"

August 9, 2015

Himni për Nënë Terezën prezantohet në Prishtinë


Inva Mula fton shqiptarët t’i bashkohen ngjarjes së madhe më 5 shtator në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë



Himni kushtuar Nënë Terezës do të prezantohet për herë të parë më 5 shtator, në Ditën Botërore të Bamirësisë në Prishtinë. Sopranoja e njohur Inva Mula, e cila interpreton këtë himn, përmes një videoje promo, ka ftuar dje gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe. “Të dashur bashkatdhetarë, ju ftojmë më 5 shtator në sheshin ‘Nënë Tereza’ në përurimin e himnit të nënës sonë të dashur Terezë. Është një ngjarje e madhe të cilën duam ta festojmë të gjithë së bashku. Ejani me ne”, thuhet në videon e cila shoqërohet nga momente të grupit të punës për këtë nismë. Ideja për të realizuar një himn kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të kujtesës sonë, nisi kohë më parë për t’u konkretizuar më 19 korrik në Tiranë. 


Për të interpretuar himnin janë bashkuar artistë të njohur nga trevat shqiptare, si solistja nga Maqedonia Sihana Badivuku, kori i filarmonisë së Kosovës drejtuar nga Baki Jashari, dirigjimi është nga Bujar Llapaj, ndërsa kompozimi nga Genc Tukiqi. Sipas iniciatores së kësaj ideje, Diana Toska, ky himn do t’i paraprijë shenjtërimit të Nënë Terezës në vitin 2016 nga Vatikani, dhe njëherazi vendosjes së shtëpisë së Nënë Terezës në Prishtinë. 

Organizatorët po lobojnë që ky himn të vendoset në ueb-et e të gjitha organizmave ndërkombëtare duke filluar nga OKB deri në Vatikan, ku më 2016 shpresohet të këndohet në shqip dhe në anglisht. 

Teksti i himnit është poezia “Lamtumirë” shkruar nga vetë Nënë Tereza, gjatë kohës kur largohej me anije për në Kalkutë, Indi, më 1928-n. Nënë Tereza kishte një pasion për vargjet, pasi ka lënë pas shumë të tilla që mbartin mesazhe universale për shpirtin njerëzor edhe sot. 

Muzika është shkruar nga kushëriri i humanistes Lorenc Antoni, me kërkesë të Don Lush Gjergjit, pak para vdekjes së tij, dhe është riparë nga Genc Tukiqi. 

Sipas Toskës, çdo manifestim që do të bëhet tashmë në botë, kushtuar kësaj figure do të shoqërohet nën tingujt e këtij himni. Kjo iniciativë, sipas saj, është një punë kushtuar një figure të rëndësishme të identitetit tonë e cila na bën të ndihemi krenar. Nënë Tereza është pasaporta jonë më e mirë përballë botës. 

Artistët që kanë punuar për këtë himn prej kohësh kanë nisur një fushatë ndërgjegjësuese dhe në rrjetet sociale, për ta bërë të njohur këtë iniciativë dhe për të ftuar sa më shumë njerëz që t’i bashkohen festës së madhe më 5 shtator në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. “Nën moton e Besëlidhjes shqiptare, bijat e bijtë e Nënë Terezës do të japin besën se do të ndjekin rrugën e saj të bamirësisë. Ndërsa përmes simbolikës universale që ‘uniteti bën fuqinë’, do të promovojmë tolerancën fetare dhe paqen në botë”, thotë Toska. Himni do të jetë dygjuhësh, shqip dhe anglisht.


*    *    *





2 comments:

  1. SHIQONI DAFLLAKIN LENIE POLITIKEN NACIONALE, TUNG
    http://fashionguests.blogspot.com/2012/09/helen-flanagan-superhot.html

    ReplyDelete
  2. Dafllaku i Mrikes tate eshte ky?

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!