Nga
Alda Bardhyli
Poeti në kujtimet e së
motrës Olga. Ditët e fundit në sanatoriumin “Ospedale Valdese” në Torino … dhe
poezia për Bojkën
Ajo quhej Bojka.
Përtej dritares në dhomën e sanatoriumit “Ospedale Valdese” në Torino, Migjeni
shihte kopshtin e mbushur plot blerim. Në mendjen e tij orvatej imazhi i
Bojkës, vajzës shkodrane që ia kishte rrëmbyer zemrën. Sa bukur do të ishte
sikur sëmundja t’i lironte disi fuqitë dhe ajo të shfaqej aty në stolin e
vetmuar në kopsht. Do të humbnin në shëtitje deri në mesnatë, duke folur për
kohët larg njëri-tjetrit. Këto mendime vinin çdo çast në mendjen e djaloshit
teksa luftonte me sëmundjen në këtë sanatorium. “Ik! Ik, moj flutur se do të
digjesh! Se ke me ra në gyp të llambës dhe me flakët e saj ke me u djegë. Por
flutura sdëgjon, sillet, sillet e sillet. Dhe me atë të sjellun për gyp,
largohet, shkrepet, rrotullohet rreth llambës dhjetë herë për mi shkrepë …”,
shkruan ai në një nga shënimet e mbajtura gjatë atyre ditëve. Bojka duhet të
ishte në shtëpinë e saj në Shkodër, me mendjen nga i dashuri që po luftonte me
sëmundjen. Ndjesitë për të, Migjeni i ka lënë në disa vargje për dashurinë, por
një prej poezive të cilën ai ia dedikon asaj, është ajo me titullin për Z. B.
(Zonjushë Bojka).
“… Zojushë, q’at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me
një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër
që m’u falnë letë
me një
shikim diskret”
shkruan ai në vargjet e fundit të kësaj poezie. Mbërritjen në
Torino poeti i ri shqiptar nuk e kishte parë thjesht si një mënyrë për të
kuruar më mirë sëmundjen, por dhe si një mundësi për të ndjekur studimet për
letërsi. Prej kohësh ai e ndiente se lidhja e tij me letrat ishte po aq e fortë
sa një dashuri. Ai nuk mund të rrinte asnjë ditë pa shkruar. Këtë e tregojnë
dhe shënimet e hedhura mbi letër gjatë kohës që ishte në sanatorium. Ato vijnë
sot si një dëshmi e jetës së një prej personazheve më të mira të letrave
shqipe, mendimet e tij për njerëzit e afërm dhe idetë që e shoqëronin. “Ka kohë
që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpëruarve, në
sanatorium. Sot, më tepër se kurrë, m’asht dukë kjo banesë shtëpi e
dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë
fizikisht, vuej dy herë më tepër shpirtnisht. Mbasi e diela erdhën Olga, Arta
T., dhe Antim K. Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e
ngordhura nëpër tokë nga formalina. Në kurriz të politikës së ditës dhe në
kurriz të mizave të ngordhura e bamë pak gaz e humor. Kur shkuen këta, ndihesha
ma mirë, dhe në darkë ngana mjaft mirë”, shkruan Migjeni në shënimet e 15 majit
1938.
Sipas kujtimeve të Olgës, së motrës, e cila në atë kohë ishte studente në
Universitetin e Torinos, shokët nuk iu gjetën pranë në atë periudhë të
vështirë. “Dëshirën që t’i hapte zemrën dikujt e kish të madhe, se gjithnjë
pyeste se cilët nga studentët shqiptarë kishin mbetur në Torino gjatë verës …
Atëherë u mbyll në vetvete dhe priti çastin e kobshëm, natën e 26 gushtit 1938
kur iu bashkua ajrit të mbrëmjes për të ikur përgjithmonë larg”, kujton Olga.
Vdekja e Migjenit do të përcillej dhe në shtypin italian. Skënder Luarasi, i
cili është marrë me studimin e jetës së Migjenit, e përshkruan kështu atë çast:
“Vallë ç’ëndërr të bukur do të ketë parë atë çast të fundit, kur e ‘shoi si në
gjumë’? Jetën ia kemi hua natyrës, kush e ka përdorur si duhet këtë kapital më
të çmuar të njeriut, nuk ka pse t’i trembet vdekjes; le të vijë kur të vijë”.
Por Migjeni ishte vetëm 27 vjeç. Asnjë telegram ngushëllimi, e asnjë shkrim nuk
mund të zbusë trishtimin për një jetë të lënë në gjysmë aq shpejt. Kur mbërriti
në Torino, ai as që e mendonte se nuk do të kthehej më pas … E vetmja gjë që
ëndërronte ishte universiteti, shkrimi i vargjeve dhe kthimi te Bojka … Vajza,
portreti i së cilës mbeti gjithnjë në dorë të imagjinatës, për shkak të
familjes tjetër që krijoi, ishte frymëzimi më i bukur për Migjenin. Gjithë
trishtimin e kësaj ikjeje ajo e shprehu në letrat që i dërgoi së motrës së
Migjenit, Olgës. Bojka u nda nga jeta në Tiranë më 1991. Ka shumë pak detaje
nga jeta e Migjenit, kjo dhe për shkak të viteve kur jetoi e jetës së shkurtër.
Por çdo lexues i vargjeve apo i prozës së tij të shkurtër, do të donte të dinte
diçka më tepër për njeriun brenda atyre vargjeve, i cili është aq modern edhe
sot. E motra, Olga Nikolla, është e vetmja që ka mundur të bëjë të plotë tipare
të karakterit të tij, ndoshta dhe për faktin se ishte e vetmja që i qëndroi
pranë në ditët e fundit. Ajo ishte studente në Fakultetin e Shkencave Ekzakte,
dega Fizikë në Universitetin e Torinos. Në letrat që do të botojmë më poshtë,
përshkrimi që ajo i bën atij, të sjell ndërmend një djalosh të lidhur fort pas
arteve dhe jetës së kohës. I pëlqente muzika, sportet, kinemaja dhe fitonte
gjithnjë në shah.
Një tjetër letër është e Theofan Popës, shok i tij në
shkollën e mesme teologjike në Manastir. Dhe ai nënvizon pasionin e poetit për
këngën, sesi këndonin gjatë nën dritën e hënës. Ky është Migjeni, djaloshi që e
deshi aq shumë jetën dhe shkroi aq qartë e me vërtetësi vargje që ende dhembin
sot …
A.B.
Letrat
Migjenit i pëlqente të
këndonte …
“Milloshit i pëlqente
shumë të lexonte. Kohën e lirë e shkonte gjithnjë me libër në dorë. Milloshit i
pëlqente edhe sporti. Dinte të bënte not shumë mirë. Notin e kish mësuar në
detin e Tivarit, ku kaloi dy vjet te motra jonë më e madhe Lenka, ku ndiqte
mësimet në gjimnaz. Në Shkodër, kur vinte për pushimet e verës, shkonte
herë-herë me shokë tek ura e Mesit në Shirokë, të lahej. Një tjetër sport, me
të cilin merrej Milloshi, qe futbolli. Këtë lojë e kishte nisur në Manastir,
dhe kur vinte në Shkodër shkonte me shokët të lozte te Zalli i Kirit. Milloshit
i pëlqente veçanërisht muzika. I binte mandolinës. Në shtëpi këndonte
kurdoherë. Kënga e tij e preferuar ka qenë ‘Vjeccerni zvon’ (Zëri i natës).
Këtë e këndonte rusisht dhe kërkonte ta shoqëronim edhe ne motrat. Këndonte me
andje edhe ‘Serenatën e Shubertit’. Ndiente gëzim të madh kur dëgjonte këngë
korale. Korin rus e admironte dhe shprehte mendimin për ndjenjat që i
ngjallnin. Kishte vesh të mirë muzike dhe zë shumë të bukur … Ne shpesh i
luteshim të na këndonte. Milloshi e ndiqte shumë kinemanë, të vetmin
institucion kulturor në Shqipëri në atë kohë. Filmin e komentonte shumë duke e
sqaruar deri në fund. I njihte regjisorët dhe artistët dhe prej emrave të tyre
gjykonte filmin që më parë. Nga artistët më shumë donte Çarli Çaplin dhe Greta
Garbo. Milloshi dinte të lozte mirë shah. Në lojë qëndronte gjithnjë i qetë, me
gaz në buzë, dhe fishkëllente ndonjë këngë. Nuk pinte alkool dhe duhan. Kur ish
i ri, në shkollë qëndronte në krye të shoqatave që organizoheshin kundër pijes
së duhanit.
Olga
Ditët e fundit në
Torino
“Më 1932, mbasi mbaroi
seminarin e Bitolit, im vëlla, Milloshi, njëzet vjeç, u kthye në Shkodër.
Megjithëse ka qenë gjithmonë delikat, këtë mot dukej shumë më mirë se
kurdoherë. Menjëherë kërkoi bursë për të vazhduar mësimet, por nuk i dhanë.
Vetëm pas dhjetë muajve, kur u shtetëzuan shkollat, e dërguan mësues në Vrakë,
7 km larg Shkodrës. Udhën për në fshat shtrëngohej ta bënte çdo ditë me
biçikletë në shi e në vapë, dhe me atë pak ushqim që merrte me vete për drekë.
Kur e njohën mirë banorët e Vrakës nisën ta duan e ta nderojnë, por strapacat e
mëdha që hoqi muajt e parë ia zgjuan sëmundjen e mushkërive. Gjithë përpjekjet
që t’ia priste hovin me transferimin e tij nga një fshat malarik në Shkodër, në
një vend malor si Puka, ku shërbeu më 1936-1937, nuk i sollën dobi. Në verën e
vitit 1935, mjekët e Tiranës e këshilluan të shtrohej në ndonjë sanatorium. Për
në Golnikë nuk i dhanë pasaportë dhe në Athinë për mungesë ekonomike nuk ndenji
vetëm një muaj. Më 22 dhjetor 1937 erdhi në Torino. Dëshironte që të
regjistrohej në Fakultetin e Letërsisë dhe t’i binte pas shëndetit. Pasi
dokumentet shkollore iu kthyen nga Tirana të palegalizuara, regjistrimin nuk
mundi ta bëjë. Por kjo e keqe nuk e preokupoi kaq shumë sa ajo tjetra. Në
klimën e fortë të Torinos sëmundja e tij mori hov. Mjekët e këshilluan të
shtrohej në sanatorium. E vendosën në sanatoriumin ‘San Luigji’ afër Torinos.
Këtu në fillim u duk sikur po shërohej. Të gjithë ia thoshin këtë. Edhe ai vetë
sikur e ndiente përmirësimin. Kur e vizitonin shokët të dielave ishte i gëzuar
dhe i priste me padurim. Por ky përmirësim nuk zgjati shumë. Filloi të ndihej
keq. Mjekët i propozuan një operacion të vogël. Milloshi pranoi dhe operacioni
u bë në qershor. Efekti qe fatal. Iu pre oreksi, humbi fuqinë dhe humorin e tij
tërheqës. Besonte se po të transferohej në ndonjë sanatorium malor do të bëhej
më mirë. Mezi i siguruam një vend në Ospedale Valdese në Tole Pelicce afër
Torinos, për ku e shoqëruam më 12 gusht. Milloshit i pëlqeu shumë ky vend dhe
tha se do të dilte të shëtiste sapo të çlodhej nga udhëtimi. Por nuk e shëtiti
kurrë … Për dy ditë mundi të dilte nga pak në kopshtin e sanatoriumit, të
tretën pati një krizë aq të fortë sa kërkoi oksigjen. Dy javët e tjera ndenji
në shtrat pa lëvizur, me pak ose aspak ushqim, duke folur për herë e më rrallë,
krejt i ndërgjegjshëm për çka po ndodhte me të …”
Olga Nikolla
5 shkurt 1956
Studenti
I pëlqente vetmia
“Qysh në gjimnaz, kur
isha akoma i vogël, e simpatizoja fytyrën e ëmbël e buzagaz të Milloshit. Kjo
ndofta vinte nga përkëdheljet që na tregonte ai ne të vegjëlve. Më vonë fillova
të piqesha me të më shpesh në korin e seminarit. Mbasi Milloshi kishte një zë
të ëmbël e lirik tenori, merrte pjesë në kor si një nga anëtarët më të mirë të
tenorit të parë. Unë këndoja si tenor i dytë. Aty pata rast të bisedoja më
shpesh me të, ta kuptoja më mirë e ta çmoja më shumë.
Milloshi dallohej si
një nga nxënësit më të zotë e më seriozë të shkollës sonë. E karakterizonte një
inteligjencë e hollë e përsosur. Në të gjitha mbledhjet dhe konferencat letrare
të seminarit shquhej si një talent i fuqishëm e i pasur. Atë nuk e interesonte
vetëm teologjia, ku dhe aty dallohej si një nga nxënësit e fortë, por
gjithashtu edhe arti letrar, muzika dhe sidomos problemet shoqërore. Kurdo që
shfaqej ndonjë çështje për mbrojtjen e së drejtës, në çfarëdo lënde qoftë,
Milloshi shpërthente me shprehjet e tij të zjarrta plot shpirt. Më kujtohet
shpeshherë kur fliste në konferencë. Ai dukej si një flakë që digjesh për të
drejtën njerëzore. Ajo që e bënte Milloshin të simpatizohej e të çmohej nga
shokët e tij nuk ishte vetëm talenti i fuqishëm, plot shkëlqim, por edhe
sjellja e tij e urtë në raste të zakonshme e të veçanta. Milloshi nuk merresh
me sende të vogla e pa rëndësi. Dhe sidomos urrente ngatërresat e grindjet e
kota për çështje të parëndësishme. Kur shihte se ndodhte ndonjë gjë e tillë
ndër shokët skuqej, zemërohej dhe largohej në vetmi. Shpeshherë ia kish anda
vetminë. Duke qenë fisnik në shpirt e urrente brutalitetin dhe këtë e shprehte
në shumë raste, duke qortuar ata shokë, të cilët silleshin keq. Në sallën
madhështore të shkollës sonë, gjatë festave organizoheshin ballo, nga nxënësit e
nxënëset e shkollave të mesme. Këto ballo ishin gëzimi i nxënësve. Në to
natyrisht merrte pjesë edhe Milloshi. Sjellja e tij ishte kurdoherë e matur e
me një elegancë natyrore. Kur shoqërohej me vajzat, ai vetë dukej si një vajzë
ndërmjet tyre, se kur fliste ai skuqej më tepër se ato. Në këto raste kuptohej
mirë se ai e çmonte shumë seksin femëror dhe shihte tek ato diçka të lartë e më
fisnike se te djemtë.
Milloshit i pasqyrohej
shpirti i tij artistik edhe në paraqitjen e jashtme. Pastërtia, simetria dhe
thjeshtësia e veshjes së tij, jepnin të kuptoje se kishe të bëje me një shpirt
elegant.
Një verë, konviktorët
e shkollës i çuan në manastirin Vrajcin midis Bjeshkëve gjigante të Peristerit
e liqenit të Prespës.
Në këtë vend piktoresk
me pyje, përrenj, e liqene kisha kënaqësinë të shoqërohesha me Milloshin. Na
bashkonte më tepër kënga. Shpesh këndonte me gjithë shokët, por ndonjëherë ai
dhe unë, ai si tenori i parë dhe unë si i dytë. Këndonim shqip, serbisht,
rusisht shpeshherë nën dritën e hënës, në atë natyrë tërheqëse. Nga ato shqip
kishte më për zemër këngën ‘Nën hijet e hënës rrije’. Kur këndonte ndiente
gëzim të madh. Por i pëlqenin shumë edhe pjesët e mira të muzikës kishtare.
Në përgjithësi kënga
për të ishte çlodhje dhe gjente në të një kënaqësi të madhe shpirtërore. Disa
vjet më vonë, kur u ktheva nga studimet prej Athinës, dëgjova për një poet të
ri shqiptar me emrin Migjeni, madje kisha lexuar dhe disa vjersha të tij, por
nuk e dija se ky Migjeni ishte Milloshi ynë. Kur e mora vesh, u interesova
shumë për gjithë veprën e tij dhe më vonë, kur u botuan vargjet e lira, i bleva
dhe i ruaj me dashuri e mall të jashtëzakonshëm. Milloshi para meje qëndron si
një hero i moralit dhe i së drejtës njerëzore, e si i tillë do të jetë i
paharrueshëm në kujtesën e zemrën time.
Theofan
Popa
(Student
me Migjenin në shkollën e mesme teologjike të Manastirit)
* *
*