December 11, 2014

Gënjeshtrat e mëdha të Berishës për dhjetorin ‘90




Një nga obsesionet e Sali Berishës ka qenë gjithmonë tendenca për ta rishkruar historinë ashtu siç do ai. Këtë ka bërë edhe në rrëfimin e tij të gjatë për nëntorin ’90. Dje emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut ka ritransmetuar tregim të ish kreut të PD-së lidhur me atë që ndodhi në vitin e parë të demokracisë. Dhe aty Berisha gënjeu disa herë. Dhe fjala gënjeshtër nuk përdoret për interpretimet, por për faktet. Ndoshta është e drejtë e doktorit ta paraqesë si një akt heroik, mbledhjen e intelektualëve me Ramiz Alinë. Ndoshta është në lirinë e interpretimit të tij të thotë se mendonte që në atë kohë donin ta burgosnin, apo të justifikojë qëndrimet e para pro ramiziste të PD-së me kujdesin për të shmangur gjakderdhjen.

Por, ai nuk mund të gënjejë për faktet.

Së pari, Berisha tha se rënia e monumentit të Enverit ishte një ngjarje e planifikuar nga PD-ja ndërkohë që ajo qe një lëvizje spontane e studentëve dhe qytetarëve të Tiranës që e la udhëheqësinë e PD-së në bisht të saj. (deri më sot nuk ka asnjë provë, asnjë dokument që të vërtetojë ashtu sikurse thotë Berisha se edhe data e rrezimit të monumentit qe e planifikuar nga PD, për atë ditë).

E dyta, Berisha gënjeu kur tha se qe në shesh dhe se i takonte të qe vetëm aty, në momentin kur u rrëzua Enver Hoxha. Edhe kjo është e pavërtetë. Ekzistojnë pamje filmike (Fevziu I’a përmendi gjatë intervistës) që tregojnë se Berisha vetëm kalon në shesh me makinë, më shumë për të kuptuar se çpo ndodh, si një njeri dhe një lider të cilin paparashikueshmëria e turmës e ka lënë disa hapa pas.




E treta, ai tha se nuk ka pasur as rivalitet dhe as mëri me Pashkon. Por kjo është një e vërtetë që e dinë të gjithë, se, që pas prishjes së qeverisë së stabilitetit ata u bënë armiq. Berisha gënjeu rëndë për mocionin që i bënë kundërshtarët e tij duke e paraqitur atë si një nismë që u votua dhe nuk fitoi. Ata donin të krijonin parti tjetër dhe nuk u përjashtuan tha ai në kuadrin e rrëfimit për Pashkon.Por ai harroi me qëllim të përmendte që me urdhër të tij, sapo u krijua parlamenti i ri, Gramoz Pashkos iu hap një çështje penale për një problem banal ndihmash.

E katërta, qëndron në marëdhënien e tij më Azem Hajdarin, për të cilin tha se nuk ka pasur kurrë probleme duke e harruar përplasjen e tyre të madhe kur Azemi donte të ngrinte sindikatat, apo kur u fut në grevë me të burgosurit politikë. Berisha harroi të përmenddte sulmet mediatike që iu bënë me urdhër të tij dhe me ndihmën e Gazidedes, Hajdarit, të cilin gazetat Albania dhe RD, e cilësonin thjesht si një kontrabandist. Të gjitha këto Berisha i mbuloi me shprehjen « ne na mbante bashkë PD-ja, Azemi nuk e imagjinonte të largohej prej saj ». Lapsi.al



*    *    *  



Shkëlzen Gashi në formacionin më të mirë të javës në Champions


Mesfushori  Bazelit dhe Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, me paraqitjen e mirë që bëri në ndeshjen ndaj Liverpulit dhe dhe ekipi i tij u kualifikua, arriti të zerë një vend në 11-shen më të mirë të javës në Ligën e Kampionëve. Paraqitja e tij kundër Liverpoolit u ka rënë në sy vlerësuesve të UEFA.com, të cilët e kanë vënë atë në 11-shen më të mirë së bashku me emra si Neymar, Nasri, Podolski etj..



*    *    *