Numri i futbollistëve
shqiptarë në ligat europiane është duke u rritur nga viti në vit. Tashmë në të
gjitha ligat e forta europiane ka futbollistë shqiptarë. Në pesë ligat më të
forta të Europës aktualisht numri i shqiptarëve nuk është edhe shumë i madh,
por lojtarët shqiptarë po bëhen të shumtë edhe në ligat e tjera të vendeve europiane.
Në vjeshtë, në Europë, shumica e lojtarëve shqiptarë ishin të konfirmuar – me
përvojë e me suksese edhe nga vitet e kaluara. Por, kishte edhe debutues dhe të
tillë që kanë shpërthyer në pjesën e parë të kampionatit 2015\’16. Të dielën në
disa vende janë luajtur ndeshjet e fundit për këtë vit.
Milot Rashica
Milot Rashica ka kohë
që është emër i njohur në futbollin kosovar. Ai vlerësohet talent i madh, i
cili vendos ndeshje të Superligës së Kosovës. 19-vjeçari është treguar i
shkëlqyer edhe në një vend me futboll shumë të zhvilluar, në Holandë. Sulmuesi
këmbëshpejtë deri në fund të edicionit të kaluar ka luajtur në Vushtrri, ndërsa
këtë edicion po luan për Viteshen në kampionatin holandez. Të premten shënoi dy
gola dhe asistoi një herë në fitoren 5-1 të Viteshes ndaj Twentes. Rashica – që
aktualisht është pjesë e U-21 të Shqipërisë, por me gjasa që shumë shpejt të
ftohet në kombëtaren A – pa asnjë telash ka ndërruar futbollin kosovar me atë
holandez. Ai është paraqitur në të 17 ndeshjet e kampionatit. Ishte startues në
15 prej tyre, ndërsa vetëm në dy takime u aktivizua si rezervë. Ka realizuar
gjashtë gola, ndërsa ka dhënë edhe tri asiste. Ndonëse në moshë të re dhe i
ardhur nga një vend me futboll të izoluar, Rashica ishte ndër më të mirët te
Viteshe që renditet e pesta në Eredivisie të Holandës. Ai tashmë është në
radarin e skuadrave nga vende të tjera europiane dhe të skuadrave më të mëdha
holandeze. Me Viteshen ka kontratë të vlefshme për tre vjet. “Me paraqitjet e
deritanishme jam shumë i kënaqur. Po punoj shumë në stërvitje që të kem
mundësinë të tregoj vlerat gjatë ndeshjeve. Jam në formën më të mirë të
mundshme. Shpresoj që ky ritëm të më përcjellë edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka
thënë Rashica për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”.
Vedat Muriqi
Më shumë se Rashica ka
shënuar sulmuesi prizrenas, Vedat Muriqi. 21-vjeçari ka shënuar nëntë gola në
15 ndeshje për Giresunsporin në Kategorinë e Dytë turke. Po ashtu ka edhe disa
asistime. Giresunspori aktualisht është në vendin e dytë, që i siguron kalimin
direkt në Superligë në fund të edicionit. Shtatlarti Muriqi karrierën e nisi te
Liria, për të kaluar më pas te Teuta e Durrësit. Në Shqipëri, ai luajti edhe
për Besën e Kavajës, ndërsa vitin e kaluar u transferua në Turqi. Provoi tek
Eskishehirpori, por Giresunspori ishte stacioni i tij final, deri më tani.
Edicionin e kaluar shënoi katër gola në 24 ndeshje. Këtë edicion njohu
shpërthimin e vërtetë. Për të po interesohen skuadra të shumta të Superligës
turke, por ai ka plane të tjera. “Jam i kënaqur me formën personale, por edhe
me sukseset e ekipit. Jemi në vendin e dytë në tabelë, që na dërgon direkt në
Superligë. Synimi i parë është që të kalojmë me ekipin në Superligën turke dhe
kjo është dëshira që dua ta realizoj. Sa u takon golave, synoj që të realizoj
të paktën 15 këtë edicion”, ka thënë Muriqi. Ai pranon se klubi tashmë ka
oferta konkrete për ta shitur. “Është e vërtetë që ka shumë interesim dhe
tashmë në klub kanë ardhur ofertat e klubeve të tjera për mua. Mirëpo, nuk
mendoj që të largohem. Synim e kam të kalojmë në Superligë së bashku me
skuadrën aktuale”, ka shtuar Muriqi.
Shani Tarashaj
Zvicra është shndërruar
në “fabrikë” të futbollistëve shqiptarë. Në Zvicër, çdo edicion dalin disa
lojtarë të rinj shqiptarë. Në vjeshtë u dallua Shani Tarashaj, sulmuesi
20-vjeçar i Grasshopersit. Ai ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë një asistim në
18 ndeshje të kampionatit. Një kohë të gjatë ishte shënuesi më i mirë në
Zvicër. Pesë golat e parë i realizoi në katër ndeshjet e para, por më pas ritmi
i tij ra. Edicionin e kaluar luajti 19 takime për Grasshopersin dhe shënoi një
gol. Në edicionin 2013\’14 kishte shënuar tetë gola në 17 ndeshje, por në
Kategorinë e Tretë, për ekipin e dytë të Grasshopersit. Këtë edicion Tarashaj
ka edhe një gol e një asistim në ndeshjet për Kupë të Zvicrës. Ai ka pesë gola
në tetë ndeshje për U-21 të Zvicrës dhe vlerësohet shpresë e madhe e këtij
vendi. Në skenë në Zvicër këtë edicion ka dalë edhe Florian Kamberi, që ka
shënuar dy gola në 10 ndeshje për Grasshopersin, si dhe Albion Avdijaj, i cili
shënoi tri herë për Vaduzin. Së fundmi, pati një polemikë të hapur me trajnerin
De Biazi, pasi ky i fundit i mbylli dyert e Kombëtares me motivin se i kishte
refuzuar njëherë kuqezinjtë. “Turp, De Biazi nuk është më shqiptar se sa unë.
Nuk mund të ma mohojë ai ndjenjën e të qenit shqiptar”, pat deklaruar Tarashaj
pak ditë më parë.
Eros Grezda
Në Kroaci, në javët e
fundit, ka shpërthyer Eros Grezda, mesfushori ofensiv i Lokomotivës së
Zagrebit. Në pesë ndeshjet e fundit, ai ka shënuar pesë gola. Të dielën pati
një gol e një asistim në fitoren 3-0 të Lokomotivës në udhëtim ndaj Slavenit.
20-vjeçari që ka jetuar në Slloveni, këtë edicion është paraqitur në 15
ndeshje, kurse i ka edhe katër asistime. “Me formën jam i kënaqur, sidomos me
atë të gjashtë ndeshjeve të fundit. Synimet janë që me skuadrën të përfundojmë
në tri pozitat e para”, ka thënë Grezda të dielën për gazetën. Lokomotiva
aktualisht është e pesta. Grezda edicionin e kaluar luajti 11 ndeshje në
kampionatin e Sllovenisë. “Nuk i kam vendosur vetes qëllime apo synime. Thjesht
çdo ndeshje për mua është si finale. Dua të fitoj dhe të shënoj në çdo
përballje”, ka thënë Grezda.
Eroll Zejnullahu
Bundesliga 2 e
Gjermanisë së fundmi ka nisur të shndërrohet në bazë të përfaqësueses së
Kosovës. Shumë titullarë të Kosovës bëjnë karrierë në kategorinë e dytë
gjermane. Njëri prej tyre është mesfushori Eroll Zejnullahu. 21-vjeçari ka një
gol e dy asistime për Union Berlinin, në 16 ndeshje. Më e rëndësishme për të
është stabilizimi në ekipin bazë, është i pazëvendësueshëm thuajse në të gjitha
ndeshjet. Në Bundesligën 2 po luajnë me sukses edhe Leart Paqarada, Besar
Halimi e Fanol Perdedaj./panorama-sport/
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!