Kjo
ikonë e shkencës, ky patriot idealist
Nga Manxhar Taka
Kushdo që ka pasur mundësinë të lexojë
monografinë “Dr. Bilal Golemi”, botuar në vitin 1968 nga dy personalitete të
shquara të Shkencës dhe të kulturës; Dr. Vasfi Samimi dhe Dr. Hulo Hajderi si
dhe librin; “Një jetë për shkencë e atdhe - Dr. Bilal Golemi”, me autor Manxhar Taka,
botuar në vitin 2010, do t’i jetë dhënë rasti të njihet me një figurë të shquar
të shkencës, me një mikrobiolog të klasit Europian e botëror dhe me një patriot
idealist e zemër zjarrtë.
E them me siguri se personalitete të tilla si Dr.
Bilal Golemi, Shqipëria i ka pasë dhe i ka shumë të rrallë,
por historiografia jonë, më së shumti u ka thurur mite dhe lavde njerzëve të
jatagan e të pushkës dhe kjo jo pa të drejtë, por gjithkush mund të konstatojë se
sa pak përmënden dhe sa pak flitet për njerëz të shquar të shkencës si K. Gega,
Dr. R. Frashëri, Ing. Gjadri, Dr. F. Shiroka, E. Çabej,
H. Sykja e deri tek nobelisti F. Murati etj. Po
kaq i pa njohur dhe i pa vlerësuar është edhe Dr. Bilal Golemi, mikrobiolog i
famshëm, punonjës dhe pedagog në Institutin Pasteur të Parisit, ekspert i
Organizatës Botrore të Shëndetësisë, i dekoruar nga qeveritë Franceze dhe
Turke, martiri që ka eksperimentuar në trupin e vet.
Bilal Golemi u lind në Golem të Kurveleshit dhe
në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në
Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm, ai regjistrohet në fakultetin
e veterinarisë ushtarake Turke, meqënëse këtu mund të studjonte me shpenzimet e
shtetit, pasi gjëndia ekonomike e familjes, nuk e lejonte të merrte një degë që
ai kishte dëshiruar. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për
tre vjet shërbeu në ushtrinë Turke me gradën e kapitenit, por ai jo vetëm
kishte pasur aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato të një kariere
ushtarake dhe për këtë arësye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe me shpenzimet e
tij, e pas një konkursi, ai fitoi të drejtën për tu specializuar në fushën e
mikrobiologjisë në Institutin e famshëm Pasteur të Parisit.
Gjatë kohës së
specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të atij Instituti, si një
studjues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për
këtë arësye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut si
bashkëpuntor shkencor i tij, gjë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Në Institutin Pasteur, Dr. Bilali pati një
karierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një studim
të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpuntor i profesorëve të mëdhenj
Ramon e Duma. Për të ditur se me kë pati nderin por edhe meritën të punojë
shkenctari i ri shqiptar duhet të themi se Prof. Ramon ishte ndër pesë
mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën
kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanozit dhe ka studjuar
anatoksinat dizanterike dhe në këto shpikje, ai pati bashkëpuntor, shkenctarin
e ri Dr.
Bilal Golemi. Dr. Bilali kreu në këtë institut edhe studime të tjera të
rëndësishme dhe për aftësitë e tij teorike dhe praktike ai u angazhua si
mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë,
kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga
të gjitha anët e botës të cilët kishin ardhur për tu specializuar në fushën e
mikrobiologjisë. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka
dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.
Gjat kohës që ai punonte në Institutin
Pasteur, mbante lidhje me shumë studentë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që
jetonin në Francë dhe ndiqte me interes çfarë ndodhte në Shqipëri.
Informacionet tregonin për gjëndjen e rëndë ekonimike, sociale e shoqërore dhe
prapambetjen e theksuar të atdheut të tij dhe kjo gjë e brengoste pa masë e për
këtë kishte kohë që mendonte se si mund ti shërbente vëndit të tij.
Në kulmin e
karierës së tij akademike, kur veç Institutit Pasteur të Parisit ku punonte, i
qenë bërë oferta pune edhe nga Institutet mikrobiologjike të Berlinit,
Stokholmit dhe Turqisë, ai lë shkëlqimin e jetës Parisiane dhe me gruan e tij
franceze, në mars të vitit 1928, vjen vullnetarish për të punuar e jetuar në
Shqipëri. Para se të niset për në atdheun e
tij ai gjeti disa adresa intelektualësh shqiptarë, që punonin jashtë Shqipërisë
dhe ju bëri atyre thirrje të kthehen e të punojnë në atdheun e tyre. Në
telegramin e tij thuhet: “Atdheu ynë Shqipëria ka mbetur vëndi më i varfër dhe
më i prapambetur i Europës. Ajo ka nevojë për mjekë, inxhinjerë, agronomë e çdo
specialitet tjetër. Kush duhet ti dalë zot veç
bijëve të saj, prandaj hajdeni të kthehemi e të punojmë atje, ajo do të na
presi mirë”. Këtij telegrami ju përgjigjën menjëherë Dr. Vasfi Samimi dhe
vëllai i Dr. Bilalit që ishte inxhinjer avionësh Sami Golemi.
Shqipëria e asaj kohe ishte vëndi më i
prapambetur i Europës, vëndi i varfërisë dhe analfabetizmit, i pishës dhe
kandilit, i plasjes, malarjes, tërbimit dhe tuberkulozit, i kasolleve por edhe
i kullave me frëngji, prej nga shqiptarët vriteshin me njeri tjetrin. Dr.
Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk
mund të kuishte atë lluks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm
me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri
tek ato që kërkonin kualifikim të lartë.
Blegtoria në atë kohë në Shqipëri
ishte dega bazë e ekonomisë që jepte 2/3 e prodhimit kombëtar dhe meqënëse Dr.
Bilali profesionin bazë kishte atë të Veterinerit, në Ministrinë e Ekonomisë ai
ngriti për here të parë Drejtorinë e Blegtorisë me tre seksione, themeloi për
here të pare shërbimin veterinar dhe hartoi ligjin për këtë shërbim. Një sëre
sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdhë në blegtori dhe lëngata e
vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve
mikrobiologjikë dhe kështu për here të pare Dr. Bilali ngriti laboratorin
bakterologjik veterinar ku vetë ai për here të pare në Shqipëri, prodhoi serume
e vaksina si ajo e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. E
çuditëshme është, se si në atë kohë në Shqipëri, kur nuk mbroheshin as të
drejtat e njerzëve, me inisiativën e Dr. Bilalit u ngrit shoqata e mbrojtjes së
kafshëve me kryetar të famshmin Mithat Frashëri, e cila ishte një përpjekje e
intelektualëve të Tiranës për ta bërë Shqipërinë si dhe vëndet e tjera
perëndimore.
Dr. Bilali tashmë nuk ishte një veteriner i
thjeshtë por ai kishte marrë specilizimin më të lartë në fushën e
mikrobiologjisë në përgjithësi dhe veç kësaj si një atdhetar idealist, ai me
dhimbje shifte masat e pamjaftueshme për mbrojtjen e shëndetit të njerzëve.
Në
atë kohë në Shqipëri ekzistonte një laborator bakteriologjik për njerzit ku
punonte një francez, që nuk e kishte arsimin e lartë dhe bënte vetëm ca analiza
të sifilizit dhe ca vaksina kundër tërbimit. Dr. Bilali sa erdhi në Shqipëri e
vizitoi këtë laborator dhe aty pa nivelin e ulët e primitv të punës që bëhëj
atje. Me insistimin e tij ky laborator u transferua në Tiranë në një godinë të
përbashkët me laboratorin veterinar dhe të dy këto laboratorë filluan tashti të
punojnë nën drejtimin shkencor të mikrobiologut Dr. Bilal Golemi.
Ai i
kompletoi këta laboratorë me paisje të kohës dhe krijoi edhe garazhin e kafshëve
të eksperimentit si kavje, lepuj, pëllumba etj. Në bashkëpunim edhe me Dr.
Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për
here të pare në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe
ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në
Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj. Në
një perjudhë prej 4 vjetësh që Dr. Bilali punoi në Shqipëri u hodhën bazat
shkencore të trajtimit të sektorit të blegtorisë, u hartuan ligjet përkatëse, u
zhdukën ose u frenuan disa sëmundje në kafshë dhe u bënë shumë përmirësime në
gjurmimin, diagnostikimin dhe luftimin e disa sëmundjeve që prekin edhe njerzit
si plasia, bruceloza, tuberkulozi, tërbimi, lija etj, të cilat në atë kohë
shkaktonin fatkeqsi të mëdha, kështu Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të
mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri.
Pikpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato
të një liberali demokrat. Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur
punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në
revolucionin e udhëhequr nga Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga
qeveria Turke me medaljen e Indipedencës me dekretin nr. 3252. Duke qënë se ai
kishte qënë kundër sulltanatit në Turqi, ai do të ishte edhe kundër shpalljes
së Zogut mbret. Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vëndet e tjera të
përparuara, Republikë Parlamentare dhe për këtë arësye ai u konfrontua me regjimin
dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore
europiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhrua të
largohet nga Shqipëria.
Ai deshi të shërbente edhe më tej atdheut të tij dhe
për këtë arësye kërkoi të punonte edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë
komune, por kjo kërkesë nuk ju miratua dhe ai me zëmër të thyer u largua për në
Turqi.
Me të mbrritur në Turqi, Dr. Bilalin e kërkuan
njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Bujqësisë për institucionet e
tyre, por ai pranoi të punojë në atë të shëndetësisë dhe filloi punë në
Institutin e Higjenës” RS Hivzissihha” Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij
Instituti dhe më vonë si sekretar i përgjithëshëm. Gjat kohës që ai punoi në
Turqi, pati një karjerë të shkëlqyer shkencore. Studimet që ai kreu atje u
botuan në revistat e buletinet e institucioneve më të famshme shkencore të
Europës si dhe në disa tekste të mikrobiologjive universitare. Ai filloi punën
me prodhimin e serumeve hiperimune për prodhimin e vaksinës së difterisë së
fëmijëve, tetanozit, tuberkulozit etj, me një cilësi edhe më të lartë se ato që
si bashkëpuntor i Prof. Ramon, kishte, prodhuar në Institutin Pasteur. Sëmundja
Brucelozë, që prek njerzit dhe kafshët, ishte shumë problematike në Turqi. Dr.
Bilali kreu një studim nga më të thelluarit e asaj kohe, duke analizuar gjakun
e 2500 njerzëve dhe kafshëve si dhe qumështin e bylmetoreve të Ankarasë dhe
fermave për rreth, prej nga ku konstatoi se sëmundia ishte shumë e përhapur. Në
një kongres të mikrobiologjisë në Turqi, masat e gjurmimit dhe luftimit që
propozoi Dr. Bilali u kthyen në ligj, të cilat edhe sot janë po të tilla.
Një
kontribut i veçantë i tij ishte studimi i dy sëmundjeve që në Turqinë e asaj
kohe shkaktonin shumë vdekje në njerz, siç ishin Tularemia dhe Ethet “Q”.
Studimet e Dr. Bilalit mbi këto sëmundje ishin të një niveli të lartë shkencor
të cilat u botuan në revistën mjeksore të Akademisë së shkencave franceze dhe
në dhjetra organe të tjera të shtypit shkencor.
Studimet e Dr. Bilalit për sëmundjen e
Tularemisë arritën deri aty sa ai të kryejë eksperimente në trupin e vet. Janë
të njohura botërisht dhjetra e qindra raste të vetësakrifikimit dhe të
heroizmit, deri në dramacitet të kryera nga shumë biologë, mjekë, kimistë etj,
nga të gjitha anët e botës, të cilët janë përballur me vdekjen për të mirën e
njerëzimit. Duke eksperimentuar në trupin e tyre, Petenkofer piu një gotë me
bujon kolere, por i shpëti vdekjes, ndërsa të tjerë si anglezi A. Uajt,
austriaku A. Rozenfelld, italiani xh. Lasear etj nuk arritën ti shpëtojnë
vdekjes. Midis këtyre njerzëve, këtyre heronjëve të heshtur që mbarë njerëzimi
duhet të përkulet me mirënjohje dhe veneracion, për sakrificat e tyre sublime,
është edhe shkenctari ynë Shqiptar Dr. Bilal Golemi.
Duke punuar në laborator atij i ra në sy një
pikë e kulturës mikrobike të Tularemisë. Mendoi se pas gjithë atyre provave që
kishte bërë në kafshët laboratorike, eksperimenti në trupin e tij, ishte një
rast i mirë që do të sqaronte shumë gjëra rreth Tularemisë dhe ai nuk u mjekua
por i mbyllur në laboratorin e tij për tetë ditë, e la sëmundjen të rrjedhi,
duke studjuar gjithë kuadrin klinik të saj.
Filloi skuqia dhe lotimi i syve, pastaj
konjuktiviti u zhvillua më tej. Filluan të enjten gjëndrat limfatike të
nënënofullës dhe më pas edhe gjëndrat e tjera, duke u bërë të dhimshme deri sa
u qelbëzuan. U rrit temperatura, duke provokuar ethe të forta, të dridhura, të
vjella, dhimbje të kyçeve dhe të mezit, por ai me vendosmëri dhe kurajo,
megjithëse kërcënohej nga vdekja, qëndrote i pa përkulur, duke kryer lloj lloj
analizash. Merrte material nga trupi i tij dhe jua injektonte kafshëve të
eksperimentit dhe ato për pak ditë ngordhnin, vëzhgonte kurbën e temperaturës,
formulën e gjakut, mbillte material nga trupi i tij në terene që kultivohen
mikrobet dhe pasi sqaroi gjithçka, vetëm pas tetë ditësh ai fillo mjekimin e
trupit të tij. I shpëtoi vdekjes por ky eksperimen la gjurmë në shëndetin e
tij. Ky rast u publikua në gjith shtypin shkencor të kohës.
Në vitin 1952, kur gjëndia e tij shëndetësore
nuk ishte e mirë, ai emrohet drejtor i prodhimit të vaksinës së tuberkulozit në
njerëz(BCG), por edhe në këto vite ai nuk e reshti veprimtarinë e tij kërkimore
shkencore dhe në këtë vit ai caktohet ekspert i Organizatës Botrore të
Shëndetësisë, duke u bërë i pari shqiptar në këtë detyrë.
Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur
gjatë gjithë jetës, por sidomos eksperimenti që bëri në trupin e vet e mposhtën
dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së
tij shkencore, ai ndrroi jetë më 15 mars 1955. Varrimi i tij u bë në varrezat
Stinjës Bosfor dhe në kreun e varrit të tij, plot domethënie dhe fantazi është
skalitur në gur, një libër i madh dhe në bazoreljev një mikroskop.
Duke e shikuar këtë figurë prej kohës që
jetojmë, kur shqiptarët, njerëz të thjeshtë qofshin, apo edhe intelektualë, çdo
ditë po largohen nga Shqipëria, kurse Dr. Bilali la karjerën e shkëlqyer
shkencore, la shkëlqimin e Parisit dhe u kthye ti shërbente vëndit të tij thellësisht
të prapambetur, shtrohet pyetja se a ka më sot patriotë të tillë idealistë që
për interesat e popullit të tyre të bëjnë sakrifica kaqë të larta ose të
sakrifikojne deri jetën e tyre për të mirën e njerzimit mbarë?
imazhe shqip
* * *