Top Story - Pjesa e Parë -
Nëse Saliu fitonte më 23 qershor,
me borxhet
që kishte do shkaktonte prap një 1997
imazhe shqip
Viti 2013 është viti që solli në krye të
vendit një qeveri të re, pas tetë vitesh qeverisje të së djathtës.
Kabineti Rama është mandatuar me një program
ambicioz dhe premtimin që do të transformojë jetën e shqiptarëve.
Qeveria e re mbushi 100 ditët e para të saj në
detyrë në 22 Dhjetor dhe për të bërë një bilanc të këtyre ditëve, të të gjithë
vitit, por edhe atë që na pret në të ardhmen e afërt, në serinë e fundit të
“Top-Story” për 2013-n mbërriti kryeministri i vendit, zoti Edi Rama.
Sokol Balla: Zoti Rama ju e keni quajtur
buxhetin 2014 buxhet që të ndalë rrënimin, megjithatë duket që, sic e the edhe
vetë, që fatura në fakt është shumë e lartë dhe kjo ju ka detyruar që jo vetëm
të thërrisni FMN, por të paktën thuhet që marrëveshja ka kushte të rënda dhe
kërkesa të forta që mund të shkojnë deri në rritjen e moshës së pensioni. Mund
të na thoni dicka më tepër rreth kësaj marrëveshje?
Edi Rama: Marrëveshja nuk ka kushte të rënda
për qytetarët. Marrëveshja ka kushte të rënda për qeverinë, në kuptimin që
përkundër një marrëveshje, që nuk është detyruese për ulje rrogash, ulje
pensionesh apo ndërprerje investimesh deri sa të balancohet borxhin i shtëpisë,
por është një marrëveshje që përkundër kërkesave tona që të lehtësojmë njerëzit
e zakonshëm, që jetojnë me punën e tyre të ndershme falë një rroge, të
lehtësojmë rrugën e njerëzve që duan punë dhe të hapim vende të reja pune që
duan investime, duhet të marrim përsipër një sërë reformash të rëndësishme
strukturore për t’i dhënë fund një historie humbjesh, sic janë humbjet që
shkaktohen cdo vit në sistemin elektroenergjitik. Ne s’mund të vazhdojmë më
kështu. Të gjithë duhet ta kuptojnë që ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke
vjedhur energjinë, duke mos paguar energjinë, duke filluar nga qeveria, nga
institucionet shtetërore, tek bizneset, tek familjet që janë në punë dhe deri
tek ata që janë në nevojë për të cilët do ta subvencionojmë ne 10 përqind të
faturës. Është shumë e rëndësishme po ashtu të kuptohet që nuk mund të
vazhdohet kështu me shpërdorimin e ujit. Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë
me burime ujore dhe jemi i vetmi vend për faqe të zezë që nuk arrijmë do të
japim ujë për të pirë gjithë fëmijëve, gjithë familjeve dhe nuk vadisim një
pjesë të konsiderueshme të tokave të bukës sepse i gjithë sistemi i ujit është
i amortizuar dhe në sistemin tonë të ujit vidhet. Pra kërkohen reforma që nuk
janë të dhimbshme për qytetarin e zakonshëm, por janë të dhimbshme për
koorporatat në kuptimin e kastave, klientelave, klaneve që janë krijuar që nga
niveli më i lartë politik tek niveli i fshatit i komunës për të përfituar duke
qenë anëtarë bordesh, anëtarë rrjetesh, duke hequr lekë këtej, hequr lekë andej
duke fshehur fatura e kështu me radhë. Kërkohet reformë e thellë në të
ardhurat. Duhet të garantojmë që informaliteti që është shumë i lartë, numri i
atyre që nuk paguajnë taksa, që u fshihen taksave është shumë i lartë, sic
është i lartë numri i atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë. Edhe këtu
kërkohet reformë. Duhet të bëjmë një reformë të thellë. Kërkohet edhe një
reformë e pensioneve sepse skema aktuale nuk e ka jetën e gjatë dhe do të vijë
dita që ky shtet, s’flitet as për 4-5 vite, por do të vijë dita që gjeneratat e
tjera e pensionistëve nuk do të marrin dot pensione. Këtu kjo do diskutim. Në
parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një
reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë
pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se cfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se
nuk kemi cfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të
prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar. Por…
Sokol Balla: E vetmja gjë është se duhet të
mendoni për pensionin e brezit tonë, ajo
që thoni ju…
Edi Rama: Jo, kur vjen fjala që të shoh ty
këtu përballë mendoj që ti e meriton të rrish në punë deri 80 vjeç. Problemi
është që të marrim masa që në afat 10-15 vjecar të ndryshojmë të gjithë skemën
në mënyrë që skema të funksionojë. Përndryshe, jeto sot, po punë e madhe se
ç’bëhet nesër, një gjeneratë e tërë do të ngelet pa pension. Kjo është situata.
Sokol Balla: E meriton vërtet, pavarësisht se
e mora si kompliment…
Edi Rama: Kompliment po të punosh që ç’ke me
të. Të të jap unë pension ty.
Sokol Balla: Gjithë problemi është që ata që kanë rroga të larta paguajnë tatime të
larta, por ama dihet që në fund të fundit ofrohet një nivel tavan pensioni,
pavarësisht kontributeve që t’i jep dhe kjo normalisht që duhet të ndryshojë.
Në rregull ne duhet të kontribuojmë edhe për atë pjesë të shoqërisë që nuk ka
mundësi…
imazhe shqip
Edi Rama: Kjo është pjesë e ndryshimit të
skemës që kushdo që dëshiron të kontribuojë për të patur një pension më të
lartë, mund ta bëjë këtë gjë. Por ne flasim se ne nuk jemi të shqetësuar se
cfarë pensioni do ketë Sokol Balla, për të qenë të sinqertë. Problemi është që
ne shqetësohemi për masën e madhe të pensionisteve që nuk mund të përfitojnë
nga skema e kontributeve alternative private dhe duhet të garantohen.
Përfytyroni që në raportin mes vendeve të zhvilluara dhe nesh, është një raport
i pamundur kontributesh dhe personave që përfitojnë nga kontributet. Në rast se
8 vetë kontribuojnë për 1 person, për 1 pension, një raport mesatar, një njeri
për një pension kjo nuk mban. Është e pamundur, duhet të ndryshojmë skemë.
Sokol Balla: Zoti Rama opozita ka paraqitur 30
amendamente mbi buxhetin, bazuar, sic thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale.
Një lëvizje, që padyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në
provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që
keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?
Edi Rama: Ne nuk marrim parasysh asnjë
amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku
që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan
opozitën e sotme nga qeveria dhe e cuan shqiptarët në pension gjyshin që
s’kishte më se cfarë t’u jepte shqiptarëve, përvec përrallave dhe s’kishte më
asgjë më të mirë përvec borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e
bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë,
por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në
shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë
jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë cdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen.
Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja
pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ca të pranojmë. Ne do
t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe të kërkosh një qeverie që në 100 ditë të
mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen cdo
100 ditë.
Sokol Balla: Meqë iu referuat ish-kryetarit të
familjes së PD-së…
Edi Rama: Ai nuk është ish-kryetari, ai është
kryetari i familjes dhe…
Sokol Balla: Ai është kryetari i familjes
sepse unë e shikoj për një person që nuk e di, si ai ushtari japonez në ishujt
në Luftën e Dytë Botërore, që nuk e di se zgjedhjet kanë mbaruar dhe është
ndërruar pushteti, kur shikon në parlament mendon që Sali Berisha është ende
Kryeministër i Shqipërisë. A mendoni që trajtimi i privilegjuar që ju po i bëni
ish-kryeministrit, ju dhe zoti Meta, është
deri diku i tepruar, i panevojshëm?
Edi Rama: Përfytyrojeni veten në kafen e
lagjes tuaj, janë të gjithë aty duke pirë kafe, vjen plaku në fjalë, fillon
bërtet, ulet, cohet, ulet, kap banakun. Juve edhe po të ishit nuk do thonit
nxirreni jashtë.
Sokol Balla: Po
as pronari i lokalit nuk duhej t’i jepte raki.
Edi Rama: Pronari i lokalit do merrte në
telefon ata të shtëpisë dhe do t’u thoshte mos e lini të dalë jashtë këtë se na
tërboi, na la pa punë. Kështu është pozita jonë me thënë të drejtën dhe i takon
vërtet PD që të sillet si familje e përgjegjshme, ta lënë në krye të vendit tek
SHQUP-i, t’i japin një batanije, lidhjen në internet ja garantojmë falas ne. Të
rrijë në Facebook, por mos dalë dhe të marrë për orë të tëra debatin e
parlamentit me broçkulla, dhe aq më tepër pastaj i kanë ikur të gjitha frenat e
gojës dhe çfarë nuk thotë.
Sokol Balla:
T’i kthehemi të tashmes, le ta lëmë të shkuarën…
Edi Rama: Është e tashmja kjo për fat të keq.
Është e tashmja e një partie që vazhdon jeton me të shkuarën. Por dakort jam që
ne t’i kthehemi të tashmes dhe ta lëmë të shkuarën, dakort jam.
Sokol Balla: Në dy foto, në njërën foto tuajën
elektorale, tjetra është fotoja juaj në 100 ditë Kryeministër. Sigurisht, ka
një spekulim, por në këtë kontrast të fotografive, t’i përgjigjeshit pyetjes, a
keni identifikuar ndonjë premtim të programit elektoral që nuk e mbani dot?
Edi Rama: Jo, nuk kam identifikuar asnjë
premtim që nuk e mbajmë dot.
Sokol Balla: A keni identifikuar ndonjë
premtim që nuk e mbani dot brenda një mandati?
Edi Rama: Jo.
Sokol Balla: Kur do të kenë shqiptarët
mundësinë të kurohen falas në spitale, sic keni premtuar?
Edi Rama: Është një proces që ka filluar për
të ngritur një sistem. Këtu bëhet fjalë për të ndryshuar një sistem me një
tjetër. Fatkeqësisht, 20 e kusur vjet, gati cerek shekulli ne nuk arritëm dot
të ndryshojmë një sistem shëndetësor të ndërtuar mbi parimet dhe normat e
komunizmit, me një sistem i cili të mund të funksionojë për të gjithë në mënyrë
normale, pa qenë një vend komunist. Nuk e bën do të këtë gjë. Ndërkohë që ne duam
që të ndërtojmë një sistem demokratik i cili të ngrihet mbi parimin që
pavarësisht ke apo s’ke lek, kur vjen puna për shërbimin shëndetësor, ti do ta
marrësh atë njësoj sic e merr tjetri, pavarësisht nëse ke apo s’ke lekë. Pra
një shërbim shëndetësor universal. Që vitin e ardhshëm dhe kjo falë atij 10
lekëshi të taksës së rritur të naftës, ne do mund të garantojmë vizita falas
për 800 mijë njerëz, nga 40 deri në 60 vjec dhe do të mund të garantojmë
ekzaminimet gjatë shtatzënisë dhe vizita për kancerin e gjirit për 30 mijë gra
dhe vajza, që janë një grup që deri më sot nuk kanë bërë dot asnjë ekzaminim
gjatë shtatzënisë sepse s’paguajnë dot. Pra të gjitha këto do të bëhen falas
dhe do të vazhdojmë me një reformë që ka disa hapa përpara se të arrijmë tek ofrimi
i kujdesit shëndetësor për të gjithë dhe pa futur duart në xhep duke dhënë lekë
mjekut.
Sokol Balla: Në fakt keni dhënë edhe premtimin
për legalizimet falas. I qëndroni apo jeni tërhequr?
Edi Rama: Këta na thonë pse nuk e mbajtët
premtimin për legalizimin falas, 100 ditë janë bërë të dielën që shkoi. Tani si
mundet këta? Me cfarë kurajoje, përvec kurajos që të jep fakti që ke rrjedhur,
asnjë mekanizëm logjik dhe asnjë arsye që funksionon nuk ta jep këtë kurajo,
dhe aq më tepër këta, që premtuan legalizime jo falas, por me para dhe që në 8
vjet kanë marrë 300 mijë vetëdeklarime nga qytetarët, kanë bërë matjet fizike
vetëm për 140 mijë deklarime, pra 160 mijë të tjera zëre se nuk ekzistojnë, dhe
nga 140 mijë u kanë marrë paratë 70 mijë familjeve dhe nga këto 70 mijë këta
kanë begenisur të përgjigjen vetëm për 22 mijë prej tyre. Me cfarë kurajoje
këta na kërkojnë llogari ne?
Sokol Balla: Zoti Rama, Ministri i Brendshëm,
Saimir Tahiri ishte i vetmi që deklaroi rritjen pagash për sektorin përgjegjës,
pra për policinë dhe është bërë shumë mirë, por përse vetëm për policinë?
Edi Rama: Rritja është më e larta në historinë
e policisë. Nuk është për një sektor. Rritja e pagave për policinë është investim
për të gjithë, për të gjithë vajzat dhe djemtë që shkojnë në shkollë, në
universitet, për të gjitha familjet që thonë aman, siguri dhe qetësi dhe pastaj
të tjerat, për bizneseve që janë nën trysninë e horrave dhe rrugacëve që ju
vënë gjoba, për investitorët duhet të ndjehen të qetë dhe të pakërcënuar. Është
një investim për sigurinë e përbashkët publike. Ndaj këtu ne bëmë një debat
shumë të fortë, të qartë dhe këmbëngulës me FMN dhe i thamë që jo vetëm nuk do
prekim asnjë rrogë dhe pension, por përkundrazi, pensionet do t’i rrisim gjatë
vitit të ardhshëm, por do të rrisim në mënyrë shumë drastike në 20-25 përqind.
Dhe praktikisht ne kishim marrë një zotim për policinë. Në fushatë kemi thënë
që brenda vitit të ardhshëm, rroga e inspektorit, e drejtorit, policit e të
tjerë do të bëhet kaq. Nuk kemi rritur vetëm pagat e drejtuesve të lartë, por
kemi rritur në mënyrë drastike pagat e policëve që janë në rrugë. Kemi policinë
me arsimin më të ulët në botë. 75 përqind nuk e kanë shkollën e lartë. Kjo
është një shifër që s’e ka asnjë vend i botës, Europa nuk diskutohet. Kemi
policinë me moshën më të lartë në Europë për shkak të pagave.
Sokol Balla: Në buxhetin dhe paketën fiskale
të qeverisë tuaj, në vitin 2014 njerëzit do të kenë më shumë apo më pak para?
Edi Rama: Nëse do të kishin më pak, për cfarë
na zgjodhën ne më 23 qershor. Sigurisht që do të kenë më shumë dhe do kenë më
shumë para reale, ato në xhep, jo si ato të Saliut që thoshte ju rrita rrogën.
Këtej rriste rrogën dhe këtej pesëfishonte cmimet. Kuptohet ajo që po bëjmë ne
është me hapa. Nuk pretendoj t’i them askujt që shiko se vitin tjetër do jeni
të gjithë të lumtur, por pretendoj që të siguroj të gjithë ata që sot jetojnë
me një rrogë dhe që kërkojnë një punë, që vitin tjetër do të fillojnë të marrin
frymë lirisht.
Sokol Balla: Si e gjykoni që vlerësimin e
njësisë inteligjente të “The Economist” në Londër bëri për Shqipërinë si një
vend ku potencialisht 2014 mund të ketë trazira sociale?
Edi Rama: Të dhënat, njësia në fjalë nuk është
profeti. Ka thënë shumë gjëra, disa kanë dalë, shumë nuk kanë dalë. Të dhënat
që lexohen sot janë përgatitur shumë kohë përpara dhe po ju them që nëse ky
popull më 23 qershor nuk do kishte dhënë 1 milion duar për të ndalur rrënimin,
sot shtëpia jonë do ishte në prag të flakëve, njësoj si në ’96 për shkak të një
piramide tjetër, piramida e Saliut, dora vetë. Si? Ashtu sic ju thashë, borxhe,
borxhe borxhe dhe një ditë të bukur shteti do të gjendej në pamundësi për të
larë këto borxhe dhe pamundësinë që dikusht të dilte të thoshte që ua marr unë
përsipër këto borxhe dhe pastaj do vinte FMN dhe në kushte krize të thellë dhe
do të detyrohej qeveria e radhës të ulte rrogat, pensionet dhe vendi të futej
në një qerthull shumë të rrëzikshëm. Kjo nuk ndodhi falë shqiptarëve dhe votës
më 23 qershor dhe pak merita jonë që kemi arritur të negociojmë dhe që morëm
FMN me një marrëveshje ku qeveria merr mbi supe reforma strukturore, që asnjë
qeveri nuk e ka bërë më parë.
Sokol Balla: Nuk na thatë konkretisht për
cfarë shume parash bëhet fjalë nga FMN?
Edi Rama: Bordi i FMN do të mblidhet. Unë nuk
dëshiroj të flas për shuma specifike, por kemi marrë edhe me fjalët e
Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një nga marrëveshjet më të mira që një
qeveri ka marrë nga FMN ndonjëherë edhe bazuar në natyrën e programeve dhe
marrëdhënieve që FMN ndërton me qeveritë e vendeve të ndryshme.
Sokol Balla: Në fund të pjesës ekonomike, që
është e rëndësishme për qytetarët…
Edi Rama: Sa për të dhënë një shembull, se nuk
dua të krijohet ideja sikur po fsheh ndonjë gjë, kur kemi nisur bisedimet jemi
nisur me një ide paraprake për të marrë 150-100 milion euro. Sot kemi mbi 300
mln euro nga FMN plus me një rishikim të programit të Bankës Botërore, presim
një shumë të konsiderueshme edhe nga kjo, dhe ajo që është më e rëndësishmja,
vitin e ardhshëm në disa forma, qoftë me investime direkte, qoftë të shlyerjes
së borxheve , qoftë në formën e disa investimeve të tjera nëpërmjet Fondit të
Zhvillimit Rajonal, ne do të injektojmë në ekonomi, 1.1 miliard dollarë.
Sokol Balla: Kur diskutuat me grupin
parlamentar për buxhetin, deklaruat se e keqja më e madhe kaloi dhe buxheti
është kthesa, por ama që një kthesë e tillë të ndodhë në pak muaj, në kohë kur
ne ekonominë e kemi të rrënuar, duke ditur që ekonomi shumë më të zhvilluara si
e jona duan vite, psh në SHBA, ndoshta këtë vit ka një rritje solide ekonomia
dhe punësimi… c’ka ndodhur në këto 100 ditë? Ose ju keni qenë një qeveri
supermenësh, ose në fakt ekonomia nuk ka qenë kaq e rrënuar?
Edi Rama: Mos krahasoni ekonominë tonë me
Shtetet e Bashkuara. Ajo që quhet krizë në SHBA këtu tek ne është grip, dhe ajo
që quhet krizë këtu tek ne, në SHBA është kancer. Në rast se për një grip SHBA
u duhet kohë sepse ndikon në shumë aspekte të ekonomisë, për një kancer
mjaftojnë politikat e duhura dhe mjafton vendosmëria dhe Shqipëria rikuperon në
pak kohë. Por këtu nuk bëhet fjalë për një lumturi ekonomike vitin e ardhshëm,
por fillimin e një rimëkëmbje ekonomike. Kush deri dje ka patur arsye për të
qenë pesimist, sot duhet të jetë optimist sepse më e keqja ka kaluar dhe cdo
ditë ekonomia do të nisë të marrë frymë dhe do ta ndjejnë vetë njerëzit, kur të
marrin rrogën, kur të mbyllin bilancet e dyqanit, do ta ndjejnë edhe
sipërmarrësit që do paguajnë më shumë për shtetin, por jo dyfish për pushtetin.
Të gjitha këto do të ndryshojnë, do ta ndjejnë investitorët, patjetër, sepse do
kuptojnë që këtu ka ndryshuar dicka shumë e rëndësishme. Ka një ndryshim shumë
të madh, deri dje kishim një qeveri që merrte borxhe në emër të njerëzve dhe qeveriste
vetëm për vete, sot kemi një qeveri që qeveris për njerëzit dhe që shlyen
borxhet që kanë marrë të tjerë para nesh.
imazhe shqip
* * *