Jargët tuaja
nuk mund ta arrijnë!
Nga Gjon Bru çi
Prej një jave çapaçulët e “demokracisë
shqiptare” kanë përvjelur buzët dhe lëshojnë jargë kundër shqiptarit të madh
Enver Hoxha. Më saktë kundër fotografisë së tij që komunistët afishuan si çdo
29 Nëntor tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në televizion, në shtyp e gjer
tek tribuna e parlamentit, ngrihen çapaçulët dhe duke u dridhur e me zëra
histerikë çirren se kryeministri Edi Rama na paska ofenduar popullin me
inskenimin e Portretit të Enver Hoxhës në një ceremoni zyrtare.
E dinë shumë
mirë se afishimi i fotografisë së Enver Hoxhës nuk është vepër e Edi Ramës dhe
as e protokollit zyrtar, por veprim i zakonshëm i PKSH, e cila, 29 nëntorin ka
datën e saj më të shënuar, datën që shënon Epokën e Madhe të Luftës Antifashiste
Nacionalçlirimtare të popullit Shqiptar. Këtë Epokë Lavdiplote e ideoi, e
organizoi dhe e realizoi me fitore të plotë pikërisht Partia Komuniste
Shqiptare dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha. Komunistët e sotëm të PKSH nuk
bëjnë gjë tjetër veçse në këtë datë të shënuar shkojnë e nderojnë të rënët,
Dëshmorët e Kombit, ish partizanët trima që vunë jetën e tyre në Altarin e
Lirisë së Atdheut. E në këtë nderim ata nuk mund të shkojnë pa Komandantin e
partizanëve, Enver Hoxhën, sepse të rënët nuk do t’i pranonin. Ish pushtetarët
e djeshëm, që kanë livadhisur e po livadhisin mbi kurrizin e popullit prej me
shumë se dy dekadash, të ndihmuar nga shpura e fandaksur e gazetarëve,
analistëve, e opinionistëve shqip shqip, të tipit Fevziu, Balliu, Ngjela, etj., alarmohen,
shqetësohen e zemërohen për fotografinë e Enver Hoxhës tek varret e Dëshmorëve
të Kombit, dhe si një kor bretkosash zhapullijnë që nga kanali i ndotur ku
gjenden falë veprës së tyre të ashtuquajtur demokratike. Këta politikanë dhe
klounët e firaunët që i mbështesin nuk merakosen për të rënët e Kombit. Ata
asnjëherë në këta 23 vjet nuk kanë ardhur t’i nderojnë ata në këtë datë të
shënuar të veprës së tyre të madhe. Madje janë përpjekur dhe përpiqen çdo ditë
që datën e lavdishme të 29 Nëntorit 1944 ta fshijnë nga kalendari. Pse?
Ish borgjezët e djeshëm, bajraktarët,
bejlerët, agallarët dhe pinjollët e tyre të sotëm kërkojnë ta zhdukin 29
Nëntorin, sepse kjo datë historike u kujton turpin e madh të bashkëpunimit me
okupatorin. Nga ky bashkëpunim ata me meritë morën epitetin “Kolaboracionist”,
që ne shqiptarët e përkthejmë tradhëtar. Dhe këta të mjerë kanë të drejtë të
çirren e të vajtojnë, sepse ky turp nuk mund të shlyhet as në varr, të cilin,
siç thoshte Noli i madh e kanë të përbashkët me okupatorin që i shërbyen. Kapitulli
i tyre u mbyll që me 29 Nëntor 1944 dhe tani le të vajtojnë të shkuarën e tyre
të zezë, veprën e tyre të ndyrë, fatin e tyre të mjerë. Por problemin e kemi me
këta të tjerët që nuk kanë asnjë lidhje me “Kolaboracionistët” e luftës.
Përkundrazi janë nga ish radhët tona, nga ish shtresa jonë, shtresa e popullit.
Them ish, sepse falë fuqisë së pushtetit që u ra në dorë si “torta e vitit të
ri”, e kanë braktisur tashmë popullin dhe megjithëse përbetohen për të, sidomos
kur i kërkojnë votën, janë kilometra të tërë larg tij. Pikërisht për këta e
vura edhe vargun e Mjedës “O pjellë e keqe, o dhunë, o kore” – që Rilindasi i
madh ka tek poezia “Mustafa Pasha në Babubunë”. Ç’kanë këta me 29 Nëntorin?
Ç’kanë këta me Enver Hoxhën? Pse i tromaks kaq shumë fotografia e Tij? Këta
çapaçulë të “demokracisë borgjeze” allashqiptare, bërtasin, çirren e këlthasin
si histerikë sepse Portreti i Enver Hoxhës u kujton kohën kur shteti shqiptar
ishte shtet, kur ligjet ishin ligje dhe ku hajduti, vrasësi, krimineli nuk
gjente vrimë ku të futej nga drejtësia dhe nga gjykimi i popullit. Këta e dinë fort mirë
se po të kthehet shteti socialist i kohës së Enver Hoxhës, do t’i nxirrnin për
hundësh gjithë poshtërsitë që kanë bërë në këto 23 vjet të ashtuquajtur
demokraci.
Ardhja e socialistëve në pushtet më 23 qershor
dhe kërkesat e vazhdueshme të popullit për ndëshkimin e krimeve monstruoze të
pushtetarëve të para 23 qershorit, u ka futur drithmën. Sepse CV-ja e tyre
demokratike është e mbushur me krime nga më monstruozet, që çdo shtet, qoftë
dhe me dy gram demokraci do t’i çonte përjetësisht prapa hekurave të burgut.
Nuk jemi të sigurtë se kjo e fundit do të ndodhë. Kjo për faktin se si
demokratët blu dhe socialistët rozë janë dy rrëfanga të të njëjtës pemë, asaj
të borgjezisë me të njëjtën ngjyrë, ngjyrën e korbit. Dhe korbi – korbit nuk ia
nxjerr sytë. Por një gjë e dimë fort mirë ne komunistët: Populli tashmë është
zgjuar dhe e ka njohur me dhëmbë e dhëmballë “demokracinë” që sollën
demokratikasit e vetëshpallur të vënë në shërbim të borgjezisë vendase e asaj
ndërkombëtare dhe që shkatërruan shtetin e vërtetë të shqiptarëve, duke e lënë
atë prej më shumë se dy dekadash në një kaos të vërtetë shoqëror ku lulëzojnë
të gjitha ferrat, por asnjë pemë e vërtetë demokratike. A nuk e tha ish kryeministri
Majko këto ditë se elita politike e borgjezisë shqiptare dështoi në ngritjen e
shtetit?! Dhe dështimi nuk ka ardhë nga padija e nga pamundësia, por nga
makutëria dhe tradhëtia. Çapaçulët në fjalë, në pamundësi të maten me veprën e
Enver Hoxhës, mundohen të pështyjnë mbi fotografinë e tij. Por pështyma e tyre
nuk mund të arrijë lartësitë e atij portreti, lartësi që ia kanë siguruar
veprat e pavdekshme në shërbim të kombit. Enver Hoxha në gjysëm shekulli
qeverisje transformoi një Shqipëri të tërë duke e kaluar nga mesjeta e errët ku
ndodhej, në kohët moderne të shekullit njëzet. Në gjysmën e kësaj kohe, me 23
vjet “demokrazi” ju çapaçulë e shërbëtorë të të huajve e kthyet vendin përsëri
në mesjetë, saqë po të ringjallej Pashko Vasa, do të ribotonte me nota të reja
poemën e famshme shqip “O moj Shqypni e mjera Shqypni”.
Në pamundësi për t’u matur me Enver Hoxhën dhe
veprën e tij, ju nuk lini epitet pa përdorur e shpifje pa fabrikuar për ta
diskretituar atë në memorien e popullit dhe të historisë. Por populli dhe
historia nuk janë si manjetofoni, i cili regjistron e ç’rregjistron sipas
avazit të këngës, apo të valles. Populli dhe historia regjistrojnë veprat dhe
vlerat. Dhe veprat e vlerat janë në jetën e veprimtarinë e Enver Hoxhës dhe
kurrsesi në “Curriculum Vitaen” tuaj kënetore. Curriculumi juaj është i mbushur
me krime e skandale të panumërta. Në të gjenden krimi i zhvatjes së pasurisë
kombëtare; katrahura e mënxyra e ‘97 –tës; bomba “atomike” e Gërdecit; vrasjet
monstruoze të 21 janarit; falja e detit shovinistëve grekë; korrupsioni
galopant i rrugës së “Kombit”, të “Arbërit” dhe të 10 mijë e pesëqind
kilometrave rrugë fantazmë që kanë gëlltitur djersën e shqiptarëve për të fryrë
xhepat tuaj dhe të atyre që u shërbeni, e dhjetra e dhjetra skandale e krime,
që po të rreshtoheshin kronologjikisht do të na duheshin çarçafë të tërë me
gazeta. Mbi të gjithë në curriculumin tuaj qëndron shprishja që i bëtë e po i
bëni shoqërisë shqiptare, ndër më të pastrat e më solidet në rajon e më gjerë,
duke i injektuar të gjitha sëmundjet e shoqërisë së konsumit të sistemit
kapitalist, çka ka vënë në pikëpyetje e në udhëkryq dinjitetin dhe identitetin
e saj, të dallueshëm midis kombeve të tjerë. Dhe me gjithë këtë barrë turpi 23
vjeçare mbi shpinë, ju keni ende gojë e përflisni Shqiptarin e madh Enver
Hoxha? Goja, mendja dhe vepra juaj e çoroditur nuk janë veçse gojë, mendje e
vepër antidemokratike, antishqiptare e antikombëtare.
Përmenda në krye dy-tre mbiemra të njohur të
medias e politikës, si personifikim i gjithë kësaj kaste që e ka vënë shpirtin
në shërbim të së keqes, të gënjeshtrës, të shpifjes dhe asnjëherë në shërbim të
së vërtetës. I përmenda ata të tre, sepse ishin ndër arixhofkat më të fundmit e
më të zellshmit që na u shfaqën në ekran për problemin e 29 Nëntorit dhe
fotografisë së Enver Hoxhës. Dy prej tyre, që hiqen si “biografët më të saktë”
të Enver Hoxhës, një natë që dolën në “Opinionin” e famshëm të Ziut, i mbanin
ison njëri-tjetrit me shpifjet delirante e bajate që kanë botuar në librat e
tyre të “famshëm” e që nuk harruan të na i villnin edhe aty në emision. Jo për
Ziun, apo Fevziun si gazetar mediokër, por për Ngjelën që mendohet se ka një
“barrë” shkollë e mend, dua të sjell në këtë shkrim disa konsiderata për Enver
Hoxhën. Jo konsiderata komunistësh, sepse ato duken të njëanshme në sytë e
Ngjelës, por konsiderata borgjezësh perëndimorë, që nuk kanë patur e nuk kanë
asnjë lidhje me Komunizmin, madje kanë qenë e janë kundërshtar te tij e të
Enver Hoxhës: Ja konsideratat: Presidenti francez De Gol: “Askush më tepër se
Enver Hoxha nuk e meriton thënien: Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon atë”.
Autori i librit “Fitore e hidhur”, Reginald Hibbert: “….instiktet e tij
politike ishin nga më të mëdhatë dhe ai tashmë ishte një mjeshtër i përsosur i
politikës në prag të katastrofës”.
Shkrimtari Pablo Neruda: “Nga afër Enver
Hoxhën e njoha në Moskë, kur ai vendosi në bangon e akuzës renegatin Nikita
Hrushov si agjent në shërbim të imperializmit… Kur fliste Enver Hoxa, më
ngjante me lartësinë e Himalajës”. Profesori i Universitetit të Tuluzës,
Francë, Alen Dyselje: “Vdekjen e Enver Hoxhës do ta ndjejë jo vetëm populli
shqiptar, por mbarë njerëzimi”. Piter Prift: “…Ai mund të pikturohej farë mirë
duke mbajtur në njërën dorë shpatën e diktaturës së proletariatit dhe në
tjetrën llambën e arsimit perëndimor”. Agjensia austriake e lajmeve, duke iu
referuar fjalëve të Kancelarit të Republikës së Austrisë, shkruante në prill
1985: “Shqipëria humbi një personalitet që ka hyrë në historinë e Europës”. Dhe
shtonte: “Enver Hoxha qe figura më e madhe e historisë së Shqipërisë… Emri i
tij është i lidhur me të gjitha betejat e fitoret e popullit shqiptar”.
Agjensia e lajmeve “Rojter”: “Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës shqiptarët krijuan
një shtet sovran, të lirë nga dominimi i huaj, gjë kjo e pashembullt në
historinë e tyre… Nën udhëheqjen e tij Shqipëria arriti pavarësinë në fushën
ekonomike dhe nivel bazë të mirëqenies materiale… Në fjalimet e tij plot
ngjyra, ai ka paralajmëruar Moskën dhe Uashingtonin që të mos mendojnë se
Shqipëria është një “kafshatë që gëlltitet lehtë”. Kjo arriti kulmin me
fjalimin në Moskë (1960) para 81 partive komuniste, ku kundërshtoi që Shqipëria
të bëhej koloni”. Dhe konsiderata më e madhe mbetet ajo e shqiptarëve të
vërtetë, brenda e jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme, të cilët
kur ishte gjallë e në drejtim të Luftës ANÇ dhe të ndërtimit socialist e
quajtën Komandanti, Burri i dheut, Bacë Enveri e Shqiptari i Madh; epitete që
vijojnë e do të vijojnë t’i përcjellin ndër breza. Do ta mbyll këtë shkrim me
thënien e shokut tim të idealeve, shkrimtarit e poetit komunist, Kryetarit të
nderuar të PKSH Hysni Milloshi: “Enver Hoxha shqiptar, është gurë prove për
shqiptarët. Kush i largohet emrit dhe veprës
së këtij shqiptari të madh, ai i largohet emrit dhe lavdisë së tij si
shqip tar”!
imazheshqip
* * *