"

September 12, 2013

Ku shkoi vallë

... gjithë ky humor Parlamentar?!!



Përse nuk duroi dot?

Nga Mero Baze

Ditën e fundit të pushtetit, Sali Berisha postoi një koment në Facebook, ku e krahasoi Edi Ramën me Papandreun dhe parashikoi se fundi i tij do të jetë i afërt. Shumë vetë e agresuan në rrjetet sociale me komente fyese dhe natyrisht të tijtë morën një dozë optimizmi për profecinë e tij. Në pamje të parë dukej një llokmë urrejtje për rrëzimin nga pushteti, që Berisha përpiqej ta hidhte mbi turmë. Por krahasimi në fakt mbetet dramatik.

Pyetja themelore që shtrohet në këtë rast nga simetria me Greqinë e tre viteve më parë, nuk ka të bëjë aq me Papandreun, se sa me atë që ia dorëzoi Greqinë, Papandreut. Në  inkoshiencën e vet Berisha pranoi para shqiptarëve se Shqipëria është një vend në buzë të humnerës ekonomike, dhe fajësoi retorikën optimiste të opozitës që sipas tij do sillte dështim.

Por në të vërtetë çfarë Shqipërie po dorëzon Sali Berisha?

Nëse marrim fjalimet dhe argumentet me të cilat Berisha dhe të vetët agresojnë qeverinë e re, pa nisur punë, ata tentojnë të thonë se kanë lënë një Shqipëri të zhvilluar, një ekonomi të shëndoshë që vjen pas Gjermanisë dhe parametra ekonomikë të stabilizuar. Nëse është kështu, mos e dëgjoni fare fjalimin e Edi Ramës për programin ekonomik të qeverisë se nuk ka pikë rëndësie. Shqipëria nuk ka nevojë as për rilindje dhe as pas për lindje, por për zhvillim normal. Edi Rama, edhe nëse ka dëshirë t’i ngjajë Papandreut, nuk e bën dot, pasi Papandreu mori një Greqi në buzë të greminës dhe u tërhoq për të mos e çuar një hap përpara në greminë, kurse ky, sipas Berishës, po merr një Shqipëri të fortë dhe ekonomi të begatë.

Në fakt ne të gjithë e dimë çfarë Shqipërie po merr Edi Rama, ndaj po dëgjojmë fjalimin e tij. Do të bënte mirë ta dëgjonte dhe Sali Berisha. Jo për të mësuar ndonjë gjë nga Edi Rama, por për të korrigjuar vetveten në prognozën e tij prej kasandre.

Që Shqipëria të përfundojë në humnerë siç po ndjell ai përditë, dhe që Edi Rama të përfundojë si Papandreu, ai duhet të pranojë së pari që ka lënë një Shqipëri të shkatërruar, me një buxhet piramidë që nis me borxhe që ditën e parë, një ekonomi të destabilizuar, një pronë publikë shpërndarë si llokma për shokët e djalit dhe vajzës deri në sekondat e fundit në pushtet, me një mjekësi dhe arsim në mjerim, me një rend që i ngjan zonave që kontrollohen nga talibanët në Kandahar, dhe me depresion në rritje të shoqërisë.

Të gjithë e dimë që Shqipëria që po merr sot Edi Rama është kjo e dyta. Ajo është po aq keq sa ç’ishte Greqia kur hyri në zgjedhje, por me një ndryshim të madh. Karamanlisi pranoi se kishte fundosur Greqinë dhe iku.

Sali Berisha, në gjithë tragji-komizmin e tij, kërkon që në histori të jetë dhe hero, dhe i gjallë që ta shikojë emrin në pllakën e lavdisë. Në fakt ai është vetëm një i gjallë i çmendur, që kërkon të lidhë dështimin e tij me dështimin e vendit.

Është kjo arsyeja që kur ia përmend Papandreun, është në orën e të vërtetës së tij, pasi po ia dorëzon Shqipërinë siç ia dorëzoi Greqinë Karamanlisi, Papandreut, por për këtë duhet të ulet e të dëgjojë se si duhet shpëtuar.

Dje në sallën e Kuvendit ai nuk duroi dot as dy minuta. Sapo Edi Rama përdori profesionin e tij të vjetër si publicist për t’i ngulur thikën në nerv, duke i përmendur “kokën e ulur”, ai turfulloi dhe doli jashtë duke marrë zvarrë gjithë burrat dhe gratë e grupit parlamentar, të cilët akoma nuk janë mësuar që Sali Berisha është një deputet i thjeshtë, dhe ndoshta më i urryeri në atë grup parlamentar. Shkuan pas tij si delet dhe dolën jashtë. Nuk denjuan as ta dëgjojnë kryeministrin, që sipas tyre gënjeu shqiptarët me premtime si Papandreu.

Arsyeja përse Berisha nuk duroi dot, ishte hyrja kirurgjikale e rivalit të tij tek gjendja në të cilën është Shqipëria. Berisha e do Edi Ramën si Papandreu, por është i tmerruar kur të shfaqet Shqipëria e vërtetë që ka katandisur ai, më keq se Karamanlisi Greqinë. Nuk e duron dot të bien gënjeshtrat e imponuara të tij për një orë në Kuvend. Nuk e duron dot, që Shqipëria sa herë ikën Berisha nga pushteti, ka nevojë të ringrihet. Nuk e duron dot që ai nuk ka më në dorë fatin e këtij vendi dhe atij parlamenti. Si një pirg i lëvizshëm mërish dhe urrejtjesh, ashtu i ngrysur, kokulur, duke folur plot gulçima urrejtje, ai u ngrit dhe doli nga salla për shkak të pafuqisë që ka për të parë se çfarë ka bërë. Doli jo vetëm pse nuk duronte dot Edi Ramën, por nuk duron dot që dhe grupi i tij parlamentar të dëgjojë Lulëzim Bashën dhe të rrijë në sallë. Donte doemos të dukej që ishte ende gjallë dhe me njerëz pas vetes. Donte të mos dëgjonte asnjë fjalë nga ato që i kujtojnë shqiptarëve kush i ka qeverisur.


Programi i Edi Ramës nuk është ndonjë ilaç për të shpëtuar Shqipërinë. As vetë Edi Rama nuk është Mesia që do të na rilindë. Por mund t’ia dalim të jemi një vend normal dhe njerëz normalë. Siç mund të jetë normal një vend ku Sali Berisha nuk është më asgjë! Ai nuk e duroi dot këtë dhe iku duke i marrë zvarrë nga pas. Për ta na treguar se është akoma një gjë. Një dordolec që tremb vetëm harabelat e vet.


1 comment:

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!