"

May 20, 2014

Adriatik Llalla

Imazhe Shqip


Si mund ta rikthejë 
kryeprokurori besimin tek drejtësia?


Nga Mero Baze

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka paralajmëruar nisjen e disa “çështjeve”, të cilat, sipas tij, do të ndryshojnë fatin e historisë sonë në rrugën e integrimit në Perëndim. Shumë vetë i ka entuziazmuar kjo deklaratë. Pritshmëria e opinionit publik është aq e lartë për arrestime të nivelit të lartë politik, sa janë gati të besojnë çdo grimasë të kryeprokurorit. Edhe pse qysh kur ka ardhur në krye të prokurorisë, Llalla nuk ka bërë asnjë gjest të natyrës politike, kjo është deklarata më poltike që ndonjë kryeprokuror ka bërë ndonjëherë dhe që ka lidhje me akuzën e lidhjes së krimit me politikën.
Por a mund të presim diçka serioze nga një qasje e tillë e kryeprokurorit?
Besoj që duhet t’ia kursejmë vetes një zhgënjim të ri. Kryeprokurori nuk ka nevojë të bëjë paralajmërime për peshq të politikës dhe as të botës së krimit, pasi gjithçka që do të bëjë më pas, do t’i klasifikohet si politikë penale. Ne kemi nevojë për një kryeprokuror që të mos ketë tabu për politikën, por ta kthejë prokurorinë në një pikë vizitash të përditshme të politikanëve, që duhet të japin llogari.
Nuk kam aq guxim sa të them që Adriatik Llalla do marrë të pandehur Sali Berishën për 21 Janarin, apo Lulzim Bashën për Rrugën e Kombit, Fatmir Mediun për Gërdecin apo Arben Imamin për plaçkitjet në ushtri… E di që as i mendon këto gjëra. Por përtej paralajmërimeve bombastike, do t’i rekomandoja kryeprokurorit të bëjë disa gjeste të thjeshta, që plotësojnë punën e tij të përditshme.
Ai ka hapur hetim penal për çështjen e drogës së avionit në Divjakë. Ajo histori u bë telenovelë në opinion publik dhe u keqpërdor në mënyrë ekstreme. Një nga arsyet përse u bë telenovelë, ishte dhe prokuroria, e cila nuk vepron dhe ndan gënjeshtrat nga provat, por i lë çështjet kriminale në mëshirë të spekulimit politik.
Tani rekomandimi im është i thjeshtë. Sali Berisha ka disa deklarata publike, ku pretendon se ka informacione të vërteta mbi disa nga hallkat e këtij trafiku. Fjala vjen, thotë që Belinda Balluku ka grisur librin e protokollit të lëvzijes së avionit, që disa zyrtarë të Albkontrollit kanë falsifikuar hyrje- daljet, që aeroporti i Rinasit nuk e ka kontrolluar. Ai po ashtu përmend emra policësh me iniciale, që i kanë dhënë informacion të rezervuar. Ne herë tallemi, e herë bezdisemi me këtë plak të rrjedhur, por prokuroria duhet të veprojë si prokurori. Adriatik Llalla mund ta thërrasë Sali Berishën si person që ka dijeni për këtë trafik dhe t’ia japë gjithë provat prokurorisë. Ai duhet ta thërrasë zyrtarisht, dhe nëse Berisha nuk pranon të shkojë, atëherë t’i kërkojë autorizim parlamentit. Çdo shtetas që fsheh prova krimi, për një çështje që ka nisur hetim penal, dënohet nga Kodi Penal. Nuk pres nga Adriatik Llalla as të hetojë dallaveret e të birit të Berishës, as 3 përqindëshat e të bijës së tij, as llogaritë e bamirësisë së gruas, as krimet e Berishës, por të paktën të veprojë për një krim në flagrancë, që ka të bëjë me hetimin real të një çështje që po njollos fatin evropian të Shqipërisë. Sali Berisha dërdëllit çdo ditë për fakte që i ka vetë ai dhe nuk ia tregon askujt për trafikun. Prokuroria duhet ta zbatojë ligjin dhe ta thërrasë si person në dijeni për krimin dhe të dorëzojë faktet. Pastaj t’i hetojë dhe t’i kthejë ato në prova. Ky do të jetë një mision real opozitar i Sali Berishës dhe një punë konkrete profesionale e Adriatik Llallës. Kjo do të na mjaftonte të besonim që së paku kryeprokurori nuk ka droje të thërrasë Sali Berishën për një çështje flagrante në hetim, për të cilin ai mund të krenohet nëse ndihmon drejtësinë, ose të turpërohet si shpifës me licencë. Edhe kaq boll është për të ndryshuar fatin e Shqipërisë nga Adriatik Llalla. Për të tjerat vështirë të na bindë se mund të na trondisë. Është më mirë të bëjë pak politikë dhe më shumë punë profesionale. T’ia nisë nga verifikimi i një llomotitësi, i cili po prodhon një fat të errët për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe nëse provohen faktet e tij, kryeprokurori ka bërë boll për të qenë kryeprokuror i këtij vendi. Nëse nuk bën dot as kaq, mos të na ushqejë me lugë bosh.

http://www.gazetatema.net/web/2014/05/19/si-mund-ta-riktheje-kryeprokurori-besimin-tek-drejtesia/


*   *   *





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!