Mbi debatin e “patriotëve
të vonuar”
për detin!
Nga Mero Baze
Ka shpërthyer një
histeri e pazakontë e disa patriotëve të vonuar për kufirin detar me Greqinë,
nga ata që kanë duartrokitur realisht shitjen e detit tek Greqia nga Sali
Berisha dhe Lulzim Basha, dhe kanë duartrokitur po ashtu dy muaj më parë Sali
Berishën në parlament, që këmbëngulte se ajo marrëveshje duhet mbrojtur dhe se
Edi Rama po na prish me Greqinë.
Së pari, duhet sqaruar
se ajo marrëveshje ka vdekur, jo vetëm se është hedhur poshtë nga Gjykata
Kushtetuese e Shqipërisë, por edhe se bisedimet e reja janë për të hedhur bazat
e një marrëveshje të re. Rezistenca e qeverisë “Rama” ndaj mos-ngjalljes së
asaj marrëveshje ka detyruar palën greke të nisë diskutimin për një marrëveshje
të re, e cila nuk mbështetet më tek “shelfi kontinental”, siç ka qenë marrëveshja
e Berishës me Karamalisin dhe Bashës me Bakojanis.
Pra, bëhet fjalë për
hedhjen e bazës së një marrëveshje të
re, e cila është jo vetëm e pakrahasueshme me konceptin e marrëveshjes së
Berishës dhe Bashës, por është edhe në një fazë fillestare, mbi të cilën duhet
të operohet më pas me ekspertë dhe instrumentat e tjera të diplomacisë së dy
vendeve.
Fjalia e parë që duhet
të themi, është se Shqipëria detyroi Greqinë të grisë marrëveshjen me Berishën
dhe të pranojë të bëjë një marrëveshje të re. Dhe kjo e ka mërzitur Berishën,
që humbi bastin e para dy muajve, kur tha në parlament se ajo marrëveshje do
realizohet.
Së dyti, deklaratat e
Kotzias me terma “ambigue”, janë nisja e një fushate politike nga ana e tij
brenda vendit, për të përgatitur opinion publik grek për kthimin pas të pazarit
me Berishën. Fjalia e tij për 12 milje shtyrje të kufirit detar, dhe akoma më
keq, nxitimi nga “patriotët” tanë që kanë duartrokitur Berishën, për të bërë
llogari me sipërfaqe, duke u nisur nga një vijë në hapësirë, është qesharake.
Konventa për të Drejtën e Detit e vitit 1982 (UNCLOS), e
cila njihet ndryshe si Kushtetuta e Deteve, parashikon në nenin 3, se shtetet bregdetare, mund të shtrijnë
gjerësinë e ujërave të tyre territoriale deri në 12 milje detare.
Në këtë hapësirë detare
shteti bregdetar ushtron sovranitet të plotë territorial.
Këtë shtrirje të detit
territorial, shtetet e shpallin me ligj të brendshëm, të cilin duhet ta
depozitojnë në Kombet e Bashkuara. Shqipëria e ka deklaruar dhe depozituar në
OKB këtë shtrirje prej 12 miljesh detare në vitin 1970 dhe rikonfirmuar në
vitin 1990.
Ndërkohë, një fakt i
tillë nuk është marrë në konsideratë nga qeveria “Berisha” kur negocioi
marrëveshjen ne 2009.
Sa më sipër, është e
qartë që shtrirja e detit territorial nuk mund të përcaktohet në marrëveshje
mes dy palëve, por me ligj të brendshëm, dhe kaq është gjithë ajo që kemi
dëgjuar nga Kotzias. Atë që kemi dëgjuar dhe nga Enver Hoxha më 1970 për ujërat
tona.
Përsa i përket
delimitimit të hapësirave detare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi të
ashtuquajturën “Marrëveshje” të Berishës të vitit 2009, e cila kishte defekte
të rënda në parimet e përdorura për
delimitimin, defekte që prodhuan një efekt negativ për interesat e
vendit tonë.
Konventa dhe praktika ndërkombëtare
i krijon të gjitha hapësirat shteteve për të negociuar marrëveshje të
delimitimit të hapësirave detare, që sjellin një rezultat sa me të drejtë.
Delimitimi i hapësirave detare në çdo rast bazohet fillimisht në parimin e
baraslargësisë nga pikat bazë të bregdetit, por për të arritur rezultatin e
drejtë, palët bëjnë korrektimet e nevojshme në vijën delimituese që ndërtojnë.
Ajo që kuptohet nga
deklarata, është se diskutimi mes palëve duket se ka arritur mirëkuptimin, se
vija delimituese e vitit 2009, nuk do të jetë më ajo e pretenduara nga pala
greke, por do të reflektojë pretendimet e palës shqiptare për përfitime në
hapësira detare që do të jenë të drejta, por jo përtej logjikës së negociatave
dypalëshe dhe parimeve të UNCLOS.
E gjithë zhurma
politike është e kuptueshme, që nis nga Greqia jo si shenjë triumfi, por si
përpjekje për t’iu pranuar rinegocimi.
Detyrimi i palës greke
për një marrëveshje të re nuk gëlltitet aq lehtë në Athinë dhe Kotzias tani
duhet të përgatisë grekët që të mos e quajnë tradhtar, pse po gris marrëveshjen
me Berishën.
Së fundmi, ministri ynë
i Jashtëm shikoj që nuk po bën politikë me këtë çështje, pasi nuk ka ende një
marrëveshje, por nisje të një marrëveshje, që do të marrë shumë kohë dhe
saktësime për të shkuar tek një kufi i pranueshëm detar mes Shqipërisë dhe
Greqisë. Dhe është mirë që nuk bën politikë, pasi ndryshe nga Kotzias, që duhet
të përgatisë grekët që marrëveshja me Berishën do griset, ky ka vetëm një njeri
të mërzitur, dhe ai është Sali Berisha. Marrëveshja e tij nuk do të zbatohet
dhe Shqipëria duhet të vendosë dinjitetin dhe ligjin ndërkombëtar në këtë
histori, duke lënë pas sipërfaqet e detit që Berisha i fali Greqisë, për një
pazar politik, që dhe ashtu nuk funksionoi.
* * *