October 28, 2014

Lulzim Basha: Njerëzit në protesta për bukën e gojës


Lulzim Basha ka qenë present në një konferencë për gratë sipërmarrëse.

Ai ka thënë gjatë fjalës së tij, se papunësia është në shifra alarmante.

Basha tha se merr dhjetra mesazhe në ditë, kryesisht nga gratë, të cilat po humbasin vendet e punë.

Sipas tij qytetarët po bashkohen në protesta për bukën e gojës.

“Më shumë se asnjëhërë njerëzit sot po bashkohen në konstatimin se sot është më shumë se kurrë dhe po ngrenë zërin në protesta, që s’kanë natyrë politike, por janë për bukën e gojës, për mbijetesë.

Kjo është mbi të gjitha protestë për të parë gjërat në mënyrën e duhur nga ata që sot kanë pushtetin”, ka thënë Basha.

Në fakt, deri më sot nuk kemi parë të organizohet ndonjë protestë.

Mos e ka fjalën për Tortën e Vet? Po ajo ishte festë o Luli!


*   *   *




Lorik Cana: Beogradi? S’ka marrë fund. Komenti që më lëndoi më shumë, ai i mbesës së Berishës

Lorik Cana & Mira Kazhani


NGA E DËRGUARA E DITA-s
NË ROMË, MIRA KAZHANI

14 ditë pas dhunimit të lojtarëve shqiptarë në stadiumin e Beogradit dhe 4 ditë pas vendimit skandaloz të UEFA-s, DITA sjell sot për lexuesit e saj, një intervistë me kapitenin Lorik Cana. Intervista do pasohet nga një intervistë e dytë me Etrit Berishën. Mira Kazhani ka shkuar t’i takojë dy djemtë e Kombëtares në Qendrën Sportive Formello, ku stërvitet Lazio, në Romë.


I pyetur për vendimin e UEFA-s, Cana thotë se të tilla padrejtësi të rënda nuk mungojnë “kur bëhet fjalë për një vend të vogël si yni”.

Por sa për vendimin, ne kemi akoma dy shkalle deri në vendimin përfundimtar – thotë kapiteni.

Ai mendon që shteti serb u investua i gjithi për të mashtruar opinionin publik ndërkombëtar.

“Ka patur një dezinformatë të madhe nga vendi që e ka prit ndeshjen. Në media më shumë është folur për dronin sesa për dhunën… E ushqyen opinionin me dronin dhe emrin e vllaut të kryeministrit për të mbulu gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur atë natë… Në 2014 nuk mund ta lejosh përfaqësuesen e një vendi të dhunohet pavarësisht se çfarë vjen nga jashtë. Ka patur bashkëpunim për të dezinformuar. E ka bërë shteti serb” – thotë Loriku.

I pyetur për dronin ai shton:
“Ne jemi sportistë dhe kemi dëshirë që betejat tona t’i fitojmë në fushë…”

Kurse i pyetur nga Kazhani për momentin e grushtit, nëse do bënte të njëjtën gjë, nëse do kthehej pas në kohë, Loriku thotë:
“Do bëja të njëjtën gjë. Jemi ekip. Kur njëri është në vështirësi shkon tjetri e ndihmon. Kur sulmon shokun e skuadrës më sulmon dhe mua, sidomos dikush që nuk ka punë në fushë”.


Për momentet në tunel Loriku tregon:

“…Na hidhin gurë, bateri, karriga, gjithçka…Jemi rrëzu njëri sipër tjetrit. Ai tuneli ishte cohë, nuk ish’ i fortë dhe ata na jepshin shkelma nga jashtë. Ramë sipër njëri tjetrit.. Kur jemi çu, rruga ishte e hapur, kemi marrë shkelma nga anët sepse ishte cohë. Më pas nuk kish problem…”

Ai ka dëmtuar gjurin pikërisht aty në tunelin e stadiumit të Beogradit dhe është ende në rikuperim.


I pyetur çfarë ka firmosur pas ndërprerjes së lojës, Loriku tregon:
“Një dokument nga unë si kapiten, një raportim të gjendjes sonë, që nuk e lejonte rinisjen e lojës. Nuk shkruajmë “nuk kthehemi në fushë”. Askush nuk na kërkoi një gjë të tillë. Edhe po ta kishin bërë, në atë moment nuk i kisha lënë çunat të dilnin në fushë. Futbolli më nuk kishte vlerë aty. Kjo është gjëja më e çuditshme e vendimit nga UEFA. Kur ti je dhunuar nga tifozët, futbolli ka marrë fund, nuk rifillon më loja sikur një të futet dhe të godasë një lojtar, jo më mbi 50 vetë me gurë. Kjo është e çuditshme si mund të kërkosh rikthimin në fushë…”


Kur Mira Kazhani e pyet nëse ka ndonjë gjë peng, që mund të ishte bërë më mirë nga pala jonë, kapiteni shton:
“E vetmja gjë që mund të ishte bërë më mirë nga pala jonë, në momentin që kemi shku aty duhet të kishim ik me material dhe me njerëz…U dinte tensioni. Por do shofim sa të aftë jemi për të mbrojtur të drejtat tona deri në fund. Kemi argumentat dhe i kemi të fortë…

Loriku flet edhe për “garën” e disa bashkive dhe komunave për ta shpallur atë Qytetar Nderi. Ai i ka refuzuar. I duket i drejtë vetëm propozimi i ardhur nga Vlora.
“I kam refuzuar… Kërkesat i vijnë dajës tim që merret me menaxhimin. E kanë thirr’ nga Shkupi, Mitrovica, Bajram Curri, e komuna të tjera. I kam thënë që gjërat që janë bërë atë natë, i kemi bërë si skuadër, nuk ka meritë njëri apo tjetri. Ajo që ka bërë Vlora, qytetar nderi gjithë përfaqësuesja, kështu duhet të jetë…”

Nga gjithçka është thënë pas ndeshjes, Loriku ka një reagim për të cilin ndihet veçanërisht i lënduar. Janë postimet në Facebook të mbesës së Berishës.

“Mbesa e Sali Berishës… Sensi i reagimeve të saj… Nuk është e vogël (19-20 vjeç)… Me zonjën Liri, bashkëpunoj për autizmin, kam respekt të veçantë për zonjën, por ajo (mbesa) ka fol pak budallaliqe. 99.9 përqind të shqiptarëve e kanë parë çfarë ndodhi… Dhe del një vajzë, vetëm pse është mbesa e ish-kryeministrit… Dhe të thotë gjëra rreth sjelljes së përfaqësueses dhe djemve të cilët dhanë maksimumin.. Flet për sjellje dhe mungesë edukate nga ne… Është shumë pa vend…”

Në fund të intervistës, Loriku thotë që inkurajon të rinjtë shqiptarë drejt sportit.





*   *   *



October 27, 2014

Mike Tyson bën shqiponjën!





Mike Tyson bën shqiponjën!

Legjenda botërore e boksit Mike Tyson, është i fundit i personazheve të famshëm që kanë pozuar me duart në formën e shqiponjës shqiptare.

Kjo foto është shkrepur ne Florida, USA ku një emigrant shqiptar atje, ka takuar boksierin Mike Tyson.

Këto foto patriotike shpërthyen pas ngjarjes në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi – Shqipëri.

*   *   *



October 25, 2014

Bojkoti i Europianit, do demaskojë më keq UEFA-n!




Nga Arben Manaj

Prostituimi diplomatiko-sportiv i UEFA-s, për ndeshjen Shqipëri-Serbi, aq sa është skandaloz aq ishte edhe i pritshëm.
Nuk kisha dyshim që e kam shprehur publikisht edhe ditë më parë, se pas deklaratës së Platinisë, UEFA do të merrte një vendim “as mish, as peshk”, ku do të njësonte në faj si mëkatarin, ashtu edhe viktimën.
Shqipëria do të apelojë dhe nisë një betejë juridike. Por kjo nuk është fatkeqësisht e mjaftueshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë një vendim të dhimbshëm dhe largpamës.
Bojkotimi i kompeticionit në mënyrë demonstrative nga Shqipëria, mbetet fatkeqësisht i vetmi opsion real dhe efektiv që bota e qytetëruar të mësojë përmes vetësakrifikimit unikal shqiptar se, çfarë ndodhi në atë ndeshje barbarie dhe çfarë lloj drejtësie jep institucioni evropian i futbollit.
Ky veprim in-extremis, pasi nuk kam besim se apeli do ndryshojë diçka për mirë, përpos ndonjë retushimi sa për sy e faqe, do të mund të shndërrohet në gjestin më produktiv të PR-it shqiptar, pasi është një shans i artë që Evropa dhe bota të mësojë përmes medieve shkakun e largimit dhe bojkotit shqiptar të eliminatoreve të Evropianit në vendin e Platinisë.
Media ndërkombëtare, me siguri absoulte matematikore, do t’i rikthehet këtij lajmi dhe do të kërkojë të eksplorojë arsyet dhe shkaqet e Shqipërisë për një veprim të tillë.
E ky gjest do duhet ndryshe nga hera e parë që të shoqërohet me një përgatitje më të mirë argumentuese mediatike nga Tirana.
Kjo vendosmëri dhe ky vizion nga Shqipëria dhe institucionet shqiptare, edhe pse do të mund të humbasin në plan afatshkurtër, do t’i bëjnë një shërbim të madh drejtësisë sportive dhe do të demaskojnë mentalitetin e kalbur dhe racist, do thosha të vendim marrjeve nga një institucion, që në mënyrë absurde ka si banderolë “No to Racism”!!
Bojkoti shqiptar do t’i shërbejë edhe emancipimit  dhe shkundjes së një institucioni të dashur për evropianët dhe sportin e futbollit, i cili me këtë ndeshje dhe mënyrën sesi u luajt, tregoj se vetëm sport nuk ishte, por një ndeshje e denjë për Coloseum-in e Romës në antikitet.
Bojkoti është edhe mbi të gjitha dhe para se gjithash, çështje dinjiteti shtetëror dhe Shqipëria e vogël, do të duhet të vlerësojë më shumë këtë dinjitet kombëtar që të mos nëpërkëmbet, sesa gjobat financiare që mund të marrë.
Në fund të fundit , edhe sikur sondazhi të bëhej me shqiptarët sportdashës, do e kishte mbështetjen e tyre.
UEFA me këtë vendim nuk bëri gjë tjetër, veç se sanksionoi dhunën në sport, pasi mesazhi është se çdo ekip mund të rrihet si “gomari në duhan” në fushë dhe brenda stadiumit, e sërish t’i kërkohet të luajë edhe pse me gjymtime fizike dhe psikologjike. Këtë nuk do ja pranonte asnjë Federatë apo vend i madh evropian aq me tepër Britania p.sh.
Madje kryeministri Cameron, do kohë me pare i shkroi personalisht Platinisë për ndeshjen e të rinjve mes Anglisë dhe Serbisë për disa abuzime verbale raciste dhe imagjinoni se çdo kishte ndodhur, me siguri revolucion, nëse kombëtarja angleze do të keqtrajtohej në këtë mënyrë si ajo shqiptare në Beograd, France a Spanjë.  E përse do të duhet të trajtohet Shqipëria ndryshe?!
Do të kishte qenë më e ndershme sikur Serbisë, me këtë logjike të korruptuar, të mos i hiqeshin pikët, e po sipas kësaj logjike malinje , Shqipëria t’i shtronte në dru në të njëjtën mënyrë siç ndodhi në Beograd serbët dhe ta fitonte ndeshjen në tavolinë.
Jo, kjo veë se drejtësi dhe mesazh sportiv nuk është. UEFA është në pikë të hallit dhe ka nevojë që të shpëtohet nga vetë sakrifikimi shqiptar, pasi do të gjenerojë një debat mjaft të madh sportiv, pasi nuk ka evropian me logjikë të ftohtë të tolerojë sjellje të tilla antisportive në një sport për të cilin ata shpenzojnë miliarda për t’u argëtuar e jo që futbolli të shndërrohet nga lojë me top, në lojë me dema dhe toreadorë.
Shqipëria dështoi fillimisht në pranimin me inferioritet të shkuarjes në Beograd pa tifozët e vetë, duke toleruar Serbinë, kur do të duhej që refuzimi shqiptar ta detyronte UEFA-n ta zhvillonte ndeshjen (nëse serbët nuk garantonin dot sigurinë, siç nuk e garantuan), kudo në Zagreb, Romë a Londër.
FSHF-ja dështoi edhe me këtë vendim të UEFA-s, aq më tepër kur kryetari i saj kërkonte publikisht jo tri pikët, që faktikisht UEFA ia mohoi në tavolinë, por çuditërisht paqen me Serbinë, a thua se Duka është Rama e UEFA është OKB-ja!
Ky dështim i FSHF-së, në bindjen e drejtësisë së rastit shqiptar, do duhet të shoqërohet me një tjetër gjest emancipues, dhe pikërisht atë të dorëheqjes së Dukës, i cili ka në këtë post, që nga koha kur kanë lindur shumica e tifozerisë së re kuqezi.
Më një gjest të tillë do të mund të bënte që edhe Platinia, në një rast fatlum, të mund ta pasonte atë, në mënyrë që UEFA, si qeveria evropiane e futbollit, të mos jetë më  epidemi e korrupsionit dhe kronikës sportive, siç shpesh sulmohet.
Bojkoti i Shqipërisë në kompeticionin evropian, do të nxjerrë në pah të vërtetën  e madhe të asaj që lojtarët shqiptarë iu nënshtruan në Beograd, por edhe do të ketë mirëkuptimin e logjikës së shëndoshë sportive evropiane, pasi me të, do  tregojë se meriton të trajtohet me dinjitet si një vend kandidat në BE, duke mbrojtur një kauzë për të cilën çdo evropian normal, do të bënte gjithçka, që loja e bukur dhe e lashtë të mos cenohej nga dhuna dhe justifikohej nga njerëz që mendojnë se standardi i dyfishtë do mund të tolerojë racizmin nacional.

(Shqip)



*   *   *