"

October 13, 2013

Basha, si original



dhe jo fotokopje e Berishës



Nga Arben Manaj

  “Kur rezultati final pritet të jetë kompromisi, shpesh është gjë e matur të fillosh nga një qëndrim ekstrem”, shkruante britaniku, Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes), një nga ekonomistët më të mëdhenj dhe me influencë të shekullit të 20.
Kështu dua ta besoj se po ndodh edhe në Shqipëri për takimin e parë Rama-Basha, për të arritur kompromisin për Aktin Normativ.

Të dyja palët janë në ekstremin e pozicioneve dhe kjo është normale. Ajo që është anormale është të mos shfrytëzosh mundësitë që të ofrohen, për t’u vetëdëshmuar se e ke lexuar mirë leksionin e 23 qershorit. Dhe kjo vlen edhe për Kryeministrin edhe për kryeopozitarin.

Pa dashur të hyj në detajet apo hapësirat që ekzistojnë për kompromis për këtë ligj të nëpunësit civil, tejet i rëndësishëm, nëse do të krijosh një administratë publike që nuk ka frikë se kush vjen në pushtet, por që ka frikë nga ajo që i kërkohet çdo nëpunësi të shtetit të bëjë si profesionist në vendin e punës ku është, çështja në këtë rast, është nëse do të ulen palët, dy politikanë të rinj në moshë, për të bërë politikë, siç bëhet rëndom jashtë Shqipërisë.

Nuk do të ishte e saktë dhe e ndershme të mos vlerësoje Kryeministrin Rama për dorën e shtrirë për kompromis dhe negocim me Bashën, ashtu siç do ishte e pafalshme dhe kundërproduktive, nëse Basha do këmbëngulte në kërkesa dhe kushte ekstreme, si parakushte për negociata.

Rama do duhet vlerësuar për faktin se edhe pse ka votat për të miratuar çdo ligj dhe reformë, për të cilën është votuar, sërish kërkon, të paktën të duket dhe ofron një frymë tjetër politike; atë të bashkëpunimit me opozitën irrelvante në shifra në Parlamentin e ri.

Shto këtu edhe elementin LSI ose Ilir Meta më saktë, që po shndërrohet në një katalizator të normalitetit politik mes palëve kryesore, dhe kjo duhet përgëzuar, përbën një të dhënë, e cila do trajtuar si vlerë e shtuar për luftën politike të opozitës dhe një kanal komunikimi apo dhe rrip transmisioni në përafrimin e objektivave dhe qëllimeve politike që opozita ka ose mendon se i cenohen nga mazhoranca e cilësuar.

Nëse opozita kërkon tërheqjen e Aktit Normativ dhe qeveria kërkon anulimin e kërkesës dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ky është non-start.

Nga z.Basha, kërkohet të ushtrojë një sens më të madh realizmi politik në rrethanat postzgjedhore.

Pasi po të nisesh nga praktika e partisë së tij dhe ish-kryeministrit të tij, Berisha, sidomos në mandatin e dytë të qeverisjes, asnjëherë nuk u arrit kompromisi me opozitën e atëhershme, sot në pushtet.

Kështu u veprua edhe për çështjen e Presidentit, kur Berisha tallej, dhe në fund, bënte çfarë donte vetë dhe caktonte në çdo post kë donte ai, në fund të fundit.

Intrasigjenca e partisë së Berishës ishte spektakolare, dhe të mos harrohet se opozitën e la të bënte grevë urie në bulevard për javë të tëra për ta diskretituar dhe nuk lëvizte nga istikami, pasi tundte kartën e ligjshmërisë së vendit dhe shfrytëzonte kartonët në Parlament, si shprehje e respektit ndaj sovranit, kartonë që nuk ofronin komoditetin që i ofron sot Ramës konfiguracioni i Parlamentit shqiptar.

Sakaq, Rama, besoj se nuk dëshiron të bëjë të njëjtën lojë siç bënte Berisha me Ramën dikur. Megjithatë, koha do ta tregojë.

Momenti politik, dhe prag-statusi, që duket më i garantuar se kurrë, do të duhet të shërbejë si një shtysë për normalitet demokratik në vend dhe hedhjen e shinave për bashkëpunime të mëtejshme politike për reformat e mëdha për të cilat ka nevojë vendi dhe për të cilat opozita me të drejtë është shprehur publikisht se është e gatshme të kontribuojë.

Një element tjetër është edhe mungesa e vëmendjes dhe durimit ndërkombëtar, për të ndërmjetësuar në ushtrime të thjeshta matematikore të demokracisë shqiptare.

Shanset për kompromis sot në politikën shqiptare janë më të mëdha se kurrë, ndërkohë që nevoja për t’i ikur neodiktaturës së shumicës parlamentare është një imperativ, që duhet inkurajuar dhe ruajtur me fanatizëm.

Përvoja shqiptare e bashkëpunimit dhe kompromiseve politike mes shumicës dhe pakicës është e brishtë dhe e pakonsoliduar, shprehje e infantilitetit demokratik.

Oferta për t’u ulur dhe gjetur “të mesmen e artë”, për këtë ligj dhe shumë reforma në vend, jo vetëm nuk duhet shpërdoruar, por duhet mbërthyer si një mundësi për ta “bërë rrugë poshtë mustaqeve” të politikës shqiptare.

Disa javë më parë dy vende armike, Amerika dhe Irani dhe presidentët e tyre Obama dhe Rouhani folën me njëri-tjetrin dhe po punojnë për kompromis, e jo më Rama dhe Basha.

Nëse Obama do të paragjykonte Rouhanin, si fotokopje, nisur nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, nuk do ishim sot në këtë pozicion.


Është koha që Rama dhe Basha të tregojnë së janë origjinalë në politikë dhe jo fotokopje të Berishës, në pozicionet e reja respektive.

2 comments:

  1. Kshu ka me ju shkep suma Lules

    ReplyDelete
  2. Përpara,

    O burra se na shpëtoi

    Shurra!



    P.S. Burime të sigurta brenda PD na njoftojnë se Deputeti “Rradha 3 Karrikja 7” ka filluar të urinojë shpesh dhe në mënyrë të pavullnetshme, nganjëherë edhe në mes të mbledhjeve të grupit parlamentar.

    Shkencëtarët demokratë me ndihmën e Podesta Group, janë hedhur në kërkim të një lloji special pampersash të tipit Anti-Berisha.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!