“Zotnia horr
e horri zotni
duhet me kalue
shtatë brezni”.
E po të bësh një llogari për S. Berishën duhen 240 vjet që të realizohet “Zotni”.
Harakiri (vetëvrasja) dhe
psiko-autopsia e Sali Berishës
Nga Minella Aleksi
Ditën e zgjedhjeve Edi Rama u dha një intervistë dy gazetarëve francezë. Befasia e kësaj interviste ishte thënia e Ramës se, kam një problem me vdekjen dhe historinë, dua të lë një shenjë, të bëj gjëra që do të shënohen në histori e që do të jetojnë edhe mbas vdekjes sime. Dy gazetarë, M.Nano e S Minxhozi reaguan shpejt mbas kësaj deklarate. Meraku i tyre-frika se mos nën peshën e këtij pikësynimi do të kemi te Rama rishfaqjen e atyre sjelljeve autokratike për të cilat u ndëshkua Sali Berisha me votë nga populli? Shqetësimi i tyre më duket i drejtë, aq më tepër kur je djegur, je përvëluar dy herë nga qulli.
Shtroj atë pyetje të cilën nguruan që ta shprehnin gazetarët e përmendur më sipër: sa është e mundshme, sa mbartet te Edi Rama e keqja predispozuese, që Kryeministri i ardhshëm të rrëshqasë në teren autokrati, t’i rrëshqasë vendosjes së drejtësisë, të kthehet në një mbështetës të korrupsionit, të harrojë që i kërkohet me insistim nga populli dhe Perëndimi ndërtimi i një shteti ligjor ku njerëzit e pafajshëm të mos vriten nëpër rrugë e sheshe sepse demonstrojnë kundër arrogancës së Qeverisë.
Nuk kisha ndërmend që të merresha me një ide të tillë, por për dreq ma shtiu në mëndje vet S. Berisha me atë që tha në një emision televiziv.
Kur disa ditë përpara zgjedhjeve Sali Berisha, Kryeministër e mjek i pranishëm në emisionin televiziv Zonë e Lirë, pohoi me zë të lartë se universiteti i parë i njeriut është periudha nga lindja deri në moshën tre vjeç, as drejtuesi Çani dhe asnjë tjetër nuk i bëri atij pyetjen- kjo gjë që qenka kaq deçizive për formimin e njeriu aq sa e quajnë universitetin e parë të jetës, si ka qenë ky universitet për ju si individ, si të ka formuar, çfarë roli me vlerë apo antivlerë ka luajtur më pas në moshë madhore?
Më befasoi ky pohim i Berishës. Në ka politikan i cili nuk duhet që ta thotë një gjë të tillë, dhe që me mendjelehtësi, për fatin e tij të keq, nuk e analizon për vete por përpiqet që tua japë si mësim të tjerëve ky është Sali Berisha.
Përgjatë shkrimit do përpiqem që të bëj një “gjenealogji të njerëzores” për subjektin Edi Rama si kryeministër i ardhshëm dhe për të qenë më i kuptueshëm do përdor metodën krahasuese duke e vendosur përballë subjektit Sali Berisha kryeministër.
Pak fjalë mbi nocionet temperament, karakter, personalitet.
Që nga lindja çdo njeri ka një fondament biologjik të përbërë nga konstitucioni organik i trashëguar (konstitucioni hereditar) prej të cilit rrjedh forma dhe proporcionet e trupit (konstitucioni morfologjik) dhe modaliteti i funksioneve vitale si ai qarkullues, respirator, endokrin etj, (konstitucioni fiziologjik).
Konstitucioni hereditar plues karakteri e personaliteti përbëjnë “gjenealogjine e njerëzores”.
Kur një individ i vetëdijshëm arrin të kryej sjellje që bien ndesh me etikën dhe normat njerëzore, në këtë rast urtësia popullore thotë “vajti në fis”, “e ka në gjak”, ose “dardha bie mbi dardhë” duke iu referuar fondamentit biologjik, konstitucionit hereditar të tij, trashëgimisë. Ky kompleks i këtyre elementeve përcakton një strukturë psikike dhe temperament të fillimit. Përse themi të fillimit? Themi të fillimit sepse faktorëve shumë kushtëzues trashëgimor u duhen shtuar kushtëzimet e tjera që u detyrohen faktorëve ambientalë shoqëror, të cilat influencojnë deri diku jetën e njeriut.
Por ç’është temperamenti, karakteri dhe personaliteti?.
Temperamenti shpreh impulse, tendenca instiktive, dispozicione, nevoja, gjendje afeksionale… Me temperament jemi mësuar të kuptojmë stilin e sjelljes së një individi.
Ky stil shfaqet herët në moshën e një individi, ka një bazë biologjike dhe është shumë stabël në kohë e nëpër situata të ndryshme.
Karakteri është elementi psikologjik që jepet ose fitohet gjatë jetës dhe kalimi nga një shkallë te tjetra në rrugën evolutive provokon ndryshime të karakterit me pasoja edhe të tipit social-kulturor.
Te fëmija karakteri nuk dallohet akoma nga temperamenti, vendimi nuk dallohet akoma nga impulsi, proceset frenuese janë pak të zhvilluara, skemat mendore gjithashtu pak të zhvilluara etj.
Ndërsa personaliteti jo vetëm unifikon aspektet biologjike të temperamentit dhe ato psikike të karakterit të influencuara nga ambienti, por krijon edhe vlera, modele të reja të sjelljes.
Klasifikimi i personalitetit është bërë sipas disa tipeve e sipas disa modeleve. Çdonjëra prej tyre mund të krahasohet me një hartë e cila ka si qëllim që të thjeshtojë vizualizimin e mbretërisë së shpirtit njerëzor. Njëlloj si ekzistojnë harta gjeologjike, politike, rrugore etj, ashtu edhe hartat e tipologjisë së personalitetit ndjek një interes specifik. Asnjëra prej tyre nuk është gjithëpërfshirëse, asnjëra nuk është gjithçka në vetvete. Studimi i një harte nuk mund të zëvendësojë asnjëherë eksperiencën e vet territorit të shkelur nga njeriu..
Sot psikanalistët preferojnë që të flasin për personalitet/karakter si një modalitet të strukturuar të të menduarit, të dëgjuari dhe të sjelluri që rezulton nga ndërveprimi i ambientit në dispozitivin gjenetik e kulturor të individit dhe që është i modifikueshëm.
Pas këtyre shtroj pyetjen- përse dështoi S. Berisha në raport me kohën? Përse njëlloj si Ramiz Alia që mbas marrjes së pushtetit kishte momentin historik për të bërë punë historike, nuk arriti dot të ngrihet në nivelin e ideve që i kërkonte koha? Përse nga një njeri që e njihte sistemin administrative të centralizuar, mbeti rob i metodave të dosjeve e shantazheve të zyrave diktatoriale, nuk u shkëput dot nga mendësia e punës sipas stilit të centralizuar diktatorial?
Le të kthehemi te universiteti i parë i moshës deri tre vjeç.
Nga lindja deri në moshën tre vjeç, fëmija është totalisht nën masat ushqyese dhe vëzhgimin e pandërprerë të nënës. Gjatë kësaj faze fëmija fillon të flasë për vete (unë, e imja) duke marrë formë koshienca e vetes. Dy vjeç fëmija fillon të zbatojë rregullat, me refuzime të thjeshta hera herës si pjesë të një proçesi dinamik të kundërshtisë ndaj prindërve. Proçesi i mësimit të gjuhës së nënës zhvillohet me hapa të shpejtë si një element shumë i rëndësishëm i koshiencës në evoluim. Me nivelin e gjuhës që zotëron si tre vjeçar fëmija mëson emrin e disa emocioneve dhe arrin që të bëj lidhjen e këtyre emocioneve me situata të caktuara. Te fëmija 3-4 vjeç vizionet negative me skena e episode të përsëritura veçanërisht për vetveten mund të zhvillojnë një gjëndje me humor të turbulluar, me humbje të interesit dhe të kënaqsisë në aktivitete normalisht të kënaqshme, thjeshtë depresion fillestar të mos
hës 4-5 vjeçare.
Mbas moshës tre vjeç fillon faza e shkëputjes graduale nga ky kujdes deri në zhvillimin e një pavarësie (4-5 vjeç) ku në qendër te reflektimeve të tij janë konceptet “e mira/ e keqja” që i referohet konceptit biologjik të “afrimit/largimit” nga një rrezik. Mbi këto koncepte fillon të zhvillohet autovlerësimi.
Kanë shumë rëndësi këto emocione (frika, dashuri, inat) si gjendje mendore dhe fiziologjike të fëmijës që përcaktojnë modifikime të sjelljes së tij, kushtëzuar nga stimuj të jashtëm apo të brendshëm, të lindur ose të fituar përgjatë këtyre viteve. Frika, dashuria dhe inati pasohen në moshën 5 vjeç nga të tjera emocione bazë, si turpi, ankthi, xhelozia dhe zilia. Ka filluar tashmë parapërgatitja për një sjellje morale që nuk ka më nevojë për vëzhgim prej më të mëdhenjve. Gjatë kësaj periudhe përfundimisht janë hedhur themelet mbi të cilat ndërtohen variacionet e arkitekturës së sjelljes në vitet e ardhshme të jetës së fëmijës.
Evoluimi i emocioneve (ndjenja e fajit, falja, trishtimi, zemërimi, shpresa, brerja shpirtërore, sharjet e herë pas hershme, nofkat ofenduese, zhgënjimi etj.) e ndihmojnë fëmijën që të kuptoj ndryshimin midis botës së brendshme dhe asaj të jashtme, krahas njohjes më mirë të vetes. Pesë vjeç fëmija është qartësisht egoist. Pason faza e përgjigjes “jo” gjatë së cilës fëmija provon kënaqësinë e kundërvënies ndaj prindit. Sidomos shoqërohet me konflikt prindëror të të njëjtit seks.
Ndërsa 6-7 vjeç fillon të zhvillojë një sens moral me kahje në një drejtim dhe të ngurtë si, p.sh bazohet në mendimin që të gjithë i duken njësoj. Në moshën 9 vjeç paraqet një ëndërrim më pak të ngurtë, më të balancuar. Në fillimet e shekullit të kaluar kjo periudhë e fëmijërisë konceptohej si fazë kur kërkohej që fëmija të bëhej i rritur sa më shpejt të ishte e mundur, pa u kuptuar dhe vlerësuar kjo periudhë e jetës. Në varësi nga shtresa shoqërore së cilës i përkiste vizionet ishin të ndryshme. Në shtresën shoqërore më të zhvilluar ekonomikisht fëmija ishte i rrethuar nga prindër të cilët luanin një rol shumë përcaktues në jetën e tij, ndërsa në shtresën e fshatarëve dhe të proletarve, përveç një mortaliteti të lartë infantil, në pjesën më të madhe të rasteve dominonte vënia në punë e fëmijëve që në moshë fare të vogël. Deri në kohën e Rusoit fëmijëria trajtohej në libra si një moment inoçence. Ishte Frojdi që iu kundërvu këtij qëndrimi dhe që me shumë argumente shkencorë tregoi se në vitet e para të fëmijërisë mbijnë farat e të gjitha perversiteteve të jetës së tij adulte. Fazat e zhvillimit të njeriut janë si fazat e një mikrokozmosi. Të gjitha këto sa më sipër të shtyjnë të bësh pyetjen- këto vlera që fitohen gjatë kësaj moshe çfarë mendimesh, vesesh, pasionesh, instinktesh, etj, ndezin te njeriu në vitet që vijnë më vonë?
Tani le të ndalemi te problemi konkret.
Përballja studimore krahasuese e Edi Ramës me Sali Berishën për këtë periudhë fëmijërie që po flasim tregon qartë prezencën e dy ambienteve familjarë krejt të ndryshëm. Edi Rama i rrethuar nga kujdesi i dy prindërve të përkushtuar sepse edhe mundësitë i kishin të plota, dëgjonte këshilla edukuese të të dy intelektualëve, shikonte e latohej në rritje e sipër i rrethuar nga objekte arti e libra të shumtë në gjuhë të huaja, dëgjonte biseda për piktorin Zef Kolombi, shikonte piktura të tij si i afërm i familjes, për fisnikët e kohës së mbretërisë, bënte shfaqje teatrore për fëmijë, zbavitej në plazh, shikonte albume ku nuk mungonte erotikja, etj, etj.
Shtresë tjetër ishte familja e fëmijës Sali Berisha, e cila me gjithë mangësitë ekonomike natyrisht që dëshironte më shumë për fëmijën e vet, por vobektësia, ambienti gjeografik i ashpër e i izoluar dhe niveli kulturor i ulët mundësonin zhvillim të limituar. Kemi dy nëna, njëra Sheqerja (Berisha) që e fillon ditën në mëngjes herët duke u kujdesur për bagëtinë, ndërsa tjera Aneta (Rama) që ka bërë studimet në Varshavë, e që në kuadrin e detyrimeve të zakonshme familjare shikon të përparojë në profesionin e saj. ( Dua të qartësoj plotësisht se kam respekt të veçantë për punën e çfarëdo lloji, jashtë paragjykimeve përçmuese. Punës i falem).
Natyrisht natyra malore e ashpër luan rol të madh dhe të jetuarit shumë larg nga familjet e tjera nuk i ka mundësuar fëmijës S. Berisha lodrat në grup të cilat janë me shumë rëndësi për zhvillimin psiko-social të mëtejshëm. Zona e Tropojës me një nivel shumë të ulët zhvillimi kishte raste të shumta të sëmundjes së sifilizit. E transmetueshme në breza sëmundja e sifilizit prej dekadash godiste me pasoja të rënda banorët e zonës. Veçanërisht komplikacionet neuropsiqike që njihen me emrin “neurosifiliz”, fazë e rëndë e sëmundjes e cila për këtë është simbolizuar me një bust në Musee de l’Homme në Paris.
Pra fëmija S.Berisha duke u rritur zhvillohet brenda një ambienti familjar e shoqëror me kondita e rrethana jo aq të ngrohta e të shëndetshme në detajet e tyre, takime shumë të rralla me të rritur që vijnë në shtëpi nga qyteti e që me tregimet e tyre ia nxisin fantazinë këtij fëmije, gjë që gradualisht e bëjnë që të shtroj pyetjen-çfarë do bëhet me mua?
Faza e shoqërizimit fillon të marrë formë në sajë të procesit të hyrjes në shkollë.
Në këtë fazë të jetës dy personazhet tanë kanë përsëri ambiente jetese shumë të ndryshëm. I riu Sali Berisha me inteligjencë natyrore të spikatur fillon shkollën e mesme shumë larg fshatit të tij, brenda jetës sa shoqërizuese aq edhe të ashpër. Jetë konvikti me shumë mangësi financiare, veshje krejt modeste, pamundësi për të shkuar shpesh pranë vatrës familjare, psikologjikisht i motivuar për të fituar simpatinë e drejtuesit të shkollës e të konviktit, mëson se ekziston mundësia e të qënurit komunist, kupton se duhet mësuar gjuhë e huaj me çdo kusht, e tmerron mendimi i natës se mund të kthehet një ditë në fshatin e ashpër të lindjes prandaj rruga e karrierës i del si shpëtim nga ky rikthim, etj, e të gjitha këto e ndikojnë drejt sjelljes ambicioze vetmitare, zemërues me shumë aspekte të jetës së përditshme.
Ndryshe është puna me të riun Edi Rama. Shoqërizimin, veshjen, sportin, flirtet, gjuhët e huaja, librat dhe formimin nëpërmjet diskutimeve, i ka me tepri. Ndihet shumë i plotësuar dhe sistemin komunist fillon ta shikojë e mendojë si një koracë që e kufizon në plotësimet e mëtejshme. Ky teren elitar familjar dhe shoqëror e shtyn gradualisht drejt koncepteve të jetës, rolit të njeriut në shoqëri, vlerat që duhet të krijojë, pengesat që i ngrihen njeriut nga shkurtësia e jetës, po vdekja – kjo kosë që një ditë do na presë vrullin e idealeve etj, etj.
Mbi tunelin e komplekseve të adoleshencës ekzistojnë biblioteka të tëra me libra. Ashtu si fëmijëria, edhe adoleshenca është një periudhë transformimesh të shpejta biologjike të kombinuara me kërkesa të reja dhe pritshmëri ambientale. Në këtë fazë të jetës lulëzon te këta individë një sentiment tërësisht human, ekstremisht torturues, brengosës e rraskapitës në vazhdimësinë e tij, shtypës dhe shpesh i pasuportueshëm, mjaft i vështirë për tu administruar, sidomos kur vazhdon të rritet në drejtim patologjik, ndjenja e zilisë.
Në këtë kontekst psikologjia sjell gjithmonë shembullin e përrallës së Hirushes, shërbëtores së përçmuar dhe injoruar nga njerka dhe vajzat e saj. E përse? Thjeshtë sepse, bukuria e saj fizike dhe shpirtërore vazhdonte të lulëzonte akoma më hijshëm me gjithë të këqijat që pësonte dhe djallëzitë e kurdisura nga ato që e rrethonin. Përrallë është Hirushja, por nga xhelozia e zilia kanë nisur luftëra.
Zilia, ky sentiment urrejtjeje përzier me hidhërim lind nga ndërveprimi i dy aspekteve themelorë: 1-Tjetri posedon ato që ti i kërkon por nuk i arrin dot, dhe 2- vetëdijshëm apo pavetëdijshëm fantazia përpunon ide në drejtim të shkatërrimit të asaj që tjetri posedon.
Provon një ndjenjë shumë të fortë torturuese kur krahason situatën e vet me atë të dikujt që e konsideron me më shumë fat. Këtu ka një detaj shumë paradoksal. Arrihet deri aty saqë të shtohet dominueshëm zilia kundrejt personit që megjithëse ka pësuar një dështim fatkeq shoqëror prapë se prapë vazhdon të ruajë qetësinë, t’i kundërvihet mëshirës me logjikë të shëndoshë dhe të ruaj një gjendje humori të mirë. Një ndjenjë e tillë armiqësore jo gjithmonë varet nga çështje ngushtësisht materiale, ose që nuk mund të arrihen as me para e as me pushtet, si p.sh. qartësia shpirtërore, buzëqeshja e brendshme, energjia pozitiviste që reflekton, ndjenja e një komforti lumturor, thjeshtësia e pa shtirur. Forma dhe shkalla e fenomenit varet dhe ka edhe bazën e vet shkakësore: 1-mungesa e afeksionit gjatë fëmijërisë e adoleshencës, 2-vetmia torturuese që përshkruhet si “monstra asocial, joshoqërore”, 3- frustrimi, 4- dëshira të parealizuara.
Konviktori njëzetvjeçar Sali Berisha (klasat e shtatëvjeçares ik e hajde kilometra të tëra në ditë, shkolla e mesme në konvikt, universiteti në konvikt, fjetja në konvikt si mjek i ri, periudha në konvikt deri sa mori shtëpinë e re pas martese) ka shumë arsye që të ndiejë thellë brenda vetes nevojën e të qënurit i barabartë, në mos mundësisht përmbi bashkëmoshatarët kryeqytetas. Nga ana tjetër kemi të riun “modern” tiranas Edi Rama, i cili fillon të dallohet për opinione ndryshe, për humor të hollë zbavitës, hokatar i ngeshëm dhe që pasi është endur sa në plazh e nëpër bulevard të kryeqytetit kthehet krejt i relaksuar në mbrëmje në shtëpi.
Nëpër trurin e të dyve gëlojnë interesa dhe qëndrime tërësisht të ndryshme në shumë drejtime.
Me diferencë moshe, të dy jetojnë brenda të njëjtit sistem komunist si tipa, përcaktimin e të cilëve na e bën shumë saktë antropologjia filozofike e Gehlen dhe Plessner. Njëri, Sali Berisha ekziston si njeri i “institucionalizuar”, “aparatçik” sipas E. Hoxhës, Komandantit të S. Berishës, si burokrati kufomë n/punës i protokolleve të mbledhjes së organizatës, i planeve të punës, që për të mbijetuar e ngjitur shkallët i duhet të qëndrojë ngushtësisht brenda kornizave të institucioneve zyrtare partiake e shtetërore. Shkolla, universiteti, memoria e fortë, inteligjenca e spikatur e kanë ndihmuar për të krijuar një paraqitje bindëse, entuziazmi personal, admiruese. Janë raste të veçanta nervozizmi dhe paniku ato që bëjnë që të dali atavizmi trashëgimor i S. Berishës, bëhet brutal, arrogant, fizikisht kërcënues, dhe edhe mund të vrasi. Shpërthime të tilla atavike e kanë bërë që të humbasë shumë në sytë e shqiptarëve. Rastet e shpërthimeve atavike në Parlament kur me një minimum ngacmimi e humbi kontrollin e kanë nxjerrë ashtu si është në origjinë dhe me siguri që kur i ka parë pas dy ditësh në TV me siguri që i ka ardhur turp, së paku shpresoj. Kështu edhe kur ka parë demonstruesit nga dritarja e zyrës, i është ndezur fantazia atavike, instinktet e fjetura që i mbart në gen, sepse ka menduar që po i marrin zyrën, kundërshtarët po i sulmojnë kullën, dhe me brutalitet instiktiv ka urdhëruar vrasjen e demonstruesve. Lexuam para pak ditësh se një stërgjysh i S. Berishës ka vrarë priftin e fshatit ndërsa shikojmë sot stërnipin e tij që vret qytetarët e vet të pa armatosur. Jas i përsëritet gjaku. Urtësia popullore thotë: “Zotnia horr e horri zotni duhet me kalue shtatë brezni”. E po të bësh një llogari për S. Berishën duhen 240 vjet që të realizohet “Zotni”. Në kohën e stërgjyshit të S. Berishës që vriste priftin e fshatit,
stërgjyshi i E.Ramës i dërgonte fëmijët për t’u arsimuar në Itali e Austri.
Instinkti atavik, tërbimi psikologjik e dominon në situata si tani kur ka pësuar humbjen e rëndë të zgjedhjeve. Nuk pajtohet dot me kete situatë dhe para dy ditësh deklaroi se nuk do e njohë rezultatin e zgjedhjeve.
Sjellja, veprimet flasin me zë shumë më të lartë sesa fjalët.
Krahasoj sjelljen atavike të S. Berishës me atë të E. Ramës dhe si mjek më bën shumë përshtypje se edhe kur S. Berisha e ka prekur E. Ramën në gjërat më të thella të moralit familjar e njerëzor, E. Rama i ka amortizuar sharjet dhe ofendimet me një buzëqeshje, me një reagim qytetar impresionues. Shihet qartë diferenca.
Tjetri, Edi Rama ekziston natyrshëm i “pa institucionalizuar”, tipikisht indiferent ndaj presionit institucionalizues, i konsideruar si shprehje e njeriut të civilizuar. Shfaq sjellje solidariteti mbrojtës shoqëror kur në aksionet e rinisë me shkollën, nuk qëndron pasiv por kacafytet e rrihet me grushta kur ndonjë nga djemtë e fshatit ngacmon shoqet e klasës.
Antropologjia filozofike na thotë se tipi i “institucionalizuar” karakterizohet nga ndryshime, kthesa të shpejta befasuese, kap momentin kur shikon që ato i sigurojnë karrierë dhe pushtet. Këto kthesa karakterizohen nga ai që quhet “honi i mohimit, i harresës” mbasi tentojnë dhe fshijnë nga biografitë e tyre detaje të shumta që lidhen me njerëz apo ngjarje të cilat nuk pranojnë që t’i kujtojnë dhe as durojnë dot që të aludohet për ato. Sali Berisha nuk duhet të ndihet i turpëruar e të vuaj sepse ka lindur në Viçidol të Tropojës. Në diktaturën komuniste familja e lindëte fëmijën atje ku jetonte. Turpërimi duhet të vijë kur në moshë madhore kryen veprime antinjerëzore.
Në formimin e tij Berisha ishte intelektuali që lëvizte vetëm brenda hapësirës së kulturës profesionale të universitetit, shkollë e cila zhvillohej strikt brenda shinave institucionale të dogmës komuniste. S. Berisha është tipi i personalitetit njerëzor “ të institucionalizuar” produkt i të gjitha diaboliciteteve që prodhonte sistemi i mbyllur administrativ parti-shtet.
Analogjia flet vet. Shfaqja e papritur, befasuese e komunistit të institucionalizuar Sali Berisha te porta e PD-s së ardhshme i gjeti krejtësisht të papërgatitur shumë njerëz të sferës së kulturës shqiptare.
Po në rastin Edi Rama si njeri i civilizuar, i pa institucionalizuar? Pedagogu Edi Rama kishte nisur refleksionet si imperativ i thirrjes së brendshme të personalitetit të idealistit, pa urdhër nga Partia, thjeshtë si akt intelektual në dobi të mendimit shoqëror shqiptar. Për atë se çfarë duhej të shprehte PD-ja në shoqërinë shqiptare, shfaqja e Edi Ramës te porta e PD-s ishte një sjellje krejtësisht e pritshme, e natyrshme, e pa menduar dy herë, aty e kishte vendin si një kundërshtues shumëvjeçar i koracës komuniste. Të institucionalizuarit e PD-s nuk e pranuan, nuk e thërritën, ishte jashtë konceptit të tyre institucional social-filozofik.
Një parantezë- nuk besoj se ftesa për Edi Ramën ministër kulture ka ardhur thjeshtë nga mëndja e Fatos Nanos i cili për mendimin tim nuk mbart seriozitet të perspektivës institucionale të asaj shkalle, prandaj shtyhem nga opinioni se dikush tjetër ia ka futur Edi Ramën në mëndje F. Nanos dhe si rrufjan ekstravagant herë origjinal e herë i shtirur, e shfrytëzoi përfshirjen e Edi Ramës në projektin e PS-s si kapital të krediteve të veta.
Krejt organikisht, jo me kthesë habitore erdhi Edi Rama te PS-ja mbas shumë vitesh pune të suksesshme në Bashki, si një qytetar në shërbim të njerëzve, kaq graduale erdhi zgjedhja në krye të PS-s sa kur ajo u bë fakt, askush nuk shtroi pyetje habitore. Para disa vjetësh E. Rama hodhi idenë “përtej së majtës dhe të djathtës. Ishte një risi ideore, risi konceptuale për lidershipin shqiptar. Të kujton idealistët e parullës së shqiptarizmës si ideal patriotik. Duket qartë se E. Rama kur thotë përtej të majtës e të djathtës ka kapur thelbin që, mbas tre brezash komunizëm në Shqipëri nuk ka të djathtë e të majtë, komunizmi e rrënoi hierarkinë e vlerave dhe të shtresave shoqërore, barazoi gjithçka. Prandaj thërret- nuk është koha për hipokrizi politikanësh, lëreni të majtën e të djathtën dhe ejani të bëjmë Shqipërinë për shqiptarët. Ia keqinterpretuan me qëllim e pa qëllim, të institucionalizuarit e pushtetit të
S. Berishës dhe naivët e PS-s, pa tentuar që të kuptojnë thelbin. Mendoj se socialistët e pranuan dhe e mbështesin në projektin e tij E. Ramën mbi të gjitha sepse te ai shikojnë të kundërtën e antivlerave që mbart dhe që ka manifestuar S. Berisha.
Kemi personalitet me çrregullime të rënda paranoide kur një individ karakterizohet nga, mosbesime dhe dyshime që e shtyjnë të interpretoj si keqdashëse motivimet e të tjerëve ndaj tij e sidomos ndaj njerëzve që subjekti i adhuron shumë (fëmijë, prindër, familjar), shoqëruar me dominim të frikës tronditëse se ata do dëmtohen për shkak të tij, nga frika e vazhdueshme se do pësojë tradhti nga persona shumë të afërt e të dashur, me perspektiv psikodinamike që shkon sipas atij që quhet “mekanizmi mbrojtës i projeksionit” (defensive armor plate) përgjatë të cilit karakteristikat e quajtura të këqija atribuohen, projektohen jashtë vetes, mbi persona të tjerë, apo mbi gjithë ambientin, i cili në vazhdimësi konsiderohet si armiqësor e i rrezikshëm për individin, si dhe i mungon reflektimi i kthjellët mbi vetveten nga disfunksioni i mekanizmit feed-back individ-ambient rrethues shoqëror, atëherë këtu kemi të bëjmë qartësisht me një (të tillë e mendoj personazhin Sali Berisha).
Më pak të rrezikuar nga rrëshqitja në shpërthimin e simptomave janë ata njerëz që kanë durimin të dëgjojnë, që kanë një sens humori të shprehur, njerëz që kanë aftësinë e autokontrollit dhe zotërojnë aftësinë e njohjes me koshiencë të gabimit.
Këto karakteristika, nëse janë prezente te një individ në mënyrë të kufizuar mund të klasifikohet si personalitet krejtësisht i “shëndoshë” si shenja të një autovlerësimi të lartë (të tillë e mendoj personazhin Edi Rama).
Paranoidi me çrregullime të klasifikuara tipike është një kriminel potencial dhe real. Po të pyesësh njëmijë vetë në Shqipëri se a mendon që në një situatë të njëjtë me 21 Janarin a do të mund të urdhëronte Edi Rama si kryeministër që të qëllohej për të vrarë demostrues? besoj se 998 nuk do e besonin absolutisht, do përgjigjeshin “JO”.
Kur lexon librin “Analiza e karakterit” të Vilhelm Reich, ndeshesh me konceptin e “Murtaja emocionale” që është një sjellje e veçantë neurotike e paranoidit, e cila shpërthen rregullisht nga uria e kënaqësisë së papërmbushur dhe drejtohet ndaj kujtdo që ekspozohet si subjekt i lirë dhe krijues.
“Murtaja emocionale” është një nga karakteristikat dalluese e tipit të njeriut të “institucionalizuar” si S. Berisha.
Një nga programet më inteligjente të kulturës perëndimore në funksion të mbrojtjes nga “intoksikimi prej pushtetit”, të mbrojtjes së shoqërisë nga pushtetarët paranojak është rezoluta e të drejtave themelore të njeriut. Ky program ngrihet si një mur ku përplasen tendencat autokratike të njerëve me pushtet, të intoksikuar nga pushteti me sëmundjen e personalitetit patologjik.
Thënia e E. Ramës se kërkon të lerë një shenjë mendoj se ka një domethënie shumë serioze. Si intelektual tregon që ka kuptuar mirë një gjë, përjetësia vjen nëpërmjet punës, ndërsa pushteti është instrumenti. S. Berisha mendoi që të përjetësohej nëpërmjet pushtetit, u intoksikua nga pushteti deri në paranojë antisociale me akte kriminale. S. Berisha është i vdekur moralisht shumë më tepër sesa të vdekurit fizikisht të Gërdecit e të 21 Janarit. Gabimi i tij fatal- kërkon të lerë pasardhës besnik duke menduar se kështu do sigurojë vazhdimësinë familjare në pushtet.
Bazuar në këto që thamë më lart, në gjenealogjinë e njerëzores mund të them se kemi këtë tabelë personalitetesh njerëzore të dy personazheve tanë:
Gjenealogjia e njerëzores për subjektin Sali Berisha – me një bërthamë biologjike – temperament, të formuar në breza në një ambient natyror të egër e shoqëror specifik të prapambetur, me strukturë karakteriale të “institucionalizuar” nën efektin e murtajës emocionale që vërteton se mbart shumicën e embrioneve që e transformuan në një tip personaliteti antisocial paranojak, totalisht i intoksikuar nga pushteti, personalitet i “institucionalizuar”, gjeneratori sherrxhi i përjetshëm.
Gjenealogjia e njerëzores për subjektin Edi Rama – me bërthamë konstitucioni hereditar shoqërisht elitar, i formuar si individualitet mbas një fëmijërie dhe adoleshence të kategorizuara shumë të shëndetshme, i pa “institucionalizuar”, liberal përparimtar, tipi i personalitetit të “shëndoshë”.
http://www.gazetatema.net/web/2013/07/22/harakiri-vetvrasja-dhe-psiko-autopsia-e-sali-berishes/