January 16, 2016

Berisha, pagesë edhe në 9 shtator, ditën e fundit të tij në zyrë

Podesta Group

“Influence Explorer” është pjesë e Sunlight Foundation, burimi qendror i të dhënave për paratë dhe influencën në politikën amerikane.

Sipas dokumenteve të publikuara nga IE një pagesë prej 180 mijë dollarësh nga ish-qeveria shqiptare është kryer në datën 9 Shtator të 2013-s.

Një ditë më vonë, presidenti Bujar Nishani dekretoi qeverinë e re të majtë, që doli fituese në zgjedhjet e Qershorit.

Kjo pagesë është vetëm njëri nga këstet, që ish-qeveria shqiptare ka paguar për lobim në 2013.

Sipas “Influence Explorer”, janë paguar 560 mijë dollarë të tjerë nga prilli në shtator.

Të gjitha janë përfituar nga grupi “Podesta”, kompania lobuese e Toni Podestës.

Këto pagesa janë vazhdim i një historie, që ka nisur kohë më parë, në vitin 2007, kur u nënshkrua kontrata e parë e lobimit me kompaninë “Euro Ridge”, në pronësi të ish-sekretarit për Sigurinë e Brendshme në SHBA, Tom Ridge.

Tom Ridge e Damir Fazllic në Tiranë
Tom Ridge e Damir Fazllic në Tiranë
Që nga ajo kohë, kontratat për lobim dhe për kurimin e imazhit të Berishës në sallonet e politikës amerikane kanë vazhduar vit pas viti.

Në 2009 del në skenë “Patton Boggs” dhe më vonë “Podesta”.

Nuk dihet sa para janë paguar prej 2007-s.

Por vetëm për periudhën 2011-2013 firmat e sipërcituara kanë marrë nga qeveria shqiptare rreth 2,4 milionë dollarë për shërbime lobimi, sipas “Sunlight Foundation”.

“Podesta” ka një angazhim vërtet mbresëlënës në Tiranë.

Grupi kryesor i kësaj firme lobuese ka qenë thuajse rezident në Tiranë në mujat para dhe pas zgjedhjeve të 2013-s.

Më 16-18 qershor të këtij viti kanë qenë prezent në Tiranë John Anderson, ndërsa nga data 16 deri më 28 qershor, ka qëndruar në Tiranë dhe Bay Fang, ish-zyrtare e DASH,  që sapo ishte bërë pjesë e kompanisë së madhe të lobimit.

Bay Fang
Bay Fang
Ajo është punësuar si konsulente më 14 maj të atij viti.

Ndërsa gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, një tjetër VIP i “Podesta”-s ka zbritur në Tiranë.

Sipas dokumenteve, vetë Anthony (Tony) Podesta ka udhëtuar drejt Tiranës më 26 maj të atij viti dhe ka qëndruar për dy ditë në kryeqytetin shqiptar.

Interesant është që ekspertët e “Podesta”-s ndërkohë nuk kanë kryer asnjë udhëtim në shtetet e tjera ku kanë pasur klientë, si në Hong-Kong, Indi, Irak, Japoni, Azerbajxhan apo Qipro.



*     *     *





Zbulohen shkaqet e mosaktivizimit te FC Nantes: Cana refuzoi fushën sintetike


Lorik Cana duket se po e ruan veten për “Euro 2016”, por mosaktivizimi me FC Nantes nuk është një lajm i mirë për trajnerin De Biazi.

Italiani, në “timonin” e kuqezinjve, ka kërkuar nga të tijtë të luajnë sa më shumë me klubet respektive në këtë periudhë, sepse ky do të jetë faktori kryesor në përzgjedhjen e 23 emrave për fazën finale të këtij kompeticioni madhor, ku Shqipëria debuton.

I rekrutuar nga FC Nantes në afatin kalimtar të verës së kaluar, mbrojtësi shqiptar, Lorik Cana, nuk ka luajtur titullar në ndeshjet e fundit me “kanarinat”.

Si i përjetoni fillimin dhe mbarimin e kundërt tuajin te FC Nantes në vitin 2015?

Kam luajtur shumë në pjesën e parë të sezonit. Nga shtatori në dhjetor kam qenë rregullisht në fushë. Në tri ndeshjet e fundit kam vuajtur nga shpenzimi i shumë energjive, nga kufizimet fizike dhe të udhëtimit.

Pra, mungesa juaj e tanishme është logjike?

Unë bëj sërish në punën substanciale që po bëj, për të rindërtuar bazat e mia. Po përpiqem të rikthehem fizikisht aty ku duhet. Ndihen mirë që jam te FC Nantes dhe jam gati të jap kontributin tim kur ta kërkojë trajneri.

A është e vërtetë që ju keni kërkuar të mos luani ndaj Lorientit, në mes të dhjetorit, ngaqë ishte fushë me bar sintetik?

Po, fusha me bar sintetik më detyroi të vendos veton. Unë jam i frikësuar për të marrë lëndime në këtë moshë, në këto momente, të cilat janë mjaft të pranishme në kushte të tilla infrastrukturore. Vitin e kaluar, në Itali, kam përjetuar pasojat e të luajtur në fushë me bar sintetik. U lëndova dhe m’u desh një muaj për t’u kthyer. Iu nënshtrova një muaj problemevesh. Për fat të mirë, këtu kam një marrëdhënie të madhe me trajnerin, personelin mjekësor dhe të menaxhimit. Ata janë pajtuar me veton time në atë ndeshje.

Por mund të humbisni vendin e titullarit duke mos luajtur?

Ka më shumë se katër muaj, që jam këtu. Ndihem mirë te FC Nantes. Kam marrë kënaqësi duke luajtur, por edhe çdo ditë jam trajnuar rregullisht. Për mua është me rëndësi të jem fizikisht i përgatitur për të përballuar streset e ndeshjeve. E di mirë se do të kem mundësinë për të luajtur edhe shumë ndeshje deri në fund të sezonit. Kam folur me trajnerin. Ai nuk do që të tejkaloj mundësitë fizike dhe të luaj çdo lojë. Qëllimi im është që ta ndihmoj klubin çdo ditë, të përfundoj një sezon të mirë dhe të përgatis veten për “Euro 2016”.

A keni shkëmbime mendimesh me trajnerin e kombëtares shqiptare në lidhje me situatën tuaj?

Nisur nga përvoja ime, e di si duhet ta menaxhoj situatën. Edhe kur kam pasur periudha të tilla, duke mos luajtur, trajneri De Biazi më ka lejuar ta përgatis veten. Unë nuk mund të marr pjesë në të gjitha ndeshjet këtu, sikurse nuk mund të shkoj në Europian duke pasur dy ndeshje në këmbë. Te FC Nantes jam në vendin e përkryer për të gjetur dozën e duhur të përgatitjes.



*    *    *





Iluzioni skandaloz që po çmend internetin


Në shikim të parë, ju mund të keqkuptoheni nga kjo fotografi, duke e quajtur atë skandaloze! Por nëse fokusohesh, do të kuptoni se është një pozë krejt e pafajshme!

Në foto shfaqet një burrë lakuriq, i përkulur, duke puthur fëmijën e tij. Shpatullat me qime, koka pa flokë dhe veshi i tij i majtë, krijojnë një iluzion optik të tmerrshëm, që fillimisht çmendi përdoruesit e internetit. Koka dhe shpatulla e tij, ngatërrohen lehtësisht me mollaqe të pasmesh, ndërsa veshi është detaji që të “çmend”.

Që nga dje, kur foto u ngarkua online nga “theyanus”, ajo është shpërndarë më shumë se 3 milion herë në “imgur”. Dhe nuk u desh shumë kohë për përdoruesit e rrjeteve sociale për të sjellë versione të tjera të kësaj fotoje.




*     *     *



A është ky fundi i mërisë mes Ismail Kadare dhe Rexhep Qose?


Mes tyre kemi dëgjuar jo pak herë të debatojnë me tone të ashpra.

Për këtë herë akademiku është përgjigjur me tone miqësore, duke vlerësuar Kadarenë si shkrimtar dhe zbutur përgjigjen për përplasjet ideore mes tyre.

Profesor Qosja ishte ftuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës për të folur mbi temën “Çështja shqiptare dhe Europa e Bashkuar”.

Pas ligjëratës, studentët e kanë “detyruar” ndër të tjera t’i përgjigjet pyetjes rreth marrëdhënieve me Kadarenë, nominuar prej vitesh për çmimin Nobel, meqë pak ditë më parë mediat e Kosovës shpërndanë lajmin se Rexhep Qose është propozuar nga Unioni i Shkrimtarëve të Kosovës për çmimin Nobel.

“Dy herë keni polemizuar me Kadarenë, – i thanë studentët profesor Qoses: herën e parë në fillim të viteve ’70, në temën “letërsia shqipe dhe letërsia europiane”, ndërsa herën e dytë “Europa dhe identiteti shqiptar”.

“Dy herë Europa u bë sherr mes jush!”, i janë drejtuar studentët Qoses.

Qose është shprehur se: “Ismail Kadare, është shkrimtar me talent të shquar dhe si i tillë ka të drejtë që në mendimet e tij të shprehë dëshirat e tij; unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete. Për çështjet që kemi diskutuar me Kadarenë unë kam folur si studiues, ndërsa ai si shkrimtar. Ai bazohet në imagjinatën, ndërsa unë në të dhënat.

Por, e ka përfunduar fjalën e tij profesor Rexhep Qosja, “ata që polemizojnë mes veti, shumë herë, janë njerëz që e duan njëri-tjetrin”.

Këtë vit dy kolosët e letrave shqipe mbushin 80 vjeç. / Dita /


*    *    *




Islami dhe Krishtërimi: Hija e një të kaluare të përgjakur


Për shekuj të tërë, Islami dhe Krishtërimi kanë qenë të mbërthyer në një konflikt brutal, që shumica e kanë harruar. Tmerri, argumenton një prej historianëve më të mirë të momentit, është se për xhihadistët, ky konflikt është po aq real sot, sa edhe ka qenë në Mesjetë Një rrëfim i jashtëzakonshëm, një shpjegim i hollësishëm i një beteje, e cila është zhvilluar për më shumë se një mijëvjeçar.

Përse edhe sot kërkohet që të shihet bota si e ndarë, mes “Shtëpisë së Islamit” dhe “Shtëpisë së Luftës”. Dy qytetërime që ndërruan vende. Me islamin e përfaqësuar nga Al Andalusi, që edhe kundërshtarët e thirrnin “stolia e botës”, dhe i cili e shihte “Krishtërimin”, si të prapambetur, me gra të pacipa dhe burra që nuk laheshin.

Për të kaluar tek Kryqëzatat, tek rënia e Kostandinopojës, pushtimet e Vienës, dobësimi i qytetërimit të Islamit, imperializmit dhe kolonializmit të ideuar nga europianët. Për të mbërritur në një kohë, atë të sotmen, ku në mentalitetin e tyre, Mesjeta nuk ka marrë fund kurrë. Rreziku i kësaj mënyre të menduari është fatkeqësisht dhe brutalisht i dukshëm – një botë në të cilën, të rinj që vriten në një koncert rroku mund të mallkohen si “Kryqtarë”, është një botë në prag të çmendurisë. Lexojeni këtë zbërthim brilant të historisë Mëritë e terroristëve islamikë që kanë shkaktuar kasaphanat dhe gjakderdhjet në rrugët e Parisit, dy herë këtë vit, e kanë origjinën shumë pas në histori.

Në mendjen e tyre, nuk është thjeshtë një dhunë e papërmbajtur, por vazhdimi i një beteje, e cila është zhvilluar për më shumë se një mijëvjeçar. Për këtë fliste Osama bin Ladeni, kur paralajmëronte botën myslimane në vitin 1996, “se populli i Islamit ka vuajtur gjithmonë nga agresioni, ligësia dhe padrejtësia që i janë imponuar prej aleancës së Sionistëve dhe Kryqtarëve”. Sot, ISIS-i i ushqen në mënyrë po kaq të helmët, pakënaqësitë tij. Në komunikatën plot ngazëllim që nxorri pas sulmeve terroriste në Paris javën që kaloi, Franca dënohej me terma mesjetarë: si kryeqyteti “i Kryqit”.

Kjo ndodh sepse xhihadistët e shohin veten si të angazhuar në një luftë të vjetër sa vetë Islami: një betejë për supremaci globale kundër Krishtërimit. Një lexim i tillë i historisë reflekton faktin që, të dyja fetë, prej kohësh e kanë projektuar veten, si të destinuara për të mbizotëruar në të gjithë botën. Kështu që, tensionet me tyre nuk janë aspak të habitshme. Në mesjetë, kishte të krishterë që besonin se Islami nuk ishte asgjë më shumë, se sa një plagjarizëm heretik i besimit të tyre, dhe Muhamedin e shihnin thjeshtë si një idhull gjigand të mbushur me xhevahirë. Në një frymë korresponduese, libri i shenjtë islamik i Kur’anit i akuzonte të krishterët se kishin korruptuar Biblën. Në fillim të shekullit 7, kur Muhamedi nisi misionin e tij profetik, shumica dërrmuese e njerëzve në Lindjen e Mesme ishin të krishterë. Megjithatë, deri në vitin 650, më pak se 20 vjet pas vdekjes së Muhamedit në vitin 632, ushtritë arabe kishin pushtuar shumicën e Lindjes së Mesme, dhe kishin vendosur nën synimin e tyre, një numër të madh të krishterësh. Perandoria që lindi u rrit shumë prej taksave që u merreshin të pushtuarve.

Po ç’ndodhi me të krishterët që refuzuan t’u binden arabëve? Perandoria Bizantine – emri me të cilin historoianët quajnë gjysmën lindore, të mbijetuar të Perandorisë Romake – vazhdoi të mbahet, ndonëse kishte humbur Sirinë, Palestinën dhe të gjithë provincat e saj në Afrikën Veriore. Deri në shekullin 8, 100 vjet pas vdekjes së Muhamedit, po bëhej e qartë se Kalifati Islamik që ishte krijuar, nuk ishte, në fund të fundit – siç kishin shpresuar fillimisht myslimanët – i destinuar që  të pushtonte botën me një të zgjatur të dorës. Ndonëse ishin shtrirë në perëndim deri në Marok dhe në lindje, thellë në Azinë qendrore, ushtritë arabe kishin ndeshur gjithësesi në kundërvënie të herëpashershme. Armiqtë e tyre më të fortë, siç kishte ndodhur qysh prej fillimit, ishin Bizantinët, kryeqyteti i të cilëve, Kostandinopoja, u më mburoja e Krishtërimit.

Dy herë e rrethuar nga arabët, ajo qëndroi pa rënë. Në fund, arabët nisën ta shohin luftën e tyre me Bizantinët, si një qorrsokak, i destinuar të vazhdonte për shumë breza. Pastaj, gjatë shekullit 8, myslimanët nisën ta konceptojnë botën si të ndarë, mes Shtëpisë së Islamit dhe një “Shtëpie Lufte” të Krishterë, e ligë në mosbesimin e saj, e ngurtë në sfidën që i bënte Kur’anit të Shenjtë. Në gojë të Muhamedit u vunë shprehje, që bënin thirrje për luftë në emër të Allahut, si një detyrë e Besimtarëve, si për shembull: “Unë u urdhërova të luftoj të gjithë njerëzit, deri sa ata të thonë: Nuk ka Zot tjetër veç Allahut”. Vrasja e të krishterëve shihej jo vetëm si një zgjedhje për myslimanët e devotshëm, por edhe si një detyrim pozitiv. Një veteran i luftërave kundër Bizantinëve, bëri një kundërshtim të ashpër ndaj një miku të tillë jo të prirur për beteja, i cili mburrej për pelegrinazhet e tij paqësorë në Mekë dhe Medinë. “Adhurimi yt është thjeshtë lojë. Për ty, aromat e erëzave, por për ne aroma e pluhurit, dhe dheut, dhe gjakut që rrjedh në qafët tona – që janë gjithësesi më të kënaqshme”. Ndërkohë, në perëndim të Europës, mbretërit e krishterë përpiqeshin të pajtonin mësimet e Krishtit për të kthyer faqen tjetër, me instiktet e tyre materiale.

Kishin shumë pak zgjedhje Piratët arabë mësynë në brigjet e Italisë dhe jugut të Francës, duke plaçkitur provinca të tëra për plaçkë njerëzore, ndërkohë që në Spanjë, myslimanët kishin pushtuar një perandori, e cila kishte lënë të krishterët e gadishullit, të rrethuar si ujqër nëpër male dhe rrafshnalta djerrë. Al-Andalus, siç njihej ky kalifat perëndimore – Andaluzia moderne – ishte po aq brilant, sa edhe çdo rajon në Shtëpinë e Islamit: i pasur me prodhime drithërash, qytete madhështorë, dhe zbukuruar me artet e paqes, si shkenca dhe filozofia. Edhe armiqtë e tij të krishterë e përshëndesnin si “stoli e botës”. Sigurisht, mbretëritë e grindura dhe të varfëra të Krishtërimit nuk mund të krahasoheshin.

Prapambetja e tyre, për myslimanët e Al Andalusit, dukej si rendi natyror i gjërave. Në vitin 997, në një demonstrim pikërisht të kësaj, një ushtri myslimane sulmoi Santiago de Compostela, vendi më i shenjtë i Spanjës. Këmbanat e katedrales së plaçkitur u varën në Xhaminë e Madhe të Kordobës, në jug, për t’u shërbyer besimtarëve, ndërsa të burgosurit e luftës u dërguan të punojnë në xhami. Të tjerëve iu prenë kokat në publik, dhe kokat e tyre u shëtitën nëpër tregje, përpara se të vareshin në portat kryesore të qytezës. Megjithatë, pavarësisht goditjeve si kjo, Krishtërimi nuk u shemb. në vend të kësaj, në epokën e Kryqëzatave, ai nisi të hidhet në ofensivë. Thirrur nga Papa në vitin 1096 për të mbrojtur vendet e shenjtë të Jeruzalemit, hordhitë e luftëtarëve të krishterë u nisën nga Europa perëndimore, për në Tokën e Shenjtë. Tre vjet më vonë, në 15 korrik 1099, një ushtri e krishterë hyri në Jeruzalem; dhe këtë herë, gjaku vërshoi në rrugët e qytetit të tretë më të shenjtë të Islamit.

Në fund të saj, kur vrasjet kishin marrë fund, luftëtarët triumfues të Krishtit, duke qarë nga gëzimi dhe mosbesimi, u mblodhën në varrin e shenjtë të Shpëtimtarit të tyre, dhe u gjunjëzuan në një ekstazë adhurimi

Suksesi i Kryqëzatave reflektoi një militarizim të doktrinës së krishterë, që e bëri më se të barabartë me angazhimin e Islamit ndaj dhunës ushtarake.

Ndonëse Jeruzalemi mbeti në duart e tyre për më pak se një shekull, treiumfe të tjerë rezultuan më jetëgjatë. Në shekullin 11, Siçilia iu rimor pushtuesve të saj myslimanë nga normanët, ndërkohë që Al Andalusi u ripushtua në mënyrë progresive prej të krishterëve të SPanjës. Jo se myslimanët u dëshpëruan. Ata e tallnin Europën si barbare, të fragmentuar dhe të varfëruar, plot me gra të pacipa dhe burra që nuk laheshin kurrë. Horizontet e tyre ishin pafundësisht më të gjerë. Deri në shekullin 15, një zinxhir i vazhdueshëm tokash myslimanësh shtrihej tashmë nga Atlantiku deri në Detin e Kinës.

Sado e fragmentuar politikisht e fragmentuar që mund të ketë qenë kjo perandori, kudo ku myslimanët udhëtonin, ata mund të dëgjonin arabishten e Kur’anit, dhe gjenin kënaqësi në sigurinë se kishte vetëm një besim të vërtetë global: Islamin. Në vitin 1453 ndodhi një ngjarje që sugjeronte se feja myslimane mund të bëhej edhe më globale. Pushtimi i Kostandinopojës nga turqit otomanë pa kryeqytetin më të famshëm të krishterë, të shndërrohet në një bastion të Islamit. Me pjesën më të madhe të Ballkanit nën sundimin otoman, u duk se e gjithë Eurpa do të binte para Islamit. Vit pas viti, forcat turke vinin në provë mbrojtjet e të krishterëve, duke kaluar fushat e Hungarisë, apo sulmuar ujërat e Maltës me anijet e tyre të luftës.

Në vitin 1529, dhe sërish në vitin 1683, një ushtri otomane pothuaj e mori Vienën. Megjithatë, ajo do të ishte përpjekja e fundit për të shtrirë Kalifatin në të gjithë Europën. Ekuilibri global i fuqive po zhvendosej, dhe pothuaj një mijëvjeçar dominim mysliman, po merrte fund. Ishin të krishterët që kolonizuan Amerikën, krijuan perandori tregtare që u shtrinë në të gjithë globin dhe nisën procesin e industrializimit. Deri në shekullin 19, me Indinë që sundohej nga Raxhi britanik, dhe Perandorinë Otomane Islamike të tallur në kryeqytetet perëndimore si “i sëmuri i Europës”, myslimanët nuk mund të mbyllnin më sytë përpara shkallës së madhe të rënies së tyre. Ishin ata tashmë, të nënshtruarit, dhe tashmë qytetërimi i Islamit u ngjante kundërshtarëve të tij, po aq i prapambetur, sa kishte qenë dikur Krishtërimi. Që nga ditët e para të fesë së tyre, myslimanët kishin qenë të prirur të merrnin për të mirëqenë se e vërteta e tij manifestohej prej suksesit që kishte në botë. Si rezultat, të nënshtruar nga të pafetë britanikë dhe francezë, shumëkush në botën myslimane shihte nga epoka e artë e Kalifatit për të gjetur frymëzim.

Epoka e Muhamedit dhe pasardhësve të tij, që e kishin parë Islamin të ngrihej nga errësira e shkretëtirës, në një perandori globale, lartësohej tashmë si modeli që duhej ndjekur. Në dekadat e fundit, pakënaqësia ndaj ndërhyrjeve të vazhdueshme të Perëndimit në vendet myslimane, si Afganistani dhe Iraku, vetëm sa e kanë shtuar joshjen nga e kaluara e lavdishme. Sot, sipas një sondazhi, dy të tretat e myslimanëve në të gjithë botën dëshirojnë të shohin rikthimin e një Kalifati. Ata nuk i kundërvihen perandorive në vetvete – thjeshtë perandorive jo Islamike.

Kështu që, nuk është për t’u habitur, që al Kaeda dhe ISIS janë kaq të fiksuara në periudhat e historisë, që për shumicën e perëndimorëve janë të errëta. Që Kostandinopoja ka qenë një qytet mysliman për pothuaj 600 vjet, që Kryqëzatat kanë marrë fund kohë më parë, dhe që Europa nuk e quan më veten si Krishtërimi, këto gjëra vështirë se zënë vend në ndërgjegjen e xhihadistëve. Në mentalitetin e tyre, Mesjeta nuk ka marrë fund kurrë. Rreziku i kësaj mënyre të menduari është fatkeqësisht dhe brutalisht i dukshëm – një botë në të cilën, të rinj që vriten në një koncert rroku mund të mallkohen si “Kryqtarë”, është një botë në prag të çmendurisë. Nuk janë vetëm jo-myslimanët që rrezikohen nga kjo nostalgji imperialiste

. “Ose jeni me Kryqtarët”, i ka paralajmëruar ISIS-i myslimanët europianë, “ose jeni me Islamin”. Ambicia e tij është të terrorizojë Perëndimin që të kthehet kundër qytetarëve të tij myslimanë, dhe ta bëjë të pamundur për ta që të jetojnë këtu si të barabartë. “Sepse pastaj, myslimanët në vendet e Kryqtarëve do të dëbohen dhe braktisin shtëpitë e tyre, dhe do të shkojnë të jetojnë në Kalifat”.

Vështirë se historia mund të shfrytëzohej më brutalisht. Askush nuk duhet të vërë në dyshim natyrën e rrezikshme të kujtimeve me të cilat po luan ISIS. Dhe ëndrra e xhihadistëve për një rikthim tek një botë e ndarë dhunshëm mes dy rivalëve – në një “Shtëpi të Islamit” dhe një “Shtëpi të Luftës” – nuk ngjan më aq fantazi, si dikur. Hija e të kaluarës po bëhet më e errët mbi Europë, dhe mbi botë. / Daily Mail./ Bota.al * Tom Holland është autor i “Hija e Shpatës dhe Mijëvjeçari”.


*    *    *





January 14, 2016

Super Klopp


Ndeshja ndërmjet Liverpoolit dhe Arsenalit ishte më e mira e këtij edicioni në Premierligë, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 3:3. Por, pavarësisht kësaj, fytyra qendrore e këtij takimi ishte Jrgen Klopp, i cili mori vëmendjen e të gjithëve, me festimin e golave, sidomos atë të Joe Allenit në minutat e fundit të ndeshjes. Trajneri gjerman i tillë kishe qenë edhe në Dortmund dhe të njëjtën po e bën edhe në Liverpool dhe qysh tashmë ka fituar zemrat e tifozëve në Anfield.




*    *    *




January 13, 2016

Personaliteti më piktoresk në Europë! Ja si na përshkruante “National Geographic” në nëntor 1912


“As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”.

Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.

Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre:

“Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – muslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.

Shqiptarët janë vetëdijësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe mohamedane. Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim.

Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.

Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.

Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk.

Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre– shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.

Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë.

Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.

national geographics

Kopertina e National Geographic e Nëntorit 1912, ku është botuar reportazhi për shqiptarët

Hakmarrja praktikohet ende

Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.

Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.

Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet. Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.

Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.

Personalitet i pathyeshëm

Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve.

Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar.

Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin mohamedian, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-mohamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.

Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore.

Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm.

Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre.

Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.

Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu.

Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe.

Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.

Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm

Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes.

Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian.

Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte.

Shenjat e para te nje kundershtimi u dhane që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.

Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin.

Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.

Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine.

Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.

Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë.

Kjo do të ndihmonte për të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për të austrianizuar shqiptarin.

Shkolla normale e Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare – myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të përbashkët me premtimet e saj themelorë.

Por kur ushtarët turq erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarakë dhe u rrahën në një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer.

Rrahja me thupra dhe kamzhik u zbatuan për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej mësuesve u arratisën. Autoritetet ushtarakë kërkuan dhe rrahën personat përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma latine.

Më tej ushtarët marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.


Kryengritjet e shqiptarëve

Me kalimin e 1910, telashet nisën të shtohen për turqit në kancelaritë e Europës, sidomos për skandalin e orgjive të ushtrisë në Shqipëri dhe mbylljen e shkollës normale, ashtu sikurse dhe për çarmatimin brutal të të krishterëve në Maqedoni. Në Europë ekzistojnë gjithmonë disa palë, interesat politikë të të cilave mund të çohen përpara duke përkrahur të shtypurit. Dhe ndonëse ishin motive hipokritë ata që vunë në lëvizje shumë burra shteti europianë që ndihmuan për shfaqjen hapur të këtyre ngjarjeve, e vërteta e bëmave të turqve të rinj në Shqipëri dhe Maqedoni gradualisht u bë e njohur për të gjithë.

Turku i ri ishte shfaqur tamam si biri i babait. Udhëheqësit panë që kishin bërë një gabim, por ata nuk do ta pranonin dhe ngjarjet e mëvonshme kanë treguar se nuk ndërruan mendje. Në prill 1911 ndodhi një kryengritje e malësorëve në provincën e Shkodrës, në veriperëndim të Shqipërisë përgjatë kufirit me Malin e Zi.

Revolta ishte një prej përpjekjeve të parakohshme dhe të pafata të një populli të dëshpëruar dhe trim, por të përçarë, për t’u hedhur kundër zgjedhës së patolerueshme. Në vend të shndërrohej në një revoltë të përgjithshme, kryengritja mbeti e kufizuar në skajin më verior të Shqipërisë.

Patriotët e vërtetë të të gjithë Shqipërisë i hedhin tutje dallimet fetare dhe fisnorë kur gjenden përballë fakteve të mëdhenj të një trashëgimie të përbashkët dhe kundër një zgjedhe të përbashkët. Ata, pjesëtarët e arsimuar të racës së tyre, po luftonin fort vitin që kaloi për një përpjekje të përbashkët në kërkim të drejtësisë për të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, këta udhëheqës ishin të keqorganizuar, pa financime dhe pa përvojë. Ata nuk morën mbështetje prej pjesës më të madhe të fiseve myslimanë, shumë prej të cilëve, megjithatë kishin qenë kaq të çarmatosur saqë nuk mund të mendonin të bashkoheshin në një rebelim.

Mirditorët katolikë, një fis i fortë në jug të Shkodrës kishin pak pushkë, të gjitha të vjetra dhe hezituan të vijnë në ndihmë të revoltës së malësorëve, deri kur ishte shumë vonë.

Mali i Zi ishte shtylla mbështetëse e kryengritjes, përmes mbështetjes që ai dhe qytetarët e tij i dhanë refugjatëve shqiptarë të cilët dimrin e mëparshëm kishin kaluar kufirin dhe që në pranverë u rikthyen në Shqipëri, gati për luftë. Në këtë mënyrë u “gropos” thika që për breza të tërë ishte hequr nga këllëfi mes sllavëve të Malit të Zi dhe shqiptarëve autoktonë.

Por, Mali i Zi u gjend rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë europiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar.

“Cfarë! Ju i ofroni favore rebelëve”, thanë ata. “Po kush ju ka qëndruar besnikë, pavarësisht plagëve të vjetra”. Ishte njësoj si ankesa e djalit joplangprishës. Fatkeqësisht, turku nuk mundej të zbuste fëmijët e tij besnikë, ashtu siç bëri dikur babai çifut. Sa për marrëveshjen me malësorët, nuk dihej se sa do të zgjaste.

Shkollat vetëm do i lehtësojnë

E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet përfundimisht fati i 2 milionë banorëve.

Me përjashtim të Znj Edith Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa Z. James D. Bourchier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London Times” në Ballkan. Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në edicionin e ri të Encyclopedia Britannica, pasi flet për betejat e grupeve të izoluar të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”.

Nëse arsimi përhapet pa pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten. Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodër janë arsimuar dhe kanë siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve. Ata i druhen sidomos fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën cati, dhe ritet e krishterë e myslimanë mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.

Disa herë autori i këtij artikulli ka pyetur shqiptarë myslimanë të arsimuar, të interesuar për kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe gjetkë vëllazërinë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Pa hezitim, por me turp dhe me buzët shtrënguar, përgjigja ka qenë çdo herë e njëjta: “Eshtë e pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të kuptojnë”.

Pak përpara shpërndarjes së parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi: “Nëse turqit vazhdojnë të të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.

Shqiptari ka frikë nga e ardhmja

Shqiptari ka frikë se mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar, malet e tij të shtrenjtë dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve ndërluftues, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të vijë nga veriu. Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy armiq që shqiptarët i urrejnë më keq se sa turqit, pavarësisht shkollave, spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të Shqipërisë.

Shqiptarët i tremben Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre grabitësve të tokës mëmë. Shqiptarët i druhen po kështu një konference europiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen në kurriz të shqiptarëve. Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtes”.

Megjithatë, breza të tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit. Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë. Ndëshkimi me thupra, plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka më të mirë”. Eshtë e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë neglizhuar për shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve të “Konstitucionalizmit”.

Fshatari injorant, që nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është rregjistruar asnjëherë për shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë, si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të Jemenit.

Shqiptarët kanë shumë gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të tyre të iluminuar.

Por turku budalla bëri të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë. Si pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes.

Spekulimet për të ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të papenetrueshëm, pasi problemi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me Cështjen e Lindjes, ajo që ka munduar Europën për breza të tërë. Lufta e Krimesë u luftua për ta zgjidhur atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke 1877-1878. Të dërguarit e Europës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit.

A mos është shumë të shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh? Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanime të rinjtë, po e bëjnë Perandorinë Otomane thjeshtë një legjendë.

Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste.




Marrë nga arkivat e “National Geographic” nëntor 1912 / Botuar në suplementin memo-enciklopedik në DITA



*    *    *






January 12, 2016

Ja si duken yjet e famshëm botëror pasi kanë rregulluar dhëmbët



Buzëqeshja është një armë e fuqishme, aq më tepër për këta personazhe që njihen në mbarë botën. Dhëmbët e tyre shkëlqejnë dhe janë perfekt, e shpesh kemi pyetur veten si është e mundur që kanë dhëmbë kaq të bukur?

Disa prej tyre janë me fat, pasi i kanë që prej lindjes, po shumë të tjerë i kanë rregulluar pasi janë bërë të famshëm.

Më sipër, mund të shihni disa foto të yjeve të famshëm botëror paara dhe pasi kanë rregulluar dhëmbët.



























*    *    *