Nga
Alqi Koçiko
Ajo që mund të thuhet
deri tani për leksionin që i dhanë politikës këto zgjedhje (jo dhe aq) lokale,
është se në kutitë e numëruara deri këto orë për kandidatët, diku përfundimtare
e diku jo, ka dalë diçka për secilën forcë politike kryesore. Dhe për secilin
drejtues të saj. Por nëse formë të plotë dhe panoramë më të konsoliduar për
Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, thënë ndryshe aleatët
e pushtetit, këto mesazhe do të marrin me numërimin e votave partiake për
këshilltarë, kumti për Partinë Demokratike është dhënë edhe pa këtë numërim.
Dhe kjo meriton një vëzhgim, paçka se “në të nxehtë”.
Me plot gojën mund të
thuhet se historia e këtij ridështimi rekord të PD-së në këto zgjedhje, pak ka
të bëjë me një kandidat gjinekolog, qoftë ky dhe një mjek me aureolë mirësie e
humanizmi si dr.Halim Kosova. Ajo i ka rrënjët në 23 qershorin e dy viteve më
parë, atëherë kur një humbje spektakolare e pushtetit, duhej t’i hapte rrugë
një procesi të përnjimendtë ringritjeje, madje rithemelimi të PD-së. Ishte e
nevojshme kjo, gati-gati po aq sa ç’e kishte të nevojshëm të njëjtin proces
PS-ja e 1991-it. Nga hija e një lideri jetëgjatë, autoritarist dhe mëkatar
kundrejt popullit të vet si Sali Berisha, mund të dilej vetëm duke kryer
“atëvrasje”. Sa më shpejt, sa më me vendosmëri dhe pa kthyer kokën pas, aq më
mirë për të gjithë. Së pari, për Partinë Demokratike.
Por kjo nuk ndodhi. I
vetmi mallëngjim dhe çlirim disaorësh që prodhoi 23 qershori 2013, ishte
shpallja solemne e dorëheqjes nga drejtimi partiak, të Berishës. Shumë shpejt
ashtu siç dyshohej, u kuptua që ish kryeministri hoqi dorë vetëm nga zyra me
tabelën e kryetarit, por jo nga dirigjimi e telekomandimi i partisë. Zgjedhjet
brendapartiake përgjatë verës sollën vetëm njëfarë rivitalizimi dhe një dritë
tjetër mbi figurën e ish ministrit Sokol Olldashi, kjo mbase edhe thjesht për
faktin se ai ishte outsider-i në një garë të paracaktuar. Humbja e papritur e
jetës në një aksident sot e gjithë ditën të çuditshëm e të dyshimtë të Sokol
Olldashit, e ngriu përfundimisht edhe momentumin që mori ai pak debat partiak
në PD.
Këto dy vjet, pra,
kemi parë një opozitë mjerane, joproduktive e grindavece në aspektin politik,
kombinuar hatashëm me një vakum absolut në qeverisjen e dytë të vendit,
bashkinë e Tiranës. Lulzim Basha jo që nuk doli për asnjë çast nga hyqmi i
kryetarit të vërtetë, por opozitëbërja e tij ishte një kombinacion i
facebook-ut të familjes Berisha, me akraballëqet politike të tipit, “nuk
votojmë reformën territoriale, nuk marrim pjesë në zgjedhje” dhe me ca bëma “të
vogla” shumë larg idealizmës dhe “luftës së shpallur kundër oligarkëve”, si
fjala vjen, ca leje ndërtimi në digën e liqenit artificial. Dhe kur gjithçka ke
arritur në jetë dhe në politikë, në fakt nuk e ke arritur por ta kanë afruar si
një degë fiku nga e cila mjafton të këpusësh kokrrat, nuk mund të kesh asnjë
ide e koncept për përpjekjen dhe betejën që duhej të japësh.
Nëse mund të thuhet
për Bashën, ky 21 qershor dy vjet pas 23 qershorit, është Vaterloja e tij e
parë, e vërtetë. Shumëkush mund të thotë se edhe këtë herë humbi Berisha, dhe
ky pohim nuk do ishte aspak larg të vërtetës. Por tashmë demokratët llogarinë
nuk ja kërkojnë dot doktorit të madh, as të voglit që kandidoi për Tiranën nën
efektin e zeros absolute të qeverisjes bashkiake të Bashës. Në kornizën e një
qeverisjeje që padyshim ka shkaktuar mjaft pakënaqësi, sepse ka ndërmarrë me
vetëdije reforma që sjellin hemorragji votash; në inercinë e një gjendjeje të
vështirë ekonomike që vjen nga tetë vite qeverisje të djathtë dhe që s’mund të
rikuperohet në dy vjet, Basha nuk duhej me gjithë defektet dhe mungesën e
kolaudimit të “një partie të rindërtuar”, të zbriste në një performancë kaq të
dobët. Për paralelizëm, dy vjet pas humbjes së rëndë në zgjedhjet parlamentare
të 2005-ës, e majta shpalosi një ringritje surprizuese në zgjedhjet lokale
2007. Por edhe ajo votë pakënaqësie, mospëlqimi apo qoftë dhe proteste ndaj
qeverisjes së majtë, duket se më shumë është konsumuar me bojkot, ose brenda segmenteve
të saj apo drejt të pavarurve në disa raste, sesa ka shkuar në mullirin e
PD-së.
Përtej PD-së si parti,
kjo ishte një Vaterlo e Bashës specifikisht duke marrë në konsideratë Tiranën.
Për njëmijë arsye, Erion Veliaj po merr një fitore spektakolare, mund të thuhet
edhe historike, në bashkinë e re me seli kryeqytetin. Por njëra nga më të
rëndësishmet e këtyre arsyeve, ishte se qytetarët kishin në mendje jo dhe aq
(mos)premtimet dhe muhabetin babaxhan të dr.Kosovës, sesa produktin Basha në
krye të bashkisë. Dhe e vetmja gjë “inovative” që gjeti e djathta për të bërë
fushatë kundër Veliajt, ishte një lojë gjimnaziste fjalësh me fiqtë që kishte
shitur Erioni në fëmijëri, teksa opozita nuk e mendonte se do të pësonte një
shkarje të tillë nga fiku.
Pra, a do të ketë më
në fund diçka të ngjashme me nxjerrjen e përgjegjësive dhe krijimin e një klime
të shëndetshme konkurrence politike në PD pas kësaj që ndodhi? Vërtet kjo
këmbëngulje për të kërkuar “analizë” në strukturat e opozitës duket sikur është
shndërruar në fetish. “Thellohu moj PD, thellohu!”. Por në mungesë të një force
tjetër opozitare, PD është ende një pasuri kombëtare, zhvillimet brenda së
cilës nuk janë vetëm çështje e demokratëve; ashtu si për çdo parti tjetër të
rëndësishme. Një sinjal fejzbuku e dha dje deputetja Mesila Doda, teksa i
kujtonte indirekt Bashës disa porosi të të ndjerit Olldashi. Por kaq është
shumë pak. Le të presim e të shohim, por që të reflektojë Basha, në këtë pikë
është njësoj si të kërkohej brerje ndërgjegjeje dhe reflektim nga Berisha, apo
djali e dhëndrri i tij. Gjasat, më së shumti janë që ai në rrijë me kënaqësi në
b… të fikut, edhe pse i rrëzuar. Mjafton të mos i heqin hijen.
* *
*
Deklarata e Olldashit pas votimit: Ja ku e çon partinë, një kryetar i emëruar!
ReplyDeleteTani kur shumë demokratë kanë nisur të shikojnë me sy kritik Lulëzim Bashën dhe Sali Berisha vrapon ta mbrojë, duhet kthyer pas në kohë e të shikojmë si e ka përjetuar rivai i tij, garën e pandershme brenda PD për tu zgjedhur kryetar.
Fletët e votimit u bën me numur rendor të mësohej vota, ndërsa Berisha kërcënoi çdokënd që dukej se ishte kundër Bashës.
Tani është koha ti thuhet “ta gëzosh partinë”!
1000 here me e forte do ishte PD me Olldashin! R.I.P.
Delete