Bisedat e fundit me miqtë
Sokol Olldashi humbi jetën mbrëmjen e së
mërkurës në një aksident fatal dhe në një moment kyç, tepër të rëndësishëm të
karrierës së tij politike. Të hënën që vjen ai pritej të dilte në emisionin
“Opinion” të Blendi Fevziut, kjo dalje e tij nuk do të ishte si një intervistë
“rutinë” nga ato të cilat shohim shpesh tek ky emision, Olldashi, kishte
programuar një kapërcim në qëndrimet e tij, shfaqjen e një tjetër dimensioni në
raport me PD-në, Lulzim Bashën dhe polin e vetë brenda PD-së.
Do ishte pak a shumë e njëjta linjë qëndrimi,
si fjalimi i fundit që Olldashi mbajti në Parlament për “çështjen e vjedhjes së
votave në Korçë”. Pra një qëndrim që neglizhon tërësisht sjelljen irracionale
dhe dogmatike të linjës zyrtare të Bashës dhe qasjen me një fjalor opozitari që
i thotë problemet troç, pa kursyer as qeverinë dhe as opozitën. Diçka që
Olldashi, me siguri dinte ta bënte shumë mirë, ai fundja ishte kalitur në
opozitën e ditëve të vështira të Berishës pas vitit ’97 dhe kishte artikulimin
dhe intelektin e një gazetari me shqisë të theksuar politike. Nuk ishte i
“preferuari” i Berishës për trashëgimtar por ngjasonte më tepër me Berishën për
nga forca që rrezatonte se sa trashëgimtari, Basha, i cili së fundmi pati dhe
disa probleme me “arratisjen” e zërit gjatë një mitingu. Për më tepër kur, në
Dhjetor, Partia Demokratike do të përfshihej në një proces tepër vendimtar
politik për ekuilibrat brenda saj.
Kopertina e pamundur e DITA-s
DITA ishte angazhuar javën e fundit të
pasqyronte përgatitjet dhe lëvizjen e riorganizuar të konjukturës dhe grupeve
në PD gjatë muajit nëntor në kuadër të një beteje që pritej të niste në muajin
Dhjetor. Muajin e ardhshëm Partia Demokratike do të niste zyrtarisht një proces
zgjedhor mbarëkombëtar për zgjedhjen e strukturave në të gjitha nivelet e kësaj
partie. Pra do të ishte procesi për zgjedhjen e karabinasë së kësaj partie.
Ishte menduar që gazeta t’i kushtonte një kopertinë , ose disa të tilla, këtyre
zhvillimeve. Realizuam kontaktimin e disa personazheve në nivele të ndryshme të
PD-së, biseda të regjistruara telefonike dhe të drejtpërdrejta, kalim dhe përcjellje
informacioni me email mbi zhvillimet e
nëndheshme që po ndodhnin, sidomos në kampin e Olldashit.
Si për ironi të fatit, një nga bisedat
informuese më të rëndësishme në lidhje me këtë artikull, e zhvilluam pasditen e
së mërkurës, vetëm pak orë përpara se Sokol Olldashi të pësonte aksidentin
fatal. Ishte bisedë informuese me një ndër personat më aktivë pranë Sokol
Olldashit, madje ishte fiks biseda që na garantoi se deputeti, tashmë i ndjerë,
kishte një projekt të qartë politik tashmë. Së pari, nuk do lejonte të ndodhte
me zgjedhjet e strukturave të njëjtën gjë që ndodhi me zgjedhjet për kryetar,
ku Olldashi doli humbës, por akuzoi për manipulim dhe trukim të rezultatit.
Një hesap i vështirë
Ajo çka kuptohej menjëherë nga informacionet e
ofruara prej grupimit të Olldashit nuk ishte vetëm përgatitja dhe gatishmëria
nr.1 e këtij grupimi për zgjedhjet e ardhshme të strukturave, por edhe fakti se
Sokol Olldashi, ishte kthyer në epiqendër, në figurën kryesore për të gjithë
ata që nuk janë në harmoni me mënyrën e operimit të kryetarit riosh Basha në
PD. Olldashi ishte kthyer në një forcë rëndese, kishte autoritetin dhe
rrezatonte besimin e nevojshëm tek ky grupim, që në zgjedhjet e Dhjetorit,
grupimi të kishte një “Bari” dhe të mos lejonte nëpërkëmbjen e synimeve të veta
në proces. Në PD ishin ravijëzuar “olldashianët”. Ndaj dhe humbja e jetës së
Sokol Olldashit, ndryshon në mënyrë radikale situatën dhe ekuilibrin e forcave
përpara procesit dhe aftësinë e grupimit për të operuar me të njëjtin
efikasitet në Dhjetor. Një prej deputeteve që i përkiste këtij grupimi Mesila
Doda, e shfaqi dje thuajse hapur këtë projekt në një postim vajtimi për vdekjen
e Olldashit: “Pesha e gjërave që le përgjysëm po na bëhet mal në shpatulla” –
shkruante Doda.
Bëhet e vështirë të parashikosh se si do të
riorganizohet brenda vetes grupimi i Olldashit dhe si do të kundër-reagojë
linja zyrtare në procesin e Dhjetorit pas vdekjes së Sokol Olldashit.
Megjithatë ne dimë se çfarë ishte duke ndodhur deri mbrëmjen fatale të së
mërkurës kur Sokol Olldashi humbi jetën.
Një lobim në rangje
Sokol Olldashi, dhe grupi që e mbështeste atë,
nuk ishin dakord me strategjinë me të cilën po bën opozitën Lulzim Basha.
Njerëzit në grupin e ngushtë të ish-ministrit të Transporteve, flasin për një
plan konkret për të marrë kreun e PD-së përpara zgjedhjeve lokale. Olldashi
ishte duke hartuar planin për një lëvizje brenda partisë, e cila do të jetë e
ngjashme me LMN-në e vitit 2009 në Partinë Socialiste. Pikësynimi do ishte
keqdrejtimi i partisë nga ana e Bashës, ndërsa do të shmangeshin, në dukje,
sulmet ndaj Berishës. Deputeti, i cili humbi jetën në aksident kishte nisur
kontaktet për të bashkuar grupin e deputetëve që janë kundërshtarë të Bashës,
ose të pakënaqur nga lëvizjet e tij të fundit dhe të zhgënjyer nga linja që po
ndiqet për të bërë opozitë.
Olldashi kishte nisur një proces intensiv
riorganizimi dhe takimesh ku më intensivet ishin ato me Ilir Rusmalin dhe
Astrit Patozin , por duke përfshirë dhe Mero Bazen, një ujk i vjetër në PD,
njohës dhe parashikues i psikozës së Berishës. Vetë Baze shkruan te Tema e tij
online që “kohët e fundit qëndronte deri në mesnatë me Olldashin”.
Një injorim thuajse publik
Problemi që kishte nisur të diskutohej fare
hapur javët e fundit në tryeza mes grupimit “Olldashi” quhej Lulzim Basha dhe
sjellja e tij. Të mërkurën, ditën që Olldashi humbi jetën, një bashkëpunëtor i
tij e sqaroi thuajse qartësisht këtë problem gjatë një bisede të regjistruar:
“Natyrisht që Ridvan Bodes, Jozefina Topallit,
Astrit Patozit por jo vetëm këtyre u ka ardhur në majë të hundës. Lulëzim Basha
përveçse ka një varësi prej fëmije ndaj Berishës për çdo veprim, nga ana tjetër
mban rreth vetes një tufë çunakësh. Shikojeni vetë në takimet që bën tek SHQUP,
janë aty fotot publike, shikojini njerëzit që ka në krahë Basha se cilët janë,
totalisht pa ndikim totalisht të paaftë për të këshilluar në mënyrë të pjekur
kryetarin dhe totalisht pa eksperiencë
dhe të katapultuar. Përveç kësaj, Basha në mënyrë demonstrative ka shmangur nga
dijenia apo konsultimi për çështje të një rëndësie të dorës së parë, si
zgjedhjet në Korçë, armët kimike, apo dhe të tjera çështje, të gjithë figurat e
PD-së në dekadën e fundit. Kjo sjell medoemos një solidaritet më të madh të
këtyre figurave drejt Sokolit, pasi punët e partisë kanë ngel tek disa çunakë
që nuk kanë asnjë produkt”, – tha të mërkurën një prej njerëzve më të afërt të
Olldashit.
Dilemat e një procesi
Një
tjetër problem i Olldashianëve ishte fakti se nuk kishin ende asnjë
njoftim apo projekt të detajuar nga kryesia apo kryetari i Partisë për
zgjedhjet që do të nisin në të gjithë Shqipërinë për strukturat e PD-së.
Dilemat ishin të mëdha, u tejkalua statuti i PD-së për zgjedhjen e kryetarit
duke aplikuar në mënyrë jo-statutore strategjinë “një anëtar një votë”. A do të
ndodhte kjo edhe në rastin e zgjedhjes së strukturave? “Si rregull janë
kryetarët e degëve, ekzistues që duhet të kryejnë organizimin e këtij procesi
të rëndësishëm. Kjo do ishte statutore dhe konform rregullave të lojës që kemi
këtu në PD. Mirëpo në zgjedhjet e 23 Qershorit PD-ja humbi rëndshëm, përveç
Kukësit, ndaj dhe një “qarkore” e Lulzim Bashës po përflitet për zëvendësimin e
këtyre kryetarëve të degëve me ‘kryetarë dege të deleguar nga Basha”, çka do të
shtonte kontrollin e Bashës mbi këto zgjedhje dhe do na hiqte neve shumë
garanci, pasi me siguri Basha do mund të emërojë kryetarë degësh nga ata që di
ai, ose çunak ithtarë të tij, ose ndonjë që ja sugjeron Doktori”, i tha javën e
kaluar DITA-s një nga figurat më të spikatura të grupit Olldashi, duke shtuar
meraku nga një qarkore e tillë nuk ishte dhe aq pa vend, sepse kishin
informacione se një gjë e tillë po planifikohej nga Basha.
Grupi i Olldashit dhe Doktori
Sipas personave më aktivë brenda grupit të
Olldashit, distanca dhe ftohja mes grupimeve në PD justifikonte me doemos që
Olldashianët të bënin plane për të ardhmen, ku nuk përjashtohej as marrja e
masave për një shkëputje në rast se përjashtimi ose nxjerrje jashtë loje në
garën e Dhjetorit. “Nëse do të ketë probleme dhe në zgjedhjet me strukturat
njësoj si me garën për kryetar, ky do jetë me siguri një problem shumë serioz
në marrëdhëniet brenda Partisë Demokratike, por nuk mendoj se Olldashi do të
nxitohet duke krijuar ndonjë projekt të ri apo duke u shkëputur nga partia.
Olldashi është i qartë në këtë pikë. Por ama ai vërtetë nuk do të shkëputet por
nëse precedenti përsëritet, denoncimi me forcë i këtij precedenti do të jetë
shumëfish i asaj që u denoncua në zgjedhjet për kryetar, pra fraksioni do të
dalë hapur, nuk mund të bëhen krahasime me LMN-në pasi LMN-ja ishte një
fraksion në hijen e ish-kryetarit Nano. I vetmi avantazh është që fraksioni ka
Sokol Olldashin në krye që mendon më mirë politikisht se Lulëzim Basha sepse
vjen nga shkolla e “egër e Berishës”, por di të kundërshtojë Berishën deri në
atë cak sa Berisha të mos ketë alibi për t’i shpallur armiq të partisë”, – tha
në një bisedë të regjistruar bashkëpunëtori i ngushtë i Olldashit javën e
kaluar.
Madje më tej ai shtoi se nëse do të ketë
ndonjë paralajmërim për shkëputje nga PD-ja kjo mund të vijë vetëm pas
zgjedhjeve lokale. “Të gjitha të dhënat sugjerojnë se PD-ja do i humbë këto
zgjedhje. Deri atëherë shumë gjëra mund të jenë në proces, pasi ka të dhëna se
dhe 5 deputetë të tjerë të PD-së do kalojnë në kampin e maxhorancës, por dhe
partitë në koalicion me ne mund të bëjnë hapa të mëtejshëm. Janë të gjithë
faktorë që ndikojnë. Nuk do habitesha që pas një humbje të thellë në këto
zgjedhje, Berisha të aplikonte skemën “Berlusconi” dhe të zëvendësonte Lulzim
Bashën si kryetar. Kjo lëvizje e tij mund të inkurajohej dhe nga kampi jonë në
momentin e parë”, – konfirmoi papritur i njëjti burim gjatë bisedës së
zhvilluar disa ditë më parë.
*
* *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!