Artan Fuga, akademiku i
njohur, ka bërë një reagim të ashpër për situatën e fundit të krijuar në
Tiranë, ku në shumë lagje mungon uji i pijshëm. Fuga ironizon me deklaratat e
përfaqësuesve shtetëtorë që gjejnë justifikime për këtë problem, si dhe
kritikon punën e gazetarëve që nuk investigojnë, por thjesht i zgjasin
mikrofonin nëpunësit që flet broçkulla. Lexoni më poshtë reagimin e plotë të
Fugës.
“Nuk ka shi në dimër se
ka rënë shi, nuk ka ujë në verë se nuk ka rënë shi.
Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë
dhe rrugët u bënë det. Veturat motoskafe a gomone, dyqanet liqene, Qenan K.
kishte dalë për peshk duke e hedh rrjetën nga kati i shtatë mbi kokën e kalit
të Skënderbeut.
Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë,
fryu pak erë dhe mijra fije elektriku i mori flladi i vjeshtës. Nuk kishim as
qiri ta vinim te semaforët. Nuk merret vesh se ku është e kuqja dhe ku është
jeshilja. E verdha është në surratet tona.
Na ka marrë lumi!
Ra pak shi në Tiranë
dhe thonë se filtrat e ujësjellësit nuk duan të punojnë. Shyqyr që janë filtrat
automatikë thuaj se po të ishin nëpunës do të na kishin dhënë ujë me baltë dhe
do të na thoshin se është një baltë e veçantë që bënë mirë si të gatuhen grosh
me pilaf.
Del dikush në televizor
dhe na shpjegon se filtrat nuk punojnë se erdhi uji me baltë nga shiu... Hajde
shpjegim hajde! Dhe nuk kemi ujë se po të kishim ujë do të kishim baltë. Pra më
mirë pa ujë se të pimë baltë. Pra, duhet të jemi të lumtur.
O pika ne na ka marrë
lumi.
Askushi nuk thotë si të
bëjmë që uji mos vijë me baltë dhe kur bie një vesë shi. Imagjinoni sikur të
bjeri një muaj shi...
Bjer o shi
ne nga ty nuk kemi
frikë aspak
për çudi... etj.
Pse nuk na lajmëroni
kur bie shi o trima që ta mbledhim me govata e uturakë dhe ta pimë direkt pa
kaluar nga bolevilla.
O na ka marrë lumi që
na rëntë pika... pika lumi në kokë!
Doli xhaja dhe thoshte
se ujësjellësi i paska marrë masat dhe do na furnizojë ne gjysmën e Tiranës me
autobote.
Ore e di ai se për
mashtrim publik mund ta dënojnë me arrest shtëpie duke e lënë të vdesë për ujë.
Gjysmën e Tiranës do të furnizojë ai me ujë...
O mashtrues ordiner!
Të paktën bashkia të
heqë ligjin për bërjen e shurrës që t'i bëjmë shurrën ujit.
Mbase e mbushim
bolevillën me urinë mo!
Ja tha se së shpejti do
të kemi ujë sa të ikin baltrat. I bie që po ra shi të mos kemi ujë, edhe po të
mos bjerë shi përsëri nuk kemi ujë.
Na ka marrë lumi se
kemi hyrë në një kontradiktë të pazgjidhshme.
Për nja dy ditë vjen
uji - tha ai robi në intervistë. O Zot po ne deri atëhere kemi ngordh për ujë.
Pas dy ditësh kur të na vijë uji do të na gjejë kadavra.
O na mori lumi.
O gazetar, o maskara,
nuk ke turp mo që i zgjat mikrofonin një nëpunësi që këput brockulla dhe nuk
shkon të investigosh, nuk i heq dhëmbë e dhëmballë nëpunësit dhe shefit të vet
duke i kërkuar llogari përse gjysma e Tiranës nuk ka ujë.
Pranon justifikime se
nuk ka ujë për të pirë se ka shumë ujë shiu!!!
Hahahahaha!
Si tha mo, bregu i
Lumit nuk është adresë e bashkisë! Po atje jetojnë njerëz o njeri! Cfarë do t'i
bësh ata, po votat e tyre i donit mo?
O na ka marrë lumi!
Po Myslym Shyrin e keni
në hartën e bashkisë mo!
O lumi, o lumi!
Ujëëë se vdiqa”,
shkruan Fuga.
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!