Le të bëjmë që në
fillim një marrëveshje: me emërtimin Berishë le të kuptojmë jo vetëm njeriun që
mban emrin Sali Berisha, por gjithë atë që fshihet e struket pas tij; klanin e
familjes; ish-nomenklaturën e lartë të pushtetit, pra, të gjithë ata që, duke qenë
në pushtet e duke ikur nga pushteti, bënë një batërdi të vërtetë mbi
Shqipërinë, e çorën atë deri në palcë, e rropën deri në deje dhe, më në fund,
si për të dashur të vënë kujën e ngadhënjimit, thanë buzagaz: “Këtu jemi, ejani
e na kapni”.
Dy rrugë ka: Ose këto
njerëz duhet të gjykohen, ose pushteti i tanishëm duhet t’u kërkojë falje
shqiptarëve për të gjitha akuzat që ka bërë në tetë vite pushtetit që iku.
Rrugë të mesme nuk ka e nuk mund të ketë; ose do të jetë njëra, ose do të jetë
tjetra.
Dilemës nëse duhet të
gjykohet e të dënohet Berisha nuk i shpëton askush. Edhe ata që votuan kundër
tij, edhe njerëzit pranë tij, nuk i shpëtojnë kësaj dileme, brenda së cilës
jeton edhe vetë familja e tij. Ajo është tashmë, si mund të cilësohet, një çështje
e shtruar për zgjidhje.
Ka dhjetëra arsye
përse ai duhet të shkojë para gjyqit: vrasjet, mashtrimet, vjedhjet e
jashtëzakonshme, hedhja e Shqipërisë në greminë njerëzore, ekonomike e
politike… Si thoshte me të drejtë një analist i njohur, do të duheshin disa
jetë që ai t’u përgjigjej akuzave të ngritura për të, ose fakteve që i rëndojnë
këto akuza.
Por në historinë e re
të berishizmit në Shqipëri, çka e bën të domosdoshëm gjykimin e tij, janë
vrasjet. Vrasjen e 26 vetëve në Gërdec dhe të 4 vetëve në Tiranë, mund ta
mbajnë vetëm supet e tij. Vetëm se në rastin e parë bashkë me djalin e tij
biologjik, dhe në rastin e dytë, bashkë me djalin e tij politik.
Gërdeci është “Made
in Berisha“. Të tjerët janë vetëm garnitura rreth saj. Të cilët heshtën, dhe për
këtë heshtje u shpërblyen, së bashku me faktin se kishin qenë pjesë ndihmëse e
saj. Gërdeci është momenti kur “gjaku nuk lahet nga duart e tij” si tek Ledi
Makbeth. Gërdeci është çasti i shndërrimit të tij nga gjysmë mizor në një
mizori të plotë, njerëzore e politike, kur loja bëhet makabër, kur ndjenjat e
njerëzve blihen me thasë mielli, kur vuajtja shfrytëzohet si në lashtësi, dhe,
kur më pas, çnjerëzisht mburresh si i ke vrarë, i ke ushqyer e përsëri të kanë
votuar. Asnjëherë egërsia politike e ligësia njerëzore nuk kanë pasur një
marramendje të tillë sa në Gërdec, para shpërthimit e sidomos pas tij.
Dokumentet, që u bënë të njohura më pas në një emision TV, dëshmuan se Berisha
dinte gjithçka. E vetmja gjë që “nuk dinte“ kishte qenë baxhanaku i tij i ndjerë,
i dërguar nga padroni, si dërgoheshin dikur ruajtësit e skllevërve. Sepse
Berishët e shndërruan Gërdecin në geto skllevërish, ku punonin edhe fëmijët nën
kërcënimin e barutit, ku eksperimentohej me jetën e njerëzve. Gërdeci është
turpi më i madh i një qeverie, dhe njëkohësisht është krimi pa ndëshkim. Ata që
u dënuan përkohësisht janë peshqit që lëviznin nëpër rrjetën e skllavërisë,
skllavopronarët mbetën të lirë…. Qoftë edhe për rivendosjen e skllavopronarisë,
Berisha duhet gjykuar, e për më tepër kjo ishte vendosur nga njerëzit e tij dhe
nën bekimin e Familjes.
Por nëse Gërdecin
Berisha e ndan me pjesët e tjera të Familjes, 21 janarin e ka të gjithin për
vete, duke i lënë pjesën që i takon birit të tij ideologjik, hijes dhe turpit
të nesërm të tij, Bashës. Në ngjarjet e 21-22-23-24 janarit Berisha duhet
gjykuar për organizimin dhe urdhërimin e vrasjeve, për dhunën ndaj protestuesve
dhe arrestimet e paligjshme; për fshehjen e provave nga serveri i
Kryeministrisë që u fshinë që asaj nate me urdhrin e tij; për përgatitjen dhe
vënien në zbatim të një skenari mashtrimi për rrjedhën e ngjarjeve; për akuzën
false të grushtit të shtetit, për sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe të
tjerëve; për marrjen në mbrojtje të ushtarakëve që bënë krimin; për pengimin e
urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm në ndalimin e disa drejtuesve të Gardës,
për fshehjen e provave të nesërmen e krimit, për të dhëna të rreme për makina
me armë që prisnin tek një rrugë e Tiranës, çadra pistoletë, etj, duke
përgatitur edhe dëshmitarë të rremë, siç ishte një mjek i spitalit ushtarak.
Berisha vrau jo sepse
kishte frikë, sepse e dinte se masa e njerëzve që po vinte ndaj tij nuk ishte
si turmat e shtatorit 1998; ai vrau për të vendosur frikën, jo vetëm asaj dite,
por edhe më pas. Ai, duke vrarë 4 vetë, kur gjithçka ishte në përfundim, jashtë
çdo ligji e rregulli, vrau aktin e lirisë së njerëzve për të protestuar,
shpresën e tyre se mund të jesh i lirë të dalësh në rrugë, ashtu si kishte qenë
rruga gjithnjë arma e Berishës. Askush nuk e kishte vrarë atë e njerëzit e tij
gjatë protestave (të mos i futemi 2 prillit në Shkodër, se nuk i del mirë).
Fshehja e provave
është akti i pranimit të fajësisë nga Berisha dhe të vetët.. ndaj duhet
gjykuar.
Dosja e rëndë e
korrupsionit
Aktet korruptive të
qeverisë së Berishës, përmes klanit familjar, janë aq të shumta saqë është e
qartë se ai duhet gjykuar. Një rendje nëpër vitet e qeverisjes së tij merr me
vete aq shume raste të korruptimit, skandaleve financiare, përfitimeve,
mashtrimeve e vjedhjeve, saqë do të jetë tepër e vështirë për të shkuar deri në
fund kësaj zallamahie që ka ndodhur me Shqipërinë. Askush tjetër , asnjë
vend,nuk është grabitur kaq mizorisht, nuk është plaçkitur kaq barbarisht nga
një klasë politike e sejmenët e saj, të cilët kishin ardhur në politikë si
njerëzit e shpresës. Edhe më parë, por në 8 vitet e fundit korrupsioni u ngrit
në sistem, vjedhja u bë mënyrë jetese, mafia u sundua nga politika dhe veshi
uniformën e shtetit; asnjëherë më parë një vend i vogël, nuk ka parë kaq shumë
pronarë mbi kokën e tij, të paskrupullt, mizorë dhe zhvatës deri në imtësi.
Secili nga ministrat
e kësaj qeveria dhe deri tek “zonja“ e Kuvendit, nëse për pak kohë do të
jetonin në një vend perëndimor, tani do të ishin para gjyqit. Sepse , jo vetëm
që vodhën e mashtruan, por ishin edhe aq të paskrupullt, sa e dëshmuan me
paturpësi vjedhjen e tyre. Vilat e jashtëzakonshme, në qytezat e vilave,
pronat, udhëtimet, makinat super të shtrenjta, fëmijët e tyre, pronat në
bregdet dhe male, pallatet buzë detit…etj etj… kur rroga e tyre nuk lejonte as
një të mijtën e tyre, do të ishin dëshmi për çdo zyrë finance në Perëndim.
Berisha duhet gjykuar
sepse përmes këtij akti mund të bëhet katarsisi i shtetit dhe i shtetarëve. Do
të marrë fund akti i pandëshkueshmërisë. U pat menduar se pas vitit 2005, krejt
qeverisja socialiste do të ndodhej pas hekurave të burgut… këtë kishte premtuar
vetë Berisha, por ai nuk e bëri, sepse kishte idenë e vazhdimësisë së kësaj
tradite. Kjo duhet të marrë fund!
Nëse nuk gjykohet Berisha
dhe të tijtë, kushdo ka të drejtën e licencës për të vjedhur. Bile ato mund të
shiten në çdo zyrë, përmes lajmërimeve publike.
Së fundi akti i
gjykimit është edhe akti i vazhdimësisë së qeverisë së tashme. Nëse ajo nuk e
bën këtë, atëherë duhet të shkojë. Kjo do të thotë se këtij vendi i duhet një
forcë e re politike, e cila, nuk ka hyrë në lojë as me një të kaluar të
trishtuar e as me një të kaluarën të dyshimtë. Partia Socialiste ka pasur mjaft
kohë për të bërë investigimin e saj dhe për të dëshmuar mjerimin. Njerëzit e
kanë ditur këtë edhe përpara se të vinte 23 qershori, ndaj edhe votuan ashtu.
Tani ata presin.. presin, presin.. Koha e investigimit shkoi. Tani, është koha
e ndëshkimit. Nëse jo, vendi rifutet në krizën e humbjes së identitetit dhe të
bjerrjes së vetëdijes së tij.
Ky do të jetë një
tjetër shans i humbur për Shqipërinë për të gjetur, më në fund, një rrugë të
drejtë, njëkohësisht të vetme / DITA
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!