September 27, 2013

Vizite Zyrtare ne USA



Kthejeni në shtëpi 


“Raxh Kapurin” tonë!



Nga Mero Baze

Bujar Nishani ka më shumë se një javë që ka ikur në SHBA. Nuk është se i duhet dikujt këtu, dhe as që ka lënë ndonjë boshllëk, por udhëtimi i tij mbi njëjavor në diasporën shqiptare në SHBA, duhet të marrë fund për arsye etike. Dhe nuk e kam fjalën për gjendjen e tij shëndetësore, që nuk i mundëson një luks të tillë të bredhë nga një restorant shqiptar në tjetrin. E kam fjalën për sëmundjen e tij të vjetër, atë të ushtarit politik të Sali Berishës, që e ka detyruar në atë gjendje të rëndë shëndetësore që është, të udhëtojë derë më derë shqiptarësh në SHBA që të duket se dhe ai ka qenë në SHBA njësoj si Edi Rama.

Është e qartë se sesioni i zakonshëm i OKB në muajin shtator kishte të ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Vetë Presidenti është nxituar me sa duket muaj më parë gjatë verës, kur Berisha ishte ende në zyrë dhe nuk është përfshirë në delegacion. E ka pasur të lehtë të përfshihej pasi aty shkojnë dhe presidentët.

Por javën e parë të shtatorit, kur Berisha doli nga zyra dhe ka menduar udhëtimin e Edi Ramës në Nju Jork, e ka detyruar Presidentin të niset dhe ai për në SHBA për të dubluar dhe ai vizitën e Kryeministrit. Nëse i hedh një sy protokollit të vizitës së Bujar Nishanit në SHBA, e kupton se ai është një protokoll i hartuar me urgjencë dhe telefon nga Sali Berisha. Protokolli i tij dominohet nga pritja tek shoqata Vatra, pastaj vazhdon me dreka dhe darka shqiptarësh, të cilët emërtohen një herë biznesmenë, pastaj patriotë, pastaj arsimdashës, pastaj politikanë, pastaj diasporë… e kështu me radhë. Fjalimet e tij po ashtu janë qesharake nga takimi në takim, dhe mesazhet vulgare, pasi janë të dyzuara mes porosive që i jep Berisha në telefon dhe zorit që ka t’i thotë tamam porositë e tij para atyre shqiptarëve që u ka zënë derën nga mëngjesi në darkë.

Ky është një udhëtim i sikletshëm. I sikletshëm jo vetëm se Presidenti ynë nuk e ka të lehtë të hipë e zbresë nga makina, avioni apo shkallët e restorantit, por dhe të sillet si President në kafene shqiptarësh. Diaspora jonë në SHBA nuk ka ndonjë hall aq të madh dhe as ndonjë ngjarje jubilare të madhe që të presë një javë kafe më kafe Presidentin tonë. Dhe ata janë njerëz me halle e punë dhe kanë telashet e tyre. Nuk ka pse u shtojmë dhe një telash më shumë, të presin një tip që shëtit me paterica vetëm për t’u dukur sikur ka ikur në SHBA.

Ata po ashtu nuk kanë nevojë të madhe të dëgjojnë fjali të tipit “që një qeveri të jetë e mirë, duhet të punojë”, që “shteti ka nevojë për reforma” apo broçkulla të ngjashme. Ata kanë nevojë të shikojnë Shqipërinë si një vend normal, ku ata shpresojnë të jetojnë mirë të afërmit e tyre.

Presidenti ynë, i pafuqishëm për të kundërshtuar dhe ish- Kryeministrin që e ka dërguar “bedel” për të dubluar një vizitë zyrtare të Kryeministrit dhe takimet e tij, duhet të kthehet urgjent në Tiranë, ose të marrë telefonin, të thërrasë Edi Ramën dhe t’i bashkohet delegacionit të tij për t’u bërë njeri dinjitoz. Edi Rama nuk e ka bezdi të presë dhe një biletë më shumë për Bujar Nishanin meqë gjendet në SHBA dhe ta marrë me vete. Nuk i kushton gjë as ta merrte në OKB dhe në takimet e tij me nivelet më të larta të politikës që ka bërë në SHBA. Ai për fatin tonë të keq është presidenti ynë dhe kur poshtërohet kështu rrugëve, ndjehemi të gjithë të fyer. Për këtë arsye ai duhet të kthjellohet dhe të kuptojë se Sali Berisha ka ikur nga pushteti dhe nuk ka pse i frikësohet ende. Ai duhet të çlirohet dhe të sillet së paku si një njeri normal, i cili nëse ka dëshirë të shkojë në SHBA, mund të shkojë bashkë me delegacionin zyrtar të Shqipërisë. I ikur vetëm si klandestin, dhe duke shëtitur nga një restorant qoftesh në një piceri, dhe duke përfunduar në çajtoret e shqiptarëve në Detroit, duke folur për politikën shqiptare, ai na bën qesharakë të gjithëve.


Edhe pse ka probleme shëndetësore, që mund t’i kenë prekur dhe trurin, dikush duhet t’i kujtojë se është Presidenti i Shqipërisë dhe nuk ka pse sillet rrugëve si halabak. Kthejeni në shtëpi të qetësohet dhe të ndërpresë këtë udhëtim banal alla “Raxh Kapuri” me trasta në krah. Kthejeni në shtëpi dhe hiqjani frikën që ende nuk i del nga Sali Berisha. Kthejeni në shtëpi mes të tjerash të mos llomotitë rrugëve duke gënjyer akoma siç e mëson Sali Berisha, kur thotë se në Presidencë ka staf me bindje politike të ndryshme, ndërkohë që nuk ka asnjë njeri që të ketë mendime të ndryshme për Berishën dhe Lulin. Ka hequr andej dhe pastrueset e Bamir Topit, i cili në shumicë e kishte stafin me njerëz të PD-së. Kthejeni në shtëpi të mos dëgjojmë gënjeshtrat që i dërgon Berisha me sms dhe që e kthejnë debatin real politik të Shqipërisë në një çështje kafenesh në SHBA. Le të vijë t’i thotë para nesh ato gjëra nëse nuk ka turp. Po së paku të qetësohet dhe të rehatohet në shtëpi të vet pasi të flasë. Ka mbi një javë që po rropatet rrugëve dhe nuk e lënë të kthehet pa u kthyer Edi Rama. Dikush duhet të merret seriozisht me fatin e tij, dhe sidomos imazhin e Presidentit të Shqipërisë, i cili po bëhet si “Raxh Kapuri” i filmit të famshëm indian, në kërkim të fatit rrugëve të SHBA.

                                                     *   *   *




September 25, 2013

Në Litar

Korrigjim Shënjestre



FOTOT provokuese të Berishës 

përpara litarit…

Gazeta Dita, e njohur për titujt e saj provokativë, ka sjellë disa foto në versionin e saj në print, ku ish- kryeministri Sali Berisha qëndron përpara një litari.

Fotot janë realizuar nga fotoreporteri Franc Zhurda disa vite më parë, por nuk janë botuar deri më sot.

Ato janë realizuar në një ekspozitë të titulluar “Atmosfera e viteve ’90”.

Vetë Zhurda e kujton kështu momentin e realizimit të fotove: “Doja të fiksoja pamjen e tij përpara litarit. Pak a shumë në foto e kam dhënë këtë, por në momentin kur koka do korrespondonte me lakun, sigurisht në largësi, një bodigard mu afrua dhe më shtyu, dhe unë nuk arrita të bëja dot foton finale. Por edhe këto që kam shkrepur e japin idenë dhe besoj janë foto që flasin”