December 8, 2016

Dy Mimi dhe një qymyr i djegur

Mimi Kodheli dhe Ursula Von Der Leyen

Sido që të jetë, efektin si lajm prej “shoubizi” një titull grek mbi ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e arriti. Sepse kurioziteti është i garantuar pavarësisht se kush e thotë, kur dëgjon që Kodheli dikur, në fillim të viteve 90-të paska punuar si balerinë në Athinë.

Pastaj, kur vëren që kësi lloj llogjesh janë shkruar në një faqe online që quhet militaire.gr, e kupton që reagimi nga ana tjetër e kufirit qenka “ushtarak”.

Njëfarë kthim restoje, mesa duket, ndaj komentit ende të freskët të ministres ndaj homologut të vet të çatrafiluar, që del para kamerave me uniformë ushtarake teksa takon ushtarët.

Për t’u thënë se “unë jam një prej jush, mos më shihni si ministër nga halli, si patericë ekstra e djathtë e një qeverie ekstra të majtë”.

Kurioziteti mund të mbaronte këtu, sepse materiali në fjalë nuk ofronte asgjë tjetër veç një fjalie. Duke vijuar pastaj me thirrjen që Kodheli të mos i bashkëngjitet retorikës nacionaliste të kryeministrit të saj, sepse “ka ngrënë bukë” në Greqi derisa i doli një shkollë në Amerikë.

Por problemi është që paçavuren në fjalë, një çerek shantazhi i maskuar keq, e ka shkruar një gazetar me përvojë të gjatë në mediat greke.

Autori është Paris Karvunopulos, që e ushtron zanatin (jo të qymyrxhiut siç sugjeron mbiemri) e gazetarit që nga viti 1986.

Paris Karvunopulos, autori i shkrimit

Referencën për “balerinën Kodheli” ai thotë se e ka marrë nga kolegu i vet Kristos Kapuccis, dhe vetëm kaq. Thjesht e përdor në një rresht dhe vazhdon me paralajmërimet e veta.

Karvunopulos është reporter i lajmeve ushtarake dhe ka punuar në disa media qendrore, pra nuk mund të injorohet lehtë. Jo për gjë, por sepse përderisa e kanë përdorur në këtë farë feje, domethënë se shantazhi është i porositur.

Ndoshta edhe nga qypi-ministër Kamenos, (i djegur, përkthimi i mbiemrit të ministrit të Mbrojtjes), që mbase zanati i balerinës i erdhi ndërmend për Kodhelin si reflektim i problemeve personale me mbipeshën.

 Ministri Panos Kamenos

Por përtej thashethemeve rozë me politikanë e ministra, ironia është se Karvunopulos nxjerr një koment-pseudolajm që pastaj xhiron edhe mediat e tjera online greke, me etiketën e “skandalit shqiptar”.

Dhe shakaja qëndron në faktin se Athina u skandalizoka me kësi titujsh, kur kryeministri i vet dhe politikani historik Andreas Papandreu, e bëri hasha në mes të ditës dhe në krye të detyrës familjen e vet dhe u marros pas një stjuardese, Dhimitra Liani.

Deri aty sa Dhimitra (shtohet ironia: Shkurt i thonë Mimi) e vuri në darë Papandreun e shkretë dhe erdhi puna që Mimi e tyre të bënte politikat në Pasok dhe të ulte e ngrinte ministrat në qeveri.

Dimitra Liani Papandreu (Mimi)

E nxorrën Miminë me dashnorë, e fotografuan nudo, madje në pozicione të sikletshme me qen e me mace, çfarë nuk i thanë… Por ja që u sikletoskërkan nga Mimi shqiptare që besojnë se mund ta njollosin përmes një rreshti paçavure.

Për t’u kthyer në seriozitet, e vërteta është se ka një problem në koalicionin qeverisës grek. Një shumicë të pamjaftueshme të majtë, e mban në këmbë një grusht votash të Grekëve të Pavarur të Panos Kamenos.

Ky, i djeguri për ministër Mbrojtjeje, me siguri nuk e ka pritur mirë reagimin (et) e Kodhelit dhe në përgjithësi, Athina zyrtare po befasohet sesi ka mundësi që Tirana së fundi thotë dhe ndonjë fjalë, dhe nuk rri lepe-peqe si qëmoti.

Për të forcuar profilin e vet politik prej obezi luftarak, I Djeguri vuri veteranin Qymyrxhi ta bëjë Mimin e Tiranës balerinë, duke pretenduar një skandal me fishekë manovre.

Ndërkohë që Mimitë e Athinës e kanë qeverisur Greqinë për vite të tëra vetëm me një palë brekë. Derisa erdhi puna që e lanë edhe pa to…
Dita


*   *   *



November 28, 2016

Mërgim Mavraj “shpall pavarësinë” në Vlorë


Në ditën e përvjetorit të 104-t të shpalljes së Pavarësisë, nuk mund të mungonin urimet nga bota e futbollit. Një pjesë e mirë e lojtarëve të Kombëtares përmes rrjeteve sociale uruan shqiptarët në këtë ditë të shënuar.

Mes tyre, natyrisht, edhe mërgim Mavraj. Mbrojtësi priti pak më gjatë se të tjerët, por, si përherë, zgjodhi një mënyrë krejt të veçantë për të përkujtuar ngritjen e flamurit në Vlorë.

Ai e ka vënë veten në vend të Isa Boletinit, një ndër figurat e shquara të lëvizjes kombëtare. Me anë të fotomontazhit, Mavraj e zëvendësoi portretin e patriotit kosovar me të vetin në një pikturë së bashku me Ismail Qemali.

“Ditë gëzimi, qeshni pak”, shkruan 29-vjeçari në postimin që shoqëron foton në “Facebook”.

*   *   *



October 16, 2016

Shoku Suslov Kërcënon

Νικόλαος Κοτζιάς

Redaksionale Dita

Të thuash se ishte një deklaratë e llogaritur për konsum të brendshëm, për të qetësuar opinionin pas “rebelimeve” të herëpashershme këtyre kohëve të fundit, të fqinjit të vogël shqiptar, nuk bën vaki. Intervistat dhe pohimet mediatike të një ministri të Jashtëm fluturojnë sa hap e mbyll sytë, nëse ai ka thënë diçka interesante. Ose acaruese. E sidoqoftë, qesharake.

E tillë ishte deklarata e djeshme e ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias lidhur me marrëdhëniet greko-shqiptare, në kuadrin e një interviste më të gjerë.

Përgjithësisht, është në natyrën dhe llojin e zanatit të një kryediplomati që edhe në momentet më të tensionuara politike, të frenohet në qëndrime, në gjuhë dhe terminologji. Akoma dhe në raste lufte, kryediplomati ja lë kërcënimet me numra trupash, teknologji luftarake e fuqi ekonomike, tregtare etj, si dhe shantazhet direkte ndaj kundërshtarit, të paktën një kolegu të tij më të azhornuar, fjala vjen ministrit të Mbrojtjes. Apo shefit të Shtabit. Padyshim, kryeministrit të parit.

Por zoti Kotzias zgjodhi të deklarohej vetë. Duke qenë mesa duket i ndërgjegjshëm se vërtet ligji i luftës është në fuqi, sado që Athina deri tani ka mëtuar ta zvogëlojë peshën e tij si një relike juridike e kohërave të shkuara.

Çfarë tha ministri Kotzias? Në një intervistë për gazetën “Ethnos”, mes shumë pyetjeve që kishin të bënin edhe me marrëdhëniet me Shqipërinë, ra në sy një frazë:

“Greqia ia kalon (Shqipërisë) në të gjitha fushat, ka 10-fishin e PBB, sisteme të forta të mbrojtjes dhe të sigurisë. Shqipëria ka varësi të fortë ekonomike nga emigrantët, investimet, tregtia. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare dhe atë rajonale.  Është pra e udhës që disa njerëz të bëhen realistë dhe të kontribuojnë në marrëdhëniet me interes reciprok dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura, përmes të drejtës dhe traditës ndërkombëtare dhe europiane…”.

E kishte këtë mesazh për qeverinë shqiptare që po i mëshon ca si shumë çështjes çame.

Prandaj, shtoi ai, “të zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të hyjnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me BE-në, kjo është në interes të tyre”. Këtu fillon kontradikta. Sepse nëse për Greqinë çështja çame nuk ekziston, i bie që s’paskemi probleme për të zgjidhur?! E në të kundërt, do vënë veton ndaj integrimit tonë në BE?

Por kontradiktat lidhur me personin e ministrit të Jashtëm, ashtu si dhe me qëndrimin grek për disa çështje lidhur me Shqipërinë, nuk mbarojnë këtu. Është e tepërt të kujtojmë se si janë dëbuar si bashkëpunëtorë të thekur të gjermanëve, mijra të moshuar e fëmijë, gra e burra shqiptarë çamë në vitin 1945. Fotot dhe disa pamje filmike të kohës e dëshmojnë qartë “pronazizmin” e tyre. Ndërsa që dëbimi është organizuar nga forcat e Zervës, aleate të nazistëve, dhe “batalionet e sigurisë” gjithashtu pronaziste, është harruar si fakt.

Ndoshta pro-nazistë do kenë qenë dhe shqiptarët e dëbuar që në 1913, pastaj me radhë çdo pak vite, deri në paktin e Lozanës kur grekët i paketuan si “turq” dhe i nisën drejt Turqisë pas marrëveshjes së këmbimit të popullsisë më 1923.

Është e qartë se e mësuar me një vend që e kanë bërë çorap këto 20 e kusur vite, Athina zyrtare është kapur ‘pa mendje’ nga disa qëndrime të qeverisë shqiptare këto 3 vitet e fundit. Që ka kërkuar qartë dhe ftohtë, pa emocione, heqjen e ligjit qesharak të luftës dhe detyrimin grek për të njohur dhe dhënë një zgjidhje dramës së çamëve.  “Epo kur u bënë dhe këta!”, do kenë thënë me vete një apo disa koka të shqetësuara, “po përfitojnë nga kriza jonë dhe po hedhin vickla”.

Dhe duket se mesazhin e parë paralajmërues vendosi ta japë Kotzias. Sjellje e padenjë, nga i njëjti vend që deri tani ka reaguar si një i vogël i nëpërkëmbur padrejtësisht prej fuqive të mëdha, kryesisht prej Gjermanisë, kur vjen puna tek kriza e rëndë financiare dhe ekonomike e Greqisë.

E pra, Nikos Kotzias mund të thuhet se ka një formim kulturor e arsimor gjerman. Ka studiuar aty, i arratisur pasi ishte në kërkim nga junta greke si veprimtar i Partisë Komuniste greke. Madje dha kontribut në formësimin e bazës teorike të partisë, duke marrë nofkën “Susllov”, sipas kryeteoricienit sovjetik të kohës së Hrushovit.

Por nuk është pro-gjerman, përkundrazi, e sheh këtë vend si fuqinë e re imperialiste të Europës. Nga komunistët u nda në vitin 1989, pasi nuk ishte dakord që PK të jepte votat për rrëzimin e qeverisë socialiste Papandreu, të mbërthyer nga disa skandale korrupsioni.

Themeloi një grup tjetër të majtë, dhe nga nofka “Susllov” i mbeti dashuria për Rusinë, që e sot e maskon me tezën se Greqia duhet të forcojë marrëdhëniet me vendet e BRIK-ut (Brazil, Rusi, Indi, Kinë). Deri aty sa ditën e marrjes së detyrës aktuale për herë të parë, kundërshtoi sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për krizën e Ukrainës.

Në këtë mini-biografi të Nikos Kotzias duhet shtuar se ka dhënë kontribut në shkrirjen e akujve dhe ngritjen e urave të bashkëpunimit me Turqinë, madje ishte anëtar i komisionit të BE-së që rregulloi marrëveshjen për statusin kandidat të Turqisë. Nuk është regjistruar ndonjë “kërcënim” i tij ndaj këtij vendi me këtë rast, si kusht për të ndihmuar Ankaranë të marrë statusin.

Mesa duket, Ankaraja, e as ndonjë kryeqytet tjetër i madh, nuk janë adresa e duhur për të përmendur “sistemet e forta të sigurisë dhe mbrojtjes”. Tirana po. Duke zgjedhur edhe të harrojë faktin që të dyja vendet tona janë anëtare të NATO-s. Ashtu siç harron se shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm Tiranën për kryeqytet.

Në fund, duhet pranuar se ministri “Susllov” për hir të së vërtetës, akuzohet nga opozita greke se ka bërë disa lëshime të fshehta kundruall shqiptarëve. Nuk thuhet se cilat janë këto, por nga ana tjetër të djathtëve grekë mund t’u duket lëshim edhe vetëm fakti i përmendjes së termit “çështje çame” në një tryezë zyrtare.

Nëse tregimi disarreshtash i muskujve kundrejt Tiranës nga ana e ministrit të gabuar, ishte thjesht një adresim gjithashtu i gabuar për shkak të nervozizmit ndaj akuzave, kjo mbetet për t’u parë. Por ajo që kuptuan shqiptarët dhe Ballkani nga kjo deklaratë, ishte e kundërta që asaj që një goxha ministër si Kotzias (theksi te A-ja) deshi të përçonte.

Po. Për fat të mirë, askush nuk u tremb…



*   *   *





August 31, 2016

Izet Haxhia: Sali Berisha, Kush është babai yt i vërtetë?


Një thirrje e “befasishme” e deputetit Sali Berisha për hetimin dhe dënimin e krimeve serbe në Kosovë përmes një komisioni të posaçëm të OKB-së, shkaktoi dje reagimin e ish-truprojës së tij Izet Haxhia, me një reagim në facebook. Faktikisht ky patriotizëm pas të vjeli, erdhi si “ngacmim” ndaj mbërritjes në finalen e kandidatëve për sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, të ish ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç.  

Po pasqyrojmë më poshtë reagimin e parë të Izet Haxhisë:

 “Na paska kërkuar “patrioti” i madh, dhandrri i Serbisë e i biri biologjik i partizanit serb që u strehua në kullën e tij në Viçidol në vjeshtën e vitit 1943, të dënohen krimet serbe në Kosovë e të krijohet një komision i posaçëm në OKB për hetimin e tyre. A ka hipokrizi më të madhe se të dëgjosh një deklaratë të tillë nga ai që ndoqi e persekutoi, burgosi e zhduku me SHIK-un e tij famëkeq, luftëtarë e patriotë, pjesëtarë të bërthamave të para të rezistencës kundër pushtuesit serb të strehuar në atdheun mëmë, që u futi armë me anë të SHIK-ut në shtëpitë ku banonin, ku i spiunoi po me anë të SHIK-ut e bashkëpunëtorëve shqiptarë në Kosovë tek patronët e tij serbë. Flet për krime e genocid ndaj shqiptarëve ai që u bë arteria kryesore e makinës vrasëse të Milosheviçit, duke e furnizuar me naftë e armë. Harroi ky i paftyrë se nën petkun e trafikimit të armëve relike në Norvegji, dërgoi tonelata armatim për paramilitarët e vëllait të tij biologjik Radovan Karaxhiç për të vrarë civilët në Bosnje. Harroi që me anë të firmës së partisë së tij “Shqiponja” ndërtoi në çdo km në veri nga një karburant që dërgonte naftë pa ndërprerje për vëllain e tij, vrasësin e shqiptarëve Milosheviçin. Harroi kur takohej fshehurazi në Krans Montana me ministrin e jashtëm serb dhe nga ana tjetër për t’u dukur si “patriot” i madh dilte e deklaronte se duhej bombarduar Beogradi. O Tempora o Mores. Çfarë hipokrizie që na dëgjojnë veshët këto 26 vjet nga ky njeri. Dhe duke menduar se ka akoma patriotë budallenj që i besojnë “patriotizmit” të këtij bastardi, në Kosovë e Shqipëri, kur flamurin e nacionalizmit e marrin sharlatanë të tipit Kreshnik Spahiu që ushqehet me paratë e një terroristi si Gulen, mendoj se dita e arritjes së aspiratës sonë për bashkim kombëtar është akoma e largët”.

 Akuzat e forta të Izet Haxhisë ndaj ish presidentit -kryeministrit-kreut të PD-së Berisha janë bërë prej kohësh publike. Por nuk mund të mos ngjallnin kureshtje në këtë tekst të Izetit, veçanërisht pjesët: “dhandrri i Serbisë e i biri biologjik i partizanit serb që u strehua në kullën e tij në Viçidol në vjeshtën e vitit 1943”, dhe në vijim, “vëllai i tij biologjik Radovan Karaxhiç…”.

 DITA kontaktoi me Izetin për ta pyetur se çfarë nënkuptonte ai me këtë “lojë fjalësh”; a mos ishte një romuz për shkak të ngjashmërisë vërtet të dukshme mes Berishës dhe Karaxhiçit? Izet Haxhia na dërgoi sqarimin e mëposhtëm, që vërtet do ta vërë lexuesin në mendime:

 “Ja si qëndron çështja. Unë e kam dëgjuar me kohë historinë që do ju tregoj më poshtë, por nuk e besoja. Thoja me vete është shpifje komunistesh, por në fakt këtë ma ka rrëfyer një i afërm i fisit Berisha, një burrë i moçëm që është dhe i afërm i imi.

Historia ka qenë kjo. Në vjeshtën e vitit 1943 një partizan i plagosur serb ishte strehuar për disa muaj në kullën e Berishajve në Viçidol. Pasi e merr veten ky partizani, lind një afeksion me nënën e Saliut, asokohe vajzë e re. Kini parasysh një zonë të izoluar, ku i jati i Salës shkonte me bagëtitë gjithë ditën dhe vinte në mbrëmje…

Por kjo lidhje diktohet nga Zeqir Halili, xhaxhai i Saliut, që ka qenë një burrë i mençur dhe diskutojnë një darkë me burrat e tjerë të fisit, për ta vrarë partizanin serb që u kishte prekur nderin. Kjo bisedë dëgjohet nga Sheqerja, e ëma e Salës, e cila njofton partizanin serb që të largohet menjëherë. Zeqiri merr pushkën e hap zjarr nga penxherja, në dhomën ku flinte partizani serb. Por shtiu mbi krevatin bosh. Ai ia kishte mbathur pas njoftimit në kohë.

Duke lidhur disa fakte, dhe duke pasur parasysh që ky partizani serb (serbo-boshnjak) ka qëndruar në muajt shtator-tetor e nëntor në kullën e Berishës në vitin 1943, e kuptojmë arsyen e ndryshimit të ditëlindjes së Berishës. Ai është lindur në të vërtetë në 1 korrik 1944, por më pas e shënoi 15 tetor 1944….

Po ju them dhe këtë: Ndoshta Berisha i trembur nga ngjashmëria e tmerrshme që kishte me Radovan Karaxhiçin, i cili fati e kishte bërë të ishte i biri i një partizani serb nga Bosnja që ishte strehuar në kullën e Berishajve në Viçidol në atë vjeshtë të 1943-it…

Si është puna me të atin e Radovanit? Ai ka qenë një çetnik, por në fakt bashkëpunëtor i kundërzbulimit partizan të Titos, OZNA (pastaj UDB) që e përdori këtë të jatin e Radovanit për të futur në kurth çetnikët serbë pas luftës, sepse në atë kohë Tito po i luftonte çetnikët nacionalistë që i rrezikonin pushtetin. Ka dhe një fakt, kur ka filluar të merret me politikë Radovan Karaxhiçi, janë ngritur çetnikët që ishin në diasporë dhe i kanë thënë që babai jot (i Radovanit) ka futur në kurthin e UDB-së Drazha Mihajlloviçin, që ishte shef i çetnikëve dhe u pushkatua nga Titoja në 1946…”

Nga disa verifikime në internet, del se babai i Radovanit të lindur në 19 qershor 1945, Vuko Karaxhiç, vërtet ka qenë në fillim me çetnikët, dhe “në mënyrë të pakuptueshme më vonë kaloi me partizanët… Ai u martua me Jovankën 20 vjeçare në vitin 1943, me të cilën pati pesë fëmijë… Pas lufte bëri 5 vjet burg pastaj u lirua…”.



*   *   *





May 25, 2016

Izet Haxhia: Lidhjet e fshatarit Flamur Noka me UDB-në serbe dhe takimi sekret i Berishës në Krans Montana me ministrin e Brendshëm serb


Izet Haxhia ka reaguar në lidhje me dyshimet se Flamur Noka ka bashkëpunuar me UDB-në serbe.

Ai thotë se shumë politikanë shqiptarë, me në krye Berishën, kanë pasur lidhje me shërbimet secrete serbe.

Sipas tij, ka pasur tre grupime që i kanë shërbyer Serbisë, dhe bëhet fjalë për Tropojë, Shkodrën dhe Dibrën, grupime që kanë nxjerrë disa politikanë të rëndësishëm.

Haxhia tregon edhe një takim sekret të Berishës me ministrin e Brendshëm serb në Krans Montana të Zvicrës, mbajtur në 1992.

Ja çfarë shkruan Haxhia:

“Duke u nisur nga afera ‘Noka’ e dale ne media ditet e fundit, ne lidhje me nje ngjarje te fshatarit Flumur Noka me organet serbe te sigurise e inteligjenses, ngjarje e cila siç duket ka percaktuar fatin politik te mevonshem te ketij fshatari nga Novosej i Kukesit dhe karrieren e tij deri ne postin e ministrit te Brendshem, desha t’i kthehem diteve te para te krijimit te partise se pare opozitare PD dhe ardhjes se saj ne pushtet.

Pas marrjes se kontrollit te plote te PD nga “dhendri” i Serbise, filluan te mbinin ne postet drejtuese te kesaj partie njerez anonime dhe pa asnje kontribut ne kete parti apo si opozitare.

Filluan te forcoheshin disa grupime qe qendren e vetme kishin shtepine e agjentit te dyfishte, te sigurimit dhe UDB serbe, nderlidhesit te dhendrit te Serbise me keto sherbime, Bujar Hoxhes.

Te gjitha fijet dhe lidhjet e ketyre personave kishin nje rezidence te perbashket, qe ishte shtepia e rezidentit te UDB, Bujar Hoxha.

Nga kjo shtepi dolen emrat e atyre qe do të drejtonin PD dhe shtetin shqiptar.

Grupimi i pare ishte ai i Shkodres me drejtues Ferit Hotin, pa rekomandimin e te cilit nuk mund te beje karriere ne PD.

Eshte nje fakt i ditur dhe thene qe ne kohe te diktatures, që sherbimet sekrete serbe punonin nga tre kanale te ndryshme ne Shqipëri.

Njeri kanal ishte ai i Shkodres, i dyti ai i Tropojes dhe i treti ai i Dibres.

Dhe pika e bashkimit te tyre ishte rezidenti i UDB, Bujar Hoxha, mik i ngushte i dhendrit te Serbise dhe i vetmi qe dhendri i shkonte tek kembet orar e pa orar.

Nuk eshte rastesi qe nga tre keto linja agjenturore dolen drejtuesit kryesore te PD dhe me vone te shtetit shqiptar.

Nga Shkodra dolen Bashkim Kopliku, djali i halles se Ferit Hotit, Ali Spahia e te tjere.

Nuk eshte rastesi qe pikrisht ne Shkoder ndodhi dy prilli qe solli ardhjen ne pushtet te ketyre grupimeve agjenturore.

Grupimi i Dibres me ne krye Gazideden qe kishte lidhje te ngushta me sherbimet sekrete serbo- maqedonase. Pjestaret e ketij grupimi moren postet me te rendesishme ne qeverisjen e PD.

Dhe grupimi i fundit ai i Tropojes, qe me mbeshtetjen edhe te njeriut te sherbimeve sekrete serbe, Elez Biberaj arriti te vihej ne krye te ketyre grupimeve me dhendrin e devotshem te Serbise, Berishen.

Vete rrjedhat e mevonshme te zhvillimeve politike 25- vjecare treguan se sa me devotshmeri i kryen detyrat e dhena nga padronet e tyre ne Beograd, keta persona qe shkaterruan shtetin, pronat, futen percarjen krahinore e politike, futen korrupsionon e kriminalitetin ne shtet e çuan vendin drejt konfliktit civil, mbushen administraten e shtetit me agjente te dyfishte te sigurimit e sherbimeve sekrete te huaja.

Nuk eshte rastesi apo takım kortezie ai takım tre oresh ne Krans Montana te Zvicres, i dhendrit te Serbise me ministrin e Jashtem serb Jovanoviç, per rreth tre ore ne suiten e hotelit Golf ne vitin 1992.

Asgje ne keto 25 vite te tranzicionit te pafund ne vendin tone nuk eshte rastesi, as edhe ngritja deri ne postin e ministrit te Brendshem te nje idioti si Flamur Noka.

Çdo gje eshte e planifikuar me saktesi nga qendrat e sherbimeve sekrete te Beogradit, dhe zbatuar me devotshmeri nga kjo tufe tradhtaresh, me ne krye dhendrin e Serbise, Berisha”.


*   *   *

Një sprovë për të folur si Sali Berisha, për Sali Berishën


Kjo është një sprovë se si mund të shkruash një shkrim për Sali Berishën, duke përdorur fjalorin e Sali Berishës. Diareja mendore e tij nuk ka te ndalur. Duke share e shpifur, duke u bërë biografine kundërshtarëve, si mbeturine hoxhiste e diktatures, nuk le njeri pa marre ne goje e pa u shtremberuar emrat dhe mbiemrat. Nëse ketij burri do t’i vesh gjithe epitetet dhe sharjet per te tjeret, te perdorura ne Kuvend dhe në daljet publike, portreti itij do të duket një përbindësh, por ndryshe nga protretizimi që ai u bën kundërshtarëve, ky duket një përbindësh i besushëm. Gjithë fyerjet dhe sharjet e mëposhtme jan ënxjerrë nga fjalimet e tij.

Sali Bisha, ky bastard i rracës së pastër malësore, e ka nisur logorene e tij që kur u shfaq në politikë, pasi zbriti nga varka e Enverit në Drilon. E nisi me bashkëluftetaret e tij, në stilin enverist të mësuesit të tij shpirtëror, sepse ata kishin filluar te dyshonin në formatin e tij komunist. Gramoz Pashko u shpall “kontrabandist në hije i qeverise, që kërkon të bëjë 10 milionë dollarë dhe të largohet jashte”. (RD, ). Heroin e demokracise, Azem Hajdarin, e bëri leckë, si pijanec, “spiun, i graduar nga kolonel  Cupi”, “kontrabandist, hajdut, vrasës… terrorist dhe terrorizmit do t’i tregojme vendin”. (RD, ) Për Genc Rulin ” hajdut dhe dëmtues i imazhit të Partisë nga shpërdorimi i pushtetit, që nuk merr as votat e familjarëve te tij”; per Neritan Ceken, “bashkëpunëtor i sigurimit te shtetit, i dal nga ËC-ja e Ramiz Alise, i quajtur Neritan Aliaj).

Imami hipur mbi tank, si gjeneral i Zerves, për të pushtuar Tiranen, na del me vone ministri me idiot qe ka pare historia, “Arben Imami përfaqëson së pari një fyerje të rëndë për të gjithë shqiptaret, xhahil në këtë profesion…Kam patur rast të vizitoj edhe kurora absolute, por edhe në këto vende kam gjetur ministra të përgjegjshëm. Kurse këtu vendoset në krye të drejtësisë një i pavetëdijshëm, një njeri që është shquar gjithë jetën me aventurizëm dhe për mediokritet…”

Për të mos vazhduar me “Kacin e zi, spiuni i sigurimit në Francë, që bënte thirrje për thyerje kafkash demokratësh” dhe tani e thirri në krah, për nevoja personale. Për Sabri Godon e ndjerë, që “krijoi Partinë Republikane në zyrën e Ramiz Alise” dhe “kolonel i Sigurimit të Shtetit, që ndiqte bandat”… Dhe si i paturpshëm në infinit, tanimë derdh lotë krokodili në përvjerorët e Azemit, Pashkos, Godos…Si i thonë fjalës, të vret natën dhe të qan ditën, sipas njeriut të besueshëm në krah të tij, Izetit, që qeveria e prokuroria duhej të merreshin seriozisht me pohimet e tij publike.

Sali Qeni leh për ditë e për natë, sa herë sheh endrra me fantazma, duke vjellë gjithë psikikën e tij kunder Edi Rames dhe ministrit te tij të brendshëm Saimir Tahirit. Jo se kryeministri nuk gabon, jo se e ndrit me qeverisjen, por përbindëshi historik i Partisë nuk merret me keqqeverisjen dhe as me mbajtjen e premtimeve, po me banalitete te tipit ” me njftojne se “hengri me filanin e fistekun, beri orgji…”. Dhe përshkruan orgjinë me detaje, a thua se ishte vetë viktima e kësaj orgjie. Si legen e lavire shpif e shan Saimirin dhe policinë e shtetit, sepse kjo eshtë kolona kryesore e qeverisë dhe me rrëzimin e saj, mendon se e shemb krejt godinën. Po inati i tërbuar ndaj ministrit të brendshëm nis që kur i preu drogën e Lazaratit dhe e la si miu në vrimën e tij, që nxjerr kokën dhe skërmitet. Ndërkohë ky horr mendon se duke kërcënuar Saimirin, kështu duket i fortë dhe trim para të tijëve dhe kriminëlëve e banditëve, që e kanë mbajtur me të gjitha të mirat. Duke qenë se Saimiri me policinë janë tmerr i kësaj bande berishane, atëhere është e qartë pse sulmohet non stop një nga ministrat më të suksesshëm të qeverise.

Ky faqeshollë këpucësh që zbulon përgjuesit e policisë dhe sajon lloj-lloj intrigash, të cilat ia përplasi në surrat policia italiane, detyrohet të pranojë se edhe ai ka përgjuar, po vetëm me lejen e prokurorit të përgjithshem. Po cilit prokuror, lavires së bulevardit do t’i merrte leje ky? Që nuk e linte prokurorinë të bënte detyrën dhe i mbyllte të hetuarit prej saj në shpellën e tij kryeministrore? I kërkon kryeministrit të respektojë institucionin e presidentit, po cilit president? Horrit te bulevardit?

Kjo monster e politikës shqiptare niset me sloganin, shpif, shpif, se dicka do mbetet dhe si makinë baltosjeje bën pis këdo që i del përpara; politikanë, biznesmenë, gazetarë, katundarë…Po, si skuth që është, leh atje ku ndihet i sigurt, brenda Kuvendit, apo në vrimën e miut, në zyrën e tij. Dhe pasi shpreh tronditjen e thellë ndaj dhunës së Ramës me gazetaren intervistuese, pse i përmendi fëmijën, vetë si kapobandë, si padrino dhe si rrugac ordiner i hakërrehet gazetares që e pyet, “je zëdhënëse e krimit”. Gjeti gazetaren e urtë, se dikush tjeter, ia fuste mikrofonin në gojë, jo për ta gjakosur, po mbase e lezeton të mbajë gjë në gojë dhe te leh sa me pak.

Ky varkar i Enverit, që i mbante duart pa larë një javë, pasi i merrte analizën e shurrës së diktatorit, komunist njëqind karate, akuzon të tjerët për gjyshërit dhe dajot në Partinë e Punës, të cilët nuk kishin patur asnjë rast të dilnin në foto me Byrone Politike të kohës, apo të shetisnin me varkë me familjen e diktatorit. Më i pafytyri, më saktë, përdhunuesi i kësaj skene të ndyrë politike, pasi i quan të tjerët mafiozë, padrinjo, meduza të krimit, megahajdutë, vrasës, kur i vjen veza në b…, kërkon ndihmë, i thërret, struket në poturet e tyre dhe thith me kenaqesi erërat që qarkullojnë aty.

Ky vrasës gjakftohtë i katër qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit, merr guximin shvejkjan të flasë për dëkriminalizimin e politikës. Pika Muhamet, me kë bën muhabet. Sipas këtij idioti, Blendi Klosi, qe ka thyer katër shishe birrë në rrugë, duhet të largohet nga politika, ndërsa ky psikopati i Vucidolit, që theu katër jetë në bulevard, duhet të vazhdojë të lehë në skenën politike, ashtu i currufiasur dhe i marrë, sic është. Kësaj gjyshja ime i thoshte, të kesh dy b…, (jo dy Berishë) një ta cash, një ta mbash!



Shënim i nevojshëm: fjalët dhe shprehjet e përdorura, si legen, vrase, mafioz, bandit, psikopat, idiot, i pafytyre, faqeshollë si këpuca, lavire bulevardi, horr bulevardi, përdhunues, rrugac, mi, qen, përbindësh, bastard, monstër janë marrë nga fjalori i udhëheqësit histerik të PD-së në Kuvend dhe në daljet publike…Për etikë nuk i vesh familjes së tij, ato që thotë e shkruan për familjet e të tjerëveë megjithëse i ka shumë më keq se ata.

Skifter Cakalli

*    *    *



May 16, 2016

Triumf i Ermonela Jahos, shqiptarja fiton “Oscar”-in e operës botërore


Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, ka fituar Çmimin Ndërkombëtar të Operës nga votat e publikut botëror.

Ky çmim, që mund të quhet si “Oscar”-i i Operës Botërore, i është dhënë yllit shqiptar të muzikës operistike, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të zhvilluar të dielën në mbrëmje në Teatrin Savoy të Londrës.


Jaho e ka fituar këtë çmim në bazë të votave të publikut mbarë botëror. Në kategorinë e çmimit të dhënë nga publiku botëror, sopranoja shqiptare konkurronte me disa nga zërat më të bukur dhe më të njohur të operës botërore kontemporane, si  Joyce Didonato, Juan Diego Florez, Dimitri Hvorostovsky, apo Eva Maria Ëestbroek, etj.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve përfshiheshin çmimet për regjinë më të mirë,  dirigjentin më të mirë, këngëtarët e kategorive të ndryshme apo produksionet e teatrove nëpër botë.

Nomimini dhe votimi nga publiku botëror lihet me performancat e Ermonela Jahos gjatë tërë këtyre viteve, duke përmendur “Sour Angelica” në triptikun e Pucinit, apo edhe regjistrimin së fundmi të operës “Zaza” me  orkestrën simfonike të BBC në Londër. Këto performanca janë vlerësuar maksimalisht nga disa nga mediat më të njohura dhe me më influencë në botë si “Financial Times”, që sërish boton të hënën një shkrim për sopranon shqiptare, “Times” e Londrës, e shume media në mbarë botën.

Duke folur për Top Channel në Londër, pas marrjes së çmimit ndërkombëtar, Ermonela Jaho tha: “Jam shumë e emocionuar në këto momente. Falenderoj gjithë shqiptarët që votuan për mua dhe publikun që më ndjek në çdo anë të botës. Kushdo që përkushton gjithë jetën drejt pasionit të tij, është gjithmonë fitues”, deklaroi Jaho pas marrjes së çmimit ndërkombëtar.

Ky çmim për yllin shqiptar të muzikës operistike është i pari që një artist shqiptar merr në nivele të tilla kaq të larta, vlerësohet se çmim “Oscar” i muzikës operistike në botë.


*    *    *





May 6, 2016

Ismail Kadare: Ju tregoj arsyen e shpërthimit të Enverit ndaj meje per “Pashallarët”


Intervistë e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhënë gazetarit Dashnor Kaloçi pas publikimit të ditarit sekret të Enver Hoxhës me shënime për poezinë e tij “Pashallarët e kuq”, ku ai shpjegon ndjesinë që përjetoi kur lexoi dje ato dokumenta sekrete dhe jep versionin e tij rreth arsyeve që e bënë Enverin të egërsohej ndaj tij me akuza politike dhe fjalorin banal.

Pas publikimit që i’u bë dje në disa të përditëshme shqiptare të ditarit sekret të Enver Hoxhës, lidhur me shënimet e tij ndaj poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshme tashmë “Pashallarët e kuq” të shkrimtarit Ismail Kadare, që mban datën 20 tetor 1975, si dhe një letre te ish-kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu në adresë të Enverit, dokumente të cilat bëhen të njohura për publikun për herë të parë pas plot 41 vjetësh, si dhe interesit të madh të lexuesëve ndaj tyre, ne iu drejtuam për një intervistë shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, (i cili prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri), gjë së cilës ai iu përgjigj pozitivisht edhe në respekt të lexuesëve të shumë të veprës së tij. Në intervistën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, z. Kadare sjell në kohë atë ngjarje të largët të vitit 1975, duke dhënë kujtime, versionet, argumentet dhe analizat e tija, jo vetëm për incidentin e Enverit me Ramiz Alinë për shkak të poemës së tij “Pashallarët e kuq”, por edhe gjithçka tjetër ai di rreth saj. Si p.sh.: kush kishte dijeni për poemën që kishte shkruar, takimin me Ramiz Alinë pas porosisë që atij i kishte dhënë Enveri, pyetjet provokative të Ramizit ndaj tij në prezencë të 20 personave dhe si iu përgjigj ai, marrëdhëniet e Kadaresë me Dritëro Agollin dhe bisedat e tyre kundra regjimit, dyshimet se kush ka qenë i interesuar që të zhduk dy faqet e para të letrës së Mehmet Shehut, etj etj.

Zoti Kadare, a keni pasur dijeni se në ditarin e tij personal që ne po e publikojmë për herë të parë, diktatori komunist, Enver Hoxha ka shkruar plot 11 faqe për ju, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç është njohur ndryshe “Pashallarët e kuq”?

“Jo, nuk e kam ditur. Kam dëgjuar pëshpërima për ditarin e tij, por për asgjë të saktë nuk kam pasur dijeni”.

Nuk është e vështirë të merret me mend tronditja e autorit (në këtë rast e juaja), kur lexon, qoftë edhe me kaq vite vonesë, këtë lumë akuzash, të shprehura kaq ashpër prej njeriut që drejtonte Shqipërinë dhe që kishte në dorë fatin e gjithkujt? A mund të na thoni diçka më tepër?

“Natyrisht. Askush nuk mund të thotë se mund të lexojë me gjakftohtësi një tmerr të tillë. Ajo që do të shtoja në këtë rast është se sado që të përfytyrohen saktësisht lemeritë e rendit komunist, ato kanë qenë më të rënda se çdo përfytyrim. Është kjo arsyeja që shprehjet: zbulimi i të vërtetës për krimet e kohës, hapja e arkivave dhe e dosjeve me të cilat veshët tanë janë mësuar ndërkaq, kanë një ngarkesë shumë më të madhe nga ajo që duket në shikim të parë. Është përsëritur shpesh se pas rrëzimit të një diktature, çlirimi i ndërgjegjes prej kujtesës dhe peshës së saj është akti më i ngutshëm, për të mos thënë, më shpëtimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Kështu është thënë, por fatkeqësisht kjo nuk është bërë”.

Cila mendoni që është pjesa më delikate që e ka acaruar veçanërisht E. Hoxhën? Apo ndoshta ka qenë krejt poezia?

“Mendoj se pjesa më acaruese e vjershës kanë qenë vargjet për “duart e përgjakura”. Ato u morën si për duart e përgjakura të zyrtarëve të shtetit e të Partisë. Duart me gjak janë gjëja kryesore që një diktaturë ka frikë t’ia kujtosh. Kam kujtuar mendjelehtësisht se fjala “burokratët”, do të më mbronte vetvetiu prej kuptimit të rëndë të këtyre vargjeve. Por Ramiz Alia, në një nga pyetjet e tij, që më bëri përpara njëzet vetave, në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ishte pikërisht kjo: na shpjego pak, ç’janë këta burokratë, domethënë, këta zyrtarë me duar me gjak? S’kam ditur ç’të përgjigjem, veç kam ngritur supet, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë “s’e di”. E ndjeva që isha zënë ngushtë dhe s’më mbetej gjë tjetër veç të pranoja se kisha gabuar”.

Është folur disa herë për autokritikën tuaj në sensin negativ. Disa nga detraktorët tuaj, kanë shprehur qëndrim kritik ndaj saj, por pa e sqaruar përse. A mund të na jepni ju vetë, një shpjegim?

“E kam dëgjuar këtë dhe më ka ardhur për të qeshur nga mungesa e plotë e logjikës në këtë rast. Çështja ka qenë e thjeshtë: një shkrimtar (në këtë rast, unë), akuzohet se në një vjershë të vet ka goditur shtetin komunist, partinë, marksizëm – leninizmin, diktaturën e proletariatit e gjithë ato që vijnë pas. Shkrimtari përgjigjet se e pranon akuzën. Madje, ai përsërit me radhë shtetin, partinë, diktaturën, marksizmin etj., madje arrin gjer atje sa të saktësojë se “armën që Partia ia dha për të goditur armiqtë, ai e ktheu kundër Partisë!”

Të gjitha këto akuza, bashkë me tekstin e autokritikës dihen botërisht. Ajo që nuk arrij të kuptoj është se ku qëndron gabimi këtu? Shumë shumë ky shkrimtar mund të quhet mendjelehtë dhe fare i papërgjegjshëm që flet kështu.

Ta marrim nga një anë tjetër: si do të ishte qëndrimi i tij i kundërt, domethënë “i mirë”? S’mbetej tjetër veçse ai të mos pranonte asgjë. Me fjalë të tjera, të thoshte se ai nuk e ka goditur aspak shtetin, partinë, marksizmin etj. Përkundrazi, është gati të japë jetën, t’i thyejë duart e kokën për to etj., etj.

Përvoja e terrorit komunist i njeh të dy versionet, që ndahen në; “e pranoi fajin” ose “nuk e pranoi fajin”. Në raste të ndryshme ato marrin kuptime të ndryshme, krejtësisht të kundërta, për mirë ose për keq.

Shkurt, pranimi i gabimit, në rastin për të cilin flasim, s’ka ndonjë gjë të keqe, në kuptimin e kujdesit të tepërt, të frikës etj. E keqja e vetme mbetej rrezikimi im si person.

Sa për arsyen përse e mbajta këtë qëndrim të pakujdesshëm, nuk mund të them se e kam krejt të qartë sot. Ka gjasë që një bisedë e një nate përpara me Anastas Kondon, sekretarin e partisë, i cili ishte dashamirës, u bë shkak. Ai ishte i dëshpëruar dhe më tha haptas se kishte frikë se nuk do ta kaloja dot. Ai shtoi se ndoshta mund të ndodhte ndonjë mrekulli dhe mbase autokritika ime tepër, tepër e sinqertë, mund të më shpëtonte. Me sa dukej interpretimi im i fjalëve të tij, më shtyu drejt atij “hipersinqeriteti”. Më vonë, kur teksti i autokritikës m’u sekuestrua bashkë me vjershën dhe m’u kërkua që të mos ia tregoja askujt, më shkoi në mendje se kjo hynte ndoshta në metodat djallëzore të tyre. Ata mbanin prej teje një tekst të rrezikshëm që mund të përdorej kundër teje në çdo çast. Kjo me sa dukej iu jepte qetësi”.

A mendoni se dërgimi i vjershës në Komitetin Qendror dëshmonte për ekzistencën e një paragjykimi ndaj jush?

“Nuk mendoj se dërgimi i vjershës në Komitetin Qendror, ka qenë ndonjë gjë e pazakonshme. Në praktikën e botimeve kjo ndodhte shpesh për dyshimin më të vogël. Vjersha zgjonte dyshime të tilla. Me sa më kujtohet, unë vetë, për të mos e shqetësuar, nuk ia tregova gruas time, Helenës, se po e çoja në shtyp. S’duhet harruar se në atë kohë çdo krijim letrar kishte dy faza të rëndësishme: e para, vetë shkrimi, e dyta, botimi. Ky i dyti ishte edhe më delikat. Në prag të tij, qëllonte që autorët bënin ndryshime për të shmangur rrezikun. Merret me mend që ndryshimet dëmtonin shpesh nivelin artistik. Më kujtohet se në tekstin e kësaj vjershe kam bërë ndryshime gjer në minutën e fundit. Megjithatë, nuk arrita ta shmang të keqen”.

Në ditarët e Enver Hoxhës përmendet emri i kryetarit të Lidhjes, Dritëro Agollit. Është folur dhe vazhdon të flitet disa here për acarimet midis jush. Në përgjigjet ndaj gazetarëve shqiptarë, por edhe përpara të huajve, ju keni mohuar se keni pasur grindje me Agollin. Nisur edhe nga ky episod i kësaj vjershe a mund ta konfirmoni prapë një gjë të tillë?

“E konfirmoj pa asnjë mëdyshje. Së pari, lidhur me episodin e vjershës, për të cilën po flasim, nga letra e Enver Hoxhës nuk del askund se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ramiz Alia, të cilit iu dërgua vjersha, kanë kërkuar dënimin e saj. Përkundrazi, të dyja instancat, sidomos Ramiz Alia, kritikohet rëndë për mungesë vigjilence ndaj vjershës.

Lidhur me marrëdhëniet e mia me Dritëro Agollin, këtë e kam bërë të qartë gjithmonë përpara opinionit publik shqiptar dhe atij europian. (Për këtë të fundit e kam fjalën sidomos për një intervistë të gjerë dhe shterruese me Stefan Kurtua, autorin e “Libri i zi i Komunizmit”, që çmohet gjithkund si eksperti më i madh për shpjegimin kritik të komunizmit botëror).

Ne të dy, Dritëro Agolli dhe unë, kemi qenë për një kohë tepër të gjatë shokë të ngushtë. Të ishe shok i ngushtë me dikë në atë kohë, do të thoshte që midis jush të mos kishte sekrete politike. Ne kishim mendime pothuajse të njëjta kritike ndaj regjimit komunist, në Shqipëri dhe në botë. Në radhë të parë, kundër stalinizmit dhe gjithçkaje që lidhej me të. Kjo vazhdoi prej fundit të viteve ’50, gjatë gjithë viteve ’60 dhe deri në fillim të viteve ’70, kur Dritëro Agolli u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pas kësaj ngjarjeje, bisedat tona politike vetvetiu u rralluan, por aspak në mënyrë dramatike. Rrallimi ishte i natyrshëm nga të dy anët, madje mund të quhej një mirëkuptim i heshtur, për të mos e vënë në pozitë të vështirë njeri tjetrin. (Si kryetar Lidhjeje ai më ka kritikuar disa herë, por unë jam përpjekur ta marr këtë si një kritikë të detyrueshme prej pozitës së tij.)

Kisha një shpresë të brendshme se ai ruante mendimet e mëparshme. Kureshtja për një gjë të tillë, më ka shtyrë, siç e kam treguar, që në vitin 1983 kur u gjendëm të dy, vetëm për vetëm, në një kafene të Parisit, të rihap një nga bisedat e vjetra delikate dhe të rrezikshme. Gëzimi im ishte i madh kur shpresa ime u vërtetua. Biseda jonë u zhvillua sikur të ishte vijim i bisedave të vjetra. E botova këtë bisedë më vonë në shtyp, i bindur se po i bëja mirë dhe ai e pranoi atë fakt aq delikat.

Shkurt, ky ishte thelbi i të vërtetës për marrëdhënien tonë. Ajo që më habit sot është se ka mjaft njerëz që nuk u pëlqen kjo e vërtetë pajtuese, por e kundërta e saj. Ata gjuajnë gjithkund për të kërkuar grindje dhe mohim. Për fat të keq, kjo rendje pas së keqes është bërë sot modë në Shqipëri. Ajo është pjesë e çoroditjes morale , e kaosit të mendimit, i cili gjëndet shpesh në rrënjët e çdo lloj kaosi.

Ka kohë që Shqipëria ka nevojë të ngutshme për të kundërtën”.

Nga shënimet e Enver Hoxhës shpërthen një zemërim i jashtëzakonshëm. Mendoni se ky ka qenë një çast i rrallë, i nxitur nga kjo vjershë, apo tregon një mungesë besimi të përhershme ndaj shkrimtarëve?

“Pyetja është shumë e vështirë nga që ka të bëjë me dredhitë e një tiranie, qoftë tek ne, qoftë në vendet e tjera të kampit socialist. Ato kanë qenë të pafundme, duke shkuar nga lavdërimet e tepruara për shkrimtarët tek dënimet më mizore e të pamëshirshme ndaj tyre. Rusia sovjetike ka qenë shembulli i parë. Sublimimi i Maksim Gorkit, nuk i pengon sot shumë studiues të dyshojnë se ai ka vdekur i helmuar pikërisht prej atij regjimi që e sublimonte.

Tek ne në Shqipëri, ka një prirje për t’i rënduar më shumë se ç’duhet shkrimtarët dhe artistët. Natyrisht që ata kanë përgjegjësinë e tyre për pjesëmarrjen në atë mbrapshti famëkeqe që quhej realizëm socialist, por veprimtaria e tyre, sado e dështuar të ishte, nuk mund të krahasohet kurrë me krimet themelore: torturat, burgjet, internimet. Me vjersha e romane të dobët është mbushur bota, por ato s’kanë sjellë kurrë fatkeqësi si krimet klasike që u përmendën më lart. Prandaj, prirja për të bërë krahasimin midis tyre nuk është përveçse një alibi e tërthortë në favor të krimit shtetëror diktatorial. Një përgjigje e plotë për pyetjen tuaj do të ishte e mundur vetëm pas hapjes së plotë të arkivave të fshehta”.

Nga letra që ish kryeministri Mehmet Shehu i ka dërguar Enver Hoxhës, lidhur me vjershën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, mungojnë dy faqet e para, të cilat janë zhdukur dhe nuk gjenden askund. A keni ndonjë mendim për arsyen e kësaj zhdukjeje?

“Duke pasur parasysh se kjo letër është ruajtur në arkivin e gruas së Enver Hoxhës, kemi të drejtë të mendojmë se dy fletët e para, janë hequr prej të afërmve të Hoxhës, pra të vetë gruas. Ka gjasë që veprohej kështu me materialet tepër komprometuese, të cilat duhet të zhdukeshin pa asnjë gjurmë.

Në këtë rast, teksti i letrës është i Mehmet Shehut, por është jashtë çdo logjike, që ndaj këtij të fundit të tregohej ndonjë kujdes për të shmangur pjesët turpëruese, siç ka qenë një zakon i njohur i gjithë tiranive. Problemi, me sa dukej, ka qenë gjetkë. Po të shihet me kujdes letra është vërtet e Mehmet Shehut, por në fillimet e saj kuptohet se është cituar gjerësisht Enver Hoxha. Pra frazat e zhdukura mund të jenë të shefit kryesor. Ato duhet të kenë qenë aq të rënda, sa që besnikët e tij (gruaja vetë), mund t’i kenë gjykuar se nuk përputheshin me imazhin e tij “aq humanist”, sidomos kur bëhej fjalë për diçka të fisme si poezia”.

Nga përplasja e regjimit tiranik me artin dhe letërsinë, a është e mundur që arti të thyhet? Pas incidentit për të cilin folëm, a e ndjetë ju vetë këtë rrezik?

Arti është shumë më i fortë se ç’duket. Historia e njerëzimit nuk njeh raste të kundërta. Njerëzit me pushtet, të çdo lloj regjimi qofshin, të dehur pikërisht prej pushtetit, iu pëlqen t’i përfytyrojnë poetët dhe artistët si krijesa që mund të gabohen lehtë. Sipas një mendimi fare të cekët të Karl Marksit, poetët kanë nevojë të përkëdhelen, që të krijojnë. Ky mendim që citohet ende sot mendjelehtësisht, është po aq larg të vërtetës, sa shumë thëne të tjera gjysmëfeudale për artin.

Lidhur me pasojat e incidentit, për të cilin folëm, ndryshe nga ç’kam kujtuar në fillim, mendoja se nuk ka luajtur ndonjë rol në krijimtarinë time të mëvonshme. Nuk po them se më bëri mirë, por po aq nuk guxoj të them se më bëri keq. Njëfarë kohe pas tij, krijimtaria ime letrare nuk pësoi ndonjë ndryshim në kuptimin e pranisë së kooperativave ose e personazheve pozitivë e optimistë nëpër uzina. Përkundrazi, ajo u zymtua e u ashpërsua edhe më fort. Nuk po zgjatem, por po kujtoj se romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” e kam shkruar pikërisht pas ngjarjes”.

P.S. (Dënimet e shkrimtarëve shqiptarë si Genc Leka, Blloshmi dhe Havzi Nela)

Ditari sekret, disa nga akuzat e Enverit ndaj Kadaresë

Kjo vjershë është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia, të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë.

Ismail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk egziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brënda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksiste-leniniste të Partisë janë fallco.

E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide anti-revolucionare, anti-marksiste, anti-parti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vëndin tonë. Sipas tij regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë por nga baza”.

Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste.

Ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vëndin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të super-strukturës dhe e quan një bllof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”.

Ky poet korbash thotë se “Topa, hymne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua.

Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj etj”.

Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur.

Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e fallsifikuar dhe aspak egzakte. Është e qartë se Kadareja është kundërevolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe

shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vëndin tonë në veçanti.

Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë.

Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë, ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh, se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta.



*    *    *






Pse nuk qesh o rob Zoti?


fb.com/bledi.mane

instagram.com/bledimane

Mbylla deren e dhomes lehte te mos beja zhurmen tipike te mysafirit qe largohet. Ne kubene e ashensorit qe zbrisnin ne holl me mua edhe 4 gra te veshura me burka te zeza. U dukeshin vetem syte por lexoje kollaj perzemersi. Parfumet e tyre shkembenin aromat me njeri-tjetrin dhe atmosfera orientale te peshtjellonte. Drita e verdhe e ashensorit pulsoi numurin zero e ndersa dera u hap, grate me lejuan te dilja une i pari me bagazhet e mia. Shukren-ua ktheva respektin duke folur ne gjuhen e tyre dhe te gjitha qeshen vetem me syte.

Ne sportel u bene burokracite e rastit dhe pasi dorezova celsin nje pershendetje ne 5 zera te ndryshem me falenderuan. Mirardhsh perseri-ma kthyen anglisht dhe veshtrimet e atyre vajzave e djemve te sportelit me percollen deri te dalja. Afshi qe leshonte perjashta dielli i Gjirit Persik me perkedheli per here te fundit ndersa shoferi i taksise qe priste me automjetin e kuq ndihmoi sa mundi.

Qeshi, me foli perzemersisht dhe me mbylli edhe deren e pasme. Rojet e sigurise se hotelit qe qendronin para hyrjes valviten duart e tyre ne ajer dhe nga xhami i deres se pasme ua lexova mes buzeve fjalen “Rruga e mbare”.

Ishte dita ime e fundit ne Dubai dhe gjate rruges per ne aeroport tek sodisja qytetin futurist dukej sikur po lija pas dicka qe nuk do e gjeja dot kollaj ne vendin tim. Edhe ne aeroport fytyra qe qeshnin, mikpritje, sherbime ekselente dhe keto stolira nuk me munguan as ne bordin e aeroplanit te Emirates. 6 ore nga kontinenti Aziatik drejt Evropes ishin 360 minuta njerezore me respekt dhe qeshje.

Fytyra te qeshura pa fund nga gjithe stafi i kompanise. Nderkohe tranziti ne aeroportin e Romes fatmiresisht nuk ishte i gjate dhe papertuar u shfaqa ne hyrjen e fluturimit per ne Tirane. Nata laciane e Fiumicinos dukej sikur kontraversonte gjendjen time shpirterore dhe mendore qe solla nga shkretetira plot jete e Dubait.

Edhe sikur te kisha ngaterruar fluturimin ishte e lehte ta kuptoje se po shkoje ne Tirane. Pasagjere te cuditshem!-mendova tek shikoja fytyra te vrenjtura. Asnje nuk qeshte te gjithe shikonin te gjithe venger e plot egersi. Veshtrimi fillonte nga cantat dhe porsi 3D perfundonte te bythet e grave. Autobuzi na. Coi shpejt ne aeroplanin e Alitalias. Zhurma tipike e sistemimit te bagazheve neper raftet siperkoke kishte tingull tjeter dhe me te forte. Kesaj here edhe kompania Alitalia kishte bere kompromisin e rradhes. Stafi i saj me katastrofe se pasagjeret. Rende pasagjeret, rende stjuardesat. Vrenjteshin pasagjeret, arrogante stjuardesat.

Me naten mbi krye dhe dritat e Romes poshte kembeve u nisem drejt Tiranes. Edhe ta kishe porositur nuk do ishe kaq me fat. Nje vocerrak qante shqip ndersa e ëma i bertiste italisht. Sado birra te pije nuk te dalldisnin dot me shume se muhabetet me ze te larte dygjuheshe te pasagjereve dhe per tiu largua mjedisit minimalist te aeroplanit shpetimi yt eshte tia fusesh nje shurre e te rrish pak gjate vetem ne tualetin andej nga fundi. Por kur cohesh dhe ecen drejt te vetmit korridor ne aeroplan, edhe dehja spontante anallohet, edhe shurra te mbetet pezull ne gurmazin e fshikesez se urines. Nga te dy krahet forma te çuditshme kokash dhe fytyra te vrenjtura qe te shohin sikur po parakalon veshur me breket e Bleona Qeretit qe pataksi Kalifornine 2 vjet me pare. Mire ne toke por as ne ajer nuk qeshin shqiptaret?

Rinasi ne mesnate eshte nje melodi e trishtueshme. Pasagjeret shqiptare qe shtyhen kush te vulose i pari pasaporten e tij dhe fytyra policesh qe duken ashiqare qe partite ne pushtet i kane sjelle nga rrethet per qoken e rradhes.

Mynxyre udhetimi, mynxyre edhe pritja. Fytyrat e te gjitheve neve jane stampuar model serie dhe rrudhat qe fillojne nga balli e derdhen deri poshte qafes nuk njohin as moshe, as krahine e as gjini.

-Ku ishe, te pyet polici arrogant dhe zeri i tij me timber Laberie deperton nëpermjet frengjise se xhamtte te sportelit. Ti i mermerit i drobitur nga fukarralleku shpirteror dhe facial e pasi degjon nje goditje vule mbi pasaporte e merr shkujdesur dhe hyn ne Atdheun tend.

E paevitueshme te lexosh ngjitur ne sportelin e policit nje leter me germa te ndezura: “Une ministri i Rendit Sajmir Tahiri ju kerkoj te mos hezitoni per cfaredolloj shqetesimi te me telefononi ne numurin tim personal 0682052748 “.

Ndal nje moment dhe bej te nxjerr telefonin e ti flas me ze te larte ministrit Tahiri:

-Ej minister, ej rilindas pse nuk i arreston keta shqiptaret qe s’dine as te sillen e s’dine as te qeshin?

Kthej mendje dhe vazhdoj rrugen. Cfare me duhet te trazoj ujerat? Sipas statistikave ministri duhet te arrestoje 3 milione shqiptare. Ku kane vende burgjet tona per kaq shume kriminele? Po gardiane e rroje kush do jete valle?



*    *    *