shkëlzenërisë…
Nga Adrian Thano
Kryeredaktor i gazetës DITA
Është hera e dytë që si familje krahasoni një gazetë me sende tualeti. Herën e parë ndodhi kur e përditshmja amerikane New York Times botoi detajet e asaj që bëtë në Gërdec. Një nga gazetat më të mira në botë, u krahasua asokohe nga babai yt me një “letër higjenike”. Tani je ti që quan gazetën DITA diçka të tillë. Interesante pse ju shkon mendja në të njëjtat krahasime. Varfëri fjalori, apo kaloni shumë kohë në hale? Unë them se është kjo e dyta; me sa duket ju hani mirë dhe dhisni shumë.
Shkëlzen,
Po të ishte për mua si person, unë nuk do doja të harxhoja asnjë sekondë të jetës sime me ju. Ndjej aq përcmim e neveri për çka jeni; aq keqardhje dhe trishtim për atë që i keni bërë këtij vendi, sa Zoti e di sa do doja, të mos ju njihja e mos dëgjoja kurrë për njerëz si ju. Por unë jam gazetar. Dhe kam 20 vjet që e bëj këtë zanat. Kam detyrimin dhe përgjegjësinë të merrem. Dhe do vazhdoj të merrem. Mos kujto se mund të më trembësh me kërcënime. Thuaj babait tënd të të tregojë arkivën e celularit dhe do gjesh aty mesazhe personale nga unë, në 21 janar, një natë para votimit të ligjit të plehrave dhe në të paktën dy raste të tjerë. Dhe do ta kuptosh sa efekt mund të bësh tek unë me marifete të tilla.
E ndjen veten të prekur?! Ke kaluar ndonjëherë afër varrezave të Gërdecit ti Shkëlzen? Treten skelete fëmijësh aty. Fëmijë të hedhur në erë dhe të djegur të gjallë. Kanë të gjithë të njëjtën datë vdekje: 15 mars 2008. Përfytyroje një fëmijë të shtrirë në tokë duke dhënë shpirt i verbuar, i shurdhuar dhe i zhurosur. Përfytyroje një fëmijë duke vdekur në atë mënyrë. Fëmijë!! Përfytyroje ti dhe gjithë qenëria rreth teje. Përfytyrojeni, ju hëngërt dreqi. Dhe mbase do heshtni. Minimalisht do heshtni.
Po fëmijët e fukarenjve që i qëlluat dhe vratë në mes të bulevardit të Tiranës në 21 janar, i mendon ndonjëherë ti Shkëlzen? A keni fëmijë ju?? Ju cinikë dhe zemërtharë; ju barkngopur dhe shpirtzbrazur; ju batakçinj që na flisni për nderin dhe shpifjen.
E ndjen veten të ndershëm ti Shkëlzen? Nëse ti je i ndershëm, atëherë ka shpresë për çdo hajdut të 1001 netëve. E ndjen veten të fortë ti Shkëlzen? Është kaq patetike o i mjerë, të bësh të fortin me dikë që nuk mbrohet. E ndjen veten të mençëm ti Shkëlzen? Po, bota është e mbushur me dështakë si ty që bëjnë para, jo sepse bëjnë sukses, por vetëm pse të tjerët u mbushin bythën me para për shkak të pushtetit politik. Fiton gjyqe ti Shkëlzen? Po është kaq e rëndomtë o njeri, të fitosh gjyqe në Shqipëri thjesht sepse ke para; është kaq patetike sa të vjen njëherë për të vjellë e dy herë për të qeshur.
Shkëlzen,
Shqiptarët votuan masivisht kundër asaj që përfaqëson ti. Votuan kundër. Nga jugu në veri. U trajtuat nga shqiptarët si të ishit të huaj në këtë vend. U kundërvotuar sikur të ishit pushtues. Por ju vijoni të trimëroheni. Trimërohesh ti. Trimërohen ata që kanë vrarë dhe rivrasin. Trimërohen lloj-lloj qelbësirash që e kanë përdhunuar moralin e këtij vendi për vite me rradhë, duke e katandisur në një republikë të vrasjeve, skandaleve dhe korrupsionit, ku të zë lemeria të rritësh fëmijët. Trimërohesh sepse ende nuk ta kanë treguar ku e ke vendin.
Gjyq për shpifje?! Ti dhe babai yt jeni njerëzit e fundit në Shqipëri që mund të akuzoni dikë për shpifje. Unë nuk njoh njeri që flet shqip që të ketë gënjyer 20 vjet me radhë publikisht aq dendur, aq shpesh, aq ligësisht e aq pacipërisht, sa c’keni gënjyer ju. Ti flet “në respekt të opinionit publik” (?!!) Hapu dhe! A po flasim për të njëjtin “opinion publik” që keni qeverisur ju këto vite? Nëse po, ti dhe shqiptarët normalë duhet të kenë koncepte krejt të ndryshme për “respektin”.
Diçka të fundit, Shkëlzen.
Mos u ngut me gjyqet. Kush ngutet, përmutet! Lëri gjyqet me gazetat se është koha për të tjera gjyqe. Dhe meqë në “përgënjeshtrimin” tënd ke përmendur edhe Edi Ramën, po shtoj dy fjalë mbi këtë. Nuk e di çfarë lexon tjetër ti, veç letrave në hale, por ndoshta ke dëgjuar për Centaurin e vrarë prej Herakliut. Centauri u mund. Por u hakmorr kundër fitimtarit duke i “dhuruar” në momentet e vdekjes mantelin e vet të përgjakur. Legjenda më pas tregon vdekjen e tmerrshme të Herakliut pasi kishte veshur mantelin e të mundurit. Kjo është simbolika e të mundurit që ndëshkon fituesin pas vdekjes. Ose e fituesit që nuk gëzon dot fitoren sepse “vesh mantelin” e të mundurit. Edi Rama nuk është si Berisha. As nuk afrohet. Por metafora e mantelit mund të bëhet realiteti ynë i ri, nëse Rama sillet me Berishën, siç Berisha u soll me veten; pandëshkueshmëri për krimet! Nëse vijon kjo traditë pandëshkueshmërie, nëse nuk ndëshkoheni ju TË PARËT për ato që i bëtë këtij vendi, bëni atëherë çfarë kini për të bërë. Bëjeni edhe një gjyq kundër gazetës Dita. Dhe fitojeni. Fitojeni jo sepse ti nuk ke qenë dje në Rinas. Ke qenë që çke me të. Por fitojeni siç e keni ju zakon “të fitoni”. Me shkërdhatësi procedurash; me hile; me qelbësirllëqe; zhdukje provash dhe fshirje serverash. Siç bëtë në 21 janar. Siç keni bërë gjithë këto vite.
Nëse ndëshkimi juaj nuk ndodh, ecja e Shqipërisë përpara do jetë thjesht një iluzion. Do të jetë si ato hapat e pulës që i kanë prerë kokën; hapat e këputjes së nervave; hapat e muskujve që thjesht ruajnë kujtesën e lëvizjes. Por jo lëvizje e vërtetë. Nuk ka shpëtim për ne, pa shkuar secili atje ku e ka vendin. Nuk ka Shqipëri pa u bërë Drejtësi!
http://www.gazetatema.net/web/2013/07/14/shkelzenerise/
E ke te mbushme Sale ...
ReplyDelete