Të gjithë ata që kanë pritur se me largimin e detyruar nga pushteti, përmes një milion votave kundër tij; dhe me largimin “vullnetar” nga posti i kryetarit të PD-së, më në fund do t’u binin veshët rehat nga Berisha, por jo vetëm veshët, e punët do të fillonin nga e mbara, tashmë jo vetëm që janë të zhgënjyer në pritjen e tyre, por edhe e ndjejnë se gjithçka po mbarset me një tension të ri. Janë të zhgënjyer, sepse, ndryshe nga sa pritnin, Berishës nuk iu mbyll një herë goja, por jo vetëm goja; përmes mjeteve që më parë i përqeshte dhe i tallte, si “ciu, ciu”, ai po mbjell, me gjithë mundësinë e tij, vrerin për pushtetin dhe mallkimin për rrëzimin e tij. Dhe ndryshe nga gjithë të tjerët që kanë shkuar para tij, mallkimin e ka të veçantë; ndaj njerëzve që nuk e paskan kuptuar se sa shumë ai, si “baba i kombit”, mendoi për të mirën e tij, paçka se grupi i njerëzve që u pasuruan ishin besnikët e njëkohësisht shërbyesit e tij.
imazhe shqip
Megjithatë, ky është vetëm fillimi i gjithë
asaj që ka planfikuar dhe ka filluar të verë në zbatim, që prej majve e jo
vetëm prej disa ditëve, njeriu i larguar nga pushteti, apo më saktë, i përzënë
prej pushtetit, dy herë; herën e parë me pushkë, sepse i vuri pushkën popullit
të tij, të cilin pasi e grabiti, tentoi edhe ta vriste nën breshërinë e vdekjes;
dhe së dyti, përmes votës plebishitare kundër tij.
Plani i Berishës është më i gjerë se “ciu,
ciu” i tij në FB apo në rrjete sociale, është më i thellë se ajo që ka shfaqur
deri tash, e po ashtu, është më i rrezikshëm se sa një llomotitje “sa kohë të
duan” në parlamentin e Shqipërisë. Berisha po përgatitet për një përmbysje me
dhunë të pushtetit të sotëm; ai nuk duron që edhe një herë të jetë njeriu-hije
dhe nuk duron po ashtu, që në një kohë kaq të shkurtër të kthehet nga njeriu i
pardesysë së bardhë në njeriun e territ dhe vdekjes së zezë. Duke qenë njeri pa
pushtet, ai e ndjen se shumë shpejt, në ciklin e harkut politik të shkurtër
kohor, ai do të mallkohet edhe nga të vetët, e për më tepër do të jetë Njeriu
politik që përdhunshëm ka shkelur çdo ligj, juridik e njerëzor, që pas fjalëve
të mëdha për kombin fshihej shitësi i tij; që pas buçitjes atdhetare nuk ishte
asgjë tjetër veçse hipokrizia e më shumë se kaq; dhe se në fund të fundit çdo
gjë që ishte bërë kishte pasur vetëm një qëllim; pasurimin, grabitjen e
familjes së tij biologjike e politike. Sa më tepër që të zgjasë periudha e
qëndrimit të tij në opozitë, aq më e hapur do të jetë mundësia e
diagnostifikimit të plotë të qeverisjes së tij, dhe aq më i qartë do të jetë
tumori politik e ekonomik që ai ka lënë pas vetes, për të mos folur për
rrjedhojat njerëzore.
Dhe, duke e ditur prej kohësh se kjo do të
ndodhë, e për më tepër i sinjalizuar se kjo pritet të ndodhë më shpejt nga sa e
kishte menduar edhe vetë ai, Berisha dhe grupi i skifterëve pranë tij, po
përgatiten që tani, për riardhjen e tyre në pushtet, jo ligjërisht e
ndershmërisht, por përdhunshëm dhe përmes lëvizjeve të caktuara politike.
Berisha, planin e tij të rikthimit
përdhunshëm, e ka skicuar që para 23 qershorit, sepse ishte i bindur në humbjen
e tij, megjithëse nuk e priste të ishte një humbje kaq e thellë dhe dramatike.
Ai, nëse deri më 22 qershor kishte bërë skicimin, pas dy ditëve, që nga e hëna
e 24 qershorit, nisi të hedhë themelin e përmbysjes së ardhshme.
Mundësia e parë:
Rikthimi përmes përmbysjes
ekonomike
Të gjitha qeveritë, kur vijnë në pushtet,
qoftë edhe për arsye populizmi, bëjnë dhurata. Kjo është një traditë e hershme
e pushtetit të ri. Dikur, të gjithë mbretërit, në ditën e kurorëzimit, hidhnin
para nga dritarja. Qeveria e sotme, e drejtuar nga Edi Rama, në këtë fund viti,
jo vetëm që nuk do të bëjë një dhuratë shtesë, sipas ritit të pushtetit, por të
heqë edhe atë që bënin dikur paraardhësit e tyre: rrogën e 13-të në pragun e
vitit të ri. Të duket e çuditshme pse ndodh kjo, por fakti është se buxheti i
shtetit është i zbrazur deri në fundin e tij, se ajo që quhet arka e shtetit ka
mbetur krejt bosh, se tashmë nuk mund të flitet për dhurata, por për mbijetesë.
Në tre muajt e parë të qeverisjes së saj, qeveria e re, që e dinte gjendjen e
vështirë, vuri re se para saj kishte një humnerë ekonomike, e pamenduar
kurrsesi deri në këto përmasa.
Ky ishte qëllimi i parë imediat i Berishës,
krijimi i kësaj humnere ekonomike, që sjell trazime e vullkanizime politike.
Nëse të gjitha qeveritë bëjnë dhurata në ditën
e kurorëzimit, me Berishën ndodhi ndryshe; ai bëri dhurata në çdo ditë të
pushtetit të tij pas shkurorëzimit.
Dhuratat e Berishës nuk ishin të zakonshme.
Koha që ishte në mes të zgjedhjeve dhe vendosjes së pushtetit të ri, të dalë
nga këto zgjedhje, duke qenë shumë më e gjatë se sa duhej, ishte plotësisht e
mjaftueshme për të zhytur vendin në një kolaps edhe më të rënduar financiar, me
pikësynimin e shprehur budallshëm nga vetë Berisha, se, “vendi do të shkojë si
Greqia”. Ankthi për rikthimin në pushtet përmes përmbysjes ekonomike, i
detajuar deri në imtësi nga Berisha dhe grupi i skifterëve ekonomikë pranë tij,
ku është jo vetëm Basha apo Mima, por edhe të tjerë që nuk gjenden në listat e
pagesës shqiptare, solli një rrëmujë të jashtëzakonshme në financat e vendit.
Brenda pak javësh u shit, shpesh edhe me çmime qesharake, një pjesë e
rëndësishme e pasurisë së shtetit, u bënë rrokada ekonomike të pashpjegueshme,
fluturuan nga Shqipëria disa qindra milionë euro drejt parajsave financiare, ku
kanë depozitat e tyre jo pak njerëz të politikës dhe të mafias politike të
lidhur me Berishën. Jo vetëm drejt Qipros, që është tashmë një adresë e zbuluar
dhe e “licensuar” nga fazlliqët, por edhe drejt vendeve të tjera, ku kanë
shkuar më parë edhe qindra milionë euro të tjera.
Parimi i Berishës se “pas meje, të bëhet
qameti” nuk është thjeshtë një thënie e zakonshme, por linjë për të arritur
qëllimin. E para që ai mund të bënte pas humbjes plebishitare të pushtetit,
ishte pikërisht kjo: qameti ekonomik, sepse nuk kishte asgjë tjetër në dorë. Ai
nuk mund të bënte pas 23 qershorit dhe deri në shtator asnjë grusht shteti,
asnjë përmbysje të lojrave politike me dhunë, mund të bënte vetëm këtë:
humnerën ekonomike, në të cilën ai mezi pret që të fundoset i gjithë populli që
nuk e besoi, por e ndëshkoi dhe ky do të jetë njëkohësisht ndëshkimi i tij dhe
rikthimi i tij në pushtet.
Qetësia me të cilën duket se e kanë marrë
socialistët këtë humnerë, të cilën e shohin, por nuk e mbushin, i jep shpresën
e re Berishës se ka gjetur një modus vivendi të jashtëzakonshëm për të bërë
përmbysje të madhe dhe për më tepër, të realizojë një shkapërcim drejt
pushtetit në këtë prag të fundit të fuqive të tij politike e njerëzore.
Mirëpo i gjithë ky skenar, që është skicuar
para 23 qershorit dhe ka marrë tiparet e tij pas kësaj date, ka një të metë, që
nuk përputhet me karakterin e Berishës dhe natyrën e tij shpërthyese. Ka të
metën e kohës. Koha është armiku i saj dhe Berisha e di këtë.
Për të pasur sukses kjo përmbysje ekonomike
Berishës dhe skifterëve pranë tij, përgjithësisht të grumbulluar në shërbimin
informativ partiak të tij, i duhet të presë, por ai nuk është mësuar të presë.
Ai ende ndjen angushti kur mendon se i gjithë ky mision i tij mund të
përmbyset. Ai kishte ankth të jashtëzakonshëm kur u diskutua mundësia e një
ndihme të fuqishme ekonomike të SHBA ndaj shtetit shqiptar, në kondicion
eleminimin e lëndëve kimike siriane në Shqipëri. Ankthi i tij dhe i grupit
rreth tij bëri që gjithçka të transformohet, që shteti shqiptar dhe qeveria
amerikane të paraqiten si institucione vrasëse, ku masakra do të jetë në çdo
rrugë, shesh e shkollë, ku fëmijët e vrarë do të kallnin tmerrin… dhe e gjitha,
pa përjashtim, u kalkulua në qilaret e politikës së zezë berishiane, sëbashku
me ankthin se kësisoj Shqipëria mund të dalë nga kriza ekonomike dhe të ketë
një vend të ri në staturën e saj politike. Ai ishte i gatshëm të shtrihej në
mes të sheshit në Tiranë, ku kishte vrarë demonstrues dhe të shtrihej së bashku
me fëmijët e gjorë, (por jo me nipat e mbesat e tij që asokohe bridhnin nëpër
Europë) për të dhënë një spektakël ogurzi.
Koha është armiku i Berishës në kalkulimin e
parë. Ai nuk do të mund të presë kaq gjatë, edhe pse natyra e tij shpërthyese
nuk e lejon; edhe pse mund të ndodhë një ndryshim ekonomik që nuk lejon
përmbysje të tjera.
Askush më mirë se ai nuk e di se në tre muaj
qeverisje jo vetëm që nuk ka faj për humnerën ekonomike të krijuar, por as që
mund të mendosh të dalësh nga kjo humnerë. Për më tepër ai e di krejt mirë se,
edhe kjo që është zbuluar deri tani si humnerë ekonomike, është vetëm një pjesë
e saj dhe me këtë lidhen shpresat afatgjata të tij.
Rikthimi përmes dhunës së rrugës
Ka disa kohë që, si asnjëherë më parë, Berisha
po gjen krahasime me vende të tjera, në të cilat ndodhin revolta, për të bërë
përngjasimin me atë që dëshiron të ndodhin në Shqipëri. Atë e josh shembulli
ukrainas, jo sepse i qan zemra për ata që protestojnë, por nga dhimbja që ende
askush nuk po e ndjek në thirrjet e tij delirante, por njëkohësisht edhe
mizore, për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri. Thirrjet e tij, qoftë nëpër
foltore, qoftë në mediat sociale, janë kaq haluçinante, por edhe kaq të
rrezikshme, saqë në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian, ata jo vetëm do të
dënoheshin, por njeriu i çartur do të dilte fishek nga skena politike.
Në fakt radikalizmi i skajshëm politik i
Berishës, i cili ngjan me radikalizmin vehabist në metodat dhe në përçartjet e
tij, duhej të ishte prej kohe jashtë lojës politike në Shqipëri. Ka ndodhur
edhe në vende të tjera, jo shumë larg nesh, që njerëz të njohur të politikës,
edhe kryeministra, për shkak të qëndrimeve të tyre ultra-radikale, janë
shpallur të padëshirueshëm për jetën politike dhe janë përzënë prej saj.
Thirrjet e Berishës për linçimin e qeverisë së
re, e cila ende nuk mund të fillojë nga puna, sepse po numëron plagët që ka
lënë vetë Ai, kanë pas vetes synimin e përgatitjes së njerëzve të tij për një
përleshje të re me qeverinë, e cila, duke pasur një kornizë të licensuar, do të
ishte radikale deri në fund. Fakt është se Berisha po përgatit njerëzit e tij
për të qenë të gatshëm për fillesën e demonstratave dhe të lëvizjeve të
dhunshme, për bllokimin e institucioneve dhe të jetës normale të vendit, për
krijimin e një gjendje pasigurie në të gjithë vendin, ndaj shton numrin e
vrasjeve, dhunimeve, plagosjeve; për krijimin e një psikoze se jemi në fillimin
e një katastrofe të gjithanshme, dhe për t’u përballuar kjo, domosdo, duhet një
lëvizje e falangave të tij, të cilët, duke ikur nga pushteti, jo vetëm kanë
humbur benificiet e tij, por edhe kanë drojën se mund të jenë ende të pranishëm
ku kanë lënë gjurmët e tyre në grabitje, arrestime, dënime e vrasje.
Në muajt e fundit të qeverisjes së tij, jo
rastësisht e jo vetëm për disa vota, Berisha dhe klani i tij, familjar e
politik, shtuan në mënyrë drastike të punësuarit në administrata, listën e
njerëzve që kishin përfitime sociale, etj. Shumica dërrmuese e atyre që
përfituan ndihmë sociale ishin familje që garantonin votën proberishiste,
ndërsa të punësuarit përmes një liste partiake ishin të zgjedhurit specialë
partiakë. Mjaftoi një periudhë e shkutër, nga 1 prilli i këtij viti, kur Meta
doli nga koalicioni qeveritar e deri në fillim të korrikut, ku të gjithë të
punësuarit e kësaj partie, pra rreth 25 për qind e administratës, u zevëndësuan
me njerëz të devotshëm partiakë, berishistë të thekur.
Shumë prej tyre tani, është krejt normale, do
të largohen nga detyra. Mendoj se edhe largimi i tyre është zgjatur shumë.
Ishte një e keqe që duhej bërë pa dhembje dhe pa drojë. Por kjo falangë është
shpresa e qëllimshme e Berishës, ndaj i nguc ata, i shantazhon, i shumëfishon,
jep shpresën se nuk janë vetëm, krijon zyra fantazmë për mbrojtjen e tyre, i
regjistron (në fakt krijon kështu listësulmin e mundshëm militant) dhe kur do
të mendojë se kjo listë është e mjaftueshme, i vendos ata në funksion të
skalionit të parë: militantëve të rrugës, që nuk janë të paktë në partinë e
tij.
Kjo është një periudhë më e shkurtër në
politikën e tij. Mund të zgjasë disa muaj, sepse ende ai ka mendimin se kushtet
nuk janë pjekur… ndaj po forcon agresivitetin e gjuhës së tij dhe ashtu
helmuese, por fut në lojë edhe disa nga skifterët e tij, ku më i shëmtuari dhe
më qesharaku ishte një zogth politik, me emrin Keltis Kruja.
Zakonisht rrëmujën e madhe Berisha e bën ose
në fillim të pranverës, kujtoni 2 prillin në Shkodër, ose në fillimin e
vjeshtës, kujtoni shtatorin e vitit 1998.
Më e mundshme që këtë lëvizje ai ta fillojë që
në fund të këtij dimri dhe këtë tashmë e thonë edhe institucione të rëndësishme
studimore të politikës evropiane. Ai, përmes zëdhënësit të tij, Lulzim Basha,
fillimisht kërkon të skifterojë partinë, përmes zgjedhjeve të reja, në të cilat
skifterët e vjetër do të rrijnë fillimisht larg, nga droja se mos edhe njerëzit
që mendojnë normalisht brenda partisë, bëhen pjesë e detantës politike, që si
mendoj, kishte menduar të niste Olldashi.
Por Berisha nuk do të ishte Berishë nëse ai do
të ndalej këtu.
Më e mundshmja, por edhe më e rrezikshmja,
është përmbysja e qeverisë përmes rrugës më radikale, të cilën ai e ka provuar
një herë dhe mendon ta provojë edhe një herë tjetër: përmbysjen me dhunë,
përmes një grushti shteti, të cilit ai ia ka marrë dorën prej kohe.
Kjo është rruga më e rrezikshme për të… por
nga padurimi dhe duke parë se gjendja mund t’i shkasë nga duart, ai do e
provojë këtë edhe një herë.
Sikur asgjë të mos kishte mësuar Berisha nga
komunizmi, ku ishte pjesë e rëndësishme për më shumë se 20 vite, duhet të
kujtohet se ka një thënie marksiste se, “ajo që në fillim shfaqet në formën e
tragjedisë, herën tjetër do të jetë një farsë komedie”.
Berisha mendon vetëm për pjesën tragjike të
saj. Sidoqoftë viti i ardhshëm kur Berisha mendon të bëjë gati grushtin e tij
politik e rrugësor, është krejt ndryshe nga viti 1998.
Në vitin 1998 kishte një koincidencë të
habitshme mes grushtit të shtetit të shtatorit të vitit 1998, ofensivës serbe
në rajonin e Dukagjinit dhe kërkesës së zotit Rugova ndaj presidentit Klinton
për largimin nga pushteti të socialistëve, të cilët, sipas tij, po ndihmojnë
forcat nacionaliste dhe separatiste.
Në takimin me përfaqësuesit më të lartë të
shtetit shqiptar, zotin Mejdani, zotin Nano, Kastriot Islami që ishte pjesë e
takimit në cilësinë e tij si zëvendëskryeministër i qeverisë socialiste, dhe të
tjerë, përfaqësia më e lartë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe e UÇK-së, në
gushtin e vitit 1998, ia bënë të qartë asaj se pritej një lëvizje politike e
dhunshme, sipas një skenari të mirëditur nga njerëzit e lidhur me UÇK-në brenda
strukturës ushtarake të FARK-ut, me të cilët ishte i lidhur Berisha dhe Azem
Hajdari. Po ashtu, ata u qartësuan edhe për
bisedën e zhvilluar mes zotit Rugova dhe presidentit Klinton, ku ishte i
pranishëm edhe Veton Surroi. Çuditërisht, pak para grushtit të shtetit, në
rajonin e Dukagjinit, ndodhën tentativa për përmbysje politike në strukturën
ushtarake dhe brenda pak ditëve, më shumë se 5 mijë armë u dorëzuan tek ushtria
e policia serbe. Dezertorët u bënë pjesë e grushtit të shtetit, por jo
rastësisht edhe shtypi beogradas, i lidhur me regjimin e Milloshiviçit, priste
e parashikonte lëvizje në Shqipëri.
Tani nuk është më ajo gjendje politike.
Shqiptarët e Kosovës që mund të bëhen pjesë e grushtit të shtetit të Berishës
janë aq të paktë, saqë as nuk mund të llogariten. Duke qenë pjesë e elitës
titiste ose të lidhur me të, ata janë të aftë të vrasin e të shpifin pas
shpine, por jo të përballen.
Së dyti, Kosova nuk është në luftë. Atje
qeverisin njerëz të dalë nga lufta dhe të jeni të bindur se, nëse bashkohet
krahu i luftës, ata do të qeverisin për shumë vite. Ndaj Berisha nuk mund të
presë ndihmë prej tyre.
Së treti, në Shqipëri nuk ka struktura të
armatosura, si ishte FARK-u i qeverisë Bukoshi, që mund të përbënte një
kërcënim. Njerëzit e armatosur janë thjeshtë njerëz të Berishës, pjesë e
strukturave të ngritura nga ai, të afta që nga sulmet mbi kullat e deri tek
sajimi i aksidenteve automobilistike. Kjo do të thotë se ata janë të
mirënjohur.
Favoret e Berishës në përgatitjen e grushtit
të shtetit, po ashtu, janë të njohura.
Ndryshe nga viti 1998, kur Ai dhe njerëzit e
tij prisnin ndihma financiare nga qeveria e Kosovës, tani, ai vetë dhe njerëzit
e tij janë të pasur. Aq të pasur, saqë mund të financojnë jo vetëm një grusht
shteti, por një luftë. Nëse lufta në Kosovë, përmes Fondit “Vendlindja
thërret”, pra përmes kontributit të njerëzve adhetarë, ka kushtuar jo më shumë
se 160 milionë marka, ose rreth 80 milionë euro, kjo shumë është lehtësisht e
përballueshme vetëm nga një pjesë e mafias politike dhe ekonomike e lidhur me
Berishën. Pra elementi financiar nuk e pengon atë.
Berisha prej kohe ka rreth vetes një grusht
besnik njerëzish, të përgatitur, që kanë qenë ose janë pjesë e strukturave të
specializuara të ndërhyrjeve policore apo ushtarake. Të grumbulluar në
struktura të ditura nga ai dhe një grup i vogël rreth tij, ata janë të gatshëm
që përsëri, si në shtatorin e vitit 1998, të hipin mbi tanke dhe të sulmojnë
ndërtesat qeveritare. Ky grusht disa dhjetra njerëzish është ajo që mund të
quhet “elita ushtarake”. Ata edhe do të dalin, nuk do të dalin gencët, Pollo
apo Ruli, nuk do të dalin Mimët apo Bodet, në rrugë do të jenë skifterët, të
tjerët do të përgatitin deklaratat politike. Fakti që në një pjesë të
rëndësoishme të strukturave të ndërhyrjeve të shpejta nuk është bërë reforma e
duhur, u jep shpresë atyre se, si në vitin 1988, do të ketë përsëri njerëz të
palës tjetër që do u dhurojnë tanket dhe autoblindat. Ky grup është edhe më i
rrezikshmi.
Nëse kjo do të ndodhë, pra kjo lëvizje për
përmbysjen me dhunë të qeverisë, Berisha nuk do të ndalet as nga telefonatat që
i vijnë nga banorë të Amerikës që flasin një shqipe të malit të Zi, e as nga
droja e ndërkombëtarëve. Ai ka në favorin e tij Gjykatën e Lartë, Prokurorin e
Përgjithshëm, shefin e SHISH, e në fund edhe Presidentin. Pra, gjithçka që i
duhet për t’i dhënë një pamje ligjore përmbysjes së dhunshme. Do të shkojë deri
në fund, sepse kësaj here është në lojë e ardhmja e fëmijëve, nipërve dhe
mbesave të tij…
Ka edhe një mundësi tjetër, që ai po përpiqet
ta blejë sa më lirë, por që është i gatshëm të paguajë sa më shtrenjtë:
Ndryshimi i lojës në tavolinë, krijimi i një lidhje të re me LSI. Ndaj edhe po
i jargaviten atij, duke ia ditur huqet dhe duke ia pasur frikën.
Cila prej tyre do të ndodhë?
Nëse qeveria e re ndërton linjën e saj të
duhur të komunikimit dhe të fillesës së mbarë, nëse ajo krijon përmes staturës
së saj modelin e asaj që duhej të ishte prej kohe në Shqipëri, të gjitha mund
të shndërrohen në llafazeneritë e zakonshme të Berishës, nga gjuha e të cilit
duhet të ruhesh edhe kur të thotë shëndet.
Bedri Islami
Vjenë, 14 dhjetor 2013
imazhe shqip
*
* *