Ja çfarë ka thënë K.M. Sali Berisha
në 17 Janar, 2013
Berisha: Më 23 qershor dua një fitore të madhe, fundërrinat e Ramës do i hedhim në Lanë
Sali Berisha, në kuadër të hapjes së fushatës zgjedhore, ka mbledhur gjithë krerët e degëve të PD-së. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se më 23 qershor kërkon fitore me çdo kusht. “Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që më 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të PD-së si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike, se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt, në Evropën ish-komuniste,” tha Berisha.
Berisha bëri një rezyme të arritjeve që ka bërë vendi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
“Kjo parti është faktuar në mënyrë të përsëritur para shqiptarëve se ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen euroatlantike. Ne, në 22 vite nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në procesin e integrimit, por historia është kjo: Është partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, është Partia Demokratike që firmosi marrëveshjen e stabilizim-asociimit me BE, pas marrëveshjes së tregtisë me BE. Është Partia Demokratike që mori ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Është PD në pushtet bashkë me aleatët e vet, ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën,” tha Berisha.
Berisha theksoi më tej se Partia Demokratike duhet ta zhvillojë betejën elektorale duke vënë në pah të gjitha vlerat dhe arritjet që nga krijimi i saj në 22 mars.
“Gjithçka që është realizuar ka në themel, para së gjithash, mundin e djersën e qytetarëve shqiptarë. Edhe ata, të cilët përpiqen të errësojnë këto suksese, shkelmojnë kontributin e çdo qytetari. Natyrisht, të gjitha këto arritje janë edhe rezultat i suksesit të reformave të thella që ndërmori kjo qeveri dhe i guximit të madh që u tregua për ndërmarrjen e këtyre reformave, i besimit të palëkundur të qeverisë, të Partisë Demokratike, të mazhorancës tek liria e potencialet e saj të jashtëzakonshme. Kjo është baza mbi të cilën ne kemi nisur e vazhdojmë betejën tonë elektorale, betejën e fitores,” tha Berisha.
Berisha nuk la pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama që sipas tij po mbledh rreth vetes ato persona të cilët ai i cilësoi si fundërrina.
“Ne kemi jo një, por njëmijë arsye t’u drejtohemi mbarë shqiptarëve, për të na e besuar neve votën. Nuk ka sot qytetar më të zhgënjyer se ata, të cilët katër vjet më parë votuan për PS-në, sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant me aspiratat e socialistëve shqiptarë, në kundërshtim flagrant me aspiratat e mbarë shqiptarëve.
Dhe si alternativë ata ofrojnë: Fundërrina të të gjitha llojeve të bashkohemi kundër Sali Berishës. Keni dëgjuar a lexuar ndonjëherë në historinë e politikës botërore thirrje për aleanca të tilla?!
Ne do të shkojmë me vlera para çdo qytetari shqiptar. Vlera, vlera dhe vetëm vlera. Le të bashkohen të gjithë fundërrinat, por ju jap fjalën e nderit, në mënyrën më solemne, i përgatitur me gjithë shpirt, për fushatën më të bukur. Për fundërrinat përveç Lanës, vend tjetër nuk mund të kesh. Zgjedhja është e tyre. Por të dalësh me moton: Fundërrina bashkohuni, të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total, kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, e njeriut që ka për shtrojë e mbulojë disfatat e njëpasnjëshme dhe pastaj dëgjon thirrjen: Fundërrina bashkohuni për të fituar kundër Sali Berishës,” tha Berisha.
keto premtime i duhen postuar ne facebook kafshes se Vicidolit!
ReplyDelete