August 10, 2015

City Retirement Home - NYC/ Photo & Video


Tifozët e New York Red Bulls “tallen” me legjendat (Video)



Skuadra nga Amerika New York Red Bulls mposhti rivalët e qytetit New York City me rezultat 2-0.

Tifozët vendas bënë një flamur gjigant, duke u tallur me legjendat Lampard e Pirlo, të cilët janë transferuar në skuadrën amerikane këtë verë.

Në flamurin gjigand shkruhej “ Qyteti i daljes në pension”.
Lampard dhe Pirlo zhvilluan një ndeshje të bukur edhe pse skuadra e tyre u mposht me rezultat 2-0.


*    *    *




Historia e Serbisë: Shqiptarët autoktonë në Ballkan, serbët iu vodhën tokat


Historia e klasës së gjashtë në Serbi tregon se shqiptarët janë autoktonë në rajonin e Ballkanit dhe se serbët i kanë vjedhur tokat e tyre. 

Mediat e Beogradit raportojnë se, ky është një detaj skandaloz i historisë së pretenduar mesjetare serbe, transmeton gazeta Zëri.

Libri është publikuar nga Instituti për tekstet dhe Mjetet Mësimore. Autor është Rade Mihaljçiç, profesor i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Beogradit. Ai po ashtu është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Serbisë.

Ndër të tjera, në tekstin e këtij libri thuhet se sllavët ishin emigrant, duke specifikuar serbët: "Vendasit janë shqiptarët, të cilët ishin pasardhës të ilirëve". 

Autori i librit nuk ndalet me kaq, ai tregon edhe mbi pushtimet e Osmanëve në trojet shqiptare, ku thekson se shqiptarët ishin pala e dëmtuar.

Lidhu me këtë libër, ka nxitur reagime të shumta nga ana e historianëve serbë.

Profesori universitar, John Deretiç ka sugjeruar se duhet t’i bëhet një rishikim historisë dhe paraqitjeve të serbëve si pushtues të tokave të tyre.

"Në këtë libër mësimi thuhet se sllavët erdhën në Kosovë dhe Metohi, dhe atje ata gjetën Ilirët, të cilët janë shqiptarët e sotëm, në njëfarë forme ata rrëmbyen shtëpitë dhe fushat, dhe për këtë arsye ata ishin të detyruar të shkojnë në male dhe për të mbajtur bagëtinë. Kjo është skandaloze. Ne mund të mendojmë çfarë të doni, por jo më e keqe se kjo. Çfarë duhet të mësojnë fëmijët tanë nga kjo", është shprehur i dëshpëruar historiani serb, Deretiç.

*    *    *




August 9, 2015

Himni për Nënë Terezën prezantohet në Prishtinë


Inva Mula fton shqiptarët t’i bashkohen ngjarjes së madhe më 5 shtator në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë



Himni kushtuar Nënë Terezës do të prezantohet për herë të parë më 5 shtator, në Ditën Botërore të Bamirësisë në Prishtinë. Sopranoja e njohur Inva Mula, e cila interpreton këtë himn, përmes një videoje promo, ka ftuar dje gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe. “Të dashur bashkatdhetarë, ju ftojmë më 5 shtator në sheshin ‘Nënë Tereza’ në përurimin e himnit të nënës sonë të dashur Terezë. Është një ngjarje e madhe të cilën duam ta festojmë të gjithë së bashku. Ejani me ne”, thuhet në videon e cila shoqërohet nga momente të grupit të punës për këtë nismë. Ideja për të realizuar një himn kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të kujtesës sonë, nisi kohë më parë për t’u konkretizuar më 19 korrik në Tiranë. 


Për të interpretuar himnin janë bashkuar artistë të njohur nga trevat shqiptare, si solistja nga Maqedonia Sihana Badivuku, kori i filarmonisë së Kosovës drejtuar nga Baki Jashari, dirigjimi është nga Bujar Llapaj, ndërsa kompozimi nga Genc Tukiqi. Sipas iniciatores së kësaj ideje, Diana Toska, ky himn do t’i paraprijë shenjtërimit të Nënë Terezës në vitin 2016 nga Vatikani, dhe njëherazi vendosjes së shtëpisë së Nënë Terezës në Prishtinë. 

Organizatorët po lobojnë që ky himn të vendoset në ueb-et e të gjitha organizmave ndërkombëtare duke filluar nga OKB deri në Vatikan, ku më 2016 shpresohet të këndohet në shqip dhe në anglisht. 

Teksti i himnit është poezia “Lamtumirë” shkruar nga vetë Nënë Tereza, gjatë kohës kur largohej me anije për në Kalkutë, Indi, më 1928-n. Nënë Tereza kishte një pasion për vargjet, pasi ka lënë pas shumë të tilla që mbartin mesazhe universale për shpirtin njerëzor edhe sot. 

Muzika është shkruar nga kushëriri i humanistes Lorenc Antoni, me kërkesë të Don Lush Gjergjit, pak para vdekjes së tij, dhe është riparë nga Genc Tukiqi. 

Sipas Toskës, çdo manifestim që do të bëhet tashmë në botë, kushtuar kësaj figure do të shoqërohet nën tingujt e këtij himni. Kjo iniciativë, sipas saj, është një punë kushtuar një figure të rëndësishme të identitetit tonë e cila na bën të ndihemi krenar. Nënë Tereza është pasaporta jonë më e mirë përballë botës. 

Artistët që kanë punuar për këtë himn prej kohësh kanë nisur një fushatë ndërgjegjësuese dhe në rrjetet sociale, për ta bërë të njohur këtë iniciativë dhe për të ftuar sa më shumë njerëz që t’i bashkohen festës së madhe më 5 shtator në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. “Nën moton e Besëlidhjes shqiptare, bijat e bijtë e Nënë Terezës do të japin besën se do të ndjekin rrugën e saj të bamirësisë. Ndërsa përmes simbolikës universale që ‘uniteti bën fuqinë’, do të promovojmë tolerancën fetare dhe paqen në botë”, thotë Toska. Himni do të jetë dygjuhësh, shqip dhe anglisht.


*    *    *





Shikoni si i hedh plehrat nga ballkoni kjo grua në Tiranë (video)


Janë pamje që për fat të keq i ndeshim shpesh në rrugët e Tiranës. Video tregon se si një grua hedh plehrat e saj nga ballkoni pa u menduar fare, në zonën e stadiumit “Dinamo”, në qendër të Tiranës.




*    *    *




Shi bie në Tiranë - Pamje e rrallë


Ditët e fundit, Tirana është përfshirë nga reshje shiu, përgjithësisht gjatë orëve të drekës. Kryeqytetasit i kanë “dokumentuar” ato në rrjetet sociale bashkë me gëzimin se po largohet vapa e padurueshme dhe pluhuri. Por, fotoja më sipër është mjaft e veçantë pasi jep një tjetër pamje të shiut të gushtit në Tiranë. Ajo është bërë nga mali i Dajtit dhe është publikuar nga Tedi Arifi.



*    *    *








August 7, 2015

Velipojë: Pompë karburanti në breg të detit (Foto)




Pamjet që po shihni janë marrë në lagunën e Vilunit në plazhin e Velipojës në Shkodër.

Një pompë karburanti është instaluar në breg të detit, e cila merr furnizim nga një depozitë që është “strehuar” në një çadër të vendosur aty pranë. Nga kjo pombë marrin benzinë mjetet lundruese që shërbejnë për të “argëtuar” pushuesit.

I gjithë ky aktivitet zhvillohet në syrin e organeve të policisë, ku sipas bashkëpunëtorit tonë, kanë ardhur dhe janë sjellë sikur s’ka ndodhur gjë.

Madje kanë shkëmbyer dhe kanë ndezur nga një cigare serbes -serbes, pranë depozitës që është “fshehur” si struci në rërën kurative të plazhit të Velipojës.

Laguna e Vilunit është e pasur edhe me faunë të shumëllojshme, ndërkohë që peshqit, si të ujit të ëmbël ashtu dhe të detit rrezikohen nga infiltrimi i karburantit prej furnizimit të bidonëve të mëdhenj nga pompa ilegale.



*    *    *