June 25, 2015

ISIS kërcënon gratë e Tuareg,




Tepër të bukura dhe të emancipuara

Bukuria e tyre mund të bëhet, në mënyrë paradoksale, një kërcënim. Mbi to kanoset kërcënimi nga ekstremistët e ISIS.


Këto fotografi tregojnë disa nga gratë e fisit të Tuareg, në shkretëtirën Sahara dhe në veçanti fytyrën, që nuk është pothuajse asnjëherë e mbuluar me shaminë karakteristike që përdorin gratë myslimane, sepse meshkujt “duan të shohin fytyrat e tyre të bukura”.


Ndryshe nga fiset e tjera të fesë islame, ata Tuareg janë një shoqëri progresiste, që u atribuojnë femrave ‘benefite’ të cilat gratë e tjera nuk e kanë: ato mund të divorcohen dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat.


Por, rritja e përqendrimit të ISIS në Sahara mund të vërë në rrezik stilin e tyre modern të të jetuarit.


*    *    *

June 23, 2015

Kur Luli bie nga… fiku



Nga Alqi Koçiko

Ajo që mund të thuhet deri tani për leksionin që i dhanë politikës këto zgjedhje (jo dhe aq) lokale, është se në kutitë e numëruara deri këto orë për kandidatët, diku përfundimtare e diku jo, ka dalë diçka për secilën forcë politike kryesore. Dhe për secilin drejtues të saj. Por nëse formë të plotë dhe panoramë më të konsoliduar për Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, thënë ndryshe aleatët e pushtetit, këto mesazhe do të marrin me numërimin e votave partiake për këshilltarë, kumti për Partinë Demokratike është dhënë edhe pa këtë numërim. Dhe kjo meriton një vëzhgim, paçka se “në të nxehtë”.

Me plot gojën mund të thuhet se historia e këtij ridështimi rekord të PD-së në këto zgjedhje, pak ka të bëjë me një kandidat gjinekolog, qoftë ky dhe një mjek me aureolë mirësie e humanizmi si dr.Halim Kosova. Ajo i ka rrënjët në 23 qershorin e dy viteve më parë, atëherë kur një humbje spektakolare e pushtetit, duhej t’i hapte rrugë një procesi të përnjimendtë ringritjeje, madje rithemelimi të PD-së. Ishte e nevojshme kjo, gati-gati po aq sa ç’e kishte të nevojshëm të njëjtin proces PS-ja e 1991-it. Nga hija e një lideri jetëgjatë, autoritarist dhe mëkatar kundrejt popullit të vet si Sali Berisha, mund të dilej vetëm duke kryer “atëvrasje”. Sa më shpejt, sa më me vendosmëri dhe pa kthyer kokën pas, aq më mirë për të gjithë. Së pari, për Partinë Demokratike.

Por kjo nuk ndodhi. I vetmi mallëngjim dhe çlirim disaorësh që prodhoi 23 qershori 2013, ishte shpallja solemne e dorëheqjes nga drejtimi partiak, të Berishës. Shumë shpejt ashtu siç dyshohej, u kuptua që ish kryeministri hoqi dorë vetëm nga zyra me tabelën e kryetarit, por jo nga dirigjimi e telekomandimi i partisë. Zgjedhjet brendapartiake përgjatë verës sollën vetëm njëfarë rivitalizimi dhe një dritë tjetër mbi figurën e ish ministrit Sokol Olldashi, kjo mbase edhe thjesht për faktin se ai ishte outsider-i në një garë të paracaktuar. Humbja e papritur e jetës në një aksident sot e gjithë ditën të çuditshëm e të dyshimtë të Sokol Olldashit, e ngriu përfundimisht edhe momentumin që mori ai pak debat partiak në PD.

Këto dy vjet, pra, kemi parë një opozitë mjerane, joproduktive e grindavece në aspektin politik, kombinuar hatashëm me një vakum absolut në qeverisjen e dytë të vendit, bashkinë e Tiranës. Lulzim Basha jo që nuk doli për asnjë çast nga hyqmi i kryetarit të vërtetë, por opozitëbërja e tij ishte një kombinacion i facebook-ut të familjes Berisha, me akraballëqet politike të tipit, “nuk votojmë reformën territoriale, nuk marrim pjesë në zgjedhje” dhe me ca bëma “të vogla” shumë larg idealizmës dhe “luftës së shpallur kundër oligarkëve”, si fjala vjen, ca leje ndërtimi në digën e liqenit artificial. Dhe kur gjithçka ke arritur në jetë dhe në politikë, në fakt nuk e ke arritur por ta kanë afruar si një degë fiku nga e cila mjafton të këpusësh kokrrat, nuk mund të kesh asnjë ide e koncept për përpjekjen dhe betejën që duhej të japësh.

Nëse mund të thuhet për Bashën, ky 21 qershor dy vjet pas 23 qershorit, është Vaterloja e tij e parë, e vërtetë. Shumëkush mund të thotë se edhe këtë herë humbi Berisha, dhe ky pohim nuk do ishte aspak larg të vërtetës. Por tashmë demokratët llogarinë nuk ja kërkojnë dot doktorit të madh, as të voglit që kandidoi për Tiranën nën efektin e zeros absolute të qeverisjes bashkiake të Bashës. Në kornizën e një qeverisjeje që padyshim ka shkaktuar mjaft pakënaqësi, sepse ka ndërmarrë me vetëdije reforma që sjellin hemorragji votash; në inercinë e një gjendjeje të vështirë ekonomike që vjen nga tetë vite qeverisje të djathtë dhe që s’mund të rikuperohet në dy vjet, Basha nuk duhej me gjithë defektet dhe mungesën e kolaudimit të “një partie të rindërtuar”, të zbriste në një performancë kaq të dobët. Për paralelizëm, dy vjet pas humbjes së rëndë në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, e majta shpalosi një ringritje surprizuese në zgjedhjet lokale 2007. Por edhe ajo votë pakënaqësie, mospëlqimi apo qoftë dhe proteste ndaj qeverisjes së majtë, duket se më shumë është konsumuar me bojkot, ose brenda segmenteve të saj apo drejt të pavarurve në disa raste, sesa ka shkuar në mullirin e PD-së.

Përtej PD-së si parti, kjo ishte një Vaterlo e Bashës specifikisht duke marrë në konsideratë Tiranën. Për njëmijë arsye, Erion Veliaj po merr një fitore spektakolare, mund të thuhet edhe historike, në bashkinë e re me seli kryeqytetin. Por njëra nga më të rëndësishmet e këtyre arsyeve, ishte se qytetarët kishin në mendje jo dhe aq (mos)premtimet dhe muhabetin babaxhan të dr.Kosovës, sesa produktin Basha në krye të bashkisë. Dhe e vetmja gjë “inovative” që gjeti e djathta për të bërë fushatë kundër Veliajt, ishte një lojë gjimnaziste fjalësh me fiqtë që kishte shitur Erioni në fëmijëri, teksa opozita nuk e mendonte se do të pësonte një shkarje të tillë nga fiku.

Pra, a do të ketë më në fund diçka të ngjashme me nxjerrjen e përgjegjësive dhe krijimin e një klime të shëndetshme konkurrence politike në PD pas kësaj që ndodhi? Vërtet kjo këmbëngulje për të kërkuar “analizë” në strukturat e opozitës duket sikur është shndërruar në fetish. “Thellohu moj PD, thellohu!”. Por në mungesë të një force tjetër opozitare, PD është ende një pasuri kombëtare, zhvillimet brenda së cilës nuk janë vetëm çështje e demokratëve; ashtu si për çdo parti tjetër të rëndësishme. Një sinjal fejzbuku e dha dje deputetja Mesila Doda, teksa i kujtonte indirekt Bashës disa porosi të të ndjerit Olldashi. Por kaq është shumë pak. Le të presim e të shohim, por që të reflektojë Basha, në këtë pikë është njësoj si të kërkohej brerje ndërgjegjeje dhe reflektim nga Berisha, apo djali e dhëndrri i tij. Gjasat, më së shumti janë që ai në rrijë me kënaqësi në b… të fikut, edhe pse i rrëzuar. Mjafton të mos i heqin hijen.


*    *    *



Shqipëri – Serbi, Tifozet bukuroshe bëjnë pajtim gjaqesh




Atalanta Kërçyku është bukuroshja me flamurin shqiptar, e njohur si tifoze e zjarrtë e skuadrës së Elbasanit. Ajo ka “provokuar” tifozët shqiptarë duke dhënë një mesazh pozitiv. 


E kurorëzuar si Miss Ballkani, bukuroshja ka postuar një foto me njërën nga modelet serbe, të cilat bashkojnë flamurin shqiptar me atë serb. Atalanta ndodhet në Beograd në një event bukurire, ndërsa nuk ka hezituar që të transmetojë dhe një mesazh paqeje për marrëdhënien në krizë të dy vende ballkanike, Shqipëri – Serbi. “Shqipëri, Serbi, …sepse një zemër e mirë nuk njeh kufij, paqe, paqe në Ballkan”, - shkruan në foton e postuar në profilin e saj në Instagram, 24-vjeçarja.



*    *    *

ISIS, ekzekutime makabre në pishinë dhe me eksploziv në qafë (Foto)




Sërish një tjetër video e tmerrshme e publikuar nga ISIS në internet. Militantët e Kalifatit, kanë ndëshkuar pesë të burgosur, të veshur të gjithë me uniformë portokalli (që të kujtojnë të burgosurit e Guantanamos), duke i futur në një pishinë në brendësi të një kafazi.


Telekamerat të pozicionuara nën ujë, kanë konfirmuar që të gjithë të burgosurit, janë mbytur. Imazhet janë dhënë nga gazeta britanike “Mirror online”.



Por tmerri nuk ndalet këtu. Për të kaluar brutalitetin e videos së fundit, militantët e Al Baghdadit, kanë vendosur t’i bashkojnë të parës, edhe dy modalitete të ndryshme ekzekutimi. 


Pas një pushimi të shkurtër, tre burra mbyllen në një makinë të vjetër dhe në largësi qëllohen nga një predhë antitank.



Kronika tjetër e zezë e xhihadistëve, vjen me masakrën e tretë, që kujton ekzekutimet e para me prerje koke. Rreth fytit të të burgosurve, janë vendosur lëndë eksplozivi që i hedhin në erë. Të gjithë të ndëshkuarit, si në rastet e mëparshme, kanë rrëfyer para telekamerave se ishin spiunë.



*    *    *






Naile Yzeiraj, 100 vjeçe dhe votoi




“Është plot 100 vjeçe dhe shkoi për të votuar. Pavarësisht moshës votimi është një detyrim moral për të gjithë. Çdo kush duhet të ushtrojë detyrën si qytetar.”

 100-vjeçarja Naile Yzeiraj

Ky ka qenë mesazhi që është përcjellë dje përmes Facebook nga nipi i 100-vjeçares Naile Yzeiraj nga lagjja “Afrim” e qytetit të Fierit. E moshuara është shoqëruar nga nipi paraditen e djeshme për të shprehur vullnetin e saj në qendrën e votimit, pranë shkollës 9-vjeçare të lagjes “Afrim” të qytetit të Fierit.

“Ne kemi votuar gjithmonë dhe kjo duhet të bëhet kulturë për të gjithë, edhe për të rinjtë. Nëse votojmë, vendosim secili për atë që do të bëhet në të ardhmen. Prandaj unë sa të kem mundësi do të votoj gjithmonë që të shpreh vullnetin tim. Kjo është detyrë e çdo njeriu”, ka thënë 100-vjeçarja Naile Yzeiraj.


*    *    *