje rivalë të frikshëm, si gjermanin Tomas Myler dhe holandezin Robin van Persi, të ndalur në kuotën e 5 golave. Ndërsa përsa i përket talentit më të mirë, i përzgjedhuri ishte francezi Pol Pogba.

Kupa e Botës kushton 115 mijë euro

Ka një lartësi prej 36.8 centimetrash, peshon 6 kilogramë e 175 gramë dhe ka një diametër në bazë prej 13 centimetrash. Edhe pse këto shifra nuk bëjnë shumë bujë, pikërisht për këta numra u ndeshën për një muaj me radhë Argjentina dhe Gjermania. Trofeu i Kupës së Botës mund të duket modest kundrejt pagave që lojtarët përfitojnë, por për kuriozitetin e të gjithëve zbulojmë disa detaje mbi të. Përveç përmasave të përmendura më lart, vlera e tij reale është 114 mijë e 654 euro. Ky trofe, i skulpturuar 43 vite më parë, konkretisht në vitin 1971 nga italiani Silvio Gaxaniga, zëvendësoi trofeun e mëparshëm, “Zhyl Rime”, dhe ishin pikërisht gjermanët ata që e mbajtën në duar për të parën herë, pas suksesit në 1974-n. E pagëzuar thjesht si “FIFA World Cup”, 75 për qind e trofeut është flori i pastër 18 karatësh (saktësisht 3 kilogramë e 675 gramë), ndërsa pjesa tjetër e tij përmban metale të tjera dhe disa gurë gjysmë të çmuar me ngjyrë të gjelbër që e dekorojnë nga jashtë. Natyrisht që asnjë prej kombëtareve nuk e prek këtë trofe apo e përvetëson pas çdo fitoreje, por atyre u dorëzohet një kopje e larë në flori të pastër. “FIFA World Cup” do të jetë në qarkullim deri në vitin 2038, pasi deri në këtë vit ka hapësirë në të që të shkruhen emrat e fituesve.


LIBRI I ARTË

Brazil 2014
Fituesi: Gjermania
Afrikë J. 2010
Fituesi: Spanja
Gjermani 2006
Fituesi: Itali
Kore-Japoni 2002
Fituesi: Brazil
Francë 1998
Fituesi: Francë
SHBA 1994
Fituesi: Brazil
Itali 1990
Fituesi: Gjermani
Meksikë 1986
Fituesi: Argjentinë
Spanjë 1982
Fituesi: Itali
Argjentinë 1978
Fituesi: Argjentinë
Gjermani 1974
Fituesi: Gjermani P.
Meksikë 1970
Fituesi: Brazili
Angli 1966
Fituesi: Angli
Kili 1962
Fituesi: Brazili
Suedi 1958
Fituesi: Brazili
Zvicër 1954
Fituesi: Gjermani P.
Brazil 1950
Fituesi: Uruguai
Francë 1938
Fituesi: Itali
Itali 1934
Fituesi: Itali
Uruguai 1930

Fituesi: Uruguai

*   *   *