Nga telenovelat turke, në kinemanë gjermane. Një tjetër dritare është hapur tashmë në karrierën e aktorit 32-vjeçar, Nik Xhelilaj.
Pas suksesit me historitë e përvuajtura të dashurisë në telenovelat turke, Xhelilaj do të luajë tashmë rolin e një heroi. Ka rritur flokët, ka gdhendur muskujt, pasi do t’i duhet të rrijë gjatë gjysmë i zhveshur dhe ka vendosur një pendë në flokë…
Sepse ai është Uinetou, djali i një prijësi indian. Pas 50 vitesh, RTL, Televizioni Publik Gjerman, rikthen aventurat e “Uinetou”, një nga prodhimet më të suksesshme të kinematografisë gjermane. Regjisori Philip Stolzl ka parë në tiparet mesdhetare të Xhelilajt Uinetou-n e ri, heroin e veprës së Karl May-t, i cili për vite me radhë ka qenë idhulli i brezit të ri. Vepra e May-t ka njohur 200 milionë kopje të shitura në gjithë botën dhe aventurat e librit të tij u bënë edhe më të famshme pas realizimit të filmit me të njëjtin titull në vitin 1963.
Siç shkruhet në RTL.de, me yjet e sotëm dhe me shpirtin e sharmin e filmave të vjetër do të ringjallen aventurat e luftëtarit indian. Në rolet kryesore janë aktorë të njohur të kinemasë gjermane, si Wotan Wilke Möhring dhe Milan Peschel, si dhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, i cili është vlerësuar nga realizuesit e filmit si “një karakter shumëdimensional dhe i shkëlqyer”. Filmi, i cili është konceptuar në tri episode nga 90 minuta, ka nisur tashmë të xhirohet në Kroaci dhe mendohet që premierën ta ketë në vitin 2016.

Filmi është një prodhim i RTL Television, “Rat Pack Filmproduktion”, në bashkëpunim me “Beta Film”. Pas disa roleve të rëndësishme në filmat “Trishtimi i zonjës Shnajder” (regjia Pirro Milkani), “Gjallë” (regjia Artan Minarolli), “Shqiptari” (Johannes Naber), Nik Xhelilaj provoi të çante në kinemanë e huaj. Suksesin e gjeti në Turqi, ku është shumë e zhvilluar industria e telenovelave. Dy vjet më parë ai interpretoi rolin kryesor në një telenovelë turke, ku tregohet historia e dashurisë mes një vajze të pasur dhe një djali të varfër, me titull “Jeta e të riut varfanjak” (Fakir Gencin Romani), në krah të aktores turke Fahriye Evcen. Ky rol pasoi atë të Kadirit në telenovelën “Qyteti i Humbur”, që e bëri të njohur në ekranet turke. E tashmë, duket se aktorit shqiptar po i shndrit ylli në qendër të Europës, në Gjermani.
Roli i ri
Uinetous (Winnetou- s) është një prijës imagjinar indian dhe personazh shumë i njohur i romaneve aventureske të shkrimtarit gjerman, Karl Maya, gjatë shekullit XIX. Sipas stafit realizues të filmit, kërkimi që ishte bërë për gjetjen e një interpretuesi (aktori) të përshtatshëm për rolin e Uinetousit ka qenë padyshim shumë i vështirë. “Ne kemi kërkuar në të gjithë botën, sepse e dinim që duhet të gjenim një të ngjashëm me Pierre Brice”, është shprehur regjisori Philipp Stölzl për mediat gjermane. “Por pastaj Nik Xhelilaj erdhi”, ka shtuar më tej ai.

“Kur isha duke parë monitorin mendova: Aha, ne kemi ardhur në fund të këtij udhëtimi të gjatë”. Vetë Xhelilaj, nuk ka qenë shumë i njohur me rolin, këtë e ka zbuluar gradualisht edhe gjatë asaj që aktori 32-vjeçar me orgjinë shqiptare, Nik Xhelilaj, ka pranuar për të xhiruar rolin klasik të personazhit të preferuar indian, Uinetous.
“Si dikush që vjen nga Shqipëria, unë nuk e njoh Uinetousin”, është shprehur ai, për mediet gjermane. “Sigurisht që, si pjesë të përgatitjes për këtë rol kam punuar me të dhe për historinë e tij në Gjermani. Megjithatë, unë e imagjinoj sesa i rëndësishëm është xhirimi i këtij roli këtu”. Shqiptari Nik Xhelilaj, i cili njihet në ekranet tona, në Gjermani kujtohet vetëm nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Berlinit 2011, ku u cilësua si një nga yjet e Evropës.
Biografia
I lindur në vitin 1983, Nik Xhelilaj u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakultetit i Artit Skenik, më 2008. Debutoi në teatër, akoma student, me rolin e Stenli Kovalskit, prodhimi i Akademisë, “Tramvaj me emrin dëshirë” i Tenesi Uilliams. Në kinema debuton në filmin e shkurtër artistik “Single use” (2005) i Erion Hasanllari dhe filmi i Piro dhe Eno Milkanit, prodhimi shqiptaro-çek, “Trishtimi i zonjës Shanjder” (2008) e bëri mjaft të njohur. Më pas interpreton te “Gjallë!” (2008) i Artan Minarollit. Me interpretimin në bashkëprodhimin gjermano-shqiptar të Naberit (2010), ai fiton Silver George për “Best Actor” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë 2010, “Best Actor” në PriFilmFest në Prishtinë dhe në International Antalya Golden Orange Film Festival.
* * *