February 6, 2015

Rikthimi i venecianëve


Alqi Koçiko

85 kile sheqer, gjashtë palë çizme, ca thasë miell, një pirg konservash mishi dhe zero litra karburant. Ky nuk është bilanci i një minimarketi fshati pas ndonjë kataklizme, por gjendja e mallrave në rezervat e shtetit për raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore, që i la peshqesh pasardhëses qeveria e PD-së, sot në opozitë. Në fakt, vetë ky bilanc është fatkeqësi më vete, veçse jo natyrore por qeveritare. Përveç kësaj, peshqeshi pasurohet me 21 milionë dollarë borxh që Berisha ua premtoi por nuk ua dha kurrë, familjeve dhe bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet e vitit 2010, duke lënë mënjanë 16 milionë USD të tjera, dëmshpërblime të papaguara në vite.

Sot, opozita u rikthye fuqishëm në parlament për të ngritur zërin e akuzës dhe protestës ndaj menaxhimit të pamjaftueshëm e madje inkompetent të përmbytjeve aktuale, dhe sipas manualit demokratik, mirë bën, sepse është detyra e saj ta vërë qeverinë në shina. Nëse qeveria mund të kishte bërë më tepër, dhe mbase vërtet mundej, këto ditë e mbrapa përmes levave dhe strukturave të saj duhet të mobilizohet në maksimum. Pak rëndësi ka nëse duhet shpallur nominalisht apo jo “gjendja e emergjencës”, – dhe kjo është një tjetër akuzë e PD-së: Pse nuk e shpallni? – kryesorja është që emergjenca të kalojë me sa më pak dëme. Shumëkush madje do të dëshironte që ajo seancë e djeshme parlamentare të shtyhej, dhe të gjithë frekuentuesit e asaj salle të shkonin në zonat e dëmtuara për të dhënë sadopak ndihmë.

Por jo. Opozita duhej të ishte patjetër në atë sallë, jo thjesht për të akuzuar, një terren mjaft familjar ky për njerëzit që ende kanë nerva ta ndjekin politikën, por… edhe për të rikthyer në kujtesë shembullin e mirë të menaxhimit të krizave të tilla në kohën e qeverisjes së PD-së. Dhe foli zonja që të paktën për këtë rast, nuk duhej të fliste. Ish kryetarja e Kuvendit, Topalli, përmendi përmbytjet e Shkodrës dhe kujdesin e qeverisë së kohës, që ishte aq i madh për kafshët e bagëtitë, sa këta të sotmin nuk e kanë për njerëzit. Këtu kemi qenë dhe nuk mbajmë mend ndonjë ministër a deputet të kohës me dele mbi shpinë për ta hedhur në bregun matanë. Ama ajo që mbahet mend mirë, është protesta e herë pashtershme të banorëve të dëmtuar, që kaluar vite dhe nuk morën do dëmshpërblimin, i cili sot numëron 21.4 milionë dollarë. Sigurisht, mbahet mend edhe batuta fatkeqe e zonjës Topalli për Shkodrën, që me rrugët e saj plot ujë ku varkat shërbenin si taksi nga njëra hyrje pallati tek tjetra, ishte bërë si Venecia. Kemi pastaj edhe ish kryeministrin që në këtë pikë është bërë fiks si Shaban Qosja dhe pretendon ta kenë me të, edhe kur deputetë e ministra flasin me njëri-tjetrin.

Prandaj sot jemi në pikën që duhet të merakosemi seriozisht për opozitën, sepse nuk po arrin dot të kryejë misionin e saj të ekspozimit të kursit të gabuar të mazhorancës, të gafave e gabimeve të saj. Jo, nuk ka kohë për këtë, sepse duhet të bëjë të sajat. Ndaj vjen në sallën e Kuvendit si një opozitë në jerm, pa memorie, sikur ka zbritur nga Marsi, dhe u rrëfen njerëzve shembujt pozitivë të një kohe të mirë, kur përmbytjet menaxhoheshin siç duhet dhe ndoshta, të përmbyturit luteshin t’u ndodhte prapë, se dëmshpërblimet ishin më të mëdha nga zarari i pësuar.

Rikthimi i venecianëve në formën e djeshme, e më tej, në performancën e tyre gjatë këtyre ditëve krize, është tregues i qartë, dhe tejet i trishtë, se PD nuk ka nxjerrë asnjë mësim, për asgjë, edhe pas një goditjeje si ajo e 23 qershorit 2013. Por nëse problemi i shumicës së njerëzve të këtij vendi ndoshta nuk është thjesht SHQUP-i, është që ç’ke me të fakti që përballë kësaj opozite, mazhoranca mund ta ulë stekën pa u merakosur shumë.


*    *    *










Parlamenti grek, deputetët "tërbohen" me selfie


Parlamenti grek është mbledhur sot për herë të parë që pas zgjedhjeve të 25 janarit, të cilat nxorrën fituese partinë e udhëhequr nga Alexis Tsipras. Në ditë e parë të konstituimit të këtij Kuvendi të ri, mediat e vendit fqinjë kanë pikasur edhe shumë deputetë të mbërthyer nga mania për të bërë foto “selfie”, të cilat më pas i shpërndanin në rrjetet sociale.

Siç komentojnë mediat greke, në fytyrën e deputetëve lexohej gëzim, ndërsa shtrojnë pyetjen nëse do të vazhdojë ky gëzim edhe në ditët e ardhshme, po të kemi parasysh se sot Banka Qëndrore Europiane njoftoi se nuk do të blejë më obligacione greke. Pra, nuk do të japë më para borxh. Lapsi.al /


*    *    *