* * *
October 17, 2015
Transporti urban në Tiranë. Foto që flet sa mijëra fjalë
Një foto e bërë në
autobusin e linjës së “Tiranës së Re” po qarkullon në rrjetet sociale. Foto
tregon realisht gjendjen e transportit
urban në Shqipëri. Qeveritë vendore e qëndrore janë ndryshuar, por ky transport
jetik për shumë qytetarë vazhdon ende të jetë në gjendje skandaloze. Dhe përpos
kësaj kompanitë e transportit urban kërkojnë herë pas here rritje të cmimit të
biletës.
P.S.
DALJE = EXIT!
* * *
Sa kushtojnë ekipet e futbollit, France 2016?
Shqipëria, për herë të
parë do të luajë në finalet e Europianit, dhe renditja e saj në vazo, është
përshtatur plotësisht me forcën financiare. UEFA, të mërkurën, ka publikuar
ndarjen e një pjese të mirë të ekipeve nëpër vazo, ndërsa ndarja është bërë në
bazë të koeficientit të UEFA-s për ekipet nacionale.
Shqipëria ka
koeficientin e dytë më të dobët prej të gjitha vendeve pjesëmarrëse në
Europianin që mbahet në Francë. Madje, koeficient më të lartë kanë të gjitha
përfaqësueset që do të luajnë në “play off”. Koeficient më të dobët se
Shqipëria ka vetëm Irlanda Veriore, 22.61.
Koeficienti i
Shqipërisë është 23.216. Këto dy përfaqësuese do të jenë në vazon e fundit – të
katërt, ku të konfirmuara janë edhe Islanda e Uellsi. Pra, Shqipëria, Irlanda e
Veriut, Islanda e Uellsi në grupet për Europian do të kenë nga tre kundërshtarë
që vlerësohen më të fortë se këto përfaqësuese.
Të gjithë kundërshtarët
e Shqipërisë po ashtu do të kenë vlerë më të madhe në treg se kuqezinjtë. Sipas
faqes së internetit, të specializuar për transferimin e lojtarëve dhe për
çmimin e tyre, “Transfermarkt.de”, vlera në treg e lojtarëve të Kombëtares së
Shqipërisë është 39,43 milionë euro.
Është llogaritur vlera
e 26 lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e fundit, pra jo edhe e atyre të
lënduar, si për shembull e Mërgim Mavrajt. Gashi e Hysaj, lojtarët më të
shtrenjtë të Shqipërisë Lojtarët më të vlerësuar të Shqipërisë, sipas
“Transfermarkt.de”, janë Shkëlzen Gashi e Elseid Hysaj, që vlejnë nga 4,5
milionë euro. Njësoj si në klasifikimin e UEFA-s edhe për nga vlera, Irlanda e
Veriut është e vetmja prapa Shqipërisë, nëse llogariten përfaqësueset tashmë të
kualifikuara për Europian.
Ekipi i Irlandës së
Veriut, i përbërë nga 28 lojtarë, vlen 36,48 milionë euro. Pak më e vlerësuar
se Shqipëria është përfaqësuesja e Islandës. 24 lojtarët e saj vlerësohen 39,43
milionë euro. Përfaqësuesja tjetër e konfirmuar në vazon e katërt, Uellsi, vlen
shumë më tepër. Uellsi ka vlerë prej 160 milionë eurosh, ndërsa vetëm Garet
Bejl vlerësohet 80 milionë euro.
Në fakt, suksesi i
Shqipërisë nuk është i bazuar te ndonjë lojtar i vetëm. Shqipëria vazhdon të
mos ketë lojtarë të shtrenjtë në përbërje, por tashmë ka një grup lojtarësh që
arritën një rezultat historik. Kontributi i lojtarëve në eliminatore është
vlerësuar i përafërt. “Forca e kësaj përfaqësueseje është grupi. Kemi në
formacion lojtarë me zemër, që ofrojnë maksimumin për ngjyrat e Kombëtares”, ka
thënë përzgjedhësi i Shqipërisë, Xhani De Biazi.
Me paraqitjen në
Europian, vlera e shumicës së lojtarëve të Shqipërisë pritet të rritet. Por
prapë Shqipëria nuk do të mund të bëhet më e vlefshme se shumë përfaqësuese të
Europianit.
Spanja e Gjermania, bashkë
peshojnë mbi një miliard euro Turqia vlen 191 milionë, Sllovakia 83 milionë,
Rumania 60 milionë, Polonia 155 milionë, Çekia 58 milionë, Kroacia 212 milionë,
Austria 105 milionë, Zvicra 179 milionë, Rusia 142 milionë, Italia 306 milionë,
Belgjika 380 milionë, Portugalia 153 milionë (pa Ronaldon që vlen 120 milionë),
Anglia 390 milionë, Gjermania 518 milionë, Spanja 530 milionë dhe Franca 414
milionë.
* * *
October 13, 2015
Notat e KuqeZi-njve
DE BIAZI 10
I qartë në gjithçka
ka bërë. Erdhi, eksperimentoi, ndërtoi ekip dhe në fund triumfoi. Iu desh punë,
durim dhe mbi të gjitha përkushtim. I demonstroi të gjitha. Por, jo vetëm kaq,
tregoi se është edhe fitues. Sot Shqipëria është në Europian më së shumti për
meritë të tij, por mbi të gjitha Shqipëria ka një të ardhme të ndritur
ekskluzivisht për meritë të tij. Grup cilësor, harmoni dhe solid. Nëse dikush
guxon të thotë të kundërtën, nuk merr vesh nga futbolli!
Kapiteni rekordmen ka
barrën të orientojë një repart të tërë. Ndonjëherë edhe ka gabuar dhe është
kritikuar në mënyrë të pamëshirshme sepse të gjithë presin të jetë po aq
gjigant në fushë sa edhe imazhi që ka. Por edhe ai njeri është, por nga ata që
kanë në gjen liderin.
MËRGIM MAVRAJ 8
Nuk ishte dje në
fushë, as në tri ndeshjet e tjera që janë luajtur në këta dy muaj, por ama ka
qenë dhe mbetet shtyllë e skuadrës. Me të në qendër të mbrojtjes, kuqezinjtë
ndihen më të sigurt. I saktë, i thjeshtë dhe i ashpër kur e lyp nevoja. Kapiten
i ardhshëm.
ELSEID HYSAJ 8
Kombëtarja i ka dhënë
shumë djaloshit nga Shkodra, por edhe ai ia ka shpërblyer. Qetësi, saktësi dhe,
mbi të gjitha, vazhdimësi. Eviton gabimet trashanike dhe është padron i krahut
të tij. Ka gabuar shumë pak gjatë këtij edicioni. Dje ishte gati perfekt.
ANDI LILA 7.5
I kërkohet të luajë
në pozicione të ndryshme dhe ai jep çka mundet në çdo rol. Jo gjithnjë ia del
dhe jo gjithnjë është brilant. Por është punëtor dhe vë zemrën në fushë. Në
fazën e parë të edicionit dukshëm gëzonte një formë më të mirë. Por, gjithsesi,
mbetet shumë i vlefshëm për këtë kombëtare.
MIGJEN BASHA 7.5
I “harruar” nga De
Biazi në fillim të edicionit, rikthehet si gjeneral atëherë kur e lyp nevoja.
Dhe nuk zhgënjen. Klas, grintë dhe sakrificë pa masë. Nëse do të kishte edhe
një shënjestër më të mirë, mund të meritonte pak më shumë. Usta i organizimit.
ARMIR ABRASHI 7.5
Motor i pandalshëm.
Po, nuk luajti dy ndeshjet e fundit, por kjo nuk i heq meritën e dhjetëra
kilometrave që ka përshkuar në çdo përballje. I është kërkuar të bëjë punën e
pisët dhe të bredhë në çdo cep. E ka bërë. I duket pak puna, por duhet pyetur
trajneri sa vlen…
ODISE ROSHI 8
Shkëlqeu në ndeshjen
e fundit dhe është e vërtetë se me atë në fushë kemi regjistruar të gjithë
fitoret e këtij edicioni. Por nuk është gjithnjë konstant dhe shpesh ka vuajtur
edhe problemet e aktivizimit nëpër klube. Por, mbetet ndër të paktët që mund të
bëjë diferencën. Nëse ai maturohet më shumë, do të jetë një armë e frikshme për
kuqezinjtë.
SHKËLZEN GASHI 8.5
Gjysmë note me “mik”
sepse është atje kur duhet aty kur duhet. Pak e bëjnë këtë. Sakrifikon sepse
luan shumicën e ndeshjeve jashtë rolit, por goli me Armeninë në Elbasan dhe ai
në Jerevan kanë vulën e tij. I çuditshëm si natyrë, por fantastik për çdo ekip
që e ka në gjirin e tij. Ndoshta duhet shfrytëzuar më mirë potenciali që ka.
SOKOL CIKALLESHI 7.5
“Mbreti” i shtyllave
është sulmuesi që sakrifikon më shumë. Askush nuk vrapon sa ai, askush ndoshta
nuk lufton sa ai. I shpejtë, teknik dhe potent. Një edicion i luftuar, por
mungesa e golit i peshon shumë çdo sulmuesi. Thjesht i pafat.
ERGYS KAÇE 7
Shumë talent, pak
minuta të luajtura. Goli me Francën u mendua si shkëndijë për rikthimin, por me
sa duket nuk është aq taktik sa i pëlqen De Biazit. E, megjithatë, është vetëm
22 vjeç, e ardhmja kuqezi është e tija.
BURIM KUKELI 7
Nëse do të kishte
fizik më të qëndrueshëm, do ishte ai gjithnjë para mbrojtjes. Gjeometri, forcë
dhe karakter. Fiks siç i pëlqen De Biazit. Nuk shquhet për pasime të gjata, por
gjithsesi di të ndërtojë mirë. Punëtor dhe i zgjuar.
ALBAN MEHA 7
E ka humbur vendin në
formacion, por jo magjinë që e karakterizon në gjuajtjet që ka. Pak forcë dhe
pak sakrifikues në aspektin e dyluftimeve fizike. Nuk është zgjedhje e parë e
De Biazit, por ndër të paktët që mund ta zgjidhë një ndeshje nga hiçi.
ANSI AGOLLI 8
Sakrificë, përulësi
dhe zgjuarsi. Ndonjëherë nuk ia del, ndonjëherë vuan më shumë se sa duhet, por
një gjë është e sigurt: ka dhënë gjithçka ka vetja. Krahasuar me gjithë të
tjerët është lojtari që ka pasur përmirësim të pandalshëm gjatë gjithë
edicionit. Më kot që mungoi dje, por të gjithë paçim dhurata për ditëlindje si
ajo e tija…
TAULANT XHAKA 8
Një nga zbulimet më
të mira të De Biazit. Janë të shumtë ata që e kanë zili për atë çka jep në
fushën e lojës, por mbi të gjitha e kanë zili edhe për sakrificën e madhe edhe
kur nuk është në gjendjen optimale. Prej kohësh duket se ka filluar ta ketë
“zili” për fanellën që mban edhe vëllai, Graniti…
ERMIR LENJANI 7
Talent po, shpejtësi
dhe gjuajte pa diskutim që po. Por, edhe pak aventurier. Po ç’kuptim ka
futbolli pa pak aventurë. Nuk është konstant dhe luhatet nga ndeshja në
ndeshje, por ndër të paktët që arrin të bëjë mirë në krahun e majtë dhe bëri të
harrohet njëfarë Valdet Rama…
LEDJAN MEMUSHAJ 8
Xholi i emergjencave.
Luan në sulm, në mbrojtje, majtas dhe djathtas. I bën të gjitha dhe nuk stonon.
Një nga ata që nuk të mahnisin, por që të nderojnë gjithnjë. Shumë cilësi dhe
shumë punëtor.
BEKIM BALAJ 7.5
Nisi gjithçka nga ajo
gjysmë kthesë që ngriu Portugalinë në shtëpinë e saj. Shkodrani hapi krahët për
të festuar si shqipe dhe, prej atëherë, shqipet nuk u ndalën më. Ia vlejti edhe
stoli kokës në Beograd edhe ulja në pankinë kur ndoshta nuk e ka merituar. Por
kjo është kombëtarja moderne, e pamëshirshme në konkurrencë…
ARLIND AJETI 7
Mëkat që një lojtar
kaq i ri dhe me kaq shumë talent të mos gjejë ekip. Por, fat i madh që është
pjesë e një kombëtareje që nuk të bën gjë tjetër veçse të reklamon. I saktë në
punën që bën, i qartë në objektivin që ka dhe i ftohtë edhe kur të tjerët e
humbin toruan. I vlefshëm
BERAT GJIMSHITI 8
Katër ndeshje një
gol. Stonoi disi me Serbinë, por dje shënoi golin që na qetësoi frymëmarrjen. I
fortë fizikisht, me vetëbesim prej veterani dhe i gjendshëm në çdo repart. E
ardhmja e Kombëtares.
ARMANDO SADIKU 7.5
Goli i djeshëm ishte
kurorëzimi i një ëndrre të lënë përgjysmë edicionin e kaluar. Pësoi një dëmtim
të rëndë dhe e humbi vendin në formacion. Por ka gjuajtje, ka thjeshtësi dhe
shumë potencë. Cërrikasi ngjan si dem i tërbuar kur zbret në fushë dhe zor se
përmbahet kur ka topin.
NASER ALIJI 7
Vetëm një ndeshje
zyrtare, atë të djeshmen kundër Armenisë, por çfarë personaliteti. I saktë
taktikisht dhe luftarak pa masë. Modern në administrimin e topit dhe shumë i
qetë sa herë gjendej nën presion. Lojtar i fituar.
HAMDI SALIHI 7
Dakord, nuk ka luajtur,
sepse ca më të rinj se ai janë “përbindësha” që nuk njohin hierarki moshe, por
që një grup të funksionojë, ka nevojë edhe për burra me “rr” të fortë. Ai,
Shehi dhe Bulku kanë stofin për të qenë kampionë. Dinë të ruajnë balancat,
evitojnë klanet dhe ngjallin gjithë besim dhe harmoni. T’i kesh në ekip djemtë
e mirë, nuk ka të paguar. Salihi, Shehi e Bulku janë të tillë.
* *
*
Sa shqiptarë do të luajnë në “Euro 2016”?
Kombëtarja Shqiptare
shkroi historinë duke u kualifikuar për herë të parë në “Euro 2016”.
Për rrjedhojë, në
Francë do të luajnë 24 lojtarë për Shqipërinë.
Por, këto nuk janë
“shqipet” e vetme që luajnë në Kampionatin Europian.
Në këtë kampionat gjenden
edhe shqiptarë, të cilët luajnë me përfaqësuese të tjera.
Shkodran Mustafi
pritet të luajë me Gjermaninë, si dhe Adnan Januzaj me Belgjikën.
Ndërkaq janë shtatë
futbollistë shqiptarë që do të luajnë me Zvicrën: Granit Xhaka, Xherdan
Shaqiri, Valon Behrami, Pajtim Kasami, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi.
Këtyre futbollistëve
me origjinë shqiptare mund tiu shtohet edhe mbrojtësi i Danimarkës, Riza
Durmishi, ekipi i të cilit shkoi në play-off, pasi Shqipëria u rendit në vendin
e dytë.
* *
*
October 12, 2015
Me plis në Paris/MBËRRITJA E KUQEZINJVE NË TIRANË
Me plis
Në Paris!
Kjo ishte thirrja e
tifozëve shqiptarë në mbështetje të ëndrrës së Kombëtares kuq e zi.
Një moto e kthyer në
realitet në mbrëmjen historike të 11 tetorit 2015 në Armeninë e largët.
Qeleshja është kthyer
tashmë në një simbol në mbështetje të përfaqësueses, jo vetëm në stadium dhe në
rrugë, por mbi të gjitha në ekipin kuqezi.
Pas suksesit në Jerevan,
De Biasi zbriti nga autobusi i Kombëtares me qeleshe në kokë.
Trajneri dhe lojtarët
e përfaqësueses kuqezi u pritën në hotel mes brohoritjeve të dhjetëra tifozëve,
që mbështetën skuadrën në afro 2600 kilometra distancë.
Tirana ishte e
mbushur sot me sportdashës që kishin dalë në çdo cep për të mbështetur ekipin
kombëtar.
Foto-Reporteri i
DITA-s, Klevis Janko ka kapur disa nga momentet më pikante të ditës së sotme,
ku gëzimi dukej në fytyrën e çdo shqiptari.
Më poshtë fotot e
pritjes së heronjve kuqezi në Tiranë…
* *
*
Ja 6 “sekretet” e kombëtares së drejtuar nga De Biazi/Corriere Della Sera
Kanë festuar kudo: Në
Shqipëri, mes një shiu intensiv, nga veriu në jug. Por edhe në tokat ku flitet
veçanërisht shqip: në Kosovë, në disa fshatra në jug të Serbisë, në gjysmën e
Maqedonisë. Madje edhe në Itali, në sheshin Duomo në Milano, në Pavese, në Toskana,
në Zvicër, në Belgjikë dhe në Francë.
Të gjithë duke gëzuar
për Kombëtaren e futbollit të Shqipërisë që, për herë të parë në historinë e
saj, merr pjesë në një kompeticion ndërkombëtar, Europianin e 2016-s që do të
zhvillohet në Francë.
Kombëtarja e
Shqipërisë është pritur nga mijëra mbështetës pas fitores 3 me 0 në Armeni.
Por, si ka arritur
deri në këtë sukses?
Ja gjashtë “sekretet”
e saj.
1.Formacioni
Shqipërinë në Euro
2016 e ka çuar veçanërisht formacioni. Kurrë më parë nuk është parë një ndërthurje
kaq “internacionale”: janë pak futbollistët që militojnë në kampionatin
shqiptar, pothuajse të gjithë luajnë jashtë, sidomos në Itali, Zvicër, Francë
dhe Turqi. Pjesa më e madhë pastaj, kanë lindur jashtë territorit shqiptar dhe
vetëm më pas kanë marrë shtetësinë shqiptare për të zbritur në fushë me
fanellën kuqezi.
2.Trajneri
Shumë i detyrohet
edhe italianit Xhani De Biazi. Ish-trajneri i Udinezes e Torinos është
drejtuesi i Kombëtares shqiptare që prej 14 dhjetorit 2011. U gjend përballë
ndërtimit të një skuadre. Avantazhi i De Biazit është të qenit jashtë logjikës
futbollistike lokale(paraardhësit e tij shpesh kanë priveligjuar lojtarë të
caktuar) dhe e nisi projektin nga talented shqiptarë të shpërndarë në Europë.
De Biazi tashmë konsiderohet një hero kombëtar, aq sa i kanë dhënë edhe një
nderim akademik dhe shtetësinë shqiptare. E vetmja pikëpyetje tashmë është e
ardhmja e tij në pankinën shqiptare: ai ka kërkuar një rritje rroge. “2-3
milionë euro mund të jetë mirë”, iu ka thënë ai mediave locale.
3.Një “status” i ri
Shqipëria nuk është
ajo e dikurshmja. Infrastruktura sportive ka ndryshuar(edhe pse mbetet shumë
për t’u bërë). Këtë e demonstron edhe suksesi i vogël i Skënderbeut, një
formacion lokal që ka arritur në Europa League. Nuk mungojnë megjithatë
difektet: duke nisur nga fakti që për momentin ka vetëm një stadium për
kompeticionet ndërkombëtare.
4.Debutimi
Ndihmë, dhe jo e
vogël, për udhëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016, ka qenë sfida e parë e
grupit !: Kombëtarja e De Biazit mundi jashtë shtëpisë Portugalinë e Kristiano
Ronaldos, në 7 shtator të 2014-s. Gol i Balajt në minutën e ’52 dhe tre pikë të
marra për në Tiranë, nën sytë e komentatorëve dhe tifozëve luzitanë, që nuk e
besonin.
5.Faktori “D”
Mediat serbe, një
ditë pas kualifikimit të Shqipërisë, nuk e kanë humbur rastin. “Kombëtarja
shqiptare ka fituar falë dronit”, kanë shkruajtur shumë prej tyre. Pak kanë të
drejtë: droni në fushën e Beogradit më 14 tetor 2014, me flamurin e “Shqipërisë
së Madhe” zemëroi tifozët lokalë që u lëshuan kundër futbollistëve miq.
Rezultati: ndeshja e pezulluar, çështja u dërgua në gjykatat sportive dhe në
fund, tre pikë për Shqipërinë në tavolinë. Droni, sa për kronikë, u hodh në
fushë nga një shqiptar.
6.Vitrina
ndërkombëtare
Për t’i shtyrë
futbollistët shqiptarë të japin maksimumin kanë ndikuar jo pak edhe mediat: si
çdo kombëtare e vogël e futbollit, një prej objektivave parësorë është ai i “të
dukurit”. Nuk është një mister që shumë prej lojtarëve që luajnë për Shqipërinë
kanë shfrytëzuar rastin për t’u ekspozuar jashtë, për të përfunduar në ekipe më
të mira.
Përshtati në shqip
A.L – TemA
* *
*
Sot Fillon një Rrugë e Re: Ja çfarë u kishte thënë De Biasi lojtarëve në vitin 2012 (Foto)
Gianni De Biasi iu kishte drejtuar secilit lojtarë me nga
një letër në ndeshjen e parë si trajner i Kombëtares shqiptare.
Me 29 shkurt të vitit 2012 Gianni De Biasi kishte zhvilluar
ndeshjen e parë me Kombëtaren shqiptare në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.
Strategu italian, para kësaj ndeshje, u kishte drejtuar
secilit lojtarë me nga një letër ku ndër të tjera shkroi: ”Nuk do të jemi
inferior ndaj asnjë skuadre, kam besim tek ju”.
* * *
October 11, 2015
Festa e fitores, De Biasi ja merr këngës popullore shqiptare-Video
Pas fitores kundër
Armenisë ka nisur edhe festa e ekipit të çunave të kombëtares Kuq e Zi.
Trajneri Gianni de
Biasi ka postuar një video ku duket se ndjek ritmet dhe notat e një kënge
popullore shqiptare, interpretuar më së miri nga magazinieri i përfaqësueses
tonë.
Që kur ka marrë
shtetësinë shqiptare, De Biasi po përshtatet fare mirë me Shqipërinë dhe
traditat e saj.
Trajneri i Kombëtares
De Biasi, pas përfundimit të ndeshjes me Armeninë, festoi me stafin e ekipit në
restorantin e hotelit ku po qëndrojnë në Jerevan.
* * *
Një ëndërr që bëhet realitet: Lorik Cana në delir
“Është një lumturi
dhe kjo është me të vërtetë një ëndërr që bëhet realitet, sepse kemi filluar
këtë punë prej 12-13 vjetësh dhe duke e ditur që mundësitë janë të vogla për të
shkuar në një evropian apo botëror, dëshira ka qenë e madhe për të përfaqësuar
këtë komb, – tha Cana. – Me gjithë këtë punë që është bërë jashtë fushe, për
herë të parë kombi shqiptar ka një kombëtare të vërtetë, jam shumë i lumtur,
sepse kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, mund të bëjmë shumë gjëra. Ne për tifozët dhe njerëzit luajmë dhe për ta
kemi dhënë gjithçka, kjo fitore është për ta”.
Cana po ashtu ka përmendur
edhe vështirësitë që ka përjetuar kombëtarja në ndeshjet e fundit, por
kualifikimi ka lënë tashmë pas krahëve gjithçka: “Sonte mund të ndodhte
gjithçka, sepse duke parë dhe kalendarin në fund, arritëm të jemi në një
pozicion të shkëlqyer, por s’mund të themi se jemi futur në fushë për të fituar
ndaj portugezëve dhe serbëve. Rëndësi ka që ne kemi besuar deri në fund, si në
gëzime, ashtu edhe në hidhërime, si kur na ka mbështetur, ashtu edhe kur na
kanë sharë. Kjo skuadër ka një zemër
shqiptare, jam shumë krenar që do përfaqësojmë kombin tonë në Francë”.
Cana në fund ka
dashur të japë edhe një mesazh për të gjith ata që vunë në dyshim vlerat e
kombëtares pas humbjes me Serbinë në minutat shtesë në Tiranë: “Sa më shumë
ngrihesh në mal, aq më e fortë është malorja. Kemi parë se sa më shumë e kemi
ngjitur malin, aq më shumë stuhi kemi pasur përballë, por stuhi nuk kemi marrë
vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Por ne kemi ulur kokën dhe kemi punuar.
Në futboll nuk bëhen llogari, por këta djem kanë dhënë zemrën në fushë dhe e
meritojnë”, – përfundoi kapiten Cana.
* * *
Subscribe to:
Posts (Atom)