Showing posts with label sport. Show all posts
Showing posts with label sport. Show all posts

July 30, 2021

Sali Berisha Non Grata



Qenka fyer rëndë Saliu

se Kim i përmëndi barin

nuk po gjën dot vrimë miu

dot Putin s'e mbron Dhiarin.

.

Me javash o kar-dhiologu

barin keshe pjatë të parë

unë Labi e ti Maloku

për Enverë ishim ushtarë.

.

Unë, mbeçë në vën ku isha

ti, kaptove dhe ylberë

xhami shëmbe edhe kisha

Shqipërinë hodhe në erë.

.

Nashti rri e bën sehirë

Historinë dot s'e kaptove

bëj atë, që bën më mirë

të haç munë që gatove.

...........................................

Ehh ç'të gjeti moj Lulushe

zërë kujen me oi

Amerika të vu kushte

të shkarkoç shokun Sali.

.

Nuk ësht' halli, bithë e plakur

zë qoshené, në parlament

por, nga lista duhet flakur

të mos ketë imunitet.

.

Nuk ësht' halli, vjen i dhjeri

në mexhlis, me uturak

me pelena, i përmjeri

bënet gati për në SPAK.

...

P.S.

Sos e keqja që të zuri

sos humbe për her' të shtatë

Amerika kusht të vuri

bar të njomë a bar të thatë.

.

E kujtove shesh me lule

kur në krie ty të vunë 

nashti o do haç në tule

o Saliut t'i haç munë.

.

ATA nuk t'a bëjn' të gjatë

qysh do bëç, i ziu ti

xidh, o barin si sallatë 

ose munë si kabuni!

                                *   *   *

May 28, 2018

Unioni Europian i Xhudos sulmon Ramosin: Ajo teknikë është e ndaluar edhe te ne





Pas penalltisë së Ronaldos kundër Juventusit, ndërhyrja e Ramosit në dëm të egjiptianit Salah ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme. Dëmtimi i lojtarit të Liverpulit është bërë viral dhe qëndrimet për ndërhyrjen e mbrojtësit të Realit kanë qenë nga më të ndryshmet.

Por mjaft i veçantë është qëndrimi në Twitter i Unionit Europian të Xhudos, që ka ironizuar kështu me gjestin e kapitenit të Realit të Madridit: “Arm-lock” është një teknikë e ndaluar në xhudo, kurse në Champions mjafton për të fituar trofeun”.

Një reagim shumë i veçantë ndaj veprimit të futbollistit spanjoll, që është vënë në shënjestër për faktin se mund ta ketë bërë qëllimisht atë ndërhyrje për të dëmtuar lojtarin më të rrezikshëm të ekipit kundërshtar.

*   *   *

April 8, 2016

Antonio Konte dëshiron Hysaj tek Çelsi, ja çfarë shkruajnë anglezët


Performanca e tij e shkëlqyer me fanellën e Napolit ka bërë që shumë skuadra gjigante në Europë të shfaqin interes për Elseid Hysaj.Diego Simeone, trajneri i Atletiko Madridit ka kërkuar të ketë në grup mbrojtësin shqiptar.

Mirëpo në pistë është shfaqur dhe trajneri Italian që do të drejtojë Çelsin, Antonio Konte.

Menaxheri i futbollistit shqiptar i cituar nga mediat spanjolle ka theksuar që Hysaj vlen për ekipe si Real Madrid, Mançester Junajtid apo Çelsi. Ndër të tjera, Giuffredi  rrëfen mundësinë e largimit të 22-vjeçarit gjatë merkatos së verës.

“Nëse Napoli do ta konsiderojë shitjen e tij mund të përfitojë një shumë të madhe. Aktualisht nuk po diskutojmë për rinovimin e kontratës sepse nuk duam të krijojmë probleme por është e qartë se vetëm 7 muaj më parë ai ishte një tjetër lojtar dhe me paraqitjet e këtij sezoni ka ndryshuar shumë. E theksoj, rinovimi nuk është prioritet. E njoh Elseidin që prej shumë vitesh dhe e dija se do të shpërthente në Napoli. Tashmë është bërë një lojtar i kalibrit të lartë dhe mendoj se është gati edhe për skuadra si Chelsea, Manchester apo Real Madrid”.

Interesi i Çelsit

Ueb-faqja angleze “Chelsea-new.co” shkruan se Antonio Konte ka interes të afrojë tek londinezët edhe mbrojtësin shqiptar, pasi është lojtari ideal për skemat e preferuara të tij 3-5-2 ose 4-4-2.

“Shqiptari ka një kontratë me Napolin që e lidh deri në vitin 2020 dhe vlera e kartonit të tij mund të variojë nga 15 deri në 20 milionë Pound. Më parë, për 22-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Bayern Münich, Atletico Madrid e Bayer Leverkusen”- thuhet në shkrimin për Hysaj.



*   *   *



March 24, 2016

John Hendrikus Cruyff /Johan Krojf, nga cigaret, tek sfida që i bënte diktatorit Franko: Jeta e një legjende


John Hendrikus Cruyff (Johan Krojf) ka lindur dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 25 prill 1947, në kryeqytetin e Hollandës, Amsterdam.

Ai ndërroi jetë sot në moshën 68-vjeçare.

Holandezi, i konsideruar si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, humbi betejën me kancerin.

Legjenda e futbollit, shkëlqeu me Ajaksin dhe Barcelonën, me të cilët fitoi 9 kampionate. Ai ishte tre herë fitues i Topit të Artë. Është konsideruar edhe një menaxher i shkëlqyer, duke fituar 9 kampionate në drejtimin e stolit të Barcelonës.

Jeta

Që i vogël u mësua të dëgjojë fjalët “Ajaks” dhe futboll, pasi e ëma e tij, e cila punonte në lavanterinë e ekipit të Ajaksit të Amsterdamit, sillte të lante në shtëpi bluzat e futbollistëve. Do të mbetej pa babain e tij, i cili vdes nga një goditje në zemër, kur Johani sapo kishte mbushur 12 vjeç. Një vit më vonë e ëma do të terrorizohej, kur ai la shkollën dhe iu përkushtua tërësisht futbollit. Ishte trajneri legjendë Rinus Mishels ai që do ta shtynte Krojfin e talentuar në “skenë”. Por për një nga lojtarët më të mëdhenj të kohërave, “holandezin fluturues” Krojf, do të ishte relativisht një karrierë e shkurtër futbollistike. Një ditë, i vogli Johan do të merrte një nga dhuratat më të bukura: një top futbolli nga ekipi i Ajaksit, ç’është e vërteta pak i përdorur, por sidoqoftë një top i vërtetë futbolli. Në një kohë tepër të shkurtër Johan dhe topi i futbollit u bënë të pandarë.

Pa mbushur 22 vjeç, Krojf do të udhëhiqte ekipin e Ajaksit në premierën e finales së Kupës së Kampioneve, por Ajaksi ende nuk kishte arritur pjekurinë e duhur për këtë titull. Milani i Shnelingerit, me Riverën dhe Pratin, fituan thellë, 4-1. Ky nuk ishte vetëm preludi i ofensivës së madhe holandeze në fillim të viteve ’70. Pasi Fejnord i Van Hanigenit dhe Kindvallit, mori kupën në ’70, Ajaksi i dha një përgjigje të merituar rivalëve të tyre të qytetit-port, në ndeshjen e radhës. Në 1971, të kryesuar nga trajneri i hekurt, Rinus Mishels, dhe në terren nga Johan Krojf, Ajaks fitoi finalen e parë përballë Panathinaikosit. Në verën e vitit 1971 ndodhën dy gjëra të rëndësishme: Rinus Mishels do të merrte kombëtaren holandeze me një mision evident për të arritur në finalet e Kupës së Botës, ndërsa vendin e tij e zuri një trajner anonim nga Rumania, i quajtur Stefan Kovaç. Ky i fundit e kuptoi shpejt se nuk kishte se çfarë t’i mësonte Krojfit, Neskensit, Hanit, Krolit dhe Krajzerit, kështu që insistoi në aspektet edukative, duke i dhënë lojtarëve më shumë liri të shprehjes dhe mendimit, në terren dhe jashtë tij, gjë e cila nuk ishte “ndjekur” nga i paraardhësi i tij, Mishels. Kovaçi i dha besim edhe disa talenteve të tjerë të talentuar, të cilët e dinte që nuk do ta zhgënjenin: Rep, Geri dhe Muhren. Krojf udhëhoqi ekipin edhe përgjatë fitimit “të dyfishtë” të Kupës së Kampionëve. Sidoqoftë, me një vlerë simbolike, të dy finalet u fituan ndaj ekipeve të Interit dhe Juventusit. Ndërkohë Krojf u martua me të bijën e presidentit të Ajaksit, Van Praag. Midis viteve 1971 dhe 1973 ai fitoi Kupën e Europës me Ajaksin e Amsterdamit tri herë rresht.

Më 1973, Krojf dhe miku i tij më i ngushtë Neskens, “bien pre e insistimeve” të herë pas hershme të Barcelonës, të cilët xhelozë për famën që kishte marrë Ajaksi, i kishin blerë pa dijeninë e tyre. Barcelona, së bashku me ta, merr titullin e parë të ligës po atë sezon futbollistik. Holandezët vendosen “krah për krah” dhe e hedhin tutje këtë problem të krijuar nga mungesa e dy shtyllave kryesore të ekipit. Më 1974 do të ishte viti i “Weltmeisterschaft”-it, në të cilin Ajaksi do të thyej në luftën për titullin europian nga Bajerni i Mynihut. Ndërkohë, Johan sillej pranë ekipeve spanjolle dhe në kombëtare si një njeri që beson në të gjitha ato që flet, ndonëse mjedisi rrethues për të ishte shqetësues.

I lejonte vetes të sfidonte diktatorin Franko (tifozin e Realit), duke pagëzuar fëmijën e tij dhe madje duke i vënë një emër bask, Jordi, një procedurë e ndaluar në atë periudhë nga udhëheqja e atëhershme e Spanjës. Po ashtu, në kombëtare, ia lejonte vetes të pinte cigare në dhomën e zhveshjes, gjë e cila e nervozonte së tepërmi portierin Van Beveren. Ky i fundit, megjithëse ishte portieri më i mirë holandez, largohet nga kombëtarja vetëm nga presionet e Johanit, ndërsa në vendin e tij u shfaq Jongbloed.

Të gjitha këto nuk e ndaluan Holandën të sfidonte ekipin më të mirë në botë, duke e ulur në gjunjë dhe i shuar shpresat për fitimin sërish të titullit botëror, kampionëve në fuqi të Brazilit. Johan në rikthimin e tij pranë portokallinjve, u bë “drejtori i orkestrës”, i cili kishte arritur performancën për të shënuar që në minutën e parë të finales së Botërorit të Gjermanisë. Pas 12 pasimet konsekutive, pa arritur që ekipi kundërshtar, Gjermania, të kapte topin, tulipanët me anë të holandezit të tyre “fluturues” Johan Krojf kishte shënuar.

Atëherë, Berti Vogts, i thirrur ndryshe “qeni roje” i Evropës, mundi të shikonte vetëm numrin 14, i cili qëndronte pas shpinës së Johanit, dhe që në dëshpërim të plotë, shkaktoi një penallti. Por pas vendosjes së plotë në fushë, ekipi i Holandës ndahet në dysh: pragmatikët Gen Rensenbrink dhe Haan, të cilët donin të gjenin vetëm rezultatin në portën e gjermanëve, dhe romantikët në krye me Krojf dhe Van Hanegen vendosin të intensifikojnë sulmin, për t’i çuar gjermanët drejt ç’orientimit brenda në shtëpinë e tyre. Lëvizja e fundit në terren, prezantoi ekipin fitues, duke bërë që gjermanët të përfitojnë nga rasti dhe ta kapin Holandën të tërhequr në mbrojtje, duke goditur dy herë pamëshirshëm dhe njëkohësisht duke mbajtur kupën në Gjermani. Kjo ka qenë pika kulminante e karrierës së Krojfit si lojtar futbolli.

Vitet e kaluara pranë Barcelonës, nuk i sollën tituj europianë, ndërsa botërorin e Argjentinës e bojkoton në shenjë proteste ndaj vendit organizator që drejtohej nga një juntë ushtarake. Por disa syresh theksuan se ai nuk dëshironte të largohej nga familja e tij për shumë kohë. Krojfi paraqet “dorëheqjen” e tij si futbollist më 1978, por u shfaq në maj 1979 në Ligën Profesionale të Amerikës. Ai luajti edhe dy sezone të tjera për Amerikën përpara se të kthehej sërish në Amsterdam më 1981. Sakaq karrierën si lojtar e përfundon në 1983, ish-rivalen më të madhe të kohës, Fejnord, “ekipi bazë” i Bekenbauerit, ku ai do të provonte për herë të fundit shijen e fitores.

Johan Krojf fillon një karrierë tjetër, atë të trajnerit teknik të ekipit, pozicion i marrë në sezonin 1985-1986. Ai do të fitonte finalen e Kupës së Kupave me Ajaksin, e para në serinë e trofeve si trajner. Më 1987 Ajaks nën udhëheqjen e Johan Krojfit fiton Kupën e Kampioneve dhe nxjerr në skenë një sërë lojtarësh të rinj, si Denis Bergkamp, Aron Uinter, Brian Roj dhe vëllezërit Uitçge, Rob dhe Rishard. Jo fitimi i këtij titulli ishte interesant, por fakti që Ajaksi pas shumë vitesh do të ishte një ekip i vlefshëm dhe krejt i ri. Megjithëse Ajaksi humbi një vit më vonë finalen përballë belgëve të Meshelenit, kjo nuk pengoi Barcelonën ta risjellin pranë ekipit Johanin, kësaj rradhe në vendin trajnerit.

Pas mëse tetë vitesh marrëdhëniet Krojf-Barcelona u rikrijuan sërish për herë të dytë më 1996, në rolin e trajnerit dhe të drejtorit teknik. Ai rikonstruktoi skuadrën dhe solli mëse një dyzinë me futbollistë të rinj, ndër të cilëve edhe gjermanin Shuster. Nën përkujdesjen e Krojfit spanjollët fituan Kupën e Kupave, Kupën e Kampioneve dhe kupën e Spanjës për disa sezone, midis 1991 dhe 1994, kur në Spanjë, Barçës iu vu edhe epiteti “Ekipi i Ëndrrave”. Finalja e humbur si trajner, përballë ekipit të Milanit, u shoqërua me probleme mjekësore, çka e larguan Johanin nga stadiumet. Krojf, kishte lënë cigaren pas një operacioni “by-pass” të kryer në zemër më 1991 dhe rifillimit të problemeve të zemrës më 1997, vit në të cilin u largua nga futbolli përgjithmonë.

Në vitet që do të vinë Johan Krojf themelon fondacionin e tij, i cili siguron të ardhura për personat e paaftë sportistë dhe financon ato institucione mjekësore që zhvillojnë programe mjekësore. Po ashtu themelon Universitetin Ndërkombëtar “Johann Cruyff” më 1998, me objektiv dhënien e asistencës sportistëve, të cilët kanë qenë “të detyruar të japin dorëheqjen” nga sporti.

Epilog

Ka pasur shumë figura të shkëlqyera të futbollit ndër vite, por asnjë nuk ka qenë aq i rëndësishëm sa Johan Krojf. Si një lojtar me Ajax, Barcelonën dhe Holandën, ai e vuri veten e tij në panteon, së bashku me të mëdhenj të tillë si Pele, Diego Maradona, Ferenc Puskas, Lionel Messi dhe Zinedine Zidane. Si trajner tek Ajaks dhe Barcelona, ​​ai ndërtoi anët emocionuese, ushqeu një numër të shquar lojtarësh gjenial dhe ndikoi shumë në ekipet më të rëndësishme në botë. Spanja dhe Barcelona gjithëpushtuese e Xavi dhe Andres Iniesta, shkëlqimi i Bayern Mynih dhe Gjermanisë së sotme, Milani i viteve 1980 dhe shumë kampionë të tjerë të paharrueshëm do të kishin qenë të pamendueshëm pa Johan Krojf. Radikale dhe revolucionare, parimet e Johan Cruyff janë bërë standarde gjatë gjithë lojës moderne të futbollit.

Projekti i tij për zhvillimin e lojtarëve të rinj është kopjuar në të gjithë botën. Pas një periudhe 20-vjeçare, karriera e Johan Krojf përfundoi në vitin 1984. Ai nuk drejtoi ndonjë ekip të madh që nga viti 1996, kur e evidentoi veten si një guru, filantrop, komentator dhe fuqi prapa skenave.

Vitin e kaluar, në moshën 68-vjeçare, ai u diagnostikua me kancer të mushkërive dhe u tërhoq nga publiku për të luftuar me sëmundjen. Betejën e tij të fundit. Por ai nuk e fitoi këtë betejë, por ka fituar atë të përjetësisë.

Me largimin e Cruyff, futbolli humbet njërin nga yjet e vet më të ndritshëm, futbolli holandez “mbretin” e vet, Barcelona ideuesin e “tika-taka”.


*     *     *






February 25, 2016

Bajern Munich po mban Elsejd Hysaj në vëzhgim


Mediat gjermane shkruajnë se Bajerni është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe sytë janë drejtuar në Kampionatin italian.

Sipas burimeve të cituara nga “tz.de” (Tageszeitung), Elseid Hysaj është në dijeni për interesimin të Bajernit, paçka se kontrata e tij te Napoli përfundon në 2020-ën.

Mediat shkruajnë se vlera e Hysajt aktualisht në treg është 9 milionë euro, por kjo nuk duhet një shqetësim për Bajern, i cili është vënë në kërkim të një mbrojtësi.

“Pozicioni i mbrojtësit të krahut të djathtë është një vend vakant pothuajse në të gjithë klubet më të mira europiane.

Ka pak lojtarë të klasit botëror dhe janë akoma të rinj. Filip Lahm dhe Rafinha kanë një moshë të caktuar tashmë. Drejtori teknik, Michael Reschke, është vënë në kërkim të zëvendësuesve”,-shkruan media gjermane.



*    *    *




January 18, 2016

FotoLajm/ Berat Gjimshiti te Atalanta Itali


 Berat Gjimshiti është transferuar në Serie A te Atalanta
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, edhe zyrtarisht është lojtari më i ri i skuadrës italiane, Atalanata, me të cilën ka nënshkruar kontratë tri vjeçare, raportojnë mediat italiane.

Atalanta, përmes faqes zyrtare të klubit, ka bërë të ditur se Gjimshiti do ta bartë fanellën me numër 55.

Ende nuk janë bërë të ditur detajet e transferimit të mbajtësit të Kombëtares shqiptar, por tashmë ai gjendet në Itali dhe i ka kryer me sukses testet mjekësore.





*     *     *




VideoLajm/ “Bisha” shqiptare, Ilir Latifi hedh në tokë kundërshtarin për pak sekonda


Vetëm pak sekonda i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Ilir Latifi të hedhë në tokë kundërshtarin e tij Sean O’Connell.


Ndeshja është luajtur në “UFC Fight Night 81”.

Video tregon momentin kur Sean O’Connell shembet në tokë pas dy grushteve të marrë nga Latifi.


Një grusht i djathtë i Ilir Latifit bëri që kundërshtarit të tij, Sean O’Connell, t’i dridhen këmbët dhe të rrëzohet në ring. Ai e rrëzoi me Knock Out kundështarin e tij në kikboks për 25 sekonda. Gjyqtari Kevin MacDonald e ndaloi ndeshjen, por O’Connell e kundështoi dhe pas 30 sekondash pushim u rikthye në tapet për ta humbur më pas me pikë ndeshjen e zhvilluar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.






*     *     *

January 16, 2016

Zbulohen shkaqet e mosaktivizimit te FC Nantes: Cana refuzoi fushën sintetike


Lorik Cana duket se po e ruan veten për “Euro 2016”, por mosaktivizimi me FC Nantes nuk është një lajm i mirë për trajnerin De Biazi.

Italiani, në “timonin” e kuqezinjve, ka kërkuar nga të tijtë të luajnë sa më shumë me klubet respektive në këtë periudhë, sepse ky do të jetë faktori kryesor në përzgjedhjen e 23 emrave për fazën finale të këtij kompeticioni madhor, ku Shqipëria debuton.

I rekrutuar nga FC Nantes në afatin kalimtar të verës së kaluar, mbrojtësi shqiptar, Lorik Cana, nuk ka luajtur titullar në ndeshjet e fundit me “kanarinat”.

Si i përjetoni fillimin dhe mbarimin e kundërt tuajin te FC Nantes në vitin 2015?

Kam luajtur shumë në pjesën e parë të sezonit. Nga shtatori në dhjetor kam qenë rregullisht në fushë. Në tri ndeshjet e fundit kam vuajtur nga shpenzimi i shumë energjive, nga kufizimet fizike dhe të udhëtimit.

Pra, mungesa juaj e tanishme është logjike?

Unë bëj sërish në punën substanciale që po bëj, për të rindërtuar bazat e mia. Po përpiqem të rikthehem fizikisht aty ku duhet. Ndihen mirë që jam te FC Nantes dhe jam gati të jap kontributin tim kur ta kërkojë trajneri.

A është e vërtetë që ju keni kërkuar të mos luani ndaj Lorientit, në mes të dhjetorit, ngaqë ishte fushë me bar sintetik?

Po, fusha me bar sintetik më detyroi të vendos veton. Unë jam i frikësuar për të marrë lëndime në këtë moshë, në këto momente, të cilat janë mjaft të pranishme në kushte të tilla infrastrukturore. Vitin e kaluar, në Itali, kam përjetuar pasojat e të luajtur në fushë me bar sintetik. U lëndova dhe m’u desh një muaj për t’u kthyer. Iu nënshtrova një muaj problemevesh. Për fat të mirë, këtu kam një marrëdhënie të madhe me trajnerin, personelin mjekësor dhe të menaxhimit. Ata janë pajtuar me veton time në atë ndeshje.

Por mund të humbisni vendin e titullarit duke mos luajtur?

Ka më shumë se katër muaj, që jam këtu. Ndihem mirë te FC Nantes. Kam marrë kënaqësi duke luajtur, por edhe çdo ditë jam trajnuar rregullisht. Për mua është me rëndësi të jem fizikisht i përgatitur për të përballuar streset e ndeshjeve. E di mirë se do të kem mundësinë për të luajtur edhe shumë ndeshje deri në fund të sezonit. Kam folur me trajnerin. Ai nuk do që të tejkaloj mundësitë fizike dhe të luaj çdo lojë. Qëllimi im është që ta ndihmoj klubin çdo ditë, të përfundoj një sezon të mirë dhe të përgatis veten për “Euro 2016”.

A keni shkëmbime mendimesh me trajnerin e kombëtares shqiptare në lidhje me situatën tuaj?

Nisur nga përvoja ime, e di si duhet ta menaxhoj situatën. Edhe kur kam pasur periudha të tilla, duke mos luajtur, trajneri De Biazi më ka lejuar ta përgatis veten. Unë nuk mund të marr pjesë në të gjitha ndeshjet këtu, sikurse nuk mund të shkoj në Europian duke pasur dy ndeshje në këmbë. Te FC Nantes jam në vendin e përkryer për të gjetur dozën e duhur të përgatitjes.



*    *    *





January 14, 2016

Super Klopp


Ndeshja ndërmjet Liverpoolit dhe Arsenalit ishte më e mira e këtij edicioni në Premierligë, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 3:3. Por, pavarësisht kësaj, fytyra qendrore e këtij takimi ishte Jrgen Klopp, i cili mori vëmendjen e të gjithëve, me festimin e golave, sidomos atë të Joe Allenit në minutat e fundit të ndeshjes. Trajneri gjerman i tillë kishe qenë edhe në Dortmund dhe të njëjtën po e bën edhe në Liverpool dhe qysh tashmë ka fituar zemrat e tifozëve në Anfield.




*    *    *




January 3, 2016

Rrëfehet Gianni De Biazi: Ja lojtarët që do marr në Francë


Nga Olsi Tujani
Është për një vizitë në Shqipëri dhe, në momentin që lë një takim me të, kërkon me përpikëri zbatimin e orarit.
Gjatë bisedës është sa në humor, aq edhe i matur me frazat që përdorë ndaj të gjitha çështjeve delikate. Xhani De Biazi, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” zbardh ofertat e shumta që ka marrë në drejtim të tij për të lënë përgjysmë rrugëtimin e artë me kuqezinjtë.

Gjithashtu bën me dije kërkesat e tij në lidhje me vazhdimësinë e kontratës dhe planet pas Europianit. “Nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur, apo se unë dhe stafi im s’kishim se me çfarë të merreshim.

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një rëndësi maksimale. Sapo kam refuzuar pesë milionë euro për Shqipërinë”, bën me dije trajneri i kuqezinjve, i cili në fund flet edhe shqip kur uron shqiptarët për festat.

Çfarë note i vendosni këtij edicioni që përfundoi?

Mendoj se edicioni mund të konsiderohet shumë pozitiv dhe për këtë, si votë mund të them nëntë, pasi dhjetë është maksimumi. Nëntë, sepse skuadra ka pasur një rezultat që, sipas meje, ka qenë i rëndësishëm. E them këtë duke iu referuar arritjes së kualifikimit për në Europian. Pastaj edhe sepse ekipi ka pasur një rritje konstante dhe është relativisht i ri që mendoj se do të jetë një avantazh për të ardhmen.

Një notë për veten?

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një rëndësi maksimale.

Pas kaq shumë kohësh në Shqipëri, kush është shqiptari me të cilin jeni afeksionuar më tepër?

Le të themi që kam një raport të mirë me të gjithë. Normalisht me njerëzit që i takoj në rrugë kam krijuar një raport gjithmonë korrekt. Nuk bëj personazhin apo arrogantin. Përkundrazi, kur më kërkojnë një autograf apo një fotografi, kam qenë gjithmonë i gatshëm. Në vendin ku unë qëndroj, sa herë që vij në Shqipëri, kam një raport mjaft të mirë me pronarin, Adin.

Cili ka qenë momenti më i vështirë?

Pas humbjes në shtëpi kundër Serbisë. Ka qenë një plagosje e rëndë për ne. Kërkuam që të fitonim ndeshjen dhe t’i jepnim mundësinë vetes që të luanim për një barazim në Armeni. Për fat të keq, u mundëm në minutat e fundit, pasi mbizotëroi e paarsyeshmja mbi të arsyeshmen. Në fund u mundëm, edhe pse donim shumë që ta fitonim atë takim.

Jeni nominuar në shumë anketa të ndryshme. Çfarë domethënieje kanë për ju?

Jam i lumtur për këtë. Mendoj se ajo që kemi arritur me Shqipërinë ka qenë një rezultat për të cilin të gjitha mediat, jo vetëm ato italiane, por edhe europiane, kanë folur shumë. Kjo, sipas meje, është diçka e bukur, sepse është përralla e bërë realitet. Kjo është një mundësi edhe për të rinjtë që të mësojnë se sa herë kanë një ëndërr apo dëshirë, ekziston gjithmonë mundësia që ta arrijnë nëse bëjnë gjënë e duhur.

Është diskutuar shumë rreth të ardhmes suaj. Sa mundësi ka që të qëndroni edhe pas Europianit?

Unë kam kontratë edhe për dy vite të tjera, që përfshijnë edhe kualifikueset për në Botëror, pra deri në 2017-n. Federata, në mënyrë të veçantë zoti Duka, e di që kërkon të më kënaqë edhe më shumë. Unë nuk kam kërkuar asgjë. Gjithsesi, më vjen mirë për ato që do të më japë.

Çfarë do të kishit bërë më mirë gjatë kësaj kohe që keni qëndruar në Shqipëri?

Nuk kam ardhur me stafin tim në Shqipëri për t’u bërë të pasur apo se nuk kishim se me çfarë të merreshim. Kemi ardhur këtu për ta vënë në zbatim dhe për të realizuar një objektiv. Në gjithçka kemi bërë, kemi pasur vetëm pasionin për të përmirësuar futbollin në Shqipëri. Kemi punuar me bazën e Kombëtareve të moshave dhe kërkojmë që puna të bëhet më në thellësi për të kuruar taktikën e të gjithë këtyre ekipeve.

Shqiptarët ju konsiderojnë si babagjyshin që u dha kualifikimin. Ju vetë, çfarë kërkese do të kishit për të?

Babagjyshit do t’i kërkoja që të kem në dispozicion për Europianin të gjithë lojtarët që kanë kontribuuar për të shkuar në Francë. Të jenë të angazhuar gjatë kësaj kohe me ekipet e tyre dhe që në Europian të kenë ende energji për një kompeticion kaq të rëndësishëm sa ai në Francë.

Sa oferta keni pasur gjatë kësaj kohe nga ekipe apo Kombëtare?

Shumë! E fundit ka qenë rreth disa orë më parë (dje në mesditë). Megjithatë kam marrë një impenjim, të cilit dua që t’i shkoj deri në fund. Mbi të gjitha, të shkojmë në Francë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë. Pas saj është radha që të përqendrohemi te kualifikueset në Botëror dhe më pas të shohim. Megjithatë, bota e futbollit është magjepsëse.

Më lejoni të insistoj në lidhje me ofertën që përmendët?

Kam refuzuar një shumë të konsiderueshme parash. Ishte e jashtëzakonshme, nga një ekip kinez. Bëhej fjalë për një ofertë prej pesë milionë eurosh në dy vite. E refuzova menjëherë, edhe pse, në kushte të tjera, do ta kisha pranuar.

Çfarë rëndësie pati për ju që të merrnit titullin “Honoris Causa” në Shqipëri?

Jam krenar, siç e thashë edhe në fjalimin tim. E dëshiroja shumë, sepse, le të themi, që për faj të futbollit nuk kam studiuar aq shumë sa do të doja për t’u bërë avokat. Pastaj i kam ndërprerë. Jam shumë i kënaqur dhe e falënderoj universitetin që ma dha këtë mundësi edhe për motivin sepse ishte shumë i bukur. Arrita të bëja krenar edhe popullin shqiptar.

Çfarë raportesh keni me Kaçen?

Krejt normale si me të gjithë lojtarët e tjerë të Kombëtares. Nuk krijoj marrëdhënie të ndryshme me dikë që të mund ta privilegjoj ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, është mirë që kur dikush flet, të jetë përballë një që kupton menjëherë atë që po thua. Ai ka probleme me komunikimin, por ka cilësi shumë të mëdha dhe është një djalë i mirë.

Mendoni se është gati për Serinë A?

Shpresojmë që po! Uroj që të arrijë të transferohet në Serinë A. Kam parë në media të ndryshme që është përfolur emri i Lacios. S’e di nëse është e vërtetë apo thjesht një sajesë e mediave. Megjithatë, nëse do të bëhej pjesë e Serisë A, do të isha i lumtur. Së pari, sepse do ta kisha më shumë nën kontroll. Së dyti, edhe sepse Seria A mendoj se ka diçka më shumë sesa kampionati grek.

Jeni shprehur që Gashi po kalon një situatë të çmendur?

Gashi është duke kaluar një moment mjaft të trishtueshëm, duke qenë se është një futbollist i shpallur për dy sezone radhazi si golashënuesi i kampionatit zviceran dhe nuk po luan. Shpresoj që të sistemohet sa më shpejt. Më kanë pyetur edhe në Itali për të dhe shpresoj që të mund të bëjë edhe ai një kalim të tillë. Mos më pyesni për emra ekipesh, sepse nuk tregoj asnjë…

Ju tremb diçka përpara Europianit?

Ne jemi në një grup të vështirë. Kemi përballë një ekip si Franca që, mbi të gjitha, do të luajë në shtëpi. Luajmë me Zvicrën, e cila ka shumë lojtarë cilësorë. Gjithashtu Rumaninë, që ka bërë një ngjitje të konsiderueshme në renditjen e FIFA-s në vitet e fundit.

Ndaj them që janë të tria skuadra të rrezikshme. Por, nuk duhet të harrojmë që në Europian nisemi të gjithë nga e njëjta bazë. Gjithashtu që ne jemi ekip që vinim nga vazoja e katërt. Megjithatë, e kemi treguar shumë herë që përballë kundërshtarëve shumë të vështirë edhe ne bëhemi më të fortë.

Sa lojtarë të rinj mund të vijnë në Kombëtare për Europianin?

Shumë pak, për të mos thënë asnjë.

Asnjë?

Them që asnjë. OK, vetëm nëse do të kemi situata emergjente. Nuk mund të anashkaloj ata lojtarë që na kanë çuar deri në Francë. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se janë më të besueshëm dhe një grup unik, një skuadër. Mbi të gjitha, ata e dinë që ekipi është përpara të gjithave dhe mbi të gjithë.

As Manaj apo Rashica, si dhe Salihi që mungoi në grumbullimin e fundit?

Salihi ka bërë disa paraqitje me ne gjatë këtij edicioni. Të gjithë do të jenë nën vëzhgim deri në momentin që do të vendosim. Një muaj përpara se të nisemi atje, do të bëjmë llogaritë se kush do të vijë dhe do të shohim gjithashtu kush është në formën më të mirë, ka luajtur më shumë e kështu me radhë.

Arlind Ajeti është transferuar në Itali, por ende asnjë minutë për të…

Ishte e pritshme. Madje, unë e dija dhe ja kisha bërë me dije edhe trajnerit të tij që nuk është në gjendje për të luajtur menjëherë. Në momentin kur nuk stërvitesh, kur nuk aktivizohesh, s’mund të kesh një kondicion fizik të përsosur dhe që të të mundësojë të jesh në fushë. Ai tashmë po punon që të mund të rikuperojë edhe kondicionin fizik optimal që të mund të jetë një prej zgjedhjeve të trajnerit. Shpresoj që, pas pushimeve të vitit të ri, të mund të jetë pjesë aktive e skuadrës.

A keni një tjetër mesazh për Xhemailin, meqenëse ka qenë ndër të parët që ju ka uruar për kualifikimin?

Xhemaili ka qenë lojtari im te Torino, shumë i dashur për mua, por që për fat të keq do ta kemi kundërshtar në Europian. Uroj që të dy të mund të kalojmë fazën e grupeve. Është shumë i fortë dhe e di gjithashtu që bën tifo edhe për ne.

Duka ka shprehur dëshirën e tij që ju të qëndroni sa më gjatë me Kombëtaren, por ka shtuar se “nuk do të shesë shtëpinë për t’ju paguar juve”. Kaq shumë kërkon De Biazi?

Absolutisht jo! Mendoj se jam paguar për aq sa Federata Shqiptare e Futbollit mund të përballojë. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur dhe kjo është e sigurt. Mbase, jam pasuruar nga kënaqësia e madhe dhe nga mirënjohja pa kufi që më kanë dhënë njerëzit dhe kjo, për mua, është shumë e rëndësishme. Mendoj se i kam dhënë një kontribut të mirë federatës që të rrisë bilancet sepse tashmë i vijnë para edhe për faktin që do të jetë në Francë. Jam i bindur se të dy, si Duka edhe unë e kemi shijuar këtë eksperiencë.

Kush jua shkroi fjalimin shqip që mbajtët në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF-ja?

E kam shkruar vetë, por për ta përkthyer më ndihmoi një mik. Në fakt, ishte një e lexuar keq (qesh), por sigurisht që e kam shkruar vetë. Ishin mendimet e mia sepse unë gjithmonë jam i idesë që duhet të jemi të bashkuar. Nëse mendojmë se njëri është më i mirë se tjetri, atëherë jemi të marrë fund. Shembulli që ka bërë Skënderbeu me shkopinjtë është diçka që mbahet mend përjetësisht.

Cilat do të jenë miqësoret që do të zhvillojë Shqipëria përpara Europianit?

Nuk janë përcaktuar ende. Madje as vendi se ku do të qëndrojmë në Francë. Kemi parë shumë vende, por ende nuk kam caktuar se ku do të jemi. Kemi diskutuar me Turqinë dhe Poloninë, por akoma nuk është përcaktuar asgjë.

Çfarë i thatë Tramexanit në Armeni kur e përqafuat pasi mbaroi ndeshja?

(Qesh…) Sinqerisht që as që e kujtoj fjalë për fjalë se çfarë i kam thënë. Por ishte diçka në një moment entuziazmi. Ai ka qenë një njeri që më ka qëndruar shumë pranë gjatë gjithë kohës, më ka ndihmuar dhe mbështetur maksimalisht shumë. Kemi arritur së bashku që të zgjidhim edhe situata që të tjerë nuk i besonin. Kemi pasur gjatë gjithë kohës edhe diskutime për zgjedhje të caktuara, por që në fund unë vendosja gjithmonë (qesh…). OK, i kam dhënë të drejtë edhe atij ndonjëherë. Por, ai është më i ri dhe disi entuziast. Tamam si shqiptarët (qesh…) dhe më duhet gjithmonë që t’i them: Kujdes, ulu me këmbë në tokë se po fluturon!

Urimi për shqiptarët?

Të jetë një vit njësoj si 2015-ta, pasi në aspektin sportiv mendoj se ka qenë i shkëlqyer. Madje, edhe 2014-ta ka qenë mjaft i mirë duke kujtuar fitoren në Portugali. Shpresojmë që të jetë i mirë nga ana sportive. Nga ana tjetër, ju uroj (flet shqip: 
Gezuar Vitin e Ri per te gjith!”).



*     *     *




5 Pritjet më të Bukura të 2015



5 Pritjet më të Bukura të 2015
TOP 5 - Saves of the Year 2015
Watch the Video


*    *    *




December 27, 2015

5 shqiptarë që do të shpërthejnë në futboll në 2016-ën në Europë


Numri i futbollistëve shqiptarë në ligat europiane është duke u rritur nga viti në vit. Tashmë në të gjitha ligat e forta europiane ka futbollistë shqiptarë. Në pesë ligat më të forta të Europës aktualisht numri i shqiptarëve nuk është edhe shumë i madh, por lojtarët shqiptarë po bëhen të shumtë edhe në ligat e tjera të vendeve europiane. Në vjeshtë, në Europë, shumica e lojtarëve shqiptarë ishin të konfirmuar – me përvojë e me suksese edhe nga vitet e kaluara. Por, kishte edhe debutues dhe të tillë që kanë shpërthyer në pjesën e parë të kampionatit 2015\’16. Të dielën në disa vende janë luajtur ndeshjet e fundit për këtë vit.


Milot Rashica

Milot Rashica ka kohë që është emër i njohur në futbollin kosovar. Ai vlerësohet talent i madh, i cili vendos ndeshje të Superligës së Kosovës. 19-vjeçari është treguar i shkëlqyer edhe në një vend me futboll shumë të zhvilluar, në Holandë. Sulmuesi këmbëshpejtë deri në fund të edicionit të kaluar ka luajtur në Vushtrri, ndërsa këtë edicion po luan për Viteshen në kampionatin holandez. Të premten shënoi dy gola dhe asistoi një herë në fitoren 5-1 të Viteshes ndaj Twentes. Rashica – që aktualisht është pjesë e U-21 të Shqipërisë, por me gjasa që shumë shpejt të ftohet në kombëtaren A – pa asnjë telash ka ndërruar futbollin kosovar me atë holandez. Ai është paraqitur në të 17 ndeshjet e kampionatit. Ishte startues në 15 prej tyre, ndërsa vetëm në dy takime u aktivizua si rezervë. Ka realizuar gjashtë gola, ndërsa ka dhënë edhe tri asiste. Ndonëse në moshë të re dhe i ardhur nga një vend me futboll të izoluar, Rashica ishte ndër më të mirët te Viteshe që renditet e pesta në Eredivisie të Holandës. Ai tashmë është në radarin e skuadrave nga vende të tjera europiane dhe të skuadrave më të mëdha holandeze. Me Viteshen ka kontratë të vlefshme për tre vjet. “Me paraqitjet e deritanishme jam shumë i kënaqur. Po punoj shumë në stërvitje që të kem mundësinë të tregoj vlerat gjatë ndeshjeve. Jam në formën më të mirë të mundshme. Shpresoj që ky ritëm të më përcjellë edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Rashica për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”.


Vedat Muriqi

Më shumë se Rashica ka shënuar sulmuesi prizrenas, Vedat Muriqi. 21-vjeçari ka shënuar nëntë gola në 15 ndeshje për Giresunsporin në Kategorinë e Dytë turke. Po ashtu ka edhe disa asistime. Giresunspori aktualisht është në vendin e dytë, që i siguron kalimin direkt në Superligë në fund të edicionit. Shtatlarti Muriqi karrierën e nisi te Liria, për të kaluar më pas te Teuta e Durrësit. Në Shqipëri, ai luajti edhe për Besën e Kavajës, ndërsa vitin e kaluar u transferua në Turqi. Provoi tek Eskishehirpori, por Giresunspori ishte stacioni i tij final, deri më tani. Edicionin e kaluar shënoi katër gola në 24 ndeshje. Këtë edicion njohu shpërthimin e vërtetë. Për të po interesohen skuadra të shumta të Superligës turke, por ai ka plane të tjera. “Jam i kënaqur me formën personale, por edhe me sukseset e ekipit. Jemi në vendin e dytë në tabelë, që na dërgon direkt në Superligë. Synimi i parë është që të kalojmë me ekipin në Superligën turke dhe kjo është dëshira që dua ta realizoj. Sa u takon golave, synoj që të realizoj të paktën 15 këtë edicion”, ka thënë Muriqi. Ai pranon se klubi tashmë ka oferta konkrete për ta shitur. “Është e vërtetë që ka shumë interesim dhe tashmë në klub kanë ardhur ofertat e klubeve të tjera për mua. Mirëpo, nuk mendoj që të largohem. Synim e kam të kalojmë në Superligë së bashku me skuadrën aktuale”, ka shtuar Muriqi.


Shani Tarashaj

Zvicra është shndërruar në “fabrikë” të futbollistëve shqiptarë. Në Zvicër, çdo edicion dalin disa lojtarë të rinj shqiptarë. Në vjeshtë u dallua Shani Tarashaj, sulmuesi 20-vjeçar i Grasshopersit. Ai ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë një asistim në 18 ndeshje të kampionatit. Një kohë të gjatë ishte shënuesi më i mirë në Zvicër. Pesë golat e parë i realizoi në katër ndeshjet e para, por më pas ritmi i tij ra. Edicionin e kaluar luajti 19 takime për Grasshopersin dhe shënoi një gol. Në edicionin 2013\’14 kishte shënuar tetë gola në 17 ndeshje, por në Kategorinë e Tretë, për ekipin e dytë të Grasshopersit. Këtë edicion Tarashaj ka edhe një gol e një asistim në ndeshjet për Kupë të Zvicrës. Ai ka pesë gola në tetë ndeshje për U-21 të Zvicrës dhe vlerësohet shpresë e madhe e këtij vendi. Në skenë në Zvicër këtë edicion ka dalë edhe Florian Kamberi, që ka shënuar dy gola në 10 ndeshje për Grasshopersin, si dhe Albion Avdijaj, i cili shënoi tri herë për Vaduzin. Së fundmi, pati një polemikë të hapur me trajnerin De Biazi, pasi ky i fundit i mbylli dyert e Kombëtares me motivin se i kishte refuzuar njëherë kuqezinjtë. “Turp, De Biazi nuk është më shqiptar se sa unë. Nuk mund të ma mohojë ai ndjenjën e të qenit shqiptar”, pat deklaruar Tarashaj pak ditë më parë.


Eros Grezda

Në Kroaci, në javët e fundit, ka shpërthyer Eros Grezda, mesfushori ofensiv i Lokomotivës së Zagrebit. Në pesë ndeshjet e fundit, ai ka shënuar pesë gola. Të dielën pati një gol e një asistim në fitoren 3-0 të Lokomotivës në udhëtim ndaj Slavenit. 20-vjeçari që ka jetuar në Slloveni, këtë edicion është paraqitur në 15 ndeshje, kurse i ka edhe katër asistime. “Me formën jam i kënaqur, sidomos me atë të gjashtë ndeshjeve të fundit. Synimet janë që me skuadrën të përfundojmë në tri pozitat e para”, ka thënë Grezda të dielën për gazetën. Lokomotiva aktualisht është e pesta. Grezda edicionin e kaluar luajti 11 ndeshje në kampionatin e Sllovenisë. “Nuk i kam vendosur vetes qëllime apo synime. Thjesht çdo ndeshje për mua është si finale. Dua të fitoj dhe të shënoj në çdo përballje”, ka thënë Grezda.



Eroll Zejnullahu

Bundesliga 2 e Gjermanisë së fundmi ka nisur të shndërrohet në bazë të përfaqësueses së Kosovës. Shumë titullarë të Kosovës bëjnë karrierë në kategorinë e dytë gjermane. Njëri prej tyre është mesfushori Eroll Zejnullahu. 21-vjeçari ka një gol e dy asistime për Union Berlinin, në 16 ndeshje. Më e rëndësishme për të është stabilizimi në ekipin bazë, është i pazëvendësueshëm thuajse në të gjitha ndeshjet. Në Bundesligën 2 po luajnë me sukses edhe Leart Paqarada, Besar Halimi e Fanol Perdedaj./panorama-sport/


*    *    *


December 26, 2015

Elseid Hysaj në listën e 20 talenteve të Europës


Elseid Hysaj është vlerësuar nga Sky Sport për paraqitjet e treguar me Empolin dhe Napolin gjatë këtij viti. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është përfshirë në mesin e 20 lojtarëve të rinj që shpërthyen gjatë këtij viti.

“Djaloshi i datëlindjes ’94 e ka bërë të vetin krahun e djathtë të mbrojtjes dhe po e shfrytëzon në maksimum mundësinë e madhe me fanellën e Napolit, duke qenë i pazëvendësueshëm për Sarrin si te Empoli edhe te Napoli.”, ka shkruar Sky Sports

“Elseid Hysaj është pa dyshim një ndër talentet më mbresëlënës që ka nxjerrë futbolli italian gjatë vitit 2015-, dhe do ta shohim protagonist edhe në Evropian me Shqipërinë”, thuhet në komentin e “Sky Sport”-it për shkodranin.

Lista e 20 talenteve

Elseid Hysaj (1994, Napoli)

Federico Bernardeschi (1994, Fiorentina)

Marco Benassi (1994, Torino)

Hakan Calhanoglu (1994, Bayer Leverkusen)

Jason Denayer (1995, Galatasaray)

Eric Dier (1994, Tottenham)

Gianluigi Donnarumma (1999, Milan)

Breel-donald Embolo (1997, Basel)

Alen Halilovic (1996, Sporting Gijon)

Jordon Ibe (1995, Liverpool)

Anthony Martial (1995, Manchester United)

Santi Mina (1995, Valencia)

Leroy Sane (1996, Schalke 04)

Saul Niguez (1994, Atletico Madrid)

Bernardo Silva (1994, Monaco)

John Stones (1994, Everton)

Denis Suarez (1994, Villarreal)

Youri Tielemans (1997, Anderlecht)

James Ward-Prowse (1994, Southampton)

Inaki Williams (1994, Athletic Bilbao)


*    *   *