Mario Gëce vjen nga stoli dhe shënon gol, duke
thyer murin e pakalueshëm argjentinas për 112 minuta lojë. Gjermania fiton
Botërorin e katërt në historinë e vet, ndërkohë që milionat e tifozëve e saj
anekënd botës, kanë shpërthyer. Bashkë me to edhe kancelarja Merkel, e
pranishme në stadium.
“Countdown” i fillimit të finaleve të Kupës së
Botës shkoi kësisoji drejt fundit të tij. Beteja vendimtare u zhvillua në
agonizëm të plotë në “Maracana”, në Rio de Zhaneiro, ku festa filluar me
ceremoninë përkatëse tri orë përpara se kryesori Nikola Rizoli t’i frynte
bilbilit për fillimin e pëplasjes titanike, Argjentinë-Gjermani, e mbyllur me
fitoren minimale të kësaj të fundit. Kombi i Lionel Mesit, krejt në hije në
këtë ballafaqim, dështoi të fitonte titullin e tretë (dy i ka fituar më 1978
dhe 1986), ndërsa “pancerat” gjermanë ngritën në duar titullin e katërt
botëror, pas atyre të arkivuar më 1954, 1974 dhe 1990
GJERMANI-ARGJENTINE 1:0
Golat: Gotze 112′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng,
B.Höwedes, M.Hummels, B.Schweinsteiger, M.Özil, C.Kramer (A.Schürrle 30′),
T.Kroos, M.Klose, T.Müller. Trajner: J.Loev
ARGJENTINA: S.Romero, M.Demichelis,
P.Zabaleta, E.Garay, M.Rojo, J.Mascherano, L.Biglia, E.Pérez (F.Gago 86′),
L.Messi, G.Higuaín (R.Palasio 78′), E.Lavezzi (S.Aguero 46′). Trajner:
A.Sabella
Gjyqtare: N.Rizzoli, R.Faverani, A.Stefani
Kartonë të verdhë: Shvajnshtaiger 29′, Höwedes
34′ / Maskerano 64′, Aguero 65′
Pjesa e parë:
Me një lëvizje surprizë në momentin e fundit,
që ka ndryshuar edhe formacionin e publikuar zyrtar, e ka nisur ndeshjen
Gjermania. Nuk luan prej fillimit Khedira, por Kramer. Pjesa tjetër e skuadrës
së “pancerave” është e njëjta me atë që triumfoi në gjysmëfinale ndaj Brazilit.
Po ashtu, pa asnjë ndryshim paraqitet edhe
Argjentina, teksa Di Maria i dëmtuar qëndron në stol. Loja është e zjarrtë që
në fillim. Gjermanët përpiqen të vendosin diktatin që në start, teksa e nisin
me një goditje dënimi në pozicion të favorshëm në minutën e 2-të. Ekzekutim i
dobët. Kundërpërgjigjen me një kundërsulm të shpejtë “albiceleste”, që
finalizohet jo saktë nga Higuain. Topi kalon pak jashtë portës së Nojerit.
Skuadra e Lëvit është e vendosur thuajse në gjysmëfushën e kundërshtarit, ku
vija e saj mbrojtëse është dukshëm e spostuar përpara.
Eshtë e qartë: përmes
presionit gati asfiksues, gjermanët duan ta zhbllokojnë sa më shpejt rezultatin
e ndeshjes dh eta fusin kundërshtarin në ngërc psikologjik. Argjentina është e
detyruar dhe orientuar të mbrohet, por pa harruar të kundërsulmojë. Kështu bën Mesi
në minutën e 9-të, kur merr krahun e djathtë të sulmit të të tijve dhe futet në zonën gjermane, pason paksa pas te pika e
penalltisë, por shokët e skuadrës nuk e mbështesin. Mbetet në sulm skuadra e
Sabejës, që pak e nga pak mendon të dalë nga llogorja në prapavijë, më forca të
shumta. Me pak pasime të sakta, argjentinasit dalin mjaft rrezikshëm para
portës së Nojerit.
Shvajnshtaiger nuk i ndahet kurrkund Mesit, duke qenë një
roje personale e yllit të Barcelonës, përvec mbrojtjes zonale që ushtrojnë
gjermanët ndaj tij. Numri 10 i Argjentinës duket shumë i tendosur, ndryshe nga
sfidat pararendëse në këtë Botëror, kur ka lëvizur pak. Eshtë ndeshja e jetës
për të, ndaj i shkarkon të gjitha bateritë, ashtu si shokët e tjerë të skuadrës.
Interesant është edhe dueli Tomas Myler-Rojo.
I pabesueshëm momenti i Higuainit
në minutën e 21-të, kur merr një asist nga mbrojtja gjermane, që bën gafë në
këtë moment. Sulmuesi i Napolit është i vetëm me Nojerin, por e dërgon topin në
mënyrë të pabesueshme dhe amatoreske, jashtë kudratit. Rast i artë për
Argjentinën, foshnjarak mënyra e veprimit dhe finalizimit të Higuain. Në
minutën e 27-të Lahm fut një top pas krahëve të mbrojtjes argjentinase për të
Myler, por ky i fundit zihet në pozicion jashtë loje. Kundërpërgjigjet
Argjentina, por Lavezi pengohet në mënyrë të parregullt. Kartoni i parë i
verdhë i ndeshjes shkon për Shvajnin, në minutën e 29-të. Një minutë më pas
Higuain shënon në portën e Nojerit, por anësori anulon gjithcka për pozicion
jashtë loje. Përmes kundërsulmit, amerikano-jugorët janë tepër të rrezikshëm, e
bëjnë të vuajë mbrojtjen gjermane. Kramer dëmtohet dhe zëvendësohet në minutën
e 30-të me Shyrlen. Höwedes merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 34-t,
pas një ndërhyrjeje të egër ndaj kundërshtarit. Duket disi e tensionuar
Gjermania pas minutës së 30-të, kur u detyrua të bëjë një zëvendësim të
detyruar. Kanë parë rreziqe tepër të mëdha në portën e tyre, por edhe mbrojtja
e “pancerave” luan shumë hapur. Ajo cahet nga Laveci dhe Higuain disa herë, por
lojtarët argjentinas gabojnë në momentin final, për të realizuar. Shyrle teston
gadishmërinë e portierit Romero me një goditje ballore, edhe pse më parë është
zënë në pozicion jashtë loje. Tjetër mundësi e artë e Argjentinës në minutën e
40-të, por fati nuk është me ta. Shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme të
besuarit e Sabejës, që kanë marrë lojën në dorë tashmë dhe përmes driblimesh
individuale arrijnë ta corientojnë e nervozojnë kundërshtarin. Pjesa e parë
mbyllet me një shtyllë të Hëvedes, por anësori ka sinjalizuar pozicion jashtë
loje më parë. Betejë e vërtetë, sulme e kundërsulme, raste të pastra për
shënim, por gol nuk ka në 45 minutat e para.
Pjesa e dytë:
Neuer & Higuain
Nojer
korrigjon gabimet e prapavijës së të tijve me daljet e guximshme, sikurse bën
në minutën e 57-të ndaj Higuainit, që e përplas përtokë, në një mënyrë shumë të
rrezikshme. Argjentinasit kontestojnë arbitrin italian, i cili nuk jep asgjë,
por vazhdon lojën. Klose kryen goditjen e parë në portën e Romeros për pjesën e
dytë në minutën e 60-të, por pa ndonjë rrezik për portën kundërshtare.
Iniciativën e kanë sërish “pancerat”, por nuk kanë atë befasinë dhe grintën e
ndeshjeve të kaluara.
P.S. Shiko videon
Duket njëfarë lodhje fizike te skuadra e Lëvit, edhe
tension e ngarkesë e madhe psikologjike, por meritë ka po ashtu kundërshtari,
mjaft mirë i vendosur në fushë taktikisht. Shyrles i del një rast ideal pas karombolit të topit
mes mbrojtësve argjentinas, por lojtari gjerman nuk finalizon dot. I shpejtë në
ndërhyrje portieri Romero. Sabeja bën zëvendësimin e dytë në minutën e 78-të.
Ndërrim kokë për kokë në sulm, Higuain-Palasio. Argjentina tenton të
shfrytëzojë shpejtësinë e sulmuesit të Interit në minutat e mbetura për ta
fituar ndeshjen me “fotofinish”. Rrit ritmin edhe Gjermania, që me Toni Kros i
afrohet golit nëntë minuta para mbarimit të kohës së rregullt. “Albicelestët”
kryejnë edh zëvendsimin e tretë në kohën e rregullt, pak minuta nga fundi. Gago
zë vendin e Perez. Edhe Klose lë ndeshjen pa mbaruar koha e rregullt, teksa Lëv
beson te talenti Gëce në kohën shtesë. Kjo, pasi koha e rregullt nuk nxjerr dot
në dritë golin e shumëdëshiruar.
Koha shtesë:
Goal & Highlight germany vs Argentina 2014
- video amatore -
Intervista dhe Libri i Artë i FIFA
Johachim Low:
E merituam, tani u bëmë të pavdekshëm
Projekti i nisur në 2006-n e mori fryt in e
tij me kurorëzimin kampion bote 8 vite më pas. Si mund të ndihet Joakim Lëv,
përveçse krenar për përmbushjen e një ëndrre 24-vjeçare, aq vite sa gjigantët
nuk preknin arin e Kupës së Botës.
Finale dramatike, ndoshta nuk e kishit
parashikuar kaq të mundimshme?
Jo aspak. Ne e kishim parashikuar të tillë. E
kishim të qartë që nga fillimi se Argjentina do të na i mobilizonte lojtarët në
maksimum dhe na dërgoi përtej limiteve tona. Por dhamë gjithçka për të
përjetuar këtë emocion.
E kujt është merita për fitoren e Gjermanisë?
Kjo skuadër ka nisur të ndërtohet 10 vite më
parë me Jurgen Klinsmanin. Ne vazhduam punën për të arritur deri në këtë ditë.
Dhamë gjithçka dhe askush nuk e ka merituar këtë kupë më shumë se ne. Kemi bërë
kaq shumë progres dhe kemi mësuar nga gabimet tona. I mësuam leksionet dhe tani
morëm atë që meritonim të merrnim.
Por ishte fitorja e trajnerit, golin e fitores
e shënoi një lojtar që hyri nga stoli?
Nëse doni ta thoni këtë OK, edhe unë kam
meritën time. Kisha ndjesinë se Gëce do vendoste finalen. Ai është një lojtar
vendimtar në momente të veçanta.
Sa i rëndësishëm është fitimi i këtij trofeu
në “Marakana”, në shtëpinë e Brazilit?
Një europiane nuk kishte fituar kurrë në këtë
kontinent. Kjo që bëmë ne, na bën të pavdekshëm. Është skuadra e parë nga
kontinenti ynë që triumfon në tokën latine. U shpallëm kampionë bote në tokën e
Brazilit, në tokën e futbollit.
Është folur shumë për revolucionin e stilit të
ri të lojës së kësaj kombëtareje dhe shumë e vunë në dyshim nëse kjo ishte
rruga e duhur për të sjellë suksesin…
Është e kotë të bëjmë edhe pyetjen e së
ardhmes, por në fund duhet bërë edhe ajo: a do të jetë vazhdojë Lëv të jetë
trajneri i Gjermanisë?
Unë kam një kontratë. Kjo skuadër ka një të
ardhme. Humels, Rojs dhe Gëce janë të rinj dhe kanë një të ardhme të ndritur
përpara.
Mario Gotze (Gëce):
M’u deshën disa sekonda për të kuptuar çfarë bëra
U transferua te Bajerni i Mynihut me shumë
bujë, por ndërkohë nuk kaloi një sezon të parë të lehtë. Por, sikur të mos
mjaftonte kjo, edhe Botërori i tij nisi në malore, sepse pas ndeshjeve të para
si titullar e pa veten në errësirën e pankinës. Gjithsesi, talenti i tij
shkëlqeu atëherë kur duhej, në ndeshjen më të vështirë të Gjermanisë, në
ndeshjen më të rëndësishme të kësaj përfaqësueseje prej gati një çerekshekulli
dhe Mario Gëce nuk lë pa kujtuar asnjë detaj. “Ky ka qenë një sezon i vështirë,
i mbushur me dyshime dhe me jo pak kritika, por unë gjithmonë kam punuar, kam
luftuar dhe jam i lumtur që sot jam pjesë e kësaj kombëtareje që e meritoi
Kupën e Botës”.
Gëce, çfarë ndien kur shënon një gol kaq të
rëndësishëm?
Të them të drejtën, as tani nuk di t’ua
shpjegoj. Në fushë realizova dhe m’u deshën disa sekonda për të kuptuar se
çfarë kisha arritur të bëja. Nuk di të them se çfarë emocioni të kalon në trup,
nuk ka një shpjegim për këtë…
Është e vërtetë që Klose ju tha në vesh se do
ta vendosje ti sfidën?
Me këtë gol iu përgjigjët fort dikujt
që nuk besoi shumë te ty në këtë fillim sezoni?
Ky ka qenë një vit me ulje-ngritje, por unë
kam qenë gjithmonë i gatshëm, asnjëherë nuk është dorëzuar. E kuptoj që duke
parë investimin e madh që mund të jetë bërë tek unë, dikush pret magjira, por
unë jam një individ, nuk mund të bëj gjithçka vetë. Gjithsesi, mendoj se me
këtë gol besoj se e kam shpërblyer besimin e të gjithëve, ndonëse forca e madhe
e kësaj skuadre është ky grup kampionësh, mbi të cilin ne të rinjtë mund të
rritemi të sigurt dhe pa frikë. Jemi kampionë bote, por unë nuk e besoj ende që
e vendosa unë këtë takim.
Miroslav Klose:
I thashë Gëces, ti do të na
japësh kupën!
“Një herë i dyti në 2002-in dhe dy herë i
treti 2006 dhe 2010. U realizua një ëndërr”. Këto janë fjalët e tashmë
zyrtarisht një legjende te Gjermania, Miroslav Klose. Golashënuesi më i mirë në
historinë e Botërorit (me 16 gola) theu disa rekorde të tjera mbrëmë, njëri
prej të cilëve i Pelesë: 4396 ditë kishin kaluar nga finalja e fundit e Kloses
2002 dhe kësaj të 2014-ës, 21 ditë më gjatë se rekordi që e mbante Peleja 1958
& 1970. “Në momentin e zëvendësimit i thashë Gëces. Ti do të na e japësh
këtë kupë! E ardhmja? Do të fle disa ditë gjumë për t’u qetësuar dhe pastaj do
të vendos”, përfundoi 36-vjeçari. Sulmuesi parakaloi Maldinin me 23 prezenca në
Botëror dhe tani është vetëm 1 ndeshje larg rekordit të Mateusit.
Philip Lahm:
Na provokuan, triumfi për ekipin që
sakrifikoi.
Filip Lahm është përfaqësuesi i denjë i një
gjenerate të artë të kësaj Gjermanie. Ai, së bashku me Shvajnin dhe Klosen,
mbajtën peshën kryesore jo vetëm në aspektin atletik dhe futbollistik, por edhe
në atë psikologjik. Në një Gjermani që hera-herës ishte e ngurtë dhe e
pasigurt, kapiteni dhuronte gjithnjë frymëmarrje dhe qetësi. “Ishte një fitore
e merituar. Tentuan të na provokonin, por ne nuk ramë pre e tentativave të tyre
që në disa raste i kaluan limitet sportive”, u shpreh Lahm pas ndeshjes, vetëm
pak çaste para se të ngrinte Kupën e Botës.
Lahm, kujt ia dedikoni këtë triumf historik?
Ua dedikoj të gjithë atyre që luftuan me mish
e me shpirt për të arritur këtu. Ua dedikoj të gjithë gjermanëve.
A mendoni se Gjermania vuajti më shumë sesa
duhej në këtë ndeshje?
Nuk mund të fitojmë çdo ndeshje 5-0 që në 30
minutat e para… bëmë gjithçka mundëm përballë një kundërshtari shumë agresiv
dhe që mbrohej heraherës me 9 ose 10 lojtarë.
Si do ta përkufizonit këtë arritje?
E mrekullueshme, e pabesueshme. Prej muajsh
mendoja për këtë trofe dhe tani që e kemi fituar, më duket e pabesueshme.
Pse vuajti kaq shumë Gjermania?
Sepse ishte një finale e Kupës së Botës dhe
dihet që në të tilla ndeshje nuk mund të fitosh asnjëherë me lehtësi. Ne e
donim trofeun po aq sa edhe Argjentina, edhe pse në disa gjëra ne ndryshojmë
plotësisht sa i përket sjelljes në fushë.
E keni fjalën për provokimet e kundërshtarëve
në fushë?
Manuel Neuer :
Ja si grushtova… Higuainin
Pa dorashkat e arta të Manuel Nojerit,
Gjermania nuk do arrinte këtë rezultat historik. Portieri gjerman ka qenë
shumëfunksional në fushë kur në këto 7 finale ka sakrifikuar dhe rrezikuar
jashtëzakonisht. Me reflekset dhe eksperiencën e tij, gardiani bavarez ka bërë që
të mbajë portën të blinduar dhe mos lejuar të prekin rrjetat Mesi & Co.
Falë zgjuarsisë dhe performancës së jashtëzakonshme është vlerësuar edhe
portieri më i mirë i turneut duke shkurorëzuar Iker Kasijasin. Pas triumfit
ndaj Argjentinës në finalen e 8-të, Manuel Nojer ka falënderuar sakrificën e
shokëve të tij dhe ia ka dedikuar trofeun lojtarëve që munguan në këtë Botëror
fantastik.
Nojer, urime për çmimin! Si ndiheni?
Nuk di si ta përshkruaj! Më dridhet zëri dhe
trupi nga emocionet e këtij triumfi. Jam krenar për këtë çmim. Jam përpjekur të
ndihmoj skuadrën, më e rëndësishmja është kupa. Realizuam një ëndërr.
Gjermania ia doli. Sa e vështirë ishte për ju?
Është e pabesueshme! Bashkimi bëri fuqinë në
këtë Botëror. Secili donte ta fitonte këtë kupë. Kemi besuar te ky fund i
gëzuar dhe tani vështirësitë harrohen. Vështirësia më e madhe ishin këto 120
minuta.
Kujt ia dedikoni këtë triumf?
Ne kemi qenë altruistë dhe egoistë për këtë
kupë, por nuk duhet të harrojmë ata që nuk mundën të ndodheshin këtu me ne, si
binjakët Bender dhe Marko Rojs. Kjo kupë është edhe për ta. Të gjithë gjermanët
ndihen sot kampionë, sepse janë ata që na kanë besuar dhe mbështetur në çdo
sekondë në Brazil .
A mund të na tregoni si u ndiet pas grushtimit
të topit sipër Higuainit dhe rastit të Palasios?
U përpoqa të qetësoja sa më shumë lojtarët.
Kujdesi ishte në maksimum dhe e pashë që ata ndiheshin edhe më të sigurt kur
unë u jepja kurajë. Atë kërcim ndaj Higuainit më duhej ta bëja, në të kundërt
nuk e di ç’do ndodhte. Skena të tilla më takojnë mua t’i zgjidh. Ndërsa
Palasios ia zura rrezen. Nuk mund të ndëshkohesha në atë situatë aq të shpejtë.
Bastian Shvajnshtaiger
"Gladiatori” i Gjermanisë, Bastian Shvajnshtaiger , ia
dedikon Uli Hënesit triumfin e djeshëm. Ish-presidenti i Bajernit të Mynihut
është duke vuajtur dënimin me burg për shkak të evazionit fiskal, por Shvajni
mendon se pa atë njeri Gjermania nuk do të kishte mundur të triumfonte, duke
lënë të kuptohet se baza e kombëtares mbetet Bajerni dhe se kjo skuadër është
një “krijesë” e Uli Hënesit.
Shvajni, kujt ia dedikoni këtë triumf?
Ia dedikoj Uli Hënesit dhe të gjithë Mynihut.
Pse Uli Hënesit?
Sepse pa atë njeri, unë dhe ndoshta edhe
Gjermania nuk do të ishte këtu ku është sot. Falenderoj gjithashtu edhe
familjen time.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Uli Hënes ka bërë shumë për mua, për futbollin
gjerman. Ia dedikoj atij! Ia dedikoj edhe shokëve që qendruan në stol, sepse
diferenca erdhi edhe prej tyre.
A e kishit menduar kaq të vështirë finalen?
Jo, ndoshta… Nuk e di. Nuk di ta them tamam,
por di t’ju them me siguri se unë s’do të dorëzohesha edhe sikur kjo ndeshje të
riluhej nga e para. Ishte ndeshja jonë, unë e ndieja këtë.
Si e keni plagën?
Mjekët thanë që nuk është edhe aq keq. Mund të
mbijetoj… (qesh).
A është kjo arritja më e madhe për ju?
Pa diskutim që po. Po !
Të gjithë e kanë ëndërr të shpallen kampionë të botës.
Mats Humels:
Kupa s’fitohet vetëm, por si grup
Qendërmbrojtësi Mats Humels ua bën të qartë
edhe një herë kolegëve se kampion bote nuk shpallesh dot i vetëm, por si
skuadër. “Nisëm një aventurë në një botë tjetër ku mundëm të sfidonim dhe
fitonim çdo duel. Patëm probleme me dëmtimet dhe sërish trajneri bëri lëvizjet
e duhura. Dikush shpallet kampion vetëm kur luan i bashkuar si skuadër dhe jo
duke qenë egoist. Neve ia bëmë të qartë botës gjatë gjithë kohës dhe në fund u
vendos drejtësia. E kam mësuar që një finale fitohet edhe me pak fat. Ishte një
lojë mjaft e hapur dhe fati qe me ne”, deklaroi Mats Humels, i cili shënoi dy
gola në këtë Botëror.
Per Mertesaker:
Gëcen do ta kenë zili të gjithë
Mbrojtësi i kombëtares gjermane, Per
Mertesaker, është shfaqur tepër i lumtur pas suksesit të djeshëm në finale
kundër Argjentinës. Në një prononcim për mediat, lojtari i Arsenalit u shpreh:
“Është nata më e bukur e jetës sime. Nuk do t’i harroj kurrë këto emocione. Besoj
se morëm një sukses të merituar, për gjithçka kemi treguar gjatë të gjithë
Botërorit dhe për ndeshjen e sotme (djeshme). Gëce? E kam zili, pasi shënoi një
gol që do ta kishin zili të gjithë. Është e pabesueshme të futesh në një finale
dhe të vendosësh takimin. Tani dua të shikoj këtë trofe. Jemi krenarë që i kemi
dhuruar një gëzim të madh të gjithë popullit gjerman!”.
Shkodran Mustafi, shqiptari i parë kampion
bote
Në festën e Gjermanisë ka gëzim edhe për një
shqiptar. Shkodran Mustafi bëhet shqiptari i parë që ka fituar një kampionat
botëror. Qendërmbrojtësi nuk luajti në duelin me Argjentinën në finale, pasi
ishte i lënduar, por medalja e artë i takon edhe atij. Në të kaluarën, medalje
të bronztë kishte fituar Ardian Kozniku me Kroacinë, edhe pse nuk kishte
luajtur asnjë minutë. Futbollisti i Sampdorias është kërkuar me insistim edhe
nga tekniku i Shqipërisë, Xhani De Biazi, por preferoi të vishte fanellën e
“pancerave”. Lojtari ka luajtur tri takime në Kupën e Botës, përfshirë edhe atë
kundër Algjerisë, ku pësoi dëmtimin që e la jashtë deri në finale. Historia e
mbrojtësit me kombësi shqiptare është deri diku interesante, sepse thirrja e
tij në Botëror erdhi si pasojë e dëmtimit të yllit të kombëtares gjermane,
Marko Rois, dhe grumbullimi i shqiptarit nga Lëv u pa si një lëvizje pak e
zgjuar, por që më pas rezultoi krejt e kundërta.
Kramer pësoi goditje cerebrale
Një ndërhyrje e dhunshme e Lavecit, por e
pavullnetshme në pjesën e parë ndaj Kristof Kramerit, i dha goditjen e dytë
Joakim Lëvit pas tërheqjes muskulore që pësoi Sami Khedira në nxehmje. Trajneri
nuk kishte më një mesfushor shkatërrues në fushë dhe Shvajni ndjeu mungesën e
tyre, duke u bërë pre e goditjeve të ashpra të argjentinasve. Kristof Kramer
pësoi një goditje cerebrale dhe nuk mundi ta vazhdonte dot më lojën, duke ia
lënë vendin Shyrrles. “Ishte një goditje e rëndë, por jam mirë. Nuk e mbaj mend
se çfarë ndodhi. Për disa sekonda harrova gjithçka”, – tha me humor mesfushori
i talentuar i Borusia Mynshegladbahut.
Franz Bekenbauer:
Diferencën e bëri dita e
pushimit e gjermanëve
Franc Bekenbauer e kishte parashikuar fitoren
e Gjermanisë me rezultatin 2-0, por është gjithsesi i kënaqur me triumfin e “pancerave”.
“Ishte një ndeshje që doli jashtë parashikimeve, sepse Argjentina rezistoi më
shumë se sa duhet. Por nuk ishte ky problemi, pasi ndodhi ajo që unë i druhesha
më shumë se çdo gjë tjetër: tensioni i tepruar. Kjo na bëri të rrezikonim shumë
dhe mendoj se Argjentina mund të na kishte shënuar, nëse edhe lojtarët e saj
nuk do të ishin po aq të tensionuar sa tanët”, deklaroi “Kajzeri” pas ndeshjes.
Më tej ai tha se diferencën në një ndeshje si ajo e djeshmja e bëri edhe
freskia fizike. “Isha i bindur se kur të shkonim në kohën shtesë Gjermania do
të luante akoma më mirë. Arsyeja? Ishin shumë më të freskët se Argjentina.
Kishin pasur më shumë se një ditë pushimi avancë, çka nuk është pak për ndeshje
të niveleve të tilla. Gjithsesi jam i impresionuar nga rezistenca fizike e
argjentinasve dhe disiplina taktike. Duhet t’ua njohim meritat, sepse edhe ata
luajtën ndeshjen e jetës”, u shpreh Bekenbauer pas finales.
Alehandro Sabeja:
Sa shumë gabuam!
Trajneri Alehandro Sabeja do të kishte dashur
që të jepte një tjetër konferencë për shtyp, një më të lumtur sesa ajo e
djeshmja. 59-vjeçari nuk kërkon që ta humbë qetësinë që e karakterizon, nuk
kërkon të shtojë edhe më shumë dhimbjen, pasi ai e di mirë se, nëse Higuain,
Mesi dhe Palasio do të kishin dërguar në portë të paktën një prej atyre tre
rasteve flagrante për gol, atëherë festa mund të kishte pasur ngjyra të tjera:
“Jam pafundësisht i dëshpëruar, për faktin se nuk mundën ta fitonim këtë sfidë,
por në të njëjtën kohë dua të ndihem krenar për këta futbollistë. Kundër një
superfuqie futbolli si Gjermania bëmë një ndeshje gati perfekte, madhështore,
nëse analizojmë sesi e zotëruam atë për 120 minuta. Por fatkeqësisht, përballë
këtyre skuadrave duhet të shënosh, nuk mjafton vetëm t’i trembësh me tre, mbase
katër raste të pastra për gol që mund të na vlenin një kupë bote. Gjithsesi, i
tillë është futbolli dhe s’besoj se këtë impenjim tonin populli dhe tifozët
tanë do të na e mohojnë. Kemi bërë një udhëtim fantastik, duke luftuar vetëm
kundër të gjithëve që nga dita e parë, por në këtë finale të madhe na mungoi
ajo pak saktësi që mund të kishte bërë diferencën, – nënvizon i dëshpëruar
Alehandro Sabeja. – Gjatë gjithë kohës jemi vetëm kritikuar, madje më shumë nga
ato figura që kanë edhe kombësinë tonë, por në fund e meritojmë të gjithë një
duartrokitje të madhe. S’e kemi nisur me hapin e duhur këtë Botëror, sepse të
gjitha skuadrat ndaj nesh mendonin vetëm të mbroheshin, por ekipi vetëm rritej
dhe përmirësohej ndeshje pas ndeshjeje, ndonëse më vjen të ulërij që në këtë
finale na mungoi ai gramë fati më shumë për të fituar dhe më vjen shumë keq. E
ardhmja ime? Nuk mendoj se ky është momenti për të folur për kontrata apo për
gjëra të tilla. Dua të qëndroj me lojtarët e mi, t’u flas dhe t’i përgëzoj ata,
sepse e meritojnë!”.
Havier Maskerano:
Ky trishtim do na përndjekë gjithë
jetën
Havier Maskerano ka qenë një nga luftëtarët e
Argjentinës që dha gjithçka në fushë, ndonëse nuk mundi që të ngrinte trofeun
dhe të lumturonte kombin e tij. Mesfushori shprehet se është e dhimbshme që në
fund të shikosh kundërshtarët të shpallen më të mirët në botë, hidhërim që do
ta shoqërojë atë gjatë gjithë jetës. “Për fat të keq kjo dhimbje do të na
përndjekë sa të jemi gjallë, sepse kishim një mundësi të artë për të fituar
Kupën e Botës. Është shumë e vështirë për t’u shpjeguar kjo humbje, duke qenë
se e pësuam atë gol në fund. Ne dhamë gjithçka që të fitonim. Kishim shanset më
të mira deri sa mundësitë fizike na e lejonim këtë gjë”, u shpreh futbollisti
“albiçelest”. Maskerano trishtohet edhe për tifozët e jashtëzakonshëm, të cilët
e kishin ëndërr këtë trofe. “Po vuajmë shumë,
sepse mund të ishim ne ata që do ta ngrinim Kupën e Botës, por në fushë dhamë
gjithçka nga vetja jonë. Ndihemi të gjithë shumë të zbrazur, treguam në fushë
atë që mund të bënim dhe na ka trishtuar të gjithëve kjo humbje. Sidomos për të
gjithë ata argjentinas që ndodheshin këtu në Brazil , si dhe për popullin në
atdhe”, vazhdoi mesfushori.
Mesazhi - Pavarësisht humbjes së rëndë,
Maskerano ka një mesazh për miqtë dhe të gjithë argjentinasit. “Ky është
futbolli! Ne duhet që ta ngremë kokën lart dhe ta durojmë këtë dhimbje”. Në
fund, futbollisti i Barcelonës vuri në dukje se ky takim u mbyll nga shokët e
ekipit me ndjesinë se ata bënë më të mirën ndaj Gjermanisë. “Kjo është ajo që ne
dhamë në fushë, ishte gjithçka që mund të bënim. Kundërshtarët tanë patën një
mundësi që e shfrytëzuan dhe na ndëshkuan. Ata ishin të vendosur mirë dhe
luajtën me kujdes në mbrojtje. Megjithatë, unë jam krenar që bëj pjesë në një
ekip të tillë dhe për gjithçka kemi dhënë në këtë Botëror”, përfundoi lojtari
30-vjeçar, i cili në këtë kompeticion ishte një nga liderët e “albiçelesteve”.
Lionel Mesi:
Doja të ngrija vetëm kupën
Lionel Mesi u shfaq i dërmuar nga humbja e
pësuar në finale ndaj Gjermanisë. Kapiteni i Argjentinës s’e fshehu trishtimin
për këtë zhgënjim të madh, pasi kombëtarja e tij i kishte të gjitha shanset që
të shpallej më e mira në botë. “Më vjen shumë keq që nuk arritëm t’i kthenim në
gola rastet që kemi pasur gjatë lojës. Ishim
më të fortë. Meritonim më shumë në përfundim të përballjes dhe kjo më sjell më
shumë mërzi. Ekipi luajti mirë ndaj gjermanëve, por nuk arritëm ta përfundonim
me sukses misionin. Në përfundim përjetuam një mashtrim të madh të gjithë”, u
shpreh “Pleshti”. Mesi ka vlerësuar shpirtin luftarak të shokëve të ekipit në
fushë, ndërkohë që ka dhënë edhe një falënderim për të gjithë tifozët, të cilët
i kanë dhënë një ndihmë të madhe kombëtares me mbështetjen e tyre të
jashtëzakonshme. Ndërkohë, ai nuk e fsheh vuajtjen për mosrealizimin e ëndrrës.
“Doja vetëm që të ngrija Kupën e Botës. Sa keq!”.
Lukas Bilja
Mesfushori i përfaqësueses së
Argjentinës, Lukas Bilja, nuk arrin të gjejë dot ngushëllim pas humbjes në
finale kundër Gjermanisë. Mesfushori, i cili militon në radhët e klubit të Lacios,
është shfaqur tepër i zhgënjyer në përfundim të finales së “Marakana”-së, teksa
i është kërkuar të analizojë takimin: “Nuk arrijmë dot të gjejmë ngushëllim për
humbjen. Jemi shumë të zhgënjyer, më duket sikur gjithçka e mirë që kemi bërë
deri në këtë pikë është krejtësisht e pavlefshme”. Më pas Biglja ka vijuar të
thotë: “Mendoj se e meritonim më shumë ne se Gjermania këtë kupë, kjo për arsye
të asaj që treguam në fushë, por për fat të keq nuk arritëm dot t’i
konkretizonim me sukses rastet e shumta për gol. Në futboll, çdo gabim i vogël,
të kushton shumë dhe ne vuajtëm fatin e keq”.
“Pleshti” vjell sërish në fushë
Mund të jetë tensioni, ose ndoshta stresi i
finales. Leo Mesi vjell sërish në fushë. Ylli argjentinas, në një ndeshje mes
gabimesh dhe numrash klasi, pati edhe një herë tjetër një problem me stomakun.
Telekamerat e filmuan kapitenin argjentinas duke vjellë dhe kjo nuk është hera
e parë që ndodh gjatë një ndeshjeje. Problemet nisën këtë pranverë. Me
kombëtaren, hera e parë ndodhi gjatë miqësores midis Rumanisë e Argjentinës dhe
para se të udhëtonte për në Brazil ,
në testin kundër Sllovenisë. Por edhe me klubin e tij, Barcelonën, ndodhi që ai
të ndihej keq (para takimit ndaj Atletiko Bilbaos). Megjithatë, Mesi nuk është
kampioni i vetëm që përpara një ndeshjeje me rëndësi ndihet keq. Edhe Omar
Sivori, në kohën e tij, kishte shqetësime me të vjellat.
Hernan Krespo dhe Lamela
falënderojnë
kombëtaren
Ish-futbollisti i Kombëtares argjentinase,
Hernan Krespo, ka vlerësuar lojën e bërë nga ekipi në finale. “I falënderoj
këta djem. E kanë përfaqësuar kombin me shumë krenari. Në këtë takim më shumë
se kurrë. Luftuan fort
në fushë ndaj një
kundërshtari tepër të rrezikshëm dhe të disiplinuar. Arritën që të mbanin në
kontroll një ndeshje me të vërtetë të vështirë, për t’u ndëshkuar vetëm në
momentet e fundit”, u shpreh ish-sulmuesi i “albiçelesteve”. Edhe argjentinasi
tjetër, Erik Lamela që luan në Premier Ligë te Totenhemi, ka falënderuar
përfaqësuesen për paraqitjen që bëri në “Marakana”. “Një paraqitje, e cila merr
shumë vlerësim. Këta djem dhanë gjithçka në fushë dhe bënë një ndeshje për të
cilën duhet të jemi krenarë. Paraqitja e tyre duhet të vlerësohet. I falënderoj
për emocionet që na kanë dhuruar në këtë Botëror”, u shpreh futbollisti
22-vjeçar. Ndërkohë, blerja e re e Sitit, Uilli Kabajero nuk i kursen
vlerësimet për ekipin. “Nuk mund të ndihem veçse krenar për këta 23 lojtarë që
dhanë jetën në fushë. Sot, më shumë se kurrë, vlerësoj faktin që jam
argjentinas”, tha portieri.
Pas 84 vitesh, Gjermania triumfon në tokën
amerikane
Gjermania ka shkruar historinë në Kupën e
Botës, duke qenë e vetmja kombëtare që triumfon në një botëror të organizuar në
kontinentin amerikan. Pas 84 vitesh thyhet tersi në stadiumin epik të
“Marakana”- së, ku Gjermania fiton 1-0 falë golit të Gëces. Në vitin 1930 në
Uruguai, kur Gjermania nuk mori pjesë, triumfuan organizatorët. Në Botërorin
1950 në Brazil kishim një “seleçao” spektakolar, por ishte Uruguai që bëri
ligjin në metropolin brazilian. Në 1962-in në Kili, Brazili bëri diferencën,
duke mos lënë asnjë europian të dominonte në kontinentin e tyre. Pas triumfit
në “Suedi 1958″, Brazili bëri dopietë në Kili, duke treguar se në Amerikën e
Jugut fitonin të zotët e shtëpisë. Përveç Amerikës së Jugut, amerikano- jugorët
kanë triumfuar edhe në Meksikë. Në Botërorin 1970, të organizuar në Meksikë, ka
triumfuar jo një europian, por ka qenë sërish amerikano-jugor, Brazili.
Historia vazhdon të flasë për kombëtaret amerikane, kur forca fizike,
mentaliteti dhe regjimet karikonin në maksimum lojtarët, madje duke thyer
rregullat e dopingut. Në Botërorin 1978 ishte Argjentina organizatore dhe, në
fakt, qenë po ata që triumfuan duke e fituar me dhunë finalen. Në “Meksikë
1986″ Argjentina e Maradonës fitoi kupën e dytë në finalen ndaj Gjermanisë. Në
“SHBA 1994″ janë sërish latinët, por këtë herë Brazili. Në “Korenë e
Jugut-Japoni 2002″ europianët dështojnë sërish në finale, duke mos triumfuar
dot jashtë kontinentit. Në 2010-n ishte Spanja kombëtarja e parë që fitoi kupën
jashtë Europës, në Afrikën e Jugut, dhe Gjermania që triumfon në “Brazil
2014″.
Rodrigez, Mesi dhe Nojer, ja yjet e këtij
Botërori
Përpara ceremonisë së dorëzimit të Kupës së
Botës, FIFA nëpërmjet “sponsorit” të saj, një tjetër gjiganti gjerman si
“Adidas”-i ka dorëzuar dy trofetë individualë për portierin dhe lojtarin më të
mirë të këtij edicioni. Mbrojtësi më i mirë i shtyllave nuk mund të ishte
askush tjetër sivjet përveç Manuel Nojerit, një ikonë e rolit të tij që ka
treguar një siguri fantastike edhe jashtë kuadratit të portës dhe atij të zonës
së rreptësisë. Më shumë sesa kaq, Manuel Nojer nuk mund të priste nga një natë
finale, sepse teksa “Doreza e Artë” është një vlerësim individual, ai ka
shkruar emrin e tij mbi trofeun e Kupës së Botës, diçka që historia nuk do ta
harrojë kurrë. Por, ndërkohë, edhe Lionel Mesi nuk del pa një trofe nga finalja e djeshme. Ai
është vlerësuar si lojtari më i mirë i këtij Botërori, ndërsa sot do mësojë
edhe ata që e kanë pasur në renditjen finale të sponsorit “Adidas”. Gjithsesi,
as ky “Top i Artë” nuk i solli buzëqeshjen “pleshtit”. Ndërkohë, pas lotëve të
shumtë të shpenzuar ndaj Brazilit, ku mbase u eliminuan edhe pa e merituar,
Kolumbia dhe fantazisti i saj 22-vjeçar, Xhejms Rodrigez, mund të krenohen me
trofeun e skuadrës “fair-play” dhe golashënuesit më të mirë, pasi me 6
realizimet e tij ai la pas në renditje rivalë të frikshëm, si gjermanin Tomas
Myler dhe holandezin Robin van Persi, të ndalur në kuotën e 5 golave. Ndërsa
përsa i përket talentit më të mirë, i përzgjedhuri ishte francezi Pol Pogba.
Kupa e Botës kushton 115 mijë euro
Ka një lartësi prej 36.8 centimetrash, peshon
6 kilogramë e 175 gramë dhe ka një diametër në bazë prej 13 centimetrash. Edhe
pse këto shifra nuk bëjnë shumë bujë, pikërisht për këta numra u ndeshën për
një muaj me radhë Argjentina dhe Gjermania. Trofeu i Kupës së Botës mund të
duket modest kundrejt pagave që lojtarët përfitojnë, por për kuriozitetin e të
gjithëve zbulojmë disa detaje mbi të. Përveç përmasave të përmendura më lart,
vlera e tij reale është 114 mijë e 654 euro. Ky trofe, i skulpturuar 43 vite më
parë, konkretisht në vitin 1971 nga italiani Silvio Gaxaniga, zëvendësoi
trofeun e mëparshëm, “Zhyl Rime”, dhe ishin pikërisht gjermanët ata që e
mbajtën në duar për të parën herë, pas suksesit në 1974-n. E pagëzuar thjesht
si “FIFA World Cup”, 75 për qind e trofeut është flori i pastër 18 karatësh
(saktësisht 3 kilogramë e 675 gramë), ndërsa pjesa tjetër e tij përmban metale
të tjera dhe disa gurë gjysmë të çmuar me ngjyrë të gjelbër që e dekorojnë nga
jashtë. Natyrisht që asnjë prej kombëtareve nuk e prek këtë trofe apo e
përvetëson pas çdo fitoreje, por atyre u dorëzohet një kopje e larë në flori të
pastër. “FIFA World Cup” do të jetë në qarkullim deri në vitin 2038, pasi deri
në këtë vit ka hapësirë në të që të shkruhen emrat e fituesve.
LIBRI I ARTË
Brazil 2014
Fituesi: Gjermania
Afrikë J. 2010
Fituesi: Spanja
Gjermani 2006
Fituesi: Itali
Kore-Japoni 2002
Fituesi: Brazil
Francë 1998
Fituesi: Francë
SHBA 1994
Fituesi: Brazil
Itali 1990
Fituesi: Gjermani
Meksikë 1986
Fituesi: Argjentinë
Spanjë 1982
Fituesi: Itali
Argjentinë 1978
Fituesi: Argjentinë
Gjermani 1974
Fituesi: Gjermani P.
Meksikë 1970
Fituesi: Brazili
Angli 1966
Fituesi: Angli
Kili 1962
Fituesi: Brazili
Suedi 1958
Fituesi: Brazili
Zvicër 1954
Fituesi: Gjermani P.
Fituesi: Uruguai
Francë 1938
Fituesi: Itali
Itali 1934
Fituesi: Itali
Uruguai 1930
Fituesi: Uruguai
* * *
NRAST SE KA NOJ KOMTARE QI KA MERITU KUPEN E BOTS, NE MNYR TE PADISKUTUSHME KJO ASHT GJERMANIA 2014. TE TAN SPECJALISTAT ASNJIANS JAN UNANINISHT DAKORDUM. RR. K. SHKODER
ReplyDeleteQenke nje rrot k. ti o shkodran prej puke ...
ReplyDelete