November 23, 2013

Lidershipi Basha



Do forcohet 
apo do dobësohet 
pa fenomenin Olldashi përballë?



Nga Mero Baze


Sokol Olldashi shtyu daljen në emisionin “Opinion” këtë të hënë, me shprese se vëmendja ndaj problemeve në opozitën e sotme, ishte e ulët për shkak të debatit të nxehtë mbi lëndët kimike. E shtyu për javën tjetër. Do të fliste mbi arsyet përse PD humbi në zgjedhje, për përgjegjësitë e Sali Berishës, për goditjen morale që iu dha PD-së për hir të idesë të qëndrimit në pushtet me çdo kusht, dhe problemet që shoqërojnë lidershipin e Lulzim Bashës. Ky mund të ishte një nga momentet më të vërteta të jetës së tij politike, që nuk ia doli të bëhej.


Biseda e fundit që pata me të

Në bisedën e fundit që pata me të, më tregoi një episod nga fushata elektorale, ku ai kishte ndjerë se do të humbnin. Në një fshat të Mallakastrës, natyrisht i majtë, pasi kish folur gjatë dhe kish premtuar, kish dashur t’i prekë në sedër meqë ishin të majtë dhe u tha: “Unë nuk jam deputet nga ata që thonë dhe po të var xhaketën në Mallakastër, votat i kam”. Ishte fjala për një batutë të dikurshme të Kastriot Islamit për votat e majta të Mallakastrës.

“Kur mendova se po i prekja në sedër, m’u ngrit një burrë dhe kërkoi të fliste. Më lavdëroi si deputet që kisha asfaltuar ca rrugë, por pastaj vazhdoi: ‘atë që varte xhaketën këtu në Mallakastër në emër të PS-së, tani e keni marrë në krye të vendit në PD. Kur bëni pazare të tilla lart, na lini të bëjmë dhe ne ndonjë pazar këtu poshtë se nuk jemi budallenj të na hidhni hi syve’…

-Më tronditi ai përfundim, tha, dhe nuk m’u nda nga mendja deri më 23 qershor. Aleancat tona amorale duket se kishin bërë punën e tyre tek qytetari i thjeshtë dhe kjo u pa qartë. Elektorati imitoi amoralitetin si mënyrë veprimi për të na ndëshkuar. Ishte ky një nga ilustrimet që i bënte në biseda analizës së tij për humbjen e PD-së. Kishte dhe plot detaje të tjera.


Mesazhi patetik i Bashës në mort

Dëgjova mesazhin patetik të Lulzim Bashës në ceremoninë mortore në kujtim të tij, ku foli dhe për atë që PD do të bëjë për të çuar në vend angazhimet e lëna gjysmë nga Olldashi. Angazhimi i fundit i tij i lënë përgjysmë, është pikërisht ky emision me këto tema të paralajmëruara për të. E di që patetizmi dhe fjalët boshe të adresuara ndaj tij nga Basha dhe Berisha, ishin sikleti i tyre i fundit që po e përcillnin të vdekur, pasi pas një jave mund ta përcillnin të gjallë nga PD-ja.

Por ajo që duhet të diskutohet sot, është nëse do të forcohet lidershipi Basha pa fenomenin Olldashi përballë, apo do bëhet më i dobët pa pasur  një shpresë tjetër si alternativë brenda PD-së?


Fundi i alternativës brenda PD-së

Nga pikëpamja politike, vdekja aksidentale e Olldashit i jep fund një alternative politike brenda PD-së dhe nxit një rreshtim formal rreth Bashës të gjithë atyre që duan të jenë thjesht pjesë e tortës politike në PD. Asnjë figurë tjetër politike nuk ka as vullnet, as ide dhe as stofin e duhur për të ndërmarrë një iniciativë si ajo që Olldashi ishte duke marrë për të shkundur opozitën nga gjumi dhe për të vënë në sprovë reale lidershipin e saj. Askush më shumë se ai në këto momente nuk ishte i motivuar qartë kundër Sali Berishës dhe mënyrës barbare si ai u tall dhe e poshtëroi gjatë kandidimit për kryetar të PD-së. Për këto arsye, askush si në këto momente nuk ka një vullnet të ngjashëm për të ngritur këto debate brenda opozitës.

Kjo në pamje të parë duket si fat për Lulzim Bashën, por realisht është një fatkeqësi. Ky është një debat i fjetur, që një ditë do të shpërthejë, por kur të shpërthejë, do të jetë vonë për reforma në PD dhe do të ndëshkohen nga zgjedhjet që vijnë çdo dy vjet. Koha e artë për t’u marrë me veten ishte tani, kur sapo kanë dalë nga pushteti dhe kur kanë të gjithë kohën e duhur për të qenë të vërtetë, largpamës dhe të besueshëm për të ndryshuar vetveten.


Është mirë që Basha t’i lidhë zagarët

Sokol Olldashi nuk ia doli dot as ta linte këtë testament politik. Sikur të isha 1 përqind njeri konspirativ, do të besoja që ia kurdisën aksidentin vetëm pse do dilte të hënën në emision, por kjo nuk është e vërtetë. Tek i vetmi konspiracion që besoj është se ikja e tij ka nxitur lidershipin aktual të PD-së, që në vend të reflektojë për boshllëkun politik që ai la, po e përcjell atë me patetizma bosh për në banesën e fundit, dhe ndërkohë po mbajnë të ndezur debate poshtëruese ndaj tij në media, nga gazeta të miqve të Bashës, me qëllim që të mbajnë larg dhe hijen e tij nga PD-ja.

Ajo që humbi PD-ja me ikjen e Sokol Olldashit, ka të bëjë me boshllëkun politik që ai la në atë parti, ku askush nuk është më vetvetja. Kjo është ajo që duhet vajtuar për PD-në.

Sokol Olldashi iku nga kjo jetë duke i marrë me vete të gjitha vlerat, pasionet dhe veset e tij, duke qenë njeri i vërtetë. Ai kishte familjen që meritonte, miqtë dhe mikeshat që meritonte, pasionet e tij reale dhe jetën e tij aspak të disiplinuar. Ata që dërdëllisin për moral kanë më shumë histori perverse se sa ide politike në atë parti, deri në atë shkallë sa dhe karrierën në krye të PD-së e kanë dhuratë nga perversiteti erotik ndaj Familjes. Boshllëku politik që la Sokol Oldashi nuk mbushet dot me thashetheme perverse. Është mirë që Basha t’i lidhë zagarët që ka lëshuar rrugëve të lehin ndaj ikjes së tij. Fakti që nuk është shofer, ose shofer i keq siç ishte Olldashi, nuk e bën dot as politikan dhe as burrë të mirë.


*   *   *   

Projekti politik brenda PD-së që u “aksidentua” bashkë me Olldashin

Bisedat e fundit me miqtë


Sokol Olldashi humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident fatal dhe në një moment kyç, tepër të rëndësishëm të karrierës së tij politike. Të hënën që vjen ai pritej të dilte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, kjo dalje e tij nuk do të ishte si një intervistë “rutinë” nga ato të cilat shohim shpesh tek ky emision, Olldashi, kishte programuar një kapërcim në qëndrimet e tij, shfaqjen e një tjetër dimensioni në raport me PD-në, Lulzim Bashën dhe polin e vetë brenda PD-së.

Do ishte pak a shumë e njëjta linjë qëndrimi, si fjalimi i fundit që Olldashi mbajti në Parlament për “çështjen e vjedhjes së votave në Korçë”. Pra një qëndrim që neglizhon tërësisht sjelljen irracionale dhe dogmatike të linjës zyrtare të Bashës dhe qasjen me një fjalor opozitari që i thotë problemet troç, pa kursyer as qeverinë dhe as opozitën. Diçka që Olldashi, me siguri dinte ta bënte shumë mirë, ai fundja ishte kalitur në opozitën e ditëve të vështira të Berishës pas vitit ’97 dhe kishte artikulimin dhe intelektin e një gazetari me shqisë të theksuar politike. Nuk ishte i “preferuari” i Berishës për trashëgimtar por ngjasonte më tepër me Berishën për nga forca që rrezatonte se sa trashëgimtari, Basha, i cili së fundmi pati dhe disa probleme me “arratisjen” e zërit gjatë një mitingu. Për më tepër kur, në Dhjetor, Partia Demokratike do të përfshihej në një proces tepër vendimtar politik për ekuilibrat brenda saj.


Kopertina e pamundur e DITA-s

DITA ishte angazhuar javën e fundit të pasqyronte përgatitjet dhe lëvizjen e riorganizuar të konjukturës dhe grupeve në PD gjatë muajit nëntor në kuadër të një beteje që pritej të niste në muajin Dhjetor. Muajin e ardhshëm Partia Demokratike do të niste zyrtarisht një proces zgjedhor mbarëkombëtar për zgjedhjen e strukturave në të gjitha nivelet e kësaj partie. Pra do të ishte procesi për zgjedhjen e karabinasë së kësaj partie. Ishte menduar që gazeta t’i kushtonte një kopertinë , ose disa të tilla, këtyre zhvillimeve. Realizuam kontaktimin e disa personazheve në nivele të ndryshme të PD-së, biseda të regjistruara telefonike dhe të drejtpërdrejta, kalim dhe përcjellje informacioni me email mbi zhvillimet  e nëndheshme që po ndodhnin, sidomos në kampin e Olldashit.

Si për ironi të fatit, një nga bisedat informuese më të rëndësishme në lidhje me këtë artikull, e zhvilluam pasditen e së mërkurës, vetëm pak orë përpara se Sokol Olldashi të pësonte aksidentin fatal. Ishte bisedë informuese me një ndër personat më aktivë pranë Sokol Olldashit, madje ishte fiks biseda që na garantoi se deputeti, tashmë i ndjerë, kishte një projekt të qartë politik tashmë. Së pari, nuk do lejonte të ndodhte me zgjedhjet e strukturave të njëjtën gjë që ndodhi me zgjedhjet për kryetar, ku Olldashi doli humbës, por akuzoi për manipulim dhe trukim të rezultatit.


Një hesap i vështirë

Ajo çka kuptohej menjëherë nga informacionet e ofruara prej grupimit të Olldashit nuk ishte vetëm përgatitja dhe gatishmëria nr.1 e këtij grupimi për zgjedhjet e ardhshme të strukturave, por edhe fakti se Sokol Olldashi, ishte kthyer në epiqendër, në figurën kryesore për të gjithë ata që nuk janë në harmoni me mënyrën e operimit të kryetarit riosh Basha në PD. Olldashi ishte kthyer në një forcë rëndese, kishte autoritetin dhe rrezatonte besimin e nevojshëm tek ky grupim, që në zgjedhjet e Dhjetorit, grupimi të kishte një “Bari” dhe të mos lejonte nëpërkëmbjen e synimeve të veta në proces. Në PD ishin ravijëzuar “olldashianët”. Ndaj dhe humbja e jetës së Sokol Olldashit, ndryshon në mënyrë radikale situatën dhe ekuilibrin e forcave përpara procesit dhe aftësinë e grupimit për të operuar me të njëjtin efikasitet në Dhjetor. Një prej deputeteve që i përkiste këtij grupimi Mesila Doda, e shfaqi dje thuajse hapur këtë projekt në një postim vajtimi për vdekjen e Olldashit: “Pesha e gjërave që le përgjysëm po na bëhet mal në shpatulla” – shkruante Doda.

Bëhet e vështirë të parashikosh se si do të riorganizohet brenda vetes grupimi i Olldashit dhe si do të kundër-reagojë linja zyrtare në procesin e Dhjetorit pas vdekjes së Sokol Olldashit. Megjithatë ne dimë se çfarë ishte duke ndodhur deri mbrëmjen fatale të së mërkurës kur Sokol Olldashi humbi jetën.


Një lobim në rangje

Sokol Olldashi, dhe grupi që e mbështeste atë, nuk ishin dakord me strategjinë me të cilën po bën opozitën Lulzim Basha. Njerëzit në grupin e ngushtë të ish-ministrit të Transporteve, flasin për një plan konkret për të marrë kreun e PD-së përpara zgjedhjeve lokale. Olldashi ishte duke hartuar planin për një lëvizje brenda partisë, e cila do të jetë e ngjashme me LMN-në e vitit 2009 në Partinë Socialiste. Pikësynimi do ishte keqdrejtimi i partisë nga ana e Bashës, ndërsa do të shmangeshin, në dukje, sulmet ndaj Berishës. Deputeti, i cili humbi jetën në aksident kishte nisur kontaktet për të bashkuar grupin e deputetëve që janë kundërshtarë të Bashës, ose të pakënaqur nga lëvizjet e tij të fundit dhe të zhgënjyer nga linja që po ndiqet për të bërë opozitë.

Olldashi kishte nisur një proces intensiv riorganizimi dhe takimesh ku më intensivet ishin ato me Ilir Rusmalin dhe Astrit Patozin , por duke përfshirë dhe Mero Bazen, një ujk i vjetër në PD, njohës dhe parashikues i psikozës së Berishës. Vetë Baze shkruan te Tema e tij online që “kohët e fundit qëndronte deri në mesnatë me Olldashin”.


Një injorim thuajse publik

Problemi që kishte nisur të diskutohej fare hapur javët e fundit në tryeza mes grupimit “Olldashi” quhej Lulzim Basha dhe sjellja e tij. Të mërkurën, ditën që Olldashi humbi jetën, një bashkëpunëtor i tij e sqaroi thuajse qartësisht këtë problem gjatë një bisede të regjistruar:

“Natyrisht që Ridvan Bodes, Jozefina Topallit, Astrit Patozit por jo vetëm këtyre u ka ardhur në majë të hundës. Lulëzim Basha përveçse ka një varësi prej fëmije ndaj Berishës për çdo veprim, nga ana tjetër mban rreth vetes një tufë çunakësh. Shikojeni vetë në takimet që bën tek SHQUP, janë aty fotot publike, shikojini njerëzit që ka në krahë Basha se cilët janë, totalisht pa ndikim totalisht të paaftë për të këshilluar në mënyrë të pjekur kryetarin dhe totalisht  pa eksperiencë dhe të katapultuar. Përveç kësaj, Basha në mënyrë demonstrative ka shmangur nga dijenia apo konsultimi për çështje të një rëndësie të dorës së parë, si zgjedhjet në Korçë, armët kimike, apo dhe të tjera çështje, të gjithë figurat e PD-së në dekadën e fundit. Kjo sjell medoemos një solidaritet më të madh të këtyre figurave drejt Sokolit, pasi punët e partisë kanë ngel tek disa çunakë që nuk kanë asnjë produkt”, – tha të mërkurën një prej njerëzve më të afërt të Olldashit.


Dilemat e një procesi

Një  tjetër problem i Olldashianëve ishte fakti se nuk kishin ende asnjë njoftim apo projekt të detajuar nga kryesia apo kryetari i Partisë për zgjedhjet që do të nisin në të gjithë Shqipërinë për strukturat e PD-së. Dilemat ishin të mëdha, u tejkalua statuti i PD-së për zgjedhjen e kryetarit duke aplikuar në mënyrë jo-statutore strategjinë “një anëtar një votë”. A do të ndodhte kjo edhe në rastin e zgjedhjes së strukturave? “Si rregull janë kryetarët e degëve, ekzistues që duhet të kryejnë organizimin e këtij procesi të rëndësishëm. Kjo do ishte statutore dhe konform rregullave të lojës që kemi këtu në PD. Mirëpo në zgjedhjet e 23 Qershorit PD-ja humbi rëndshëm, përveç Kukësit, ndaj dhe një “qarkore” e Lulzim Bashës po përflitet për zëvendësimin e këtyre kryetarëve të degëve me ‘kryetarë dege të deleguar nga Basha”, çka do të shtonte kontrollin e Bashës mbi këto zgjedhje dhe do na hiqte neve shumë garanci, pasi me siguri Basha do mund të emërojë kryetarë degësh nga ata që di ai, ose çunak ithtarë të tij, ose ndonjë që ja sugjeron Doktori”, i tha javën e kaluar DITA-s një nga figurat më të spikatura të grupit Olldashi, duke shtuar meraku nga një qarkore e tillë nuk ishte dhe aq pa vend, sepse kishin informacione se një gjë e tillë po planifikohej nga Basha.


Grupi i Olldashit  dhe Doktori

Sipas personave më aktivë brenda grupit të Olldashit, distanca dhe ftohja mes grupimeve në PD justifikonte me doemos që Olldashianët të bënin plane për të ardhmen, ku nuk përjashtohej as marrja e masave për një shkëputje në rast se përjashtimi ose nxjerrje jashtë loje në garën e Dhjetorit. “Nëse do të ketë probleme dhe në zgjedhjet me strukturat njësoj si me garën për kryetar, ky do jetë me siguri një problem shumë serioz në marrëdhëniet brenda Partisë Demokratike, por nuk mendoj se Olldashi do të nxitohet duke krijuar ndonjë projekt të ri apo duke u shkëputur nga partia. Olldashi është i qartë në këtë pikë. Por ama ai vërtetë nuk do të shkëputet por nëse precedenti përsëritet, denoncimi me forcë i këtij precedenti do të jetë shumëfish i asaj që u denoncua në zgjedhjet për kryetar, pra fraksioni do të dalë hapur, nuk mund të bëhen krahasime me LMN-në pasi LMN-ja ishte një fraksion në hijen e ish-kryetarit Nano. I vetmi avantazh është që fraksioni ka Sokol Olldashin në krye që mendon më mirë politikisht se Lulëzim Basha sepse vjen nga shkolla e “egër e Berishës”, por di të kundërshtojë Berishën deri në atë cak sa Berisha të mos ketë alibi për t’i shpallur armiq të partisë”, – tha në një bisedë të regjistruar bashkëpunëtori i ngushtë i Olldashit javën e kaluar.

Madje më tej ai shtoi se nëse do të ketë ndonjë paralajmërim për shkëputje nga PD-ja kjo mund të vijë vetëm pas zgjedhjeve lokale. “Të gjitha të dhënat sugjerojnë se PD-ja do i humbë këto zgjedhje. Deri atëherë shumë gjëra mund të jenë në proces, pasi ka të dhëna se dhe 5 deputetë të tjerë të PD-së do kalojnë në kampin e maxhorancës, por dhe partitë në koalicion me ne mund të bëjnë hapa të mëtejshëm. Janë të gjithë faktorë që ndikojnë. Nuk do habitesha që pas një humbje të thellë në këto zgjedhje, Berisha të aplikonte skemën “Berlusconi” dhe të zëvendësonte Lulzim Bashën si kryetar. Kjo lëvizje e tij mund të inkurajohej dhe nga kampi jonë në momentin e parë”, – konfirmoi papritur i njëjti burim gjatë bisedës së zhvilluar disa ditë më parë.



*   *   *



Ra një mort dhe …

skena pushtohet nga banaliteti



Nga Mustafa Nano

Më kanë munguar kontaktet në pikëpamje humane me Sokol Olldashin, por e kam njohur mirë në pikëpamje politike (duke e ndjekur në distancë). Doni që të jem i sinqertë në këto orë përdëllimi, që shumëkush i ka banalizuar ashtu si dimë t’i banalizojmë gjërat, edhe mortin, ne shqiptarët? Nuk mendoj se Olldashi ka lënë shenjë si politikan, e se duhet t’i njohim ndonjë meritë në këtë drejtim. Personalisht, kam mundur t’i regjistroj veç një gjest domethënës, me të cilin më ka kapur në befasi. Dhe është gjesti i fundit i tij si veprimtar publik. Është një fjalim i tij në Kuvend në ditën që deputetët po kacafyteshin lidhur me honoraret elektorale të studentëve korçarë fresh-istë. Sikur të mos e kisha parë e dëgjuar vetë, nuk do ta besoja: Ishte Olldashi në një version inedito, dmth i shtruar, konstruktiv, autokritik, vizionar.

Po bënte denoncimin e madh të jetës së vet, po denonconte ata (një syresh ishte dhe ai vetë, kuptohet) që nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër gjatë dy dekadave të fundit, veçse të blejnë vota, të trukojnë rezultatin e zgjedhjeve, e t’i prishin këto të fundit. Ish në një moment të çuditshëm ftillimi që, sipas shumë gjasash, duhet ta ketë burimin tek përvoja e trishtë e garës brenda partisë së tij. U desh që të ish vetë viktimë e deformimit të një gare për të kuptuar se nuk bëhet shaká me rregullat e garës politike dhe me respektin për votën. E kuptoi shumë vonë këtë gjë. Por ka të tjerë, dhe janë të shumtët, që s’e kanë kuptuar ende; e një pjesë nuk japin shenja se mund ta kuptojnë ndonjëherë.

Me këtë fjalim, Olldashi, edhe nëse nuk e ka nderuar karrierën e vet (nuk njoh karriera të nderuara në politikën shqiptare, me përjashtim ndoshta të ndonjë karriere fare të shkurtër që, pikërisht ngaqë është e shkurtër, nuk mund të quhet fare karrierë), të paktën e ka shpëtuar atë. Pa këtë fjalim të fundit, karriera e tij nuk do të binte në sy për ndonjë gjë. Ose do të binte në sy për ndonjë bëmë politike të pahijshme.

Të tjerët mendojnë ndryshe? Të tjerët kanë parë tek Olldashi një politikan brilant, që na ka lënë pas një trashëgimi të çmuar? Unë nuk besoj se ata i besojnë fjalët e tyre. Madje, kam frikë se nuk e nderojnë Sokol Olldashin duke parë tek ai atë që nuk ishte. Por puna është se tek ne është bërë e udhës që, me të ikur dikush me pushtet e ndikim nga kjo botë, të rendet drejt një alkimie postume; me fjalë të tjera vdekja shihet si një rast për të organizuar një festival a garë lëvdatash. Flasim për të vdekurit mú sikur ata të jenë jo ata që ne kemi njohur e që po marrin rrugën e mistershme drejt qiellit, por ca të tjerë, që sapo kanë zbritur prej qiellit.

Në rrethana vdekjesh pra ne duket sikur nderojmë një njeri tjetër, dhe jo atë që sapo ka vdekur. Kjo është e natyrshme, mund të thuhet. Por unë kam përshtypjen se ky festival lëvdatash këtejpari merr formën e një – mund të duket shprehje oksimoronike, por ja që kështu ndodh – harbimi mortor. Dita e mortit banalizohet, gjë që asnjë i vdekur nuk e meriton.

Mirëpo, ish pikërisht kjo që ndodhi pas vdekjes krejt të papritur të Olldashit. Nuk them se ka pasur një përpjekje për ta banalizuar këtë ngjarje. Përkundrazi, banalizimi ka ardhur prej dëshirës për të dhënë prova respekti e dashurie për Olldashin. Dhe në këtë kuptim, për mua, ka qenë i tepërt edhe vendimi i qeverisë për ta shpallur të nesërmen e vdekjes së Sokol Olldashit si një ditë të Zisë Kombëtare.

Përsëris, nuk mund të vihet në diskutim një dëshirë e mirë majtas e djathtas për ta nderuar kolegun e tyre, ashtu si nuk mund të vihet në diskutim që kjo dëshirë ngrihet edhe mbi ndonjë kompleks faji apo borxhi që ka pasur njëri e tjetri përballë Olldashit, por dita e Zisë Kombëtare duhet të shpallet mbi kritere të tjera, e jo mbi dëshirën e njërit apo tjetrit.

Në VKM-në nr. 229, dt 23.04.2004, që përcakton ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë, thuhet: “Zi kombëtare mbahet për: 1. Personalitete të larta shtetërore e publike kombëtare; 2. Personalitete të shquara të komunitetit ndërkombëtar me origjinë shqiptare; 3. Njerëz që sakrifikojnë jetën e tyre në krye të detyrës; 4. Fatkeqësi të rënda njerëzore që prekin thellë ndërgjegjen e kolektivitetit; 5. Për çdo rast tjetër me vendim të Këshillit të Ministrave.” Pika 5 e bën legjitime Zinë Kombëtare në nderim të deputetit Sokol Olldashi, por pikat 1-4 që përbëjnë kriteret, mbi të cilat shpallet një Zi Kombëtare, nuk e justifikojnë vendimin që u mor nga qeveria “Rama”.

Mirëpo vendimi u mor. Mass-media-s kaq iu desh, dhe situatën e morën në dorë gazetarët, të cilët e big-brother-izuan ngjarjen fët e fët. Filluan transmetimet non-stop që, siç është e pritshme, marrin për lajm çdo gjë, mor po çdo gjë, që ka të bëjë me mortin, me fjalë të tjera një deklaratë të dikujt, një kurorë, një vizitë, një pamje të ngashëryer, ca lotë, pastaj sërish një deklaratë, e cila rëndom ndahet në shumë fraza dhe secila prej këtyre frazave shitet si lajm prej televizioneve që japin informacion të titruar.

Në studiot qëndrore është anchor-man-i, që përcjell ngjarjen me ndihmën e pamjeve televizive që i vijnë live nga gazetarët e kameramanët e terrenit, dhe që kur mbetet ligsht, zë e çaprashit fjalë të tilla, si “ja, te grupi i familjarëve po afrohet Ilir Meta, ja dhe Jozefina Topalli i dha dorën dikujt, ja dhe Berisha që mezi po i mban lotët, ja dhe Rama që ka ardhur me të shoqen, të dy janë duke u afruar, po ecin me hap të ndadaltë, ja edhe pak, etj, etj”.

Seç ka diçka jo humane tek këto kamera televizive furacake, që pardje kapnin fytyra fëmijësh të përlotur (me siguri, ishin fëmijët e Olldashit), fytyrën e topitur e të tronditur të së shoqes së tij, pamjen e pambrojtur të të vëllait, të nënës, dhe në fund dhe gropën e varrit, dheun që bie mbi arkivol. O jo, kjo është e pakuptimtë, kjo është një marrí. Dikush atje do duhej t’i kish ndalur këta kameramanë që, po t’i lije, s’do ta kishin për gjë të hapnin dhe arkivolin e të fusnin tytën e kamerës atje. Por askush nuk u kujtua që t’i ndalte. Me sa duket, po na bëhet zakon që të filmojmë, e të nxjerrim në shesh, çdo gjë.

Ky ishte kulmi i banalizimit, që vijoi më tej me reagimet e ca e cave. Një pjesë personalitetesh thoshin të tyren, e ishin patetikë, tmerrësisht patetikë, por në këtë rast patetizmi nuk ka lidhje me përdëllimin. Dhe shyqyr që qëlloi Astrit Patozi, që i iku këtij kori e që e neutralizoi aq sa mundi përmasën banalizuese të mortit. Patozi ishte i vetmi normal mes “të vetëve”.

Ka qenë miku më i ngushtë i Olldashit, dhe ndonëse i ka dhembur më shumë se të tjerëve ikja e Olldashit, fjalën e kish të thjeshtë, të qëlluar, qibare, humane, gjë që duket tek citimet e mëposhtme: “Më kujtohet që e kemi ndjellë këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë”, ose “Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute që nuk i kishim pasur dhe që nuk na takonin”, ose “Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet; [nuk kish] asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension”, etj.

Të tjerët iu vunë garës së përdëllimit, dhe këtë gjë e bënë me fraza të fryra e me pohime hiperbolike, a thua se donin të bëheshin protagonistë edhe të kësaj dite të përzishme. Ranë në sy Sali Berisha e Lulzim Basha. Ja disa nënvizime që bëri i pari: “Sot zija në zemrat tona është më e zezë se nata”, ose “shkrimet e tua Sokol kanë qenë perla të publicistikës”, “Ylli i shndritshëm, yll i papërsëritshëm”.

Lulzim Basha nga ana e vet mund të thosh pafundësisht gjëra për Olldashin, të cilin e ka njohur e me të cilin kanë punuar për vite të tëra, mund të thosh gjëra që kanë hyrë në normalitetin e këtij bashkëpunimi e bashkëjetese, por ai nuk mundi t’i ikte stilit të harlisur të mentorit të tij. Edhe një fëmije po t’ia lije në dorë fjalën e lamtumirës për Olldashin, do t’i kish shmangur fraza të llojit “betimi yt Sokol është dhe betimi ynë”, “jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm”, “Sokoli ishte një sokol i paepur i shumë betejave”.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto fraza të kërkuara, Basha i dha dhe një natyrë kotmëkot partizane fjalës së vet, gjë që përbëri kulmin e banalitetit në atë ditë, që veç banale nuk kish pse të ish. “Sokoli … për vite të tëra, ndër më të vështirat për PD-në, çmontonte dhe denonconte intrigat që thurreshin kundër nesh”, “[Sokoli] na jepte kurajo kur forca të errëta kërkonin me çdo kusht të na çbënin si forcë politike të së mirës dhe si ndërtimtare e Shqipërisë Europiane”, etj, janë fraza që e politizuan pa qenë fare nevoja momentin kur Olldashin po e përcillnin në banesën e fundit, në ditën që – sipas vendimit të qeverisë – kombi, e jo PD, ishte në zi. Dhe po Basha duhet të ketë qenë në dijeni për një si nekrologji që Olldashit iu bë menjëherë pas publikimit të lajmit tragjik. Ishte një nekrologji në stilin enverist, tmerrësisht enverist, aq sa dhe në fund të nekrologjisë, për të imituar pikë për pikë tabiatet e nomenklaturës së kuqe, ishin vënë emrat e ‘anëtarëve të Byrosë Politike”: Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, …. e deri te Gert Bogdani. Kjo ish një nekrologji e kotë, e panevojshme, absurde në rrethanat kur mediat, të të gjitha llojeve, informojnë për çdo gjë, e kur secili prej këtyre njerëzve që kanë vendosur emrin në fund të nekrologjisë, mund ta thosh të vetën në rrugë individuale.

Se ç’kanë një ngërç emocional këta njerëz në marrëdhëniet me sho-shoqin, gjallë a vdekur qofshin! Nuk ia dalin dot të sillen si njerëz normalë. Dhe anormalizojnë e banalizojnë gjithë jetën publike; dhe një mort, gjithashtu.

*   *   *


November 22, 2013

Analizë/ Shtatë misteret e Sali Berishës

Politika shqiptare ka shumë pikëpyetje,
 por ato më të mëdhatë lidhen me një njeri, 
doktorin Sali Berisha.

Është ende e nxehtë natyra e debatit që vërtitet rreth një prej figurave të larta të komunizmit, Hysni Kapos. Edhe bashkëshortja e tij, Vito Kapo, i qëndroi deri në fund tezës se Hysniun e vranë dhe nuk ndryshoi mendim për asnjë çast. Madje edhe diagnoza e helmimit.
Por kush e helmoi? Kush përfitoi?


Kapo ishte njeriu që mund ta zëvendësonte Enver Hoxhën, pasi ishte më popullor. Dhe për mjek oborri kishte….Sali Berishën.

Përfituesi…Ramiz Alia.
Dhe nderi i kthyer, Berisha futet në rrugën e politikës, në rrugën e pushtetit. Katovica mbeti amanet. Por Ramiz Alia nuk foli kurrë. Edhe kur u përpoq, ngjarje të mistershme ndodhnin rreth tij. Shumë mbahen në alibinë se Nexhmia dhe Ramizi u burgosën. Po, u burgosën, por nëse nuk do të ndodhte, çfarë do të bëhej me ta pas urrejtjes popullore të familjarëve të të pushkatuarve dhe persekutuarve ?!

Sali Berisha fitoi një “bingo” në vitet 70-të. Pikërisht në kohën kur po ndodhnin ndryshime të mëdha shëndetësore në trupin e udhëheqësve të ish-Bllokut.

Enver Hoxha vuante nga sëmundja e diabetit, një prej sëmundjeve që të rrit ndjeshëm tezën e paranojës dhe dyshimeve. Humbi kontrollin e mendjes dhe këtë situatë e shfrytëzoi…Nexhmia. E frikësuar për të ardhmen e familjes dhe në kërkim të sigurisë, prodhoi një…Ramiz. Njeriu më i afërt i saj. Dhe ata ia dolën me sukses, fal një njeriu me karakter të ngjashëm si i tyre. Në të kundërt nuk kishin për të pasur shanse.
Mistere të mëdha ka në karrierën e tij një herë ish-kryeministër dhe ish-president, Sali Berisha.

Safet Zhulali.

Njeriu që ishte shumë më afër tij.
Ndoshta më naivi, ndjesë pastë, por edhe i besuar. I brymosur me idenë e antikomunizmit, ku të gjithë i shihte si armiq dhe përdorej lehtë. Por për fat të keq të tij, dëshmitari më i fortë i anti-Berishizmit. Njeriu që nëse do të hapte gojë (nëse nuk e ka bërë në rrethana të tjera), mund ta kishte shkatërruar një herë e mirë Berishën. Ish-ministri i Mbrojtjes ishte i vetmi që kishte në dorë planin operacional të pushtimit të Jugut dhe detaje të hollësishme.

Nga kasta e vjetër e PD nuk mbeti askush përveç sekretarit të tij Genc Pollo. Ata që lejoi të riktheheshin më vonë, e bëri sepse kishin një pauz paditurie për atë që kishte ndodhur në PD. Dhe i shërbenin si kauz e një casti që i duhej në favor. Dhe Zhulali iku ashtu dhimbshëm, mistershëm, me një sëmundje për të cilën shumë pak u bë transparencë për shkaqet se nga erdhi.

Më herët kishte ikur një tjetër figurë, jo politike, por që dinte shumë. Kryetari i Komisionit të Figurave, Nafiz Bezhani. Edhe vdekja e tij, përveç faktit të moshës, u mbulua deri diku me mister. Një njeri që kaloi në duar të gjitha dosjet e ish-sigurimsave dhe bashkëpunëtorëve. Ata që sot kanë zaptuar politikën dhe mbajnë peng një popull.

Çfarë ndodhi me Azem Hajdarin?

Ka vetëm dy dëshmitarë realë. Sali Berisha dhe Genc Pollo. Që ditët e sotme shkëmbejnë mesazhe shumë të forta dashurie. Dhe në veçanti Genci mundohet të bjerë sa më shumë në sy të doktorit. Vërtet Azemi u eleminua për shkak të një konflikti banal, por askush nuk do guxonte ta vriste te zyrat e partisë në mes të Tiranës, nëse dikush nuk do e kishte shtyrë. Nëse Azemi e mori vesh kush e priste, nuk kishte pse të dilte. Dhe Berisha nuk do e kishte nxjerrë në pritë, por t’i këshillonte një deklaratë mediatike ku të denonconte, ose kërkonte ndihmë. Dhe Berisha e shfrytëzoi, sepse ndjente se po humbte kauzën politike pas 1997, po dilte nga loja dhe po i shuhej ëndrra. Dhe si shprehja “të vishem edhe një herë nuse, pa di si të nusëroj”. Dhe i duhej një kauz, një dëshmor, për të tërhequr gjithë vëmendjen. Dhe hoqi kundërshtarin kryesor, Azem Hajdarin. Fajin e spostoi te Nano dhe këtë të fundit e përdori më vonë për marrëveshje mbijetese politike.

Më pas ikur edhe një dëshmitar tjetër i 2 prillit 1991, por që nuk foli kurrë, Pjetër Arbnori. Bashkë me Azem Hajdarin, ata ishin dy njerëzit që kishin dijeni të plotë për ngjarjet kur u vranë Arben Broci me tre të tjerë.

Rikthimi në pushtet i Sali Berishës në 2005 me tezën e dorës së fortë dhe të pastër, i ngriti një problem të madh. Një çështje që Nano ia la hapur.

Zhdukja e mistershme me urdhër të tij të Remzi Hoxhës. Biznesmenit shqiptaro-maqedonas, aktivist i UÇK-së, që e mori peng me SHIK-un e tij fal një makinacioni të agjenturave serbe dhe paditurisë së Pjetër Arbnorit.

Hoxha u mbeti në dorë në tortura pasi i kërkonin filmimet dhe fotografimet që dispononte ai për takimet Berisha-Miloshevic dhe me Gligorovin si dhe një filmim të Gazidedes me Arkanin në Shkodër, pak muaj para zhdukjes. Më tej zhdukën trupin si provë, që të mos mbetej, por denoncimi i familjarëve i menjëhershëm plasi skandalin.
Nano e la dosjen e hapur me gisht tregues nga zyra e Berishës. 

Vetë OKB rihyri në lojë. Berisha u përpoq ta mbyllte si dosje, por s’ia doli. Ndaj dhe i mbeti si “çelës” zhdukja e provës kryesore. E rikthehu të ndjerin nga vendet arabe ku bënte jetë akademike, me premtime të mëdha. E kthehu si një “trofe” të forcës së tij. Por nuk i mbijetoi gëzimit të Shqipërisë as për dy vjet. Iku me një sëmundje të mistershme, origjina e të cilës mbeti e tillë. Një vdekje për të cilën Berisha u mundua të hiqej sikur po investonte me buxhet për ta shpëtuar. Por fitorja ishte e madhe, sepse dosja e zhdukjes u varros përfundimisht me vdekjen e Bashkim Gazidedes.

Të tjerët kishin pak rëndësi në proces, pasi shkonin deri tek Ilir Kumbaro, të cilit urdhrin ia kishte dhënë vetë i ndjeri dhe për më tepër Hoxha i mbeti atij në dorë. Edhe Kumbaro nuk dihet se ku jeton dhe nëse jeton pas atij skandali me drejtësinë shqiptare dhe britanike bashkë.
Një manovër proceduriale për të cilën askush nuk mbajti përgjegjësi.
Të gjithë e mbajmë mend Kosta Trebickën. Pa peshë politike, por ama ishte vullkani i shpërthyer që mund të shuante “sarajin” e kryeministrit mes skandalit të aferës së Gërdecit dhe 26 të vrarëve. Ishte dëshmitari që lidhte djalin e kryeministrit me atë aferë direkte.
Trebicka foli hapur, duke thënë në media se “Shkëlzen Berisha ishte i lidhur në trafikun e Gërdecit”. Madje shkoi më tej. Foli për një takim misterioz tek sheshi “Nënë Tereza” në makinën e kryeministrit Sali Berisha për këtë problem. Takim i fshehtë, jo zyrtar, në rrugë dhe për një ngjarje të madhe…

Dhe dy muaj më pas vdes në një aksident të mistershëm në pllajën e Voskopojës në gjueti. Makina me 30 në orë kishte bërë salto duke e zënë nën vete, i kishte çarë kafkën, por afër trupit kishte pushkën dhe shpendët e vrarë!!!.

Dhe dyshohet se njeriu që i ka shërbyer si urë Berishës për këtë zgjidhje, ishte…

Bujar Nishani.

Në një biznes të përbashkët dy bashkëshortet e Trebickës dhe Nishanit, hapën universitet privat. Dhe Kosta u zbut, kurse Nishani ishte i vetmi që i shkoi i pari për ngushëllim të shoqes në banesë dhe ku u mbushi mendjen se ishte…aksident. Për të mbuluar provat shërbyen ish-badiguardët e Berishës të emëruar drejtorë policie. Dhe Nishani sot është…President. Por edhe Nishani vetë po vuan…një sëmundje të mistershme për shkaqet dhe origjinën e saj. Dhe është pikërisht ky ish-ministër i Brendshëm, në kohën e të cilit kanë ndodhur gjithë vrasjet politike të kundërshtarëve të Berishës.

U vra Fatmir Xhindi, Aleks Kekës apo 4 policët në Durrës.

Iku dhe u rikthye ministër dhe pasuan vrasjet e kryekomunarit në Kukës, gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo oficerit të lartë të SHISH, Isa Çopa.

Bashkë me Halimin e kalonin situatën me një premtim për kapje autori dhe më tej harroheshin.

Kosta Trebicka nuk iku se do i zinte vendin Berishës se ishte i zoti në politikë, por sepse kujtoi se gjendej në Amerikë, ku skandalet kanë të ndëshkuar. Harroi se pasi u harrua disa muaj fjalia që tha se negocoi me Berishën pas Gërdecit, i shkroi testamentin e vdekjes. I vetmi dëshmitar i kësaj çështje mbetet Mihal Delijorgji, i cili duket se u tregua gojekyçur deri në fund.

Nuk po llogarisim këtu edhe 21 Janarin, operacion të cilin e udhëhoqi vetë. Ku dëshmitar ka përveç komandantit të Gardës, truprojat e tij, edhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, që e konsideron “djalë të një gjaku”.

Por nuk mund të lëmë mënjanë ngjarjen më të fundit, Sokol Olldashin. Një tjetër kundërshtar dhe rival në parti, por për fat të keq po aq i kapur në bëma të dyshimta sa edhe të mëparshmit, pra një ministër kabineti. Por duket se i ndjeri kishte lëvizur fort gurët e themelit në PD.

Mbështetja që po merrte nga java në javë u kthye në një frikë për Berishën dhe pasardhësin e tij Basha. Distancimi i partisë nga Berisha, llogaritet të jetë fundi i tij dhe dorëzimi tek kundërshtari si “pajë”. Për të ndalur këtë operacion, në momentet e “bursës” më të ulët të tij në politikë, mund të jetë luajtur edhe karta e radhës. Vërtet ishte një aksident, por që mbetet dhe duket se do mbesë me shumë të panjohura në vetëvete.

Basha duket i ekzekutuar nga Uashingtoni dhe Berisha po ashtu. Ndaj zgjidhja e vetme mbetej një qetësi dhe batak politik si i 1997-2005 me një opozitë copë-copë dhe me një post honorifik në PD. Dhe përballë alternativave u zgjodh kjo e fundit. Nëse rezultatet e autopsisë së Sokol Olldashit nuk bëhen transparente, nëse nuk zbulohet se me cilin ishte takuar në vendin misterioz të panjohur ende, çfarë kanë biseduar dhe kush e ndiqte, ky aksident nuk mbetet thjesht i tillë në këtë situatë të trazuar të ish-ministrit që përgatitej për betejë të re….




*   *   *

Remembering JFK

Amerika kujton Kenedin


Shtetet e Bashkuara përkujtojnë presidentin John Kennedy në 50-vjetorin e vdekjes së tij. Presidenti Barak Obama ka urdhëruar që flamujt në të gjithë vendin të ulen në gjysmë shtizë, për të nderuar Presidentin Kennedy.

Presidenti Obama e quajti paraardhësin e tij një "shërbyes të jashtëzakonshëm publik", që kishte vizion të gjerë dhe ishte i mbushur me idealizëm.

Në Dallas të Texasit - qyteti jugperëndimor ku u vra presidenti Kennedy, do të bien këmbanat e kishave në shenjë nderimi.

Një dëshmitar okular i vrasjes thotë se ai ende nuk arrin ta besojë dot atë që ndodhi.


"Edhe sot përpiqem ta bëj veten të besojë se isha vërtet aty, se presidenti u vra mu përballë vendit ku unë ndodhesha. Njeriu e ka të vështirë ta kuptojë këtë menjëherë. Edhe sot pas 50 vjetësh më duhet të reflektoj pak për të besuar se kjo ndodhi vërtet," - thotë James Tague.






John Kennedy ishte president vetëm për 1,000 ditë dhe ishte vetëm 46 vjeç kur u qëllua për vdekje ndërsa ndodhej në një makinë të hapur. 

Shikoni videon:



Dikush, një simpatizant i Presidentit Kennedy, ka ngritur një stendë pranë vendit të tragjedisë, për të bindur njerëzit se në këtë vrasje kishte gisht më tepër se një njeri i vetëm.

Vrasësi i presidentit, Lee Harvey Oswald, u qëllua për vdekje gjatë paraburgimit në polici, ndërkohë që xhirohej nga kamerat televizive.

Pas vrasjes së Presidentit Kennedy, shumë amerikanë mbajtën zi për ditë të tëra. Dhimbjen e shtonte sidomos pamja e të vesë së tij, Jacqueline dhe e dy fëmijëve të vegjël në ceremoninë mortore për njeriun e tyre të dashur.

*   *   *

November 20, 2013

Në PS mund ta kesh punën më pisk po shave Metën se sa Ramën

Intervistë me analistin dhe botuesin 
e gazetës “TemA”, Mero Baze


Në PS mund ta kesh punën më  pisk po shave Metën se sa Ramën


Berisha iku. A do ta kthejë Edi Rama shtypshkronjën dhe çka keni humbur në kohën e qeverisjes së PD, 2005-20013?

Mero Baze - Shtypshkronja ka ikur bashkë me Berishën dhe Edi Rama nuk ka cfarë të më kthej. Ajo është tani një pirg me hekurishte në një kapanon që ruhet 5 vjet me policë. E vetmja gjë që mund të funksionoj është të fitoj të drejtën e dëmshpërblimit nga gjykata për dëmin në investime që më kanë bërë dhe fitimin e munguar. Por është një çështje që e kam mbyllur me veten time.

E kam konsideruar sikur nuk e kisha dhe nuk ja ushqej vetes idenë se mund të dëmshpërblehem. Sa i përket inventarit të humbjeve nga pushteti i PD-së, mendoj se është fyese ta renditësh si inventar mjetesh materiale edhe pse janë të mëdha. Gjatë këtij pushteti ne ishim të gjithë në buzë të greminës, duke humbur të gjitha të drejtat tona politike, njerëzore, lirinë ekonomike, lirinë e shtypit dhe të drejtën për të protestuar. Vendi po shkonte me shpejtësi drejt një regjimi të mitizuar si “i fortë” nën udhëheqjen e një Familje të etur për para dhe pushtet dhe të paaftë jo vetëm menderisht, por dhe profesionalisht. Sali Berisha dhe sidomos Familja e tij ka pas një vëmendje maksimale për sjellje kriminale ndaj meje përsonalisht, biznesit tim dhe çka është më kriminale përtej familjes sime deri tek kushërinjë të shtatë që zboheshin nga puna dhe nga bizneset sikur të ishin hebrenjë në kohë të Hitlerit. E kanë bërë me arrogancë dhe hapur jo vetëm për të më gjunjëzuar, por dhe për të frikësuar të tjerët që mos të bënin betejë me ta. Ishte banda më e ndyrë e hajdutëve dhe kriminelëve që ka parë ky vend që nga 1912, që mbretëruan fal angazhimit në qeverisje të njerëzve me mungesa të forta të vlerave morale dhe intelektuale.

Blendi Fevziu në një intervistë për “Koha Jonë” tha se “ … Sa për raportin e Metës me Ra­mën, unë nuk mendoj që ky është një raport mirëkuptimi. Eshtë një raport interesi politik, që do të thyhet atëhere kur prioritetet e njërit të mos përputhen me ato të tjetrit!.... Keni të njëjtin mendim me Fevziun?

Mero Baze - Nuk mendoj se ky që thoni është mendim. Është thjeshtë mënyrë të sjelluri e Fevziut.

Në PD  ka një  grup “AntiBasha” ose ndryshe i ashtu­quaj­turi “Olldashi”. Ka shp­resë që ky grup të forcohet apo do të përfundoj si të larguarit e tjerë; përjashtohen dhe rikthehen, duke ikur prapë?

Mero Baze - Në PD nuk mund të  ketë një grup Anti-Basha siç e quani ju, pasi nuk ka një fluks Basha apo një qendër pushteti  Basha. Në PD ka vetëm një parti pro Berishës dhe një grup kundër Berishës, por që nuk guxojnë ende të shpalosin identitetin e tyre. Duke qenë kundër Berishës, ata natyrisht mund të kenë dhe ndonjë rezervë për Bashën, por nuk ka grup të orientuar kundër tij. Aty i vetmi problem është Sali Berisha dhe bota brenda atyre mureve ndahet në pro dhe kundër tij. Sokol Olldashi është i dënuar të jetë një antiberishë i orëve të fundit, për vet mënyrën poshtëruese se si Berisha u soll me të duke e tallur dhe duke e futur në një garë fallco, ku Berisha diktoi gjithçka, deri tek numuri rendor i fletëve të votimit të hapur. As Fidel Kastro në Kubë se ka bërë këtë. Biles Sokol Olldashi nëse do kish bërë fushatë kundër Berishës më 23 Korrik, sado të manipulonin, mund të merrte deri në 40 për qind të votave. Por Berishës i interesonte një garë se kush e donte më shumë Berishën dhe jo kush e donte më shumë PD. Për këtë arsye ajo që  presim është të ketë një konkurent kundër Sali Berishës si i artikuluar qartë kundër tij, dhe jo kundër Bashës. Basha është një dordolec dhe kushdo që rreshtohet kundër tij vetbëhet dordolec. Ka boll të tillë në PD s’kemi nevojë për të tjerë.

Radiotelevizioni Publik akoma nuk po reformohet, pasi siç duket ende nuk ka rënë dakort PS e LSI se kush do të jetë drejtori i përgjithshëm. Mendoni se do të mbetet “germadhë  publike” apo mundet të shkojë drejt publikut?

Mero Baze - Shikoj një tendencë të ruajtjes së profilit të ulët publik të tij dhe në të ardhmen dhe nëse kjo tendencë formalizohet me Këshillin dhe Drejtorin e ri, atëhere është një situatë e gërmadhës publike shëmtia e së cilës diktohet nga “gardianët” e opinionit publik. Të them të drejtën nuk jam entuziast me çfarë po shikoj rrotull.

Nëse do të ishe deputet sot në parlament në cilën anë do të rrijë në sallë?

Mero Baze - Nuk besoj se në sallë ka ndonjë vend të famshëm, por ka vetëm njerëz që të detyrojnë të kthesh kokën nga ata dhe të tjerë që të ulësh kokën mos ti shikosh kur flasin. Do isha tek ata që do kthenin kokën  tek  njerëzit.

Partia e çamëve po rri me sytë nga Edi Rama. Nëse futen në Qeveri a janë një presion për LSI e Metës?

Mero Baze - Nuk shikoj ndonjë garë mes Ramës dhe Metës për të rekrutuar deputetë. I shikoj në një paqe afatgjatë. Në PS mund ta kesh punën më pisk po shave Ilir Metën se sa Edi Ramën. Sa i përket çamëve natyrisht që i kanë sytë nga Qeveria pasi dhe vetë çështja çame nuk mund të qëndroj në opozitë me qeverinë shqiptare. 

Kryeministri Rama akoma nuk ka dhënë asgjë për partitë aleate si partinë e Gjinushit, Milos etj. Nuk ka nevojë për to Edi Rama apo mezi i duron kur i shikon në ekran?

Mero Baze - Ka një situatë mosdurimi mes tyre që shihet qartë, por dhe një situatë padurimi për të marr diçka. Mund të gjendet një e mesme që të ruhet serioziteti i koalicionit, i cili i ka dhënë 100 mijë vota Edi Ramës.

Kur të dalin përballë Sokol Olldashi e Astrit Patozi a mendon se “u erdhi rradha t’i palos Berisha dhe mirë po ua bën?”.

Mero Baze - Nuk patën fat t’u vinte rradha nga Berisha, se iku Berisha para tyre. Tani çfarëdo që të ndodhi, është nëj vendim  që buron nga liria e tyre. Tani vendosin ata. Edhe për të qenë apo jo aleatë më tej me fëmijët dhe dhëndurrët e Berishës.

A mendon se Kryeministri Rama do t’i ndëshkoj ish-zyrtarët e lartë të kohës së Berishës apo tani që është në pushtet nuk do t’i cenojë, pasi ishin slogane ”për” ndëshkim të krimit të Berishës”, kur ishte në opozitë sa për të ardhur në qeveri?

Mero Baze - Nuk më duket se ka shumë mekanizma në dorë veç denoncimit ligjor në prokurori. Kanë kaluar tre muaj dhe nuk ka bërë asnjë denoncim serioz. Ndoshta nuk ua kanë marrë dorën  letrave, ndoshta nuk kanë dëshirë të merren me të shkuarën, ndoshta mendojnë veten e tyre në atë pozitë pas katër vjetësh. Vetëm një gjë e them me siguri: në këtë krizë financiare, ekonomike, dhe klimë padurimi për pritshmërinë nga pushteti i ri, ndëshkueshmëria mund të jetë një terapi e mirë që mund ta bëj më serioz këtë shtet. 

Si ju duket qeverisja e Rames deri sot?

Mero Baze - Ka shenja të vullentit të mirë dhe po tenton të na tregoj me gisht nga horizonti i bukur që ka në mendje,  por po rrëzohet në çdo kanal që i del para. Ka një vonesë të frikshme në ndryshimet në administratë, një vonesë reale në marrjen e pushtetit dhe krijimin e një identiteti të tij në qeverisje. I shkon për shtat shumë  ajo historia e partizanit dhe ilegalit që e tregoj shpesh. 
Kur komunistët morën pushtetin, një partizan i shkolluar nga jugu, i kërkoi Mehmet Shehut një detyrë meqë kishte luftuar. Ai i tha të shkonte në ministri dhe të zgjidhte një zyrë. Shkoi partizani zyrë më zyrë dhe gjente njërëz me gravata dhe syze që i tundnin kokën dhe vazhdonin punën.

-Me luftën keni qenë ?-i pyeste partizani

-Me luftën!- i thoshin të gjithë

-Po në ç’batalion keni qenë?- i pyeste partizani.

 -Kemi qenë ilegalë !- i thoshin ata- nuk na keni njohur.

Dhe ai u kthye i mërzitur tek Mehmet Shehu.

-Më more më qafë shoku Mehmet- i tha. -Të më kishe thënë të isha bërë ilegal, se dola kot hapur si partizan, tani nuk gjej dot punë!

Kjo është pak a shumë ajo që po ndodh me ata që u angazhuan në opozitë dhe me ata që po shfaqen nëpër kolltuqe. Disa kanë një anonimitet të neveritshëm dhe një fodullëk të krijuar nga kompleksi i inferioritetit që të irriton. Por ka aq shumë kohë përpara sa do harrohen dhe që kanë qenë në ato karrige kot. E vetmja pasuri që i ka dhënë vendit deri më sot, është mënyra se si u soll me protestën, si reagoi ndaj zërit të qytetarëve dhe si ç’tensionoi një situatë ku u investuan të gjitha palët kundër tij, përfshi dhe një pjesë e partisë së tij. Arritja e vetme është standardi i lirisë dhe i përfilljes që u ka dhënë shqiptarëve më 15 Nëntor.

A mendoni se disa biznesmenë të oborrit të Beri­shës  kanë futur “ fishen” në prizen e Qeverisë së re dhe marrin energji ?

Mero Baze - Nuk është se kanë futur ndonjë prizë tek qeveria e re, por nuk e kanë hequr fare prizën!

Edi Rama të duket Lider, Kryeministër për katër vjet apo një Burrë Shteti që do të mbetet në histori ?

Mero Baze - Edi Rama është një lider politik i spikatur, një individ i ngritur me këmbët e veta qysh në vitin 1990 që ka arritur deri këtu ku është. I përket një brezi që jetoi dy sistemet dhe e di mirë sa kushton liria në këtë vend, dhe çfarë vendi u ka rezervuar historia delirantëve paranojak, apo liderëve autoritarë. Unë shpresoj të bëj atë që ndjen dhe atë që di të bëj. Kështu do të mbahet mend nga të gjithë si Edi Rama. Asgjë më shumë se aq nuk do t’ia vlente të  ëndërronte .

Nëse ti, Ylli Rakipi dhe unë biem dakort të bëjmë një gazetë të përbashkët me titullin ”KOHA JONE”  me nga 33.3 përqind aksione dhe suplement “Tema”  e “Albania” , si do ta pres tregu mediatik?

Mero Baze - Do të ishte një marrëzi në kub!

Nëse rastësisht të del përpara Sali Berisha dhe nuk keni si e ndanin udhën e për çudi ai të thotë “Si je Mero Baze?”.Ti, do i jepje dorën apo i thoje ndonjë fjalë popullore?!

Mero Baze - Nuk vuaj as për mungesë fjalori dhe as për kurajo për t’u përballur me një njeri, i cili ka harxhuar shumë energji për të më bërë keq dhe fizikisht. Por s’kam më asnjë dëshirë ta mendoj Sali Berishën. Për herë të fundit për atë njeri kam menduar më 23 Qershor, kur kam përmbyll një betejë parimore me të. Nuk kam betejë përsonale me të. Fëmijët e tij kanë bërë gjëra të ndyra përsonalisht, po ata këtu janë, kanë kohë të lajnë gjynahet. Ata janë sjellë si zagarë të veshur me pushtet dhe kanë bërë gjueti shtrigash ndaj meje, nënës së fëmijëve të mijë, prindërve të mijë, motrave dhe vëllait, fisit tim dhe gjithkujt që kishte një lidhje me mua, qoftë dhe shoqërore. Ishte një luftë e neveritshme që buronte nga ligësia e tyre. Nënën e fëmijëve të mijë e kanë hequr nga detyra duke pasur statusin e nëpunësit civil me një skenë që kalon kohën e Enver Hoxhës. Ferdinand Xhaferin e ka thirrur dhe i ka thënë ose hiq mbiemrin Baze, ose dorëzo punën.

Ti duhet ta dish se ke qenë aty. Dhe bëhej fjalë që të avancohej në detyrë gruaja e Bujar Nishanit, e atij që bën sikur i dhimbsen nëpu­nësit civil dhe që ka drejtuar përsonalisht linçime politike. Plehra të tilla nuk ka pasur as në kohë të komunizmit. Tani qeveria e re duhet ti paguaj paret pasi ka fituar gjyqet ose ta kthej në atë detyrë. Nuk kam shpresë se do bëjë as njërën as tjetrën. Dhe jo vetëm me atë, por me gjithkënd nga ata që e kanë pësuar për shkakun tim.  “Ilegalët” që kanë hyrë në zyra i shikojnë me bezdi kërkesat e tyre për rehabilitim. Unë vetë nuk kam asnjë kërkesë dhe asnjë ambicie. Ndjehem i qetë që kam fituar ndaj një gjëje të ligë, por nuk mund të jem egoist dhe t’i lë të tjerët që e pësuan për mua rru­gëve.Vetë Berisha është sjellë si një despot i prekur në sedrën e sëmurë, që nuk duronte dot sfidën. Atë e kam mundur. Kur kanë votuar shqiptarët më 23 Qershor kanë pas parasysh dhe betejën time me të dhe për këtë ndihem krenar.


*   *   *