i PD
Për tradhtarët e 22 Marsit
Nga Mero Baze
Jozefina Topalli dhe Genc Pollo, për koinçidencë janë dy njerëzit më të rëndësishëm të ekipit të Sali Berishës, me të cilët filloi opozitën e tij në vitin 1997. Në këtë prag opozite të re, ata u shfaqën sërish njëri pas tjetrit, duke sulmuar ambasadorin e SHBA në Tiranë. Me pak ndryshime stilistikore, përmbajtja e dy deklaratave të tyre ishte e gjeneruar nga një dorë. Shihet qartë që Sali Berisha ka urdhëruar një sulm ndaj ambasadorit të SHBA në Tiranë. Disa media rrotull tij po ashtu po bëjnë të njëjtën gjë.
Që sulmohet nga politikanët ambasadori i SHBA, nuk është ndonjë lajm. Çdo politikan ka të drejtën e vet të polemizojë dhe me ambasadorët, sidomos në Shqipëri, ku ata janë shumë prezentë në jetën politike. Biles, këtu e bezdisshme është ana tjetër e medalies, servilizmi i shpifur i çdo politikani ndaj ambasadorëve, që bezdis dhe vet ambasadorët.
Por, në rastin konkret sulmi ka ngjallur dy debate.
Debati i parë është se kush po e dirigjon sulmin? Jozefina Topalli dhe Genc Pollo janë dy figura të vjetra në PD, por të vetmit që i janë bashkuar lidershipit të ri të Lulzim Bashës. Pollo e bëri këtë gjatë fushatës fallco të Bashës për kryetar, ndërsa Topalli e bëri sapo fitoi, nën garancitë e Berishës që do jetë e përfillur në ekipin e ri. Për këto arsye, por dhe logjikën formale se tani Partia Demokratike ka një kryetar të ri, lajmi është që Lulzim Basha ka nisur opozitën duke i vënë kufirin tek thana ambasadorit amerikan.
Por, shumica e komentuesve dhe publikut mendon se pas sulmit nuk është Basha, por Berisha, çka e rikthen debatin tek pyetja nëse PD ka një kryetar të ri, me politikë të vjetër, apo një kryetar të vjetër, që po i dikton politikën kryetarit të ri. Është shumë e besueshme që është kjo e dyta, që kryetari i vjetër po dikton politikën e kryetarit të ri. Kjo, dhe për vet faktin se megjithëse sulmet kanë qenë shumë të ashpra dhe të vrazhda për 24 orë, kryetari i ri i zgjedhur nuk është bërë i gjallë, dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë mbështetëse apo mohuese ndaj Topallit dhe Pollos.
Pra, deklaratat tregojnë një situatë dhe më të rëndë, situatën që ende nuk kemi një kryetar të ri të PD-së, bile nuk kemi as një politikan formal në krye të saj, që të ndalë Sali Berishën dhe ekipin e vjetër të flasë në emër të PD-së. Duket sikur të gjithë kanë harruar që Lulzim Basha është zgjedhur kryetar dhe vazhdojnë të konsiderojnë si të tillë Sali Berishën. Lulzim Basha është në pozitën që vetëm dëgjon në lajme çfarë thuhet e shkruhet në emër të PD-së. Nuk di në është i kënaqur apo i mërzitur pse po e nis karrierën si kryeopozitar duke i bërë opozitë SHBA-së, por e sigurt është se nuk ka guxim as të mendojë që është kryetar.
Debati i dytë ka të bëjë me akuzën që drejtojnë ndaj ambasadorit Arvizu, i cili krahason zgjedhjet e 22 marsit 1992 me ato të 23 qershorit 2013. Në të vërtetë, krahasimi çalon. Më 22 mars 1992, shqiptarët votuan për një mandat të qartë për forcat e reja politike që dolën në skenë pas dhjetorit të vitit 1990, pas një tranzicioni të lodhshëm disa vjeçar me 5 qeveri, dhe një ekonomi që po shkonte drejt greminës. Në mars të vitit 1992 njerëzit shpresonin tek sistemi i ri, tek vlerat e tij dhe tek ëndrra për një shtet demokratik. Komunizmi u rrëzua në Shqipëri pasi ishte rrëzuar në gjithë lidhjen komuniste dhe diktatura u shpërbë si një trup i kalbur, pa asnjë rezistencë. Studentët që dolën në rrugë për të rrëzuar diktaturën, u prekën dhe rrahën nga policia shumë herë më pak se demonstruesit e 21 Janarit, dhe mbi të gjitha, nuk u vra askush. Regjimi ra, duke kuptuar fuqinë e popullit që kishte përballë.
Në ndryshim nga 22 marsi, 23 qershori 2013, është një vendim më historik dhe më i zgjuar i shqiptarëve. Nëse më 22 mars verdikti ishte i qartë, se votohej për një sistem të ri, më 23 qershor 2013 u votua për të ruajtur atë sistem që fituam më 22 mars 1992. Shqiptarët që ëndërruan demokracinë më 22 mars, shkuan të votojnë 21 vite më pas në heshtje, por të betuar që do të ruanin sistemin që fituan 21 vite më parë. Ky sistem ishte vënë në pikëpyetje nga disa gangrena të mëdha që kishin zaptuar trupin e tij. Gangrena e parë e madhe që po vdiste sistemin që ëndërruam 21 vite më parë, ishte krijuar nga metastazat e korrupsionit. Në vitin 2013, Shqipëria përfundoi në një shtet privat të një Familje, ku babai bënte ligje për vajzën, djalin dhe gruan dhe ata qeverisnin Shqipërinë si pronë private. Përfunduam në një shtet ku e bija të kërkonte tre milion euro për një firmë të babait, i biri ndërtonte fabrika vdekjeprurëse, vriste njerëz dhe nuk guxon akoma njeri ta thërrasë në prokurori, ku gruaja shërbente si bankë ku paguajnë mëkatet biznesmenë evazorë, për shkak të zoografisë me të, dhe gjithë shoqëria ishte e pafuqishme të ndalte qeverisjen e Familjes.
Gangrena e dytë e madhe e këtij sistemi ishin metastazat e para të një regjimi. Kryeministri i vendit dhe ministri i Brendshëm, pas një xhami të blinduar në Kryeministri, morën me qetësi vendimin për të pushkatuar qytetarët që protestonin para zyrave të tyre. Qëlluan me plumba mbi 35 qytetarë, katër prej të cilëve vdiqën duke lënë fëmijët jetimë dhe një plagë të hapur të vrajseve politike në Shqipëri. Regjimi jo vetëm që tentoi të fshehë krimin, por e përdori krimin e tij për të inkriminuar gjithë shtetin shqiptar. Ai shpalli puçist presidentin e vendit, kryeprokuroren, kryetarin e SHISH, gazetarët kritikë, dhe tentoi të frikësojë shoqërinë shqiptare.
Nën këtë terror, regjimi shkoi drejt zgjedhjeve lokale të majit 2011, vodhi hapur mandatin e Tiranës, i sigurt se vrasjet kishin bërë punën e tyre dhe shqiptarëve u kishte ulur kokën.
Shqiptarët shuan drejt 2013-s, të poshtëruar nga vrasjet politike, të plaçkitur nga korrupsioni i Familjes dhe të papërfillur për votën e tyre. Ata shkuan drejt 23 qershorit me makthin e qytetarëve që po u rrezikohej fitorja më e madhe e jetës së tyre, demokracia. Për këtë arsye ata shkuan drejt kutive të 23 qershorit, për të mbrojtur 22 marsin e 1992 dhe e mbrojtën. U panë sy më sy me njëri- tjetrin, vunë në gjumë regjimin dhe e lanë të gëzonte në arrogancën e vet dhe me 1 milion vota kundër e çmontuan për 12 orë, atë që u kishte marrë 12 vite jetë në pushtet nga demokracia. Çmontuan Sali Berishën!
Është kjo arsyeja që 23 qershori i 2013, është një fitore më domethënëse se ajo e 22 marsit, pasi vuri në provë vullnetin e shqiptarëve, nëse e kanë pasur apo jo seriozisht përkushtimin e tyre për demokraci. 23 Qershori provoi se shqiptarët kanë qenë të sinqertë më 22 mars dhe të vendosur më 23 qershor për t’i ridhënë shanse demokracisë. Ambasadori Arvizu, i cili nuk ka qenë këtu më 22 mars, e ka kapur me intuitë krahasimin, por në të vërtetë ne jemi para një ngjarje shumë më cilësore se 22 marsi. Jemi para një rikonfirmimi historik të vullnetit të shqiptarëve për demokraci. Për këtë arsye, 23 qershori vlen më shumë.
Ata që shpërdoruan 22 marsin e 1992-s për 21 vite rresht, kanë qenë për 21 vjet në konflikt me çdo mbrojtës të demokracisë në këtë vend, me çdo ambasador amerikan apo perëndimor dhe çdokënd që ka kërkuar shtet ligjor, zgjedhje të lira dhe ekonomi tregu. Shqipëria po shkonte drejt një regjimi kleptokrat , drejt një modeli alla Aliev, ku një Familje diktonte gjithçka. 23 qershori i dha fund kësaj epoke dhe rikonfirmoi vullnetin e shqiptarëve për sistemin që fituam më 22 mars.
Sali Berisha, Genc Pollo, Jozefina Topalli dhe një shpurë e tërë hajdutësh dhe mercenarësh në demokracinë shqiptare, janë mundur pikërisht si tradhtarë të 22 marsit. 23 qershori është thjeshtë dita e parë e gjyqit të tyre. Shpresoj se do kenë kohë, të provojnë dënimin dhe ndëshkimin që do t’i ndjekë për atë që kanë bërë.