Supermbesa rrëfen marrëdhënien me gjyshin Sali
Berisha dhe u përgjigjet kritikave:
“Any publicity, is good publicity”
Mbesa e ish-kryeministrit Sali Berisha ka
dhënë një intervistë sot për gazetën “Koha Jonë” ku rrëfen punën me
librin“Guidë për lëndën e Letërsisë”, promovuar pak ditë më parë. “Supermbesa”,
siç është cilësuar në media ditët e fundit Dasara Malltezi, u përgjigjet
pyetjeve mbi komentet në rrjetet sociale, mbi marrëdhëniet me gjyshin e saj,
Sali Berisha, por edhe mbështetjen e tij në këtë sipërmarrje. “Ideja më erdhi krejt rastësisht. Kuptova se
nuk po bëja diçka të veçantë me jetën time, nuk po bëja gjëra që do të më
ndihmonin të arrija synimet e mia në jetë dhe mendova të bëja këtë libër.
Shtysa kryesore ishte dhe fakti që unë e mora këtë si një sfidë me veten, sa e
aftë isha unë t’ia dilja vetë... Për librin, periudha e studimit dhe e
mbledhjes së materialit ka qenë viti i fundit i maturës, ku unë mësoja dhe
shënimet i kisha personale, pa menduar ndonjëherë për t’i botuar, ndërkohë për
librin kam punuar që nga dhjetori, pra diku të 3-4 muaj më parë. Pritshmëria
ime ishte për diçka tjetër dhe kurrë nuk e prisja këtë lloj reagimi. Ka kaluar
çdo pritshmëri dhe më bëhet vërtet qejfi” shprehet Malltezi ndërsa flet për
punën e bërë me librin e botuar pak ditë më parë.
E përsa i përket komenteve në rrjetet sociale,
ku nuk kanë munguar as kritikat ajo shprehet se: “komentet negative më pëlqejnë
shumë. Në fund të fundit çdo koment të jep një lloj informacioni, por komente
negative me prapavijë politike as nuk më bëjnë fare përshtypje. Të gjykosh
librin nga kopertina në kuptimin e plotë të fjalës! Pra të gjykosh një libër të
tërë, gati 200 faqe nga përdorimi i një fjale të vetme (që është mbiemri im)
tingëllon absurde”. Duke pranuar se libri i saj ka ngjallur mosbesim dhe
debate, Malltezi thotë se “Any publicity, is good publicity” (çdo lloj reklame,
është reklamë e mirë)”. Ndërsa përsa i përket raporteve me gjyshin e saj, Sali
Berisha ajo thotë se nuk e ka parë atë asnjëherë si kryeministër, deputet, apo
politikan. “Gjithmonë për mua ka qenë gjyshi. I vetmi dallim është që tani e
takoj shumë me shpesh dhe jam tmerrësisht e lumtur për këtë gjë” vijon ajo.
Ndërsa përsa përfshirjes në politikë, Malltezi thotë se për momentin nuk e ka
një ambicie të tillë. “Synoj tek biznesi, por nuk di të flas për të ardhmen e
largët” thotë ajo.
imazhe shqip
* *
*