January 31, 2014

Numri 2 i PD

<img src="Lul Basha dhe Grida Duma.jpeg" alt="Lulzim Basha dhe Grida Duma, Numri 2 i PD?!!" />

Ylyly
E Trylyly
Kishim nji Lule

Na u bon Dy!



Grigja kërkon ndjesë për kandidimin me kokë të vet, 
para Kunatit

Edhe pse Kunati e pati lajmëruar që të mos vinte kandidaturën për numrin 2 të partisë, Grigja nuk e dëgjoi. Pasi lajmi u bë publik, Doktori thirri Lulin, Luli thirri Kunatin dhe nxitimi i Grigjës u kritikua rëndë.

Pozitën më të vështirë në këtë rast e kishte Kunati, i cili do t’ia komunikonte Grigjës. Lexonte dhe rilexonte deklaratën e Grigjës:
“Pres të jem ndër figurat përfaqësuese të Partisë Demokratike. Nuk kam pritshmëri të numrit dy, tre apo katër, por shpresoj shumë që ajo që përfaqësoj si unitet brenda atij grupimi të pasqyrohet edhe në rolin që do marr aty. Pra, një lloj përfaqësimi mediatik timin, së paku të jetë ky lloj harmonizimi. Por nga ana tjetër nuk do doja që asgjë të lexohet si me tepri. Nëse për militantët e Partisë Demokratike posti numër 2 duhet të ishte një lexim nderi, nuk do më shqetësonte të vazhdoja të jepja kontributin”.

E lexonte dhe nuk kuptonte gjë.

Mori sërish Lulin në telefon.

-Kjo deklarata është e paqartë, tha. Si e keni kuptuar ju që ka kërkuar të jetë numri 2?

-Nuk është atje puna, por Doktori ka thënë që renditjet janë kompetenca e imja, jo e të tjerëve, aq më pak e atyre që nuk janë akoma në udhëheqje.

-Po se unë po lexoj këtë përgjigjen dhe nuk po kuptoj gjë, tha Kunati. Kjo përgjigjet njësoj si tek Antena.

-Nuk e di, zgjidhe këtë punë, tha Luli. Thirre dhe tërhiqi vërejtje.
Më në fund Kunati ishte në zyrë me Grigjën.

-Ka ngjallur shqetësim lart deklarata jote, i tha Kunati. Si do t’ia bëjmë?

-Unë e thashë në sensin që vokacioni im politik në favor të së djathtës ka një përputhshmëri me pritshmërinë adekuate të elektoratit, që është në funksion të një diskursi që formulon opsione permanente karriere në dispozicion të kësaj fryme, që ne të jemi komplementarë me dëshirat tona.

-Po ti, tha Kunati, pse nuk flet kaq ngatërruar dhe në publik që mos të kuptojnë gjë, por m’i sqaron vendet aty 2, 3, …

Ja. kështu fol, ka lezet, nuk kuptohet. Na ke futur në telashe. Doktori ka thënë, jam unë, ka disa vende bosh, është Luli, pastaj vijnë të tjerët. Lulit nuk i ka dhënë numër akoma.

-S’ka problem, i tha Grigja. Është në prirjen time të jem në dispozicion të një performance që artikulon dëshirat e mia dhe vihet në raport të drejtë me pritshmërinë e lidershipit, pavarësisht vendit ku jam.

-E kuptova, tha Kunati. Ti do që të jesh pas Lulit, nuk ka rëndësi çfarë vendi ka Luli. Do përpiqem t’ia them udhëheqjes këtë. Por dua siguri që të mos dalësh më këto ditë në media të  bësh deklarata për nurin 2. Kam gjithë reagimet e kryesisë këtu, për autokritikën tënde dhe të gjitha bashkohen në një pikë, që ti akoma nuk ke hyrë në PD dhe do të shkosh drejt e në krye.

-Po me sa e njoh unë historinë e kësaj partie, kështu funksionon, tha Grigja, nga lart- poshtë, jo nga poshtë- lart. D.m.th lëvizja e vlerave fillon me përthithje nga lart dhe pastaj hidhen poshtë. Ky është momenti im.

-Qartë, qartë, tha Kunati, por mos bëj më deklarata. E bukur je, ç’të duhet të flasësh se humbet pikë. Këtu ecin ata që nuk flasin dhe pa qenë të bukur, jo ti që je dhe e bukur.




*   *   *











January 30, 2014

Plani sekret:

 CIA 
do blinte floririn e 
Ahmet Zogut në Egjipt
imazhe shqip

Arkivat Amerikane

Në vitin 1953, Mbreti Zog vazhdonte të jetonte në Egjipt. Por prej disa muajsh, miku i tij, Mbreti Faruk kishte rënë nga pushteti dhe një tjetër linjë politike drejtonte Egjiptin. Ndryshimi i kursit politik solli dhe pasojat e para për Zogun. Fillimisht, autoritetet egjiptiane e vendosën nën hetim Zogun për evazion fiskal. Më pas ata i sekuestruan atij sasitë e floririt që Zogu i kishte marrë nga Shqipëria dhe I kishte ruajtur në Egjipt. Një sasi, që asokohe vlerësohej në 3 milionë dollarë.  Egjiptianët nisën menjëherë masat kundër Zogut, por sikundër tregojnë dhe dokumentet e de-klasifikuara, ky veprim i tyre vuri në lëvizje amerikanët. Dokumenti i CIA-s zbulon s e ka pasur një takim në rangje të larta mes zyrtarëve amerikanë dhe qeveritarëve egjiptianë për këtë çështje. Amerikanët ja kanë bërë të qartë  palës Egjiptiane se nuk dëshironin që ndaj Zogut të ushtrohej presion pasi ai përfaqësonte një aset që po u shërbente amerikanëve dhe CIA-s në operacionet sekrete të diversionit kundër vendeve komuniste. Atëherë Egjiptianët sugjeruan një skemë që vetë CIA të blinte këtë sasi floriri që ata ia kishin sekuestruar Zogut. Detajet mbi këtë propozim gjenden të sqaruara në dokumentin e përkthyer pjesërisht të CIA-s të zbardhur më poshtë:

  SEKRET                                                                 
20 Tetor 1953

                                 Informacion i Siguruar                 



Për ZOGUN.

Siç edhe na ka raportuar kontakti ynë më datën 17 Tetor, ka pasur disa takime formale dhe informate me autoritetet Egjiptiane dhe Zogu është shumë i shqetësuar për akuzat që mund të ngrihen kundër tij. …. Zogu ka dërguar ish-ministrin e tij në Kajro, për të informuar Ministrin e Jashtëm që Zogut i duhet një pjesë e parave të ngrira për të siguruar jetesën dhe për të kërkuar që të bëheshin të qarta akuzat ndaj tij. Personi (i fshirë emri) sugjeroi që këto lëvizje të Egjiptianëve ndaj Zogiut mund të jenë një “gjueti peshqish”  për të gjetur më parë faktet dhe më pas për të ndërtuar akuzën.  Ai shprehu besimin e tij se nëse Zogu do të tregonte vullnet për të bashkëpunuar atëherë një rrugëdalje mund të gjendej. Ai udhëzoi se çdo çështje e rëndësishme duhej diskutuar me vetë Zogun personalisht. Raportojmë se dosja e (emër i fshirë) i është kthyer atij që më datën 17 Tetor. Kontakti i Zogut pasi ka kontaktuar një oficer egjiptian policie i cili i ka thënë se pritet që brenda datës 22 Tetor policia t’i bëjë një kontroll fizik Zogut. Më datën 16 tetor Zv.Kryeministri i Egjiptit, Gamal Abd al Nasr, i tha një oficeri të ambasadës sonë se Egjipti ka bërë përpjekje që të mbledhë taksat por Zogu ka refuzuar. Oficeri i ambasadës i bëri të qartë Naserit se Zogu e ka ndihmuar shumë perëndimin në fushatën anti-komuniste dhe çdo fushatë apo përndjekje ndaj Zogut nuk do të pritej mirë në SHBA. Naseri i sugjeroi Shteteve të Bashkuara që të blinin florinjtë e Zogut me dollarë, e më pas t’ia shisnin këtë sasi Bankës së Egjiptit e cila do e blejë në paund-egjiptianë dhe me sasinë e fituar, amerikanët të përballonin shpenzimet e tyre qeveritare në Egjipt. Ambasadori nga ana e tij shprehu dëshirën që CIA të merrte në shqyrtim këtë propozim. Personi (emër i fshirë)  pasi u njoh me këtë propozim, vuri në dukje se as çështja e taksave dhe as çështja e floririt nuk ishin një problem aq i lehtë sa dukeshin. Ai tha se rekomandimet e tij do të vinin pas bisedimeve të fundit që do të zhvillonte me Zogun në Aleksandri(Egjipt). Këto rekomandime ne ende nuk i kemi marrë”. /Dita



imazhe shqip

 (dokumenti vijon më tej me detaje për çështjen e taksave të papaguara dhe të floririt të Zogut)


*   *   *










CIA: Incesti dhe arkat me flori në dhomat e Zogut

Në një letër dërguar Agjencise Qendrore të Inteligjencës në SHBA(CIA-s), avokati amerikan Edgar M.Church, shpjegon në detaje vizitën e tij në Egjipt në vitin 1949 dhe ofron një tablo për të gjithë personazhet që njohu atje. Në këtë letër avokati amerikan shprehet se ai personalisht nuk ka parë apo takuar asnjërën prej motrave të Ahmet Zogut, por shton se kunata e Zogut, i ka rrëfyer atij mbi marrëdhënien që kishte Zogu me të motrën e vetë. Më pas avokati amerikan raporton dhe informon se gjatë një shëtitje me Geraldinën në rezidencën e re që po ndërtonte Zogu, kjo e fundit i bëri të ditur se motrat e Zogut do të jetonin veçmas çiftit, por la të nënkuptohej se përjashtim bënte Senija, e cila do të qëndronte pranë dhomave të Zogut. Avokati amerikan përshkruan në detaje dhe arkat me florinj që mbante Zogu në shtëpi dhe historinë e një shërbëtoreje të shtëpisë që u dyshua se kishte vjedhur flori. Më pas Edgar M.Church, detajon dhe të dhënat mbi motrën e Geraldinës dhe bashkëshortin e saj amerikan të cilët thekson se nuk mund të konsiderohen “veçanërisht të besueshëm”. Por përtej këtij fakt, në dosjen e de-klasifikuar amerikane të CIA-s, avokati amerikan në disa letra të njëpasnjëshme që i ka dërguar kësaj agjencie të inteligjencës ka theksuar faktin se edhe ai vetë besonte dhe kishte krijuar bindjen se Zogu dhe motra e tij Senije(të cilën amerikani herë e shkruan Xenida dhe herë Xeneia,) kishin një marrëdhënie intime mes tyre dhe se Geraldina, gruaja e Zogut,  ishte në dijeni të plotë të këtij fakti.

 imazhe shqip
Avokati amerikan nga ana e tij u afrua pranë oborrit të Mbretit Shqiptar në Ekzil nga vetë gruaja e Zogut, pasi ai ishte i martuar me kushërirën e saj. 

Më poshtë dokumenti i plotë i datës 11 Maj 1949 i de-klasifikuar nga CIA dhe i përkthyer në shqip:


SEKRET 11  Maj 1949

-Memorandumi i dosjes: (me shkrim dore)  Info nga Edgar M. Church, bashkëshorti i kushërirës së Geraldinës dhe avokat i Zogut

1. Mbreti Zog jeton në adresën 16 Rue Ekbal, Ramleh, Alexandria

2. Me aq sa konstatova unë gjatë vizitës ku takova mbretin, të ftuarit e tij dhe familjarët e tij, janë këto të dhëna të mëposhtme:

a) Kemal Bey Messari: Messari është një kujdestar i cili me sa duket kujdeset për punët e grupimit të Zogut dhe protokollin. Ai ishte personi që u dërgua për të më takuar mua kur mbërrita në hotel, hoteli ishte shumë pranë rezidencës së Zogut dhe në këtë hotel ai akomodon të gjithë të ftuarit e tij.  Ai nuk mundi dot të hynte në bisedë me mua dhe më mbajti nën survejim për 2 orë përpara se të prezantonte veten. Unë e kuptoj këtë qëndrim të tij, si diçka të paramenduar që ka lidhje me protokollin e sigurisë. Ai hyn tek krahu i të fortëve, mban syze-teke, ai duket se thjesht rri kot aty dhe bën relativisht një jetë boshe.

b) George Gog: Gog është një ish-ushtarak i lëvizje së rezistencës në Shqipëri. Ai është i ri, diku tek 30 vjeç, ka flokë të zinj, sy bojëqielli dhe shtatlartë. Ai duket në një formë të përkryer fizike sa që nuk gjej fjalë ta përshkruaj.  Nga ajo që kam kuptuar unë, ai ka mbërritur në shtëpinë e Zogut, përpara 6 muajsh(Tetor 1948), pasi ka qenë shumë aktiv me rezistencën dhe organizimin e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri.

c) Sater Martini: Martini duket se ka qenë Kryeministri i Zogut dhe miku më i besuar i tij, në kohën kur Zogu ishte zyrtarisht Mbret i Shqipërisë. Ai me shumë gjasa ka qenë njeriu më besnik në krahë të Zogut që përpara se Zogu të bëhej Mbret. Ai është afërsisht 60 vjeç, me flokë gri dhe me kaçurela. Ka sy bojëqielli dhe është shtatlartë. Ai është  shërbëtori më i besuar i Zogut, sikundër është mëse e qartë se atij i janë lënë për administrim nga Zogu të gjitha punët e natyrës politike. Besnikëria e tij ndaj Zogut as që mund të vihet në diskutim dhe përshtypja që më la mua nga kontakti që pata me të është se ai do e jepte menjëherë jetën e tij për “Mbretin e tij”.

d) Konti Alexander(Skënder) De Villa: Villa ka nënën franceze ndërsa të atin shqiptar. Me sa kuptohet, babai i tij ka qenë ambasador në Paris për disa kohë, përpara vitit 1940. Villa është një nga anëtarët e hyrë së fundmi në të ashtuquajturin “Grupi Mbretëror”. Ai duket se merret me problemin e financave të Mbretit Zog dhe të transaksioneve Financiare. Ai shpesh në aksin Aleksandri-Paris. Gjatë kohës që po ndërmjetësonte së bashku me Zogun transferimin e fondeve  nga “Guaranty Trust Company” e Nju Jorkut, për në “National City Bank”, Villa e mori atë me vete për të përgatitur prokurën e nevojshme të përfaqësimit në emër të tij, e cila i krijonte mundësinë për të ekzekutuar transfertën e fondit. Gjatë kohës që isha në Aleksandri, gruaja e Zogut, Geraldina, më kërkoi që unë t’i bleja asaj një automjeti Cadillac limuzinë me kapacitet për shtatë pasagjerë. Ndërsa isha duke përgatitur blerjen e këtij automjeti, në mënyrë indirekte më thanë se Villa do të ishte në gjendje që të kryente të fondeve që do më duheshin mua për blerjen e këtij automjeti.

Në gjykimin tim, Villa përdoret nga Zogu, pak a shumë si një shoqërues i gruas së tij, si dhe për ta përdorur për transferua  apo transaksione fondesh në tregun e zi ndërkombëtar.

3. Nga të gjithë emrat që kam renditur, do theksoja që  Alexander De Villa është njeriu më pak i besueshëm. Ai duket se është jashtë loje për sa i takon angazhimeve dhe punëve të mia me Zogun në Shtetet e Bashkuara. Zogu e ka urdhëruar atë që të bëjë siç unë i them. Villa herë shfaqet i ngathët e herë këmbëshpejtë për punët që ai vetë ka në dorë, këtu do të shtoja se kam një respekt të konsiderueshëm për nivelin e intelektit të Gog dhe Martini.

4. Pesë motrat e Zogut duket se jetojnë në rezidencën e tij  së bashku me të. Më poshtë po rendis emrat e tyre sipas moshës, duke filluar nga më e moshuara.

a. Majide
b. Musezan
c. Xeneia (Sanija)
d. Naphia
e. Adele

Unë kurrë nuk jam takuar me ndonjërën prej tyre, e me sa duket në përputhje me ligjet Muhamediane ato jetojnë në një tjetër hapësirë të pallatit. Mbretëresha ma ka lënë të nënkuptuar në mënyrë indirekte, ndërsa motra e mbretëreshës, Virginia, ma ka shprehur në mënyrë fare të hapur, se motra e tij Xeneia, ka një ndikim të fortë tek Zogu. Është më se e kuptueshme dhe e dukshme se Zogu po jeton me motrën e tij në fjalë si burrë e grua dhe me shumë gjasa Villa përveç detyrave zyrtare është marrë edhe për të argëtuar gruan e Zogut. Sipas informacionit më të mirë që munda të siguroj dhe jam përpjekur shumë që ta siguroj këtë informacion, motrat e kanë mendjen që i vëllai t’i mbajë me lekë, me sa më shumë lekë që të jetë e mundur. Asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë nivel intelekti të spikatur, me aq sa munda të kuptoj unë.

5. Zogu dhe gruaja kanë një djalë të moshës 11 vjeç. Ai njihet si Leka. Ai është biond, me sytë e zinj, shumë i afrueshëm dhe flet anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip. Leka është shumë më i pjekur për moshën që ka. Zogu mundet të braktisë gruan dhe djalin duke menduar për rikthimin në Shqipëri, duke i lënë ata që të kujdesen për njëri tjetrin dhe Mbretëresha më tha se ajo dhe i biri duan që të shpërngulen për në Amerikë përpara se të jetë shumë vonë.

6. Ndërsa isha duke vizituar Zogun dhe gruan e tij, ajo më shëtiti tek rezidenca e re që ata janë duke e ndërtuar. Shtëpia është shumë e madhe dhe është shtrirë në një terren me hapësirë të konsiderueshme. Trualli ka kushtuar 20 mijë paund egjiptian ndërsa godina  ka kushtuar rreth 10 mijë paund egjiptian. Kjo rezidencë e re është në pozicion diagonal me rezidencën ku banon aktualisht Zogu. Të gjitha motrat, me përjashtim të Xeneia, do të jetojnë në një tjetër shtëpi e cila ndodhet të paktën 300 yard më tej.  Sipas planifikimit që kanë bërë, Xeneia do të akomodohet në dhoma pranë dhomave të Zogut ndërsa Mbretresha do ketë dhomat e saj disi më të shkëputura prej Mbretit.

7. I biri Leka ka një governante angleze që kujdeset për të dhe kjo governante me sa duket gëzon një besim të fortë në të gjithë familjen përfshirë dhe Mbretin dhe Mbretëreshën. Motra e Mbretëreshës më ka thënë muajin e fundit se kur ajo kishte ikur për disa kohë në SHBA, ndodhi që governantja ishte pushuar nga puna ose ishte duke u pushuar nga puna. Unë vetë nuk e kam parë e as nuk e kam takuar ndonjëherë këtë governante.

Kjo governante është punësuar nga Zogu, diku nga viti 1943 në Angli dhe është shpërngulur në Aleksandri së bashku me familjen, në kohën kur familja shkoi atje në vitin 1946. Duke marrë shkas nga pakënaqësia që kishte me infermieren Zogu i mban të ardhurat e tij në sasi floriri’ dhe me ç’kuptoj unë ai ka një shumë prej 800 mijë dhe i ka fshehur në arka që i mban në dhomat e tij të gjumit. Në këto arka ai mban dhe bizhuterisë e gruas së tij apo bizhuteritë e kurorës. Është një rregull i qartë për të gjithë se vetëm Mbreti dhe Mbretëresha mbajnë çelësat e këtyre arkave dhe se vetëm shërbëtorët apo njerëzit më të besuar mund të ndodhen në këto dhoma kur nuk ndodhet Mbreti dhe Mbretëresha. Me sa duket dikush tjetër ka pasur akses tek këto arka dhe që ka lidhje me vjedhjen që nënkuptova më lart. Pas hetimeve që kanë kryer ata kanë dalë në përfundimin se governantja ka qenë fajtore dhe kjo ka shërbyer për pushimin e saj nga puna.

8. Messari, Martini dhe Villa flasin që të tre një frëngjishte shumë të mirë, si shqiptarë që janë. Gog nuk di të flasë tjetër gjuhë përveç shqipes me sa kuptoj unë. Mbreti flet një frëngjishte mediokre, flet mirë gjermanisht, anglisht s’di fare, merret vesh turqisht dhe sigurisht që flet shkëlqyeshëm shqip. Motrat flasin një frëngjishte të çalë, me theks të fortë shqiptar. Mbretëresha flet anglishte perfekte,  frëngjishte perfekte, gjermanishte perfekte, hungarishte perfekte, shqipe perfekte dhe pakëz gjuhë arabe.

9. Diku nga viti 1947, duket se motrat e Mbretëreshës së Shqipërisë bënë një vizitë në Romë për një takim me Papën. Nuk mund ta marr dot vesh arsyen e kësaj vizite. Mendoj se Mbretëresha dhe Mbreti janë të prirur drejt një divorci mes tyre  dhe mund të ndodhë që Mbretëresha është e prirur për një edukim katolik të birit të saj ndërsa Mbreti synon një edukim Muhamedan. Jam i prirur të besoj se një divorc do të vinte vetëm si një vullnet i Mbretit se sa si një vullnet i Mbretëreshës. Mendoj se ajo e gjen veten më mirë në këto pozita si gruaja e Mbretit, se sa si një shtetase amerikane me të ardhura të kufizuara.

10. Mikesha më e ngushtë e Mbretëreshës jashtë familjes është Mbretëresha e Bullgarisë, Giovanna. Mbretëresha e Shqipërisë dhe ajo e Bullgarisë pijnë rregullisht çaj mes tyre të paktën 3 herë në javë, e me sa kam kuptuar nga bisedat me Mbretëreshën e Bullgarisë ajo është shume e kujdesshme ndaj Geraldinës. Duke qenë më e moshuar dhe me më shumë përvojë, Mbretëresha e Bullgarisë nuk rresht së këshilluari Geraldinën për problemet që ajo ka si gruaja e mbretit Zog. Kam një përshtypje se Giovanna është më e zgjuar nga ç’duket.

 11. Mbretëresha Geraldine, ka një motër, të cilën e kam përmendur dhe më parë( Zonja Virginia Aponnyi Blackburn) e cila është e martuar me amerikanin Joseph Blackburn. Blackburn ka lindur në Denver, Colorado, është i shkolluar në “YALE” i diplomuar në vitin 1943 dhe punon aktualisht në “TMA Airlines”, 101, Champs Elysses, Paris, France. Blackburn vjen cik si i papërgjegjshëm, është i këndshëm, tip optimist dhe shok i komunikueshëm. Virginia, gruaja e tij, ka ndikim tek Geraldina më shumë se çdokush tjetër. Me ç’kuptohet ajo ka punuar me G-2 në Hungari gjatë luftës. Ajo është shumë e dobët mendërisht dhe fizikisht edhe për shkak të eksperiencës së saj me nazistët gjatë luftës në Hungari. Virginia është shumë e kujdesshme ndaj së motrës dhe bën çdo gjë për t’iu gjendur pranë. Asnjë prej të dyve, as Zoti dhe as Zonja Blackburn, nuk mund të konsiderohen veçanërisht të besueshëm megjithëse ata ekspozohen si persona me integritet të madh.
 imazhe shqip


Letërkëmbimi mes zyrtarëve

Si e shikonte CIA avokatin amerikan 
që raportonte për Zogun

Dokumenti i deklasifikuar që zbardh korrespondencën mes dy zyrtarëve të CIA-s dhe interpretimin e tyre mbi statusin që avokati Edgar M.Church kishte në raport me Zogun dhe në raport me vetë CIA-n.

Më poshtë ofrohet letërkëmbimi sekret ndërmjet dy zyrtarëve të CIA-s, të cilin e kemi përkthyer pjesërisht. Përzgjodhëm vetëm pjesën ku sqarohet raporti i CIA-s me avokatin Edgar M.Church dhe roli i tij në planet e CIA-s për të inkuadruar dhe Zogun. Sipas këtij letër-këmbimi del e qartë se Church nuk është një punonjës mirëfilli i CIA-s por duke qenë se ka pasur marrëdhënie të afërta me familjen e Mbretit Zog, është vënë në dispozicion të kësaj agjencie për të informuar mbi të gjitha detajet dhe mbi gjithçka që kishte dijeni mbi Zogun. Nga ana e saj CIA kishte interes në përfshirjen e Zogut, dhe influencës së tij brenda Shqipërisë, për të realizuar operacionin OBOPUS/BGFIEND që synonte  rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.



SEKRET
MEMORANDUM PËR: (….)

SUBJEKTI: a) Propozimi për Operacionin Shqiptar
                   b) Edgar M.Church, c/o Sherman, Sterling&Wright, 20 Exchange Place,New York

City (residence: 16. E, 72nd St., New York City)             

1. Në vijim të bisedës sonë, mëngjesin e sotëm, po ju rendis të dhënat për subjektin tonë dhe karakteristikat e tij. Zoti Church është një avokat i cili punon në një firmë të njohur ligjore, i diplomuar në Universitetin e “YALE” dhe i angazhuar për të na ndihmuar në lidhje me ç’të mundet duke marrë shkas nga rrethanat e tij. Ai nuk ka kërkuar punësim nga CIA apo ndonjë agjenci tjetër shtetërore por ka shprehur gatishmërinë e tij me aq sa mundësi i paraqiten.  Atë e solli për të më takuar mua zoti Presçot Childs, pasi dëgjoi historinë e zotit Church ai i bëri të ditur se OPC dhe OSO do donin të lidheshin dhe të flisnin direkt me të. Momentalisht nuk besoj se ata të OSO-s kanë kontaktuar me të, por e kam referuar emrin e tij tek ( e fshirë  ) dhe tek (e fshirë) si dhe informacionin në fjalë, nëse OSO do të kishte interes.

2. Zoti Church, ka bërë të qartë se ka lidhje të mira me Mbretin Zog të Shqipërisë. Ai thotë se është përfaqësues ligjor i Mbretit dhe se kaloi një javë me Mbretin dhe Mbretëreshën gjatë një vizite në Aleksandri. Mbretëresha është një kushërira e gruas së avokatit Church, dhe sipas Church-it, vjehrra e tij ishte mblesa e martesës mes Zogut dhe Geraldinës. Zogu i besoi Church-it mbylljen e 120 mijë dollarëve në bankë në emër të gruas dhe të birit të vetë. Church pretendon se Zogu ka një besim të madh tek ai dhe se është i vëmendshëm ndaj këshillave dhe rekomandimeve të tij./Dita

(materiali vijon me të tjera të dhëna për planet e Zogut)



Faksimilet e raportit sekret të CIA-s





imazhe shqip


*   *   *









Zbardhen fyerjet mes Nokës dhe Ndreut:

“O k..”, “o legen”, 
“të thyej këmbët”, 
“të zhduk nga faqja e dheut”
imazhe shqip

Është shoqëruar me dhunë verbale dhe fizike mbledhja e Komisionit të Sigurisë, ku ishte ftuar për të raportuar Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

 video
Në fund të mbledhjes ka pasur një konflikt fizik mes ish- Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe deputetit socialist, Pjerin Ndreu.
Konflikti ka degjeneruar në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e Gardës.
Më herët, Flamur Noka iu drejtua me fyerje Saimir Tahirit duke e quajtur karagjoz.

Ndërsa ministri Tahiri iu drejtua opozitës me fjalët:
“Ka ikur koha kur policia bënte ekspertizën e vrasjeve që kryente vetë siç ndodhi më 21 janar”.

Pjerin Ndreu: Po jeni gabim ore, asnjëri nga ju nuk merr vesh.

Flamur Noka: Po ik o qërohu, se s’merrem me plehra unë, po flas me ministrin.

Pjerin Ndreu: Do rrish mirë, o ti, o ti qurravec.

Flamur Noka: Mëso se si funksionon policia dhe më pas hajde këtu, të të vijë turp.

Pjerin Ndreu: Mos më fol mua me atë gjuhë o qurravec.

Spartak Braho: Po vazhdoi kështu, unë jam i detyruar ta ndërpres.

Pjerin Ndreu: Mbaj gojën kur flet me mua o legen.

Flamur Noka: Më ke je tu folë ti?

Pjerin Ndreu: Hë, ça bën si garip? O kurvë, o legen!

Flamur Noka: Me kë je duke folë o zotëri?

Pjerin Ndreu: T’i thyej këmbët o qurravec.

Flamur Noka: Të zhduk nga faqja e dheut pastaj.

Pjerin Ndreu: O halabak.

Flamur Noka:  O ordiner.

http://www.gazetatema.net/web/2014/01/29/zbardhjen-fyerjet-mes-nokes-dhe-ndreuthalabak-e-qurravec/

imazhe shqip 


*   *   *








Sherr mes Flamur Nokës e Pjerin Ndreut


ndërhyn Garda për ndarje 
(VIDEO)

imazhe shqip
Debatet në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë janë pasuar nga fyerje dhe konflikt fizik mes ish- Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe deputetit socialist, Pjerin Ndreu. Konflikti ka degjeneruar në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e Gardës.

 Sherri Noka - Ndreu (video)

Fillimisht dy deputetët e kanë nisur sherrin gjatë zhvillimit të mbledhjes.

Noka: Po ik se s’merrem me ty unë, nuk merr vesh ti, po flas me atë. Po ik o qërohu se s’merrem me plehra unë, po flas me atë.

Ndreu: O ti qurravec, mos fol me mua me atë gjuhë

Braho: Po të vazhdojë kështu unë jam i detyruar ta ndërpres.

Noka: Me kë je tu fol ti, do të zhduk halabak

Ndreu: Ik ore injorant

Por deputetët Ndreu dhe Noka nuk e lanë me aq. Ata tentuan të konfliktoheshin dhe fizikisht, madje duke përdorur dhe fjalë kërcënuese ndaj njëri-tjetrit. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë Garda, deputetë dhe gazetarë.

Debate në Komisionin e Sigurisë, Noka akuzon Tahirin për terr informativ

Mbledhja e sotme e Komisionit të Sigurisë Kombëtare është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Brendshëm. Ky i fundit ka raportuar në komision lidhur me vrasjen e vëllezërve Çollaku nga pala greke.

“Policia kufitar u njoftua mbi ngjarjen në orën 00:30 minuta. Policia greke kishte tërhequr trupat pas ekspertimit. Kjo çështje mbi vrasjen e 2 vëllezërve është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, por ne presim që çështja të zbardhet”. “Dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata iu kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta këqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë mjeko-ligjore pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj, që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë”.
Tahiri kërkoi që çështja të mos përdoret për qëllime politike, por deputeti demokrat, Flamur Noka, akuzoi ministrin për terr informativ.
“Ngjarja ka një terr informative. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku. Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke”, tha ai, ndërsa ministri Tahiri e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

Ndërsa, deputeti demokrat Astrit Patozi tha se Tahiri duhet të mendojë dorëheqjen nga posti i ministrit.

“Tahiri nuk ka kohë të vijë në komision, pasi është kthyer në një “Star mediash”. A e keni menduar dorëheqjen nga posti apo shkarkimin nga detyra e ministrit?” iu drejtua Patozi ministrit.
Më tej, deputetët diskutuan edhe rreth situatës së  rendit në vend dhe në veçanti shpërthimeve të tritolit të regjistruara ditët e fundit.

Ministri Tahiri tha se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka dhënë  asnjë informacion në lidhje me këto çështje.

“Është përhapur një fole kriminaliteti, që ka qenë e mbyllur deri dje”, tha Tahiri, duke shtuar se ka një rritje të pajustifikuar të kriminalitetit në fushën e eksplozivit./Dita
 imazhe shqip



*   *   *












January 28, 2014

Raporti shokues i CIA

30 shtator 1949: 
Ahmet Zogu, incest me motrën Sanije
imazhe shqip
<img src="Ahmet Zogu.jpeg" alt="Ahmet Zogu me motrat  Sanija (incesti) e dyta nga e djathta" />
Ahmet Zogu me motrat
Sanija (incesti) e dyta nga e djathta


Një numër i madh dokumentesh dhe raporte “tepër sekrete” të CIA-s amerikane të viteve 1940-1960 tashmë janë de-klasifikuar. Mes këtij lëmi dokumentesh gjenden dhe raporte tepër interesante në lidhje me informacionet që siguronte në vitin 1949 Agjencia Amerikane e Inteligjencës për mbretin shqiptar të rrëzuar nga froni, Ahmet Zogu. Asokohe Zogu qëndronte më tepër në Egjipt,Aleksandri,  nën mbrojtjen e mikut dhe mbështetësit të tij Mbretit Faruk të Egjiptit.

Por një avokat amerikan në Nju Jork, i quajtur Edgar M. Church mundi që të hynte në kontakt me familjen dhe oborrin e Zogut duke u bërë dhe përfaqësues juridik i interesave të Zogut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Avokati Church, e krijoi këtë lidhje falë gruas së tij Konteshës Margaret. Margareta ishte kushërira e gruas së Zogut, Geraldinës. Për shkak të kësaj lidhje krushqie, avokati u pajtua nga familja mbretërore për të mbuluar disa çështje të kësaj familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por paralelisht ai mbante në kontakt shërbimin sekret amerikan për të gjitha zhvillimet dhe informacionet domethënëse që ai mësonte në lidhje me Ahmet Zogun dhe oborrin e tij. Janë një numër i madh raportesh dhe informatash që avokati Church i ka kaluar CIA-s duke detajuar të dhëna mbi atë që ndodhte në oborrin e Zogut, tashmë në ekzil.

Raporti i parë, që po e botojmë sot, është hartuar nga avokati Church në mesin e Shtatorit 1949, është administruar zyrtarisht në rangjet më të larta të CIA-s në 30 Shtator 1949 dhe është de-klasifikuar në vitin 2006. Ky raport i hartuar nga avokati amerikan bën një përmbledhje tërësore të situatës financiare të Ahmet Zogut në SHBA, të implikimit të Zogut me nxjerrjen dhe përvetësimin e floririt të shtetit që asokohe ishte në vlerën e 3 milionë dollarëve si dhe për disa aspekte tronditëse në jetën private të Zogut. Krushku amerikan i Ahmet Zogut, njëkohësisht dhe agjent i CIA-s pranë tij, raporton ndër të tjera se mbreti shqiptar kishte një marrëdhënie incesti me njërën nga motrat e veta duke e identifikuar të motrën si Zenida, që korrespondon me Senijen.

Madje avokati amerikan i raportonte CIA-s se bashkëshortja e mbretit, Geraldina kishte dijeni të plotë mbi këtë fakt. Më pas avokati amerikan lë të nënkuptohet se vetë Geraldina ‘argëtohej” me një bashkëpunëtor të Zogut, të identifikuar si Alexander De Villa (a.k.a Skënderi).  Në raportin e tij, avokati Church detajon dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Zogut dhe përshkruan edhe karakteristikat e tyre, ndërsa në fund të këtij raporti ai nënvizon se Zogu do e ketë shumë të vështirë të arrijë ambiciet e veta politike nëse nuk del nga influenca femërore. Më poshtë teksti i plotë i përkthyer në shqip dhe i marrë nga dokumenti autentik i CIA-s amerikane:



Klasifikimi SEKRET/ Vetëm për zyrtarë të Shteteve të Bashkuara

AGJENCIA QENDRORE E INTELIGJENCËS (CIA)

Raporti Nr. 00-B-8501-49
CD Nr. G-162
Çështja 2860
Data e Regjistrimit: 30 Shtator 1949
Nr i faqeve: 3

Shteti: Shqipëria
Subjekti: Mbi Statusin Personal dhe Financiar të Ish-Mbretit Zog
Vendi ku u sigurua:( ….)
Data kur u thith nga burimi: Në mesin e Shtatorit 1949

VLERËSIMI MBI INFORMACIONIN:
Gjykimi mbi zyrën nga ka ardhur: Nuk mund të gjykohet
Opinioni i burimit mbi përmbajtjen: Me shumë gjasa informacion i vërtetë

BURIMI: Një avokat i suksesshëm, i moshës 38 vjeç, i angazhuar me një zyrë ligjore shumë të njohur në SHBA. Nëpërmjet lidhjeve familjare, ai ndodhet shumë pranë mbretit Zog dhe vepron si përfaqësuesi i tij ligjor në Shtetet e Bashkuara.

Asetet e ish-Mbretit Zog përfshijnë:

a) 108 mijë dollarë në “National City Bank’ Ne$ York

b) Afërsisht 5 mijë dollarë në “Garantee Trust Company”

c)  Një ndërtesë dhe truall në Aleksandri, Egjipt,  e vlerësuar 40 mijë Lira Egjiptiane

d) Bizhuteri të kurorës shqiptare që kapin një vlerë rreth 100 mijë dollarë, ndoshta dhe më tepër.

e)  Rreth 450 mijë dollarë, të mbetura nga rezervat e arit të cilat Zogu i mori nga Shqipëria dhe i çoi në Egjipt dhe që në total vlerësohen si 3 milionë dollarë.

2. Zogu ka një farë detyrimi moral për t’iu gjendur gjyshes së gruas së tij, duke i dhënë çdo muaj një shumë prej 115 dollarësh. Ai nuk ka detyrime të ngjashme në Shtetet e Bashkuara me sa kam unë dijeni. Në shtete të tjera, ai ka përgjegjësinë dhe kujdestarinë për gruan e tij, katër motrat e tij dhe kunatin e tij, John Apony, i cili është i shtruar në një sanatorium për tuberkulozin në Siçili.  Përveç këtyre detyrimeve, unë nuk mendoj që Zogu mund të ketë të tjera detyrime. Miku i tij i ngushtë, Mbreti Faruk, nuk do ta lejonte asnjëherë që ai të hynte në borxhe në Egjipt.

3. Zogu nuk ka burim të ardhurash në SHBA përveçse interesit që përfiton nga llogaria e tij bankare. Nuk mendoj se ai merr ndonjë të ardhur nga shqiptarët në Shqipëri apo në SHBA.

4.  Të vetmet pagesa që ai i kryen rregullisht janë për gjyshen e gruas së tij. Këto pagesa ai i kryen çdo dy muaj ose çdo tre muaj.

5.  Zogu nuk ka kryer asnjë tërheqje apo depozitim domethënës të ardhurash në llogarinë e tij bankare që prej Prillit të vitit 1949.

6. Në kuadër të grupimit të tij politik, çështjet financiare i janë lënë në dorë Kryeministrit të tij dhe Truprojës Sotir Martini. Martini rrallë herë largohet prej tij dhe mbikëqyr të gjitha bizneset e Oborrit. Punët e pista të Zogut i janë besuar kontit Alexander De Villa. Zogu përpiqet shumë me vetëmenaxhimin, ndërsa të gjitha përkthimet  ia bën bashkëshortja e tij Geraldina.

7. Në kompaninë ligjore ku punoj, jam i vetmi që mbuloj bizneset e Zogut. Shumica e komunikimeve të mia me Zogun bëhet nëpërmjet letërkëmbimit  me Geraldinën, asnjëherë me Zogun drejtpërdrejt. Çështjet urgjente komunikohen direkt me telegraf. Korrierët nuk përdoren asnjëherë ndonëse unë kam ngritur një sistem i cili mund të përdoret në raste urgjente.

8. Të vetmet kontakte aktive të Zogut në Shtetet e Bashkuara mbahen me  gjyshen e bashkëshortes së tij, gruan time, me mua vetë si dhe me shtetasin John Blackburn i cili është bashkëshorti i Virginias, motrës së Geraldinës. Në një letër të fundit që Geraldina i ka dërguar gjyshes së saj, ajo i shkruan se Zogu është përqendruar fort  një grup shqiptarësh, ose disa grupe shqiptare, të cilët ndodhen aktualisht në SHBA. Një pjesë e kësaj letre thoshte:

“Bashkëshorti im i dashur është tepër i shqetësuar për çdo detyrë shoqërore. Gjërat, siç edhe mund ta kesh kuptuar, nuk është se po na shkëlqejnë,  për më tepër atë e bluan fakti se fuqitë nuk kanë për ta dëgjuar atë, apo nuk kanë për ta përdorur fare atë; dhe se kanë formuar një farë Komiteti Shqiptar, i cili nuk ka lidhje fare me realitetin në Shqipëri, e që përbëhet nga ca marioneta që përplasen ndërmjet vetit. Gjithsesi ata po shkojnë në Uashington dhe të paktën Shqipëria do mund të përfaqësohet, pavarësisht nivelit të ulët të përfaqësimit. Kjo lëvizje mund të shkaktojë dhe shkëndijën për të plasur lufta apo trazira atje në tre javët e fundit, por nuk ka për të ndodhur nëse rusët tregohen më të fuqishëm se krahu tjetër. Financiarisht dhe ne nuk është se kemi përfituar ndonjë gjë”.

Në kontekstin e kësaj letre, unë besoj se Zogu mund të shtyhet për tu bërë më miqësor dhe i lidhur me grupin që përmend Geraldina në këtë letër.

9.Përfaqësuesit ligjorë të Zogut jashtë vendit, unë nuk i njoh. Unë e kam kuptuar se ai ka një avokat në Aleksandri i cili më pas shikon në mënyrë të hollësishme të gjitha dokumentet që unë përgatis për Zogun.  Por unë nuk e di si quhet ky avokat.

10.   As firma ime ligjore dhe as unë personalisht nuk kam kontakte në Shqipëri, por unë besoj se Zogu ka kontakte në vijimësi me nëntokën dhe rrjetin shqiptar. George Gog, i cili drejton policinë e pallatit të Zogut, mundet që të hyjë e të dalë nga Shqipëria.  Anëtarët e rrjetit të tij shpesh lëvizin nga Shqipëria në Egjipt.

11.   Nuk ka pikë dyshimi se regjimi aktual në Shqipëri, ka pretendime kundër Zogut, pasi e bëjnë përgjegjës se ka marrë nga Shqipëria 3 milionë dollarë flori’. Zogu nga ana e tij thotë se i ka shpenzuar këto para për mbajtjen e Oborrit të tij në ekzil dhe se i ka shpenzuar me korrektesën më të madhe. Vetëm 450 mijë dollarë flori’ i kanë mbetur tani. Askush nuk e ka të qartë atë që ka ndodhur vërtetë, si në kuptimin ligjor apo dhe të tjera aspekte.

12.   Geraldina, gruaja e Zogut, është tërësisht e përkushtuar ndaj tij, pavarësisht veprimeve të tij të pamatura.

13. Kontesha Margaret Sherr-Thoss është një nga kushërirat e Geraldinës dhe vajza e nënës birësuese të Geraldinës. I ati i Margaretës ka qenë Shefi i Inteligjencës Ushtarake Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe tani jeton në Klagenfurt, Austri.

Mamaja e Margaretës, ishte amerikane dhe u detyrua të bëjë vetëvrasje nga Gestapo, gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Margareta është vajzë e lezetshme, por ajo s’mund të japë ndonjë ndihmë me aq gjëra sa di. Vëllezërit e saj, që të dy qytetarë amerikanë, janë shumë të pamatur.

14.   Gjyshja e Geraldinës, Madame De Strahl d’Ekna, e moshës 82 vjeç, jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo nuk ka ndonjë ndikim mbi Zogun, por përpiqet vazhdimisht që të bindë atë dhe Geraldinën që të vijnë në SHBA. Ajo ka një imagjinatë të spikatur dhe sapo ka shkruar një libër mbi Zogun të cilin kërkon ta tregtojë si skenar për realizimin e filmave.

15.   Motra e Zogut, Zenida (Senija), është një grua idiote e cila ka një ndikim të tmerrshëm mbi të vëllanë. Zogu dhe Zenida kanë një lidhje incesti aktualisht, lidhje për të cilën Geraldina nga ana e saj ka dijeni.

16. Konti Alexander De Villa, i njohur me nofkën “Skënderi”,  është operatori i Zogut për punët e pista. Ai ka namin se është sjellë në Oborrin Mbretëror për të argëtuar Geraldinën, ndërsa Zogu nga ana e tij plekset me Zenidën. De Villa është gjysmë francez dhe gjysmë shqiptar, babai i tij ka qenë ambasador në Francë. Ai është një njeri shumë malinj dhe i pandershëm në kulm. Në vitet e kaluara ai ka trafikuar drogë në Francë , të cilën e fuste në valixhet diplomatike.  Ai është një mik i ngushtë i Farukut dhe po përpiqet që të organizojë me të nxjerrjen jashtë Egjiptit të  450 mijë dollarëve flori’ të mbetur aty.

17. George Gog është Shefi i Rojave të Pallatit të Zogut, përgjegjësi për sigurinë. Ai është gjë e sigurt (siç e quajnë shqiptarët), i pashëm, tipik ushtarak dhe relativisht i ndershëm.  Ai shkon e vjen nga Shqipëria dhe mban kontaktet me rrjetin atje.

18. Kemal Bej Mesari, është kujdestari i Oborrit. Ai mban një palë syze-teke, pëlqen veshjet sportive dhe vepron si spiun i Zogut. Kur e vizitova për herë të parë Zogun, Mesari më pa dhe më dëgjoi mua në hollin e hotelit për 2 orë përpara se të prezantohej vetë dhe të më shoqëronte për në pallat.

19. Planet e Zogut në të ardhmen përfshijnë marrjen e një shtëpie në Francë në verën e vitit 1950 dhe rikthimin në Aleksandri në dimër. Fiksimi i tij është të kthehet në Shqipëri dhe të dëbojë sovietikët. Ai kërkon mbështetje  materiale ushtarake dhe këshilla  nga SHBA, por mendon se mund të sigurojë edhe mbështetjen e arabëve të fuqishëm për të ngritur ushtrinë e tij. (Ai është shumë i afërt me Farukun dhe Ibn Saud). Zogu i ka përzemër çështjet ushtarake dhe do ishte shumë komod të diskutonte për to me një oficer ushtrie të rangut kolonel ose dhe më lartë. Nëse Zogu do të jetë efiçent, ai me patjetër duhet të shkëputet nga ndikimi femëror dhe të mendojë më tepër si të kryesojë ndonjë projekt ushtarak  që do çlironte Shqipërinë. Ai më ka thënë se do të donte të luftonte për Shqipërinë, atje ku populli i tij po e kërkon. Më tej ai më tha se do përballej me një plebishit dhe se do të ikte jashtë Shqipërisë nëse do dilte i mundur.

(vijon nesër)

<img src="Ahmet Zogu me motrat.jpeg" alt="Ahmet Zogu me motrat" />
Ahmet Zogu me motrat  
imazhe shqip

SHËNIM / Çfarë po botojmë dhe pse e botojmë

Habjon Hasani

Një numër relativisht i madh dokumentesh dhe raportesh sekrete të CIA-s amerikane janë de-klasifikuar dhe një pjesë e mirë e tyre pasqyrojnë aktivitetin zbulues të këtij shërbimi në Oborrin-Ekzil Mbretëror të Mbretit Zog nga viti 1949 e në vazhdim. Përmbajtja e informatave që u shkonte krerëve të shërbimit inteligjent amerikan mbi Mbretin Zog, familjen e tij dhe qerthullin e bashkëpunëtorëve të ngushtë në disa raste shfaqet tronditëse. Nuk e kemi pasur aspak të thjeshtë vendimin për botimin e këtyre materialeve. Dilema qëndronte në faktin se në raportet sekrete te CIA-s ka detaje dhe elementë të rëndësishëm mbi situatën financiare dhe politike të Zogut, por pjesë të raportit ishin dhe informacione të ndjeshme që lidheshin me aspekte intime të jetës së tij. Nëse do botonim një raport të cunguar dhe të censuruar atëherë më mirë të mos e botonim fare. Fundja një dokument sekret, i de-klasifikuar tashmë, e ka vlerën në tërësinë e informacionit të tij. Por duke disponuar këto raporte sekrete të shërbimit inteligjent amerikan dhe duke vlerësuar materialin në tërësinë e tij vendosëm ta publikojmë dhe këtë vendim e kemi marrë mbi disa arsye të cilat ja kemi borxh lexuesit për t’ia sqaruar.

Së pari, nuk ka asnjë dyshim mbi autenticitetin e këtyre raporteve. Pra, nuk ka kurrfarë dyshimi, se këto materiale janë ofruar nga shërbimi inteligjent më i fuqishëm i planetit, CIA, si materiale të de-klasifikuara që dikur, sipas CIA-s, përbënin informacione të një rëndësie të veçantë.

Së dyti, në njëfarë kuptimi, edhe nëse DITA nuk do i botonte këto raporte, ato do ishin dhe do mbeteshin publike, pasi mund të gjenden tashmë në bibliotekën elektronike të CIA-s, nga cilido qytetar i planetit që ka një kompjuter funksional dhe internet.

Së treti, pjesa e raporteve ku jepet informacion mbi jetën intime të Ahmet Zogut, e cila është dhe pjesa që na shkaktoi dilemën, merr një tjetër përmasë kur është objekt i shërbimeve inteligjente. E thënë ndryshe, nëse për njerëzit e thjeshtë informacionet mbi jetën intime janë thjesht çështje kurioziteti apo “skandalesh”, nuk ndodh kështu për shërbimet inteligjente dhe kuadrot e tyre. Ata i shohin shumë më ftohtë këto lloj informacionesh. Për shërbimet sekrete, është pjesë e procedurës së punës që për cilindo subjekt që ata duan ta vendosin nën kontroll, të dinë çdo detaj, çdo intimitet, çdo dobësi, pasi në këtë mënyrë evidentohen më mirë edhe pikat e dobëta të subjektit dhe duke ia ditur këto dobësi kontrolli ndaj tij mund të shtohet dhe intensifikohet më tej.

Së katërti, këto informacione CIA i ka marrë në rrugë operative, pasi kishte agjent të sajin një avokat amerikan të quajtur Edgar M.Church. Ky i fundit përveç lidhjes së krushqisë me Zogun, përfaqësonte interesat e Zogut në SHBA. Ndonëse vetë CIA nuk ofron publikisht nga ana e saj një analizë informacioni mbi besueshmërinë e këtij agjenti, është fakt se për vite me radhë i është referuar atij dhe se informacionet e dërguara prej tij mbi Mbretin Zog i kanë shkuar drejtuesve më të lartë të kësaj agjencie.

Së fundi, me të dhënat e ofruara deri më tani e vetmja gjë që dimë të sigurt, është fakti se CIA ka vendosur të ekspozojë në formë të de-klasifikuar, disa dokumente dikur sekrete, që lidhen me aktivitetin e mbretit Zog në vitin 1949. Në filozofinë e shërbimeve inteligjente asnjëherë nuk mund të kesh siguri maksimale, shpesh ajo çka serviret nuk është ashtu siç duket. Por megjithatë, raporte sekrete të shërbimit inteligjent më të fuqishëm të botës mbi Mbretin Zog, nuk janë diçka që mund t’i neglizhosh dhe të bësh sikur nuk ekzistojnë ndërsa janë të ofruara faqebotës, publikisht.


Faksimile e raportit sekret të CIA-s

<img src="Ahmet Zogu.jpeg" alt="Ahmet Zogu incest me motren Sanije" />
<img src="Ahmet Zogu, incesti.jpeg" alt="Ahmet Zogu incest me motren Sanije faksimile" />

<img src="Ahmet Zogu, incesti.jpeg" alt="Faksimile Ahmet Zogu, incest me motren Sanije" />


http://gazetadita.al/raporti-shokues-i-cia-s-30-shtator-1949-zogu-incest-me-motren/


imazhe shqip

*   *   *