Nga Arben Manaj
Prostituimi
diplomatiko-sportiv i UEFA-s, për ndeshjen Shqipëri-Serbi, aq sa është
skandaloz aq ishte edhe i pritshëm.
Nuk kisha dyshim që e
kam shprehur publikisht edhe ditë më parë, se pas deklaratës së Platinisë, UEFA
do të merrte një vendim “as mish, as peshk”, ku do të njësonte në faj si
mëkatarin, ashtu edhe viktimën.
Shqipëria do të
apelojë dhe nisë një betejë juridike. Por kjo nuk është fatkeqësisht e
mjaftueshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë një vendim të dhimbshëm dhe
largpamës.
Bojkotimi i
kompeticionit në mënyrë demonstrative nga Shqipëria, mbetet fatkeqësisht i
vetmi opsion real dhe efektiv që bota e qytetëruar të mësojë përmes
vetësakrifikimit unikal shqiptar se, çfarë ndodhi në atë ndeshje barbarie dhe
çfarë lloj drejtësie jep institucioni evropian i futbollit.
Ky veprim in-extremis,
pasi nuk kam besim se apeli do ndryshojë diçka për mirë, përpos ndonjë
retushimi sa për sy e faqe, do të mund të shndërrohet në gjestin më produktiv të
PR-it shqiptar, pasi është një shans i artë që Evropa dhe bota të mësojë përmes
medieve shkakun e largimit dhe bojkotit shqiptar të eliminatoreve të Evropianit
në vendin e Platinisë.
Media ndërkombëtare,
me siguri absoulte matematikore, do t’i rikthehet këtij lajmi dhe do të kërkojë
të eksplorojë arsyet dhe shkaqet e Shqipërisë për një veprim të tillë.
E ky gjest do duhet
ndryshe nga hera e parë që të shoqërohet me një përgatitje më të mirë
argumentuese mediatike nga Tirana.
Kjo vendosmëri dhe ky
vizion nga Shqipëria dhe institucionet shqiptare, edhe pse do të mund të
humbasin në plan afatshkurtër, do t’i bëjnë një shërbim të madh drejtësisë
sportive dhe do të demaskojnë mentalitetin e kalbur dhe racist, do thosha të
vendim marrjeve nga një institucion, që në mënyrë absurde ka si banderolë “No
to Racism”!!
Bojkoti shqiptar do
t’i shërbejë edhe emancipimit dhe shkundjes së një institucioni të dashur
për evropianët dhe sportin e futbollit, i cili me këtë ndeshje dhe mënyrën sesi
u luajt, tregoj se vetëm sport nuk ishte, por një ndeshje e denjë për
Coloseum-in e Romës në antikitet.
Bojkoti është edhe mbi
të gjitha dhe para se gjithash, çështje dinjiteti shtetëror dhe Shqipëria e
vogël, do të duhet të vlerësojë më shumë këtë dinjitet kombëtar që të mos
nëpërkëmbet, sesa gjobat financiare që mund të marrë.
Në fund të fundit ,
edhe sikur sondazhi të bëhej me shqiptarët sportdashës, do e kishte mbështetjen
e tyre.
UEFA me këtë vendim
nuk bëri gjë tjetër, veç se sanksionoi dhunën në sport, pasi mesazhi është se
çdo ekip mund të rrihet si “gomari në duhan” në fushë dhe brenda stadiumit, e
sërish t’i kërkohet të luajë edhe pse me gjymtime fizike dhe psikologjike. Këtë
nuk do ja pranonte asnjë Federatë apo vend i madh evropian aq me tepër Britania
p.sh.
Madje kryeministri
Cameron, do kohë me pare i shkroi personalisht Platinisë për ndeshjen e të
rinjve mes Anglisë dhe Serbisë për disa abuzime verbale raciste dhe imagjinoni
se çdo kishte ndodhur, me siguri revolucion, nëse kombëtarja angleze do të
keqtrajtohej në këtë mënyrë si ajo shqiptare në Beograd, France a Spanjë.
E përse do të duhet të trajtohet Shqipëria ndryshe?!
Do të kishte qenë më e
ndershme sikur Serbisë, me këtë logjike të korruptuar, të mos i hiqeshin pikët,
e po sipas kësaj logjike malinje , Shqipëria t’i shtronte në dru në të njëjtën
mënyrë siç ndodhi në Beograd serbët dhe ta fitonte ndeshjen në tavolinë.
Jo, kjo veë se
drejtësi dhe mesazh sportiv nuk është. UEFA është në pikë të hallit dhe ka
nevojë që të shpëtohet nga vetë sakrifikimi shqiptar, pasi do të gjenerojë një
debat mjaft të madh sportiv, pasi nuk ka evropian me logjikë të ftohtë të
tolerojë sjellje të tilla antisportive në një sport për të cilin ata shpenzojnë
miliarda për t’u argëtuar e jo që futbolli të shndërrohet nga lojë me top, në
lojë me dema dhe toreadorë.
Shqipëria dështoi
fillimisht në pranimin me inferioritet të shkuarjes në Beograd pa tifozët e
vetë, duke toleruar Serbinë, kur do të duhej që refuzimi shqiptar ta detyronte
UEFA-n ta zhvillonte ndeshjen (nëse serbët nuk garantonin dot sigurinë, siç nuk
e garantuan), kudo në Zagreb, Romë a Londër.
FSHF-ja dështoi edhe
me këtë vendim të UEFA-s, aq më tepër kur kryetari i saj kërkonte publikisht jo
tri pikët, që faktikisht UEFA ia mohoi në tavolinë, por çuditërisht paqen me
Serbinë, a thua se Duka është Rama e UEFA është OKB-ja!
Ky dështim i FSHF-së,
në bindjen e drejtësisë së rastit shqiptar, do duhet të shoqërohet me një
tjetër gjest emancipues, dhe pikërisht atë të dorëheqjes së Dukës, i cili ka në
këtë post, që nga koha kur kanë lindur shumica e tifozerisë së re kuqezi.
Më një gjest të tillë
do të mund të bënte që edhe Platinia, në një rast fatlum, të mund ta pasonte
atë, në mënyrë që UEFA, si qeveria evropiane e futbollit, të mos jetë më
epidemi e korrupsionit dhe kronikës sportive, siç shpesh sulmohet.
Bojkoti i Shqipërisë
në kompeticionin evropian, do të nxjerrë në pah të vërtetën e madhe të
asaj që lojtarët shqiptarë iu nënshtruan në Beograd, por edhe do të ketë
mirëkuptimin e logjikës së shëndoshë sportive evropiane, pasi me të, do
tregojë se meriton të trajtohet me dinjitet si një vend kandidat në BE, duke
mbrojtur një kauzë për të cilën çdo evropian normal, do të bënte gjithçka, që
loja e bukur dhe e lashtë të mos cenohej nga dhuna dhe justifikohej nga njerëz
që mendojnë se standardi i dyfishtë do mund të tolerojë racizmin nacional.
(Shqip)
* * *