"

October 25, 2014

Bojkoti i Europianit, do demaskojë më keq UEFA-n!




Nga Arben Manaj

Prostituimi diplomatiko-sportiv i UEFA-s, për ndeshjen Shqipëri-Serbi, aq sa është skandaloz aq ishte edhe i pritshëm.
Nuk kisha dyshim që e kam shprehur publikisht edhe ditë më parë, se pas deklaratës së Platinisë, UEFA do të merrte një vendim “as mish, as peshk”, ku do të njësonte në faj si mëkatarin, ashtu edhe viktimën.
Shqipëria do të apelojë dhe nisë një betejë juridike. Por kjo nuk është fatkeqësisht e mjaftueshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë një vendim të dhimbshëm dhe largpamës.
Bojkotimi i kompeticionit në mënyrë demonstrative nga Shqipëria, mbetet fatkeqësisht i vetmi opsion real dhe efektiv që bota e qytetëruar të mësojë përmes vetësakrifikimit unikal shqiptar se, çfarë ndodhi në atë ndeshje barbarie dhe çfarë lloj drejtësie jep institucioni evropian i futbollit.
Ky veprim in-extremis, pasi nuk kam besim se apeli do ndryshojë diçka për mirë, përpos ndonjë retushimi sa për sy e faqe, do të mund të shndërrohet në gjestin më produktiv të PR-it shqiptar, pasi është një shans i artë që Evropa dhe bota të mësojë përmes medieve shkakun e largimit dhe bojkotit shqiptar të eliminatoreve të Evropianit në vendin e Platinisë.
Media ndërkombëtare, me siguri absoulte matematikore, do t’i rikthehet këtij lajmi dhe do të kërkojë të eksplorojë arsyet dhe shkaqet e Shqipërisë për një veprim të tillë.
E ky gjest do duhet ndryshe nga hera e parë që të shoqërohet me një përgatitje më të mirë argumentuese mediatike nga Tirana.
Kjo vendosmëri dhe ky vizion nga Shqipëria dhe institucionet shqiptare, edhe pse do të mund të humbasin në plan afatshkurtër, do t’i bëjnë një shërbim të madh drejtësisë sportive dhe do të demaskojnë mentalitetin e kalbur dhe racist, do thosha të vendim marrjeve nga një institucion, që në mënyrë absurde ka si banderolë “No to Racism”!!
Bojkoti shqiptar do t’i shërbejë edhe emancipimit  dhe shkundjes së një institucioni të dashur për evropianët dhe sportin e futbollit, i cili me këtë ndeshje dhe mënyrën sesi u luajt, tregoj se vetëm sport nuk ishte, por një ndeshje e denjë për Coloseum-in e Romës në antikitet.
Bojkoti është edhe mbi të gjitha dhe para se gjithash, çështje dinjiteti shtetëror dhe Shqipëria e vogël, do të duhet të vlerësojë më shumë këtë dinjitet kombëtar që të mos nëpërkëmbet, sesa gjobat financiare që mund të marrë.
Në fund të fundit , edhe sikur sondazhi të bëhej me shqiptarët sportdashës, do e kishte mbështetjen e tyre.
UEFA me këtë vendim nuk bëri gjë tjetër, veç se sanksionoi dhunën në sport, pasi mesazhi është se çdo ekip mund të rrihet si “gomari në duhan” në fushë dhe brenda stadiumit, e sërish t’i kërkohet të luajë edhe pse me gjymtime fizike dhe psikologjike. Këtë nuk do ja pranonte asnjë Federatë apo vend i madh evropian aq me tepër Britania p.sh.
Madje kryeministri Cameron, do kohë me pare i shkroi personalisht Platinisë për ndeshjen e të rinjve mes Anglisë dhe Serbisë për disa abuzime verbale raciste dhe imagjinoni se çdo kishte ndodhur, me siguri revolucion, nëse kombëtarja angleze do të keqtrajtohej në këtë mënyrë si ajo shqiptare në Beograd, France a Spanjë.  E përse do të duhet të trajtohet Shqipëria ndryshe?!
Do të kishte qenë më e ndershme sikur Serbisë, me këtë logjike të korruptuar, të mos i hiqeshin pikët, e po sipas kësaj logjike malinje , Shqipëria t’i shtronte në dru në të njëjtën mënyrë siç ndodhi në Beograd serbët dhe ta fitonte ndeshjen në tavolinë.
Jo, kjo veë se drejtësi dhe mesazh sportiv nuk është. UEFA është në pikë të hallit dhe ka nevojë që të shpëtohet nga vetë sakrifikimi shqiptar, pasi do të gjenerojë një debat mjaft të madh sportiv, pasi nuk ka evropian me logjikë të ftohtë të tolerojë sjellje të tilla antisportive në një sport për të cilin ata shpenzojnë miliarda për t’u argëtuar e jo që futbolli të shndërrohet nga lojë me top, në lojë me dema dhe toreadorë.
Shqipëria dështoi fillimisht në pranimin me inferioritet të shkuarjes në Beograd pa tifozët e vetë, duke toleruar Serbinë, kur do të duhej që refuzimi shqiptar ta detyronte UEFA-n ta zhvillonte ndeshjen (nëse serbët nuk garantonin dot sigurinë, siç nuk e garantuan), kudo në Zagreb, Romë a Londër.
FSHF-ja dështoi edhe me këtë vendim të UEFA-s, aq më tepër kur kryetari i saj kërkonte publikisht jo tri pikët, që faktikisht UEFA ia mohoi në tavolinë, por çuditërisht paqen me Serbinë, a thua se Duka është Rama e UEFA është OKB-ja!
Ky dështim i FSHF-së, në bindjen e drejtësisë së rastit shqiptar, do duhet të shoqërohet me një tjetër gjest emancipues, dhe pikërisht atë të dorëheqjes së Dukës, i cili ka në këtë post, që nga koha kur kanë lindur shumica e tifozerisë së re kuqezi.
Më një gjest të tillë do të mund të bënte që edhe Platinia, në një rast fatlum, të mund ta pasonte atë, në mënyrë që UEFA, si qeveria evropiane e futbollit, të mos jetë më  epidemi e korrupsionit dhe kronikës sportive, siç shpesh sulmohet.
Bojkoti i Shqipërisë në kompeticionin evropian, do të nxjerrë në pah të vërtetën  e madhe të asaj që lojtarët shqiptarë iu nënshtruan në Beograd, por edhe do të ketë mirëkuptimin e logjikës së shëndoshë sportive evropiane, pasi me të, do  tregojë se meriton të trajtohet me dinjitet si një vend kandidat në BE, duke mbrojtur një kauzë për të cilën çdo evropian normal, do të bënte gjithçka, që loja e bukur dhe e lashtë të mos cenohej nga dhuna dhe justifikohej nga njerëz që mendojnë se standardi i dyfishtë do mund të tolerojë racizmin nacional.

(Shqip)



*   *   *




3 comments:

  1. Shko mor te qifte gomari. Kush te mesoi me ba bojkot, Sali Berisha.
    E zeme se na paskan bere me hile. E cfare pastaj, u permbys bota. A thua se nuk kemi tjeter pune per te bere. Me nje mije probleme qe ka Shqiperia pikerisht me kete do te merremi. Na e keni bere koken daulle me ket teme.
    Nje idioti folklorist po ja shohim sherrin.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Kush eshte idioti? Po sikur te kete qene dora e zeze serbe?

      Delete
  2. GHANDIZMI I B MANAJT NUK HIN NE PUN NE SHQIPRIN E VOGEL.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!