Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për
Donald Trump
Pakënaqësia që provokoi
vota e Shqipërisë në OKB kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane në
Jeruzalem, arriti kulmin me letrën e Presidentit Ilir Meta për Donald Trump. Me
sinqeritetin e panatyrshëm për një burrë shteti, Ilir Meta rrëfeu në këtë letër
se nuk kishte pasur asnjë komunikim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e
Jashtme për çështjen, kur u shpreh: “kjo votë është marrë pa asnjë konsultim
paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me
Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe
kombit shqiptar”.
Letra ishte një
prezantim tjetër komik i shtetit shqiptar në sytë e të huajve, kësaj radhe në
sytë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga pozitat e shtetarit të indinjuar
Meta iu drejtua Trumpit me premtimin se “Do të kërkoj personalisht shpjegime
dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me
marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”.
Qëndrimi i Metës nuk lë
vend për interpretime dhe tenton ta zhveshë Presidentin nga çdo përgjegjësi për
votën në OKB, por Lapsi.al u njoh me disa fakte që e nxjerrin të pavërtetë
mesazhin dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lapsi.al ka parë me
detaje disa mesazhe të shkëmbyera përmes postës elektronike mes Sokol Gjokës,
drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme me Valter
Ibrahimin, Këshilltarin Diplomatik të Presidentit.
Emailet janë dëshmi e
komunikimit të pandërprerë mes Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe
Presidencës. Komunikimi nisi para mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit
Islamik, aty ku u inicua rezoluta kundër Trump dhe ku Shqipëria u përfaqësua
nga ambasadori i saj.
Në email, Sokol Gjoka i
Ministrisë së Jashtme informon Këshilltarin Diplomatik të Presidentit, Valter
Ibrahimin për pjesëmarrjen e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit
Islamik. Madje Presidencës i dërgohet edhe fjalimi i ambasadorit tonë në OBI,
përveç informacioneve të tjera për rezolutën.
Lapsi.al dalloi në
emaile edhe lutjen e Sokol Gjokës, për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia në
orën 17:45 të pasdites së datës 11 Dhjetor nga këshilltari i Ilir Metës ka qenë
lakonike. “Sa te kem nje instruksion te njoftoj menjehere”.
Por kjo përgjigje ishte
e fundit për këtë çështje dhe nuk u shoqërua nga një tjetër.
Një zyrtar në
Ministrinë e Jashtme tregoi për Lapsi.al se për votën në OKB, Drejtori i
Përgjithshëm Politik, Ferit Hoxha pati komunikim të vazhdueshëm në telefon me
shefin e Kabinetit të Presidentit, Arben Cicin.
Para votimit, shefi i
Kabinetit të Presidentit u mbajt i informuar për komunikimin me trupin
diplomatik në Tiranë, për qëndrimin që do të mbahej duke e vënë theksin në
linjën e përbashët me vendet e BE-së. Madje komunikimi në telefon mes Ferit
Hoxhës dhe Arben Cicit vazhdoi edhe pas votimit në OKB.
Presidenca u njoftua
për qëndrimin që mbajti Shqipëria në OKB, tha zyrtari i Ministrisë për Lapsi.al, duke theksuar se “në të gjitha komunikimet, nga presidenca nuk erdhi
asnjë shenjë pakënaqësie”.
Emailet zbulojnë lojën
që u bë në Tiranë me votën e Shqipërisë në OKB. Veç këtyre emaileve dhe
komunikimeve, Presidenca e kishte të qartë qëndrimin në OKB, që kur u informua
për praninë e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Vota në
OKB kundër Trump nuk mund të ishte surprizë për Ilir Metën.
Pa u futur në gjykimin,
nëse Shqipëria mori vendimin e drejtë apo jo, del qartë se Meta qëndroi në
heshtje deri në momentin që Rama votoi kundër SHBA. Më pas, nisi letrën për
Donald Trump ku shfaqej i painformuar dhe i indinjuar, duke luajtur një lojë
që, sado e vështirë të duket, e bën akoma më qesharak imazhin e shtetit
shqiptar në sytë e të huajve. ©Lapsi.al
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!