May 20, 2014

Adriatik Llalla

Imazhe Shqip


Si mund ta rikthejë 
kryeprokurori besimin tek drejtësia?


Nga Mero Baze

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka paralajmëruar nisjen e disa “çështjeve”, të cilat, sipas tij, do të ndryshojnë fatin e historisë sonë në rrugën e integrimit në Perëndim. Shumë vetë i ka entuziazmuar kjo deklaratë. Pritshmëria e opinionit publik është aq e lartë për arrestime të nivelit të lartë politik, sa janë gati të besojnë çdo grimasë të kryeprokurorit. Edhe pse qysh kur ka ardhur në krye të prokurorisë, Llalla nuk ka bërë asnjë gjest të natyrës politike, kjo është deklarata më poltike që ndonjë kryeprokuror ka bërë ndonjëherë dhe që ka lidhje me akuzën e lidhjes së krimit me politikën.
Por a mund të presim diçka serioze nga një qasje e tillë e kryeprokurorit?
Besoj që duhet t’ia kursejmë vetes një zhgënjim të ri. Kryeprokurori nuk ka nevojë të bëjë paralajmërime për peshq të politikës dhe as të botës së krimit, pasi gjithçka që do të bëjë më pas, do t’i klasifikohet si politikë penale. Ne kemi nevojë për një kryeprokuror që të mos ketë tabu për politikën, por ta kthejë prokurorinë në një pikë vizitash të përditshme të politikanëve, që duhet të japin llogari.
Nuk kam aq guxim sa të them që Adriatik Llalla do marrë të pandehur Sali Berishën për 21 Janarin, apo Lulzim Bashën për Rrugën e Kombit, Fatmir Mediun për Gërdecin apo Arben Imamin për plaçkitjet në ushtri… E di që as i mendon këto gjëra. Por përtej paralajmërimeve bombastike, do t’i rekomandoja kryeprokurorit të bëjë disa gjeste të thjeshta, që plotësojnë punën e tij të përditshme.
Ai ka hapur hetim penal për çështjen e drogës së avionit në Divjakë. Ajo histori u bë telenovelë në opinion publik dhe u keqpërdor në mënyrë ekstreme. Një nga arsyet përse u bë telenovelë, ishte dhe prokuroria, e cila nuk vepron dhe ndan gënjeshtrat nga provat, por i lë çështjet kriminale në mëshirë të spekulimit politik.
Tani rekomandimi im është i thjeshtë. Sali Berisha ka disa deklarata publike, ku pretendon se ka informacione të vërteta mbi disa nga hallkat e këtij trafiku. Fjala vjen, thotë që Belinda Balluku ka grisur librin e protokollit të lëvzijes së avionit, që disa zyrtarë të Albkontrollit kanë falsifikuar hyrje- daljet, që aeroporti i Rinasit nuk e ka kontrolluar. Ai po ashtu përmend emra policësh me iniciale, që i kanë dhënë informacion të rezervuar. Ne herë tallemi, e herë bezdisemi me këtë plak të rrjedhur, por prokuroria duhet të veprojë si prokurori. Adriatik Llalla mund ta thërrasë Sali Berishën si person që ka dijeni për këtë trafik dhe t’ia japë gjithë provat prokurorisë. Ai duhet ta thërrasë zyrtarisht, dhe nëse Berisha nuk pranon të shkojë, atëherë t’i kërkojë autorizim parlamentit. Çdo shtetas që fsheh prova krimi, për një çështje që ka nisur hetim penal, dënohet nga Kodi Penal. Nuk pres nga Adriatik Llalla as të hetojë dallaveret e të birit të Berishës, as 3 përqindëshat e të bijës së tij, as llogaritë e bamirësisë së gruas, as krimet e Berishës, por të paktën të veprojë për një krim në flagrancë, që ka të bëjë me hetimin real të një çështje që po njollos fatin evropian të Shqipërisë. Sali Berisha dërdëllit çdo ditë për fakte që i ka vetë ai dhe nuk ia tregon askujt për trafikun. Prokuroria duhet ta zbatojë ligjin dhe ta thërrasë si person në dijeni për krimin dhe të dorëzojë faktet. Pastaj t’i hetojë dhe t’i kthejë ato në prova. Ky do të jetë një mision real opozitar i Sali Berishës dhe një punë konkrete profesionale e Adriatik Llallës. Kjo do të na mjaftonte të besonim që së paku kryeprokurori nuk ka droje të thërrasë Sali Berishën për një çështje flagrante në hetim, për të cilin ai mund të krenohet nëse ndihmon drejtësinë, ose të turpërohet si shpifës me licencë. Edhe kaq boll është për të ndryshuar fatin e Shqipërisë nga Adriatik Llalla. Për të tjerat vështirë të na bindë se mund të na trondisë. Është më mirë të bëjë pak politikë dhe më shumë punë profesionale. T’ia nisë nga verifikimi i një llomotitësi, i cili po prodhon një fat të errët për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe nëse provohen faktet e tij, kryeprokurori ka bërë boll për të qenë kryeprokuror i këtij vendi. Nëse nuk bën dot as kaq, mos të na ushqejë me lugë bosh.

http://www.gazetatema.net/web/2014/05/19/si-mund-ta-riktheje-kryeprokurori-besimin-tek-drejtesia/


*   *   *





May 19, 2014

Lavdrim Muhaxheri


“Ebu Abdullah el Albani” (Lavdrim Muhaxheri), emiri muxhahidave shqiptar të “Dauletul islamije”


Kush është 
lideri i muxhahedinëve shqiptarë në Siri?

Lideri i muxhahedinëve shqiptarë në Siri, Lavdrim Muhaxheri ka punuar për KFOR’in amerikan në Kosovë në kampin “Bonsteel” në Ferizaj, kanë bërë të ditur për Gazetën Express miq të tij në Kaçanik.

Lavdrim Muhaxheri apo i njohur si Komandant Muhaxheri, është zgjedhur në vitin që shkoi komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rebelëve anti-regjimit të Bashar Al-Asadit, por jo i pjesës që kërkon demokraci për Sirinë, por i krahut që kërkon një Siri me sheriat-grupet e afërta me “Al-Qaida”.

Ai punoi si punëtor krahu në Kampin “Bonsteel” për një periudhë të caktuar, deri në vitin 2010. Pas kësaj, miqtë tij tregojnë që ai ruajti raporte dhe rekomandime të mira nga punëdhënësit e tij, KFOR-i amerikan sa që me anë të një kompanie private, si shumë të rinj kosovarë, ai udhëtoi për të punuar në Afganistan, në kampet e NATO-s. Atje kishte punuar afro dy vite.

Miqtë e tij tregojnë për Express se Lavdrim Muhaxheri është lidhur me rrymat ekstremiste vetëm nga fundi i vitit 2012, fillimisht në shoqatën lokale “Parimi”, nga e cila me vonë u krijua shoqata “Rinia Islame-Kaçanik”, ku Lavdrim Muhaxheri ka pozitën e “Emirit”, udhëheqësit të krahut ushtarak të organizatës.

Lavdrim Muhaxheri iu bashkua luftës në Siri, si muxhahedin, në vitin 2012, për t’u kthyer një vit më vonë. Ai deri në gjysmën e Ramazanit të viti 2013 ishte në Kosovë, ku më pastaj iu ri-bashkua luftëtarëve në Siri, ku edhe mori pozita udhëheqje.

Gazeta Ekspress ka provuar që të kontaktojë me Lavdrim Muhaxherin për të marrë një koment të tij në lidhje me punët e tij në kampin “Bonsteel” të KFOR’it dhe punën e tij në kampet e NATO’së në Afganistan, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as grupet me të cilat është i lidhur Lavdrim Muhaxheri. Lavdrim Muhaxheri u bë i famshëm fillimisht me një video në Youtube ku ai bënte thirrje për tu bashkuar të rinjtë shqiptarë mysliman luftës në Siri.

Ai më vonë mori rolin kryesor në sqarimin e përplasjeve të brendshme në kampin e rezistencës kundër Bashar Al Asadit, ku ishte edhe i pari nga shqiptarët që haptas konfirmoi që ekzistonin përçarje të thella në mesin e revolucionarëve, përçarje deri në ndjekje të njëri-tjetrit për vrasje.

Tani Lavdrim Muhaxheri udhëheq togën e shqiptarëve, duke përfshirë edhe shqiptarët nga Shqipëria e Maqedoni, në strukturën që quhet “Ushtria e vendorëve dhe të huajve” në kampin e rezistencës kundër Asadit, e cila është e lidhur me krahun e Al-Nusras, derisa i raportojnë drejt për së drejti komandant “Ebu El-Bagdadit”. Ky kamp lufton edhe kundër Asadin, por edhe kundër Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë, një pjesë tjetër e revolucionare që pjesërisht përkrahen edhe nga forcat e perëndimit që kërkojnë largimin diktaturës së Asadit dhe krijimin e shteti demokratik të Sirisë.

Muhaxheri e quan dokument të “qafirëve”pasaportën e Kosovës [video]

Lavdrim Muhaxheri, kosovari i cili paraqitet si një ndër drejtuesit kryesor të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit, ka folur përsëri para muxhahedinëve.

Muhaxheri, mohon përkatësitë tjera të tij dhe thotë se është vetëm mysliman.
Muhaxheri, derisa flet në gjuhën arabe, ai dhe disa të tjerë shqyejnë dhe i djegin pasaportat që i posedojnë, duke thënë që ai është një dokument i “qafirëve”.

Së fundmi, Muhaxheri, nga Kaçaniku i Kosovës, është shfaqur në një video duke folur një arabishte të rrjedhshme.
Sipas Express, ai thotë se është vetëm mysliman, duke mohuar përkatësitë e tjera.

Në fund, ai gris pasaportën kosovare, duke thënë se është dokument i qafirave (jobesimtarëve).


-  Video - 





*   *   *