"

July 20, 2013

21 Janari


Zhduket në Apel, 
padia e fëmijëve të Ziverit

Mungon dosja e dëmshpërblimit për fëmijët e Ziver Veizit, protestuesit të vrarë para Kryeministrisë më 21 janar. Pak minuta pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokatët e dy fëmijëve, Ana dhe Klajdi Veizi, janë shprehur se ankimimi është dorëzuar në Gjykatën e Apelit, por nuk ka asnjë përgjigje se ku ka përfunduar. Madje avokatët, të pranishëm në sallën e gjyqit, prisnin që të thirreshin nga relatori i çështjes. Sipas tyre, kjo është një situatë mjaft absurde, për më tepër kur flitet për një çështje kaq delikate. Objekti i padisë së depozituar në Gjykatën e Apelit në muajin mars është kërkesa për dëm- shpërblimin e fëmijëve të të ndjerit Ziver Veizi, në shumën prej 180 milionë lekësh. Andi Kanani e Dorian Matlija, që mbrojnë çështjen e Ziver Veizit, pretendojnë se fëmijëve të protestuesit të vrarë duhet t’u jepet një shumë të hollash si dëmshpërblim, pasi tashmë nuk ka kush të kujdeset për ta. Ndërkohë, Avokati Matlija, në një prononcim për mediat pas shtyrjes së seancës ka deklaruar se mungon dosja e ankimimit të bërë nga klientët e tij. “Ankimi është dorëzuar dhe nuk e dimë se ku ka përfunduar tani. Është diçka që ndodh shumë rallë, për të mos thënë se nuk duhet të ndodhte fare, por ka ndodhur në një çështje me ndjeshmëri kaq të lartë dhe duhet të verifikojmë, pastaj të themi diçka më shumë. Është dorëzuar që në mars, brenda afatit. Do shohim mundësinë e përfshirjes së këtij ankimimi në këtë proces, që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit dhe pastaj do të kërkojmë rikthimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, për arsye se ai gjykim duhet të ishte gjykuar së bashku me padinë civile. Nuk mundet se ato që ishin familjarët e viktimave të mos merrnin pjesë në këtë proces se dhe ata kanë të drejtë procedurale të bëjnë pyetje për ekspertët, për dëshmitarët dhe ta orientojnë procesin ndryshe nga se e bëri Prokuroria”, theksoi Matlija. Gardisti Agim Llupo akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.


Dorëheqja
Është dorëhequr nga procedimi i çështjes së 21 Janarit, gjyqtari Agron Papajani, i cili ka gjykuar më parë masën e sigurisë ndaj të pandehurit Agim Llupo. Kërkesa paraprake është bërë nga mbrojtësi i të pandehurit Ndrea Prendi, i ci- li ka pretenduar se ky gjyqtar ka qenë pjesë e trupës gjykues në procesin për masën e sigurie. Por kësaj kërkese vetë gjyqtari i është përgjigjur se në rastin e Ndrea Prendit, nuk jemi në kushtet e përcaktuara nga ligji për dorëheqje. “Masa e sigurisë për Ndrea Prendin nuk është kërkuar nga organi i akuzës, dhe nuk ka shkelje ligji. Por vetë unë dorëhiqem nga ky proces, pasi kam marrë pjesë në procedimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Agim Llupo. Do t’i paraqesë shkresën time të dorëheqjes kreut të gjykatës”, është shprehur gjyqtari Agron Papajani. Për mbrojtësin Genc Gjokutaj dorëheqja duhet të jepet edhe nga gjyqtari Fatos Qato, i cili është bashkëshorti i anëtares së PS-së, Merita Qato. Në lidhje me këtë kërkesë relatori i çështjes Astrit Haxhialushi është shprehur se do të hidhet në short dhe do të gjykohet nga një trup tjetër gjykues. Seanca e radhës u vendos të mbahet në 25 korrik, në orën 10:00.

Mungojnë të pandehurit
Seanca e djeshme gjyqësore ka nisur rreth orës 9. Nga tre të pandehurit, i pranishëm ka qenë vetëm Margerit Kume, i cili deklaroi se do të mbrohej vetë në këtë seancë, në mungesë të avokatit. Ndërsa mungonin dy të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të cilët krijojnë dyshimin se mund të jenë larguar jashtë S h q i p ë r i s ë . Ndërkohë që mbrojtësi i Prendit kishte paraqitur një akt noterial, i datës 18 korrik, ku thuhet se i pandehuri kërkon që në këtë gjykim të mbrohet me prokurë nga avokat Genc Gjokutaj. Përsa i përket Agim Llupos është paraqitur njoftimi i ftuesit të gjykatës, sipas së cilit Llupo ka dijeni për datën e seancës. Madje në vendimin e deklarimit në mungesë nga gjykata, është vlerësuar si e paarsyeshme mungesa e të pandehurit Agim Llupo. Pas dorëheqjes së gjyqtarit Papajani, është vendosur ndërprerja e procedimit dhe shtyrja e seancës me datë 25 korrik. Çështja e 21 Janarit mbërriti në këtë gjykatë pas apelimit që prokuroria i bëri vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm ish-kreun e Gardës, gjeneral Ndrea Prendin dhe ish-komandantin e njësisë speciale Agim Llupo.










1 comment:

  1. 21 JANARI DO MBETET NJE NGA DITET ME TE TURPSHME TE HISTORISE SHEKULLORE TE TIRANES. RIP

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!