Policia italiane godet grupin italo-shqiptar të
narko-trafikut. Pranga 10 personave. Si funksiononte organizata dhe roli i
Artur Bregut, shqiptarit të shkolluar! Në grup edhe dy ish-policë, njëri oficer
kufiri në Durrës dhe tjetri oficer patrulle në Kavajë.
Nga Nikoleta Kovaçi
Punëtorë që bënin një
jetë modeste dhe thuajse gjithë kohës ishin anonimë. Në krye të tyre, rezultoi
të ishte një djalë i shkolluar, një emigrant shqiptar që, veç të tjerave,
fliste gjuhën italiane në shumë dialekte, aq sa ishte e vështirë të kuptohej
modestia e tij prej emigranti. Lustra e normalitetit që shqiptari Artur Bregu i
kishte dhënë jetës së tij, kishte fshehur prej të paktën 5 vitesh, ekzistencën
e një prej organizatave më të mir`organizuara kriminale të trafikut të heroinës
dhe të kokainës. Dyshimi, në fakt, ka nisur që një vit më parë, kur autoritetet
policore të Parmës, arritën të ndalonin një shtetas italian me një ngarkesë
prej 100 kg pluhur të bardhë. Fillimisht u dyshuar si përzierës droge, por më
pas rezultoi se lënda e bardhë ishte paracetomol. Autoritetet policore vendase
e mbajtën italianin në qeli, pasi në rrëfimet e tij mbi faktin se çfarë i duhej
paracetomoli, ai u tregua kontradiktor. Prej plot një viti, policia ka nisur të
hetojë mbi dyshimet për destinacionin e pluhurit dhe gjatë hetimeve ka arritur
të zbulojë një prej grupeve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të
heroinës. Pas italianit të arrestuar, një vit më parë, në pranga kanë rënë edhe
9 persona të tjerë, prej tyre shtatë shqiptarë dhe dy italianë. Prokurorët kanë
hedhur dritë mbi të gjithë mekanizmin se i funksiononte grupi që trafikonte
lëndën narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, ku dyshohet se heroina
dhe kokaina hynin në Shqipëri nga Turqia. Mes të arrestuarve janë edhe dy
ish-oficerë të Policisë së Shtetit, të larguar nga radhët e bluve në prill dhe
korrik të këtij viti, motivacioni i largimit të tyre, ende nuk dihet.
Operacioni “Prerja”
Policia italiane ka shkatërruar ditën e djeshme
një bandë kriminale italo-shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike,
kryesisht heroinë, ku gjatë operacionit policor kanë rënë në pranga 7 shqiptarë
dhe 2 italianë. Të dhënat janë publikuar nga mediet vendase sipas të cilave, në
prangat e policisë kanë rënë shqiptarët Gëzim Hasa 30 vjeç, Artur Bregu 33
vjeç, Velino Koroveshi 24 vjeç, Denis Tafili 29 vjeç, Bledar Brahimi 28 vjeç,
Lauret Greca 24 vjeç dhe Ded Bajraktari 23 vjeç si dhe shtetasit italianë,
Davide Cavalli 43 vjeç, Marcelo Panariti 34 vjeç dhe Tomaso Villirillo 37 vjeç.
Sipas policisë, trafikantët në fjalë zotëronin në Parma të Italisë një
laborator droge të përpunimit të të gjitha llojeve të lëndëve narkotike. Në
këtë laborator janë zbuluar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale; 13
kg heroinë në 26 pako, 3 kg kokainë, 100 kg paracetamol, që shërbente si
përzierës i heroinës, 13 000 euro kesh edhe një presë hidraulike, që shërbente
për ambalazhimin e drogës. Karabinierët kanë zbuluar se ky grup kishte arritur
të trafikonte, të paktën, 60 kg heroinë të pastër, e cila pas përzierjes me
paracetamol arrinte në 480 kg. Sipas policisë italiane, kjo bandë trafiku e
lëndëve narkotike, operonte që në vitin 2009, kryesisht në Parma dhe krahinat
përreth, dhe gjithnjë sipas tyre, vlera e drogës së trafikuar arrin deri në 20
milionë euro. Operacioni i policisë italiane i koduar "Prerja", që
çoi në shkatërrimin e bandës italo-shqiptare, nis me zbulimin dhe sekuestrimin
e një sasie prej rreth 100 kg paracetamol e gjetur në makinën e Marcello Panariti,
i cili u ndalua në Parma, në tetor 2013-s. Në fillim, u mendua për drogë, por
hetimi i mëtejshëm zbuloi se bëhej fjalë për paracetamol, i përzier me kafeinë.
Hetimet
Nga hetimet e policisë
italiane bëhet e ditur se droga vinte nga Shqipëria si dhe nga vendet e Evropës
Lindore, për tu trafikuar më pas në zona të ndryshme të Italisë së Veriut nga
Parma deri në qytezën e Imperias në Rivierë, afër me kufirin francez. Hetimet
për këtë bandë të strukturuar vazhdojnë për zbulimin e personave të tjerë të implikuar
që kanë të bëjnë me kanalet e furnizimit jo vetëm të drogës por edhe të
përzierësve, pasi ka rezultuar se grupi funksiononte në bazë të një piramide,
ku secili kishte detyrën e tij dhe se e kryente në mënyrë perfekte dhe pa rënë
asnjëherë në sy të askujt. Hetuesit, teksa kanë publikuar të dhënat mbi grupin
e trafikut të heroinës e kanë krahasuar funksionimin e organizatës, me grupet
që përdoren nga Hollivudi për skenar filmash. Artur Bregu, është cilësuar nga
policia si “truri” i grupit kriminal të narkotrafikut. Bregu, duke qenë “truri”
i operacionit koordinonte veprimet e të gjithë bandës. Nga hetimet mësohet se
ky grup narkotrafikantësh ishte strukturë e mirë organizuar, mjaft i kujdesshëm
dhe i vëmendshëm për çdo detaj, duke mos i lënë asgjë rastësisë. Ata ishin
gjithnjë së bashku, madje edhe kur merrnin përzierësit kimikë të cilët
gjithashtu si lënda narkotike, vinte nga Shqipëria. Edhe makinat e përdorura
nga banda ndryshoheshin në mënyrë të rregullt, për të mos tërhequr vëmendjen e
padëshiruar. Secili me një detyrë të qartë, të përcaktuar nga Bregu, i cili
gjithnjë konsiderohej në zonën ku banonte si një prej emigrantëve më të
integruar në jetën e vendasve. Sipas policisë, Marcelo Panariti dhe Velino
Koroveshi, kishin detyrën e prokurimeve të pajisjeve, Gëzim Hasa dhe Denis
Tafili, ky i fundit me funksion polic gjatë kohës që ishte në Tiranë, janë
identifikuar si kimistët, ndërsa shitjet i menaxhonte Tomaso Villirillo, nga
Kalabria. Pjesa tjetër shërbenin për transportin nëpër pikat ku duhej të shpërndahej
lënda.
Dy ish-policë në grup
Mes grupit kriminal të
heroinës dhe të kokainës që u godit ditën e djeshme në Parma të Italisë janë
arrestuar edhe dy persona të cilët kanë shërbyer në radhët e Policisë së
Shtetit në vendin tonë. Gëzim Hasa dhe Denis Tafili, të cilët në grup kishin
rol të përbashkët që konsideroheshin edhe kimistët e lëndës mësohet se janë
përjashtuar nga radhët e Policisë pikërisht në vitin 2014. Të dhënat në lidhje
me dy ishoficerët e policisë u bënë të ditura për “Shekulli-n” nga burime
konfidenciale policore, ku saktësohet se Hasa ka shërbyer konkretisht në
policinë kufitare të Durrësit. 30-vjeçari është përjashtuar në mesin e korrikut
të këtij viti, ndonëse ende nuk bëhet i qartë se cili ka qenë motivacioni i
largimit të tij, pikërisht nga pika kyçe ku jo pak herë u kapën sasi të mëdha
lënde narkotike, që për destinacioni kishte Italinë. Ndërsa burimet sqarojnë se
Denis Tafili, ka shërbyer për shumë kohë si oficer i patrullës në Komisariatin
e Kavajës. Edhe ky si bashkëpunëtori i tij në rolin e kimistëve të heroinës,
mësohet se është larguar nga radhët e policisë së shtetit në prillin e këtij
viti, ndonëse në një moshë vetëm 29 vjeç.
* * *