Një nga Sukseset e tij më të mëdha
Lulëzim Basha,
një portret i paautorizuar
Nga Mero Baze
Për herë të parë për këtë njeri dëgjova në fund të Dhjetorit 2004. Sali Berisha më pat kërkuar ta takoja dhe të njihesha me të. Më thirri në zyrë dhe po më fliste me entuziazëm për njerëzit që po vinin nga Kosova pranë PD-së. Në krye të listës ishte Lulëzimi. Pastaj mori telefonin dhe foli me dikë. Nga biseda u kuptua se dhe ai ishte dikush që po kthehej nga Kosova. Bile për rastësi simbolike kur foli me Berishën sapo kishte kaluar Morinën. Ky i dyti ishte Florian Mima dhe e njihja para vitit 1997. E lavdëroi pa fund si “arkitekt i buxhetit të Kosovës”, ndërsa për Bashën më tha se ka qenë truri i UNMIK për Ministrinë e Drejtësisë.
Në një diell Dhjetori në një kafe para Piacës në Tiranë, Lulëzim Basha më gjeti së bashku me dy miq të mi nga Kosova. Nuk kishim shumë biseda për të bërë, veç njohjes formale. Ishte paksa i rezervuar në fillim. Pasi shkëmbyem disa biseda boshe, më kujtoi se ai më kish parë dikur mua verën e shkuar, por nuk më kish folur.
-Të pashë në Sarandë me djalin, tha, po nuk të fola. Isha me pushime. A e di pse nuk të fola, vazhdoi vetë. Kisha lexuar një shkrim tëndin që shkruaje për njerëzit që të ndalin rrugës dhe të thonë “të ruajt Zoti” dhe që ti i quaje bezdi këtë hipokrizi qytetare që të uron me zë të ulët dhe nuk ngre zërin vetë. Më çuditi vëmendja për përzgjedhjen që kish bërë nga shkrimet e mia për tu mu prezantuar si “lexues”. Diçka që i përziente të gjitha, pak servilizëm, pak vlerësim, pak vëmendje për sakrificat e medies opozitare. I tejmësuar me “përshtypje” shkrimesh u përpoqa vetëm të kuptoja nëse vërtet më kish parë në Sarandë dhe a kish qenë në verë me djalin aty. Disa ditë më vonë u ritakuam bashkë në zyrë të Sali Berishës. Kishte sjellë një shok të tij me vete t’ia prezantonte Berishës. Berisha kishte një lloj bezdie nga kërkesa e tij dhe për ta konsumuar pritjen pa shumë intimitet e ftoi brenda ndërkohë që unë isha aty. Ishte një djalë me emrin Eris Hoxha. E prezantoi dhe atë si një shok të tij të talentuar që ka mbaruar në Utreht. Berisha bëri një bisedë disa minutëshe dhe u dha dorën. Po grumbulloheshin pak nga pak njerëzit që disa javë më vonë do të quheshin anëtarë të KOP. Të nesërmen e prezantimit të KOP, ai ishte sërish në zyrën time. E lamë të bënim një intervistë prezantuese tek Tema. Bëra një sërë pyetjesh në kompjuter dhe ja lirova tavolinën të ulej për përgjigjet. Filloi të mendohej gjatë. Shkruante dhe fshinte me makth fjali. U bë gjatë dhe mu desh ta shikoj çfarë kishte shkruar. Thuajse asgjë. I rashë shkurt duke ia plotësuar përgjigjet dhe i thashë të redaktonte ato që nuk donte të dilnin. Kështu mbaruam punë shpejt pasi nuk ndryshoi asgjë. Të nesërmen gazeta Tema botoi foton e tij të madhe të qeshur. I ngjante tmerrësisht Enver Hoxhës kur kish qenë i ri dhe unë me të qeshur i kujtova se ishte në moshën e tij kur themeloi partinë.
Në korridoret e PD ishte ndezur lufta. Jozefina Topalli kishte një mosdurim të pazakontë edhe për të dëgjuar emrat e tyre. Të tjerët më të rezervuar, por të gjithë të çuditur me diferencën mes boshllëkut që rrezatonin njerëzit e rinj dhe kartëvizitës me të cilën prezantoheshin.
Po kush ishte ky njeri që po debutonte në oborrin e opozitës me parashutën e vajzës së Sali Berishës për të shijuar gjithë frytet e betejës tetëvjeçare të njerëzve që kishin mbajtur gjallë opozitën në Tiranë?
Lulëzim Basha është një përjashtim i madh për gjithë ata që mendojnë se në politikë duhet të kesh karrierë, vlera dhe personalitet. Në historinë e politikës janë të rralla rastet kur një njeri për 15 vite ka një jetë të zbrazët dhe ordinere dhe fare papritur katapultohet në krye të shtetit.
Kur ai u shfaq në oborrin e Berishës dhe u bë yll i politikës së tij, ky qytet dinte shumë pak gjëra për të. Shokët e gjimnazit e kujtonin si një djalë që i kishte spiunuar tek drejtoria e shkollës kur ata kishin qëlluar jo aq pa dashje me domate portretin e Enver Hoxhës. Më tej nuk u kujtohej asgjë. Të tjerë mbanin mend një periudhë të shkurtër të punës së tij si kamerier në Aeroportin e Rinasit, një privilegj që u bëhej njerëzve të lidhur me regjimin. Dikush përfoli lidhje të familjarëve të tij me Drejtorinë e Pritjes dhe prej aty lidhjet e tij si shoqërues i një veprimtari të shquar për të drejtat e njeriut, Barend Cohen. Me honorarët e tij ai shfaqej në mitingjet politike të viteve 1991 deri në zgjedhjet e vitit 1992. Edhe pse vetëm një shoqërues që fliste anglisht dhe i tregonte veprimtarit të të drejtave të njeriut rrugët e qytetit, ai nuk ngurroi që 20 vjet më vonë këtë ta quante në këtë fushatë elektorale si status vëzhguesi në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Më tej akoma ai guxoi të quajë shoqërimin e këtij veprimtari në takimet me Komitetin e Helsinkit Shqiptar, si anëtarësi të tij në këtë Komitet. Edhe pse kujtesa e këtij qyteti e ka fare pak të regjistruar praninë e tij në vitin 1991- 1992, sa herë që ai tenton t’i referohet asaj periudhe, gënjen. Gënjen kur nuk tregon kush ja mundësoi punën si kamerier në aeroportin e Rinasit në një kohë që Shqipëria ishte ende e izoluar dhe vendi qeverisej nga nomenklatura e fundit komuniste. Gënjen kur thotë se ka qenë vëzhgues i zgjedhjeve të 22 Marsit dhe më pas anëtar i Komitetit të Helsinkit Shqiptar. Pastaj hesht për periudhën e shkollimit të tij në Holandë, falë një dobësie njerëzore që ka pasur për të veprimtari i shquar Barend Cohen, i cili i mundësoi shkollimin dhe qëndrimin në Holandë.
Në vitin 1999, kur konflikti në ish Jugosllavi shpërtheu pas ndërhyrjes së NATO, Basha u angazhua nga Tribunali i Hagës në ekipin e përkthyesve që merrnin dëshmi nga terreni. Në fillim ishin dëshmitë e terrorit serb në Kosovë, por pasi Kosova u çlirua në fokus u vunë hetimet e krerëve të UÇK dhe krimet ndaj serbëve. Lulëzim Basha ishte njeriu që përgatiti dosjen e parë për krime të mundshme lufte ndaj robërve serb në Shqipëri gjatë vitit 1999, e cila më vonë evoluoi si dosja Dik Marti. Ai pat udhëtuar në Shqipëri sipas dëshmive të bashkëpunëtoreve të tij në Tribunal për të hetuar varrezat hipotetike të serbeve të vrarë, i maskuar si inxhinier rrugësh apo përkthyes. Ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK-ut pas luftës, dhe hetoi personalisht informacionet për këto vendburgosje në veri të Shqipërisë. Ai ishte përgatitësi i dosjeve të para që u çuan në Gjykatën e Hagës për shqiptarët siç ishin dosja e Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, si dhe dosjet e tjera të gjykuara nga drejtësia në Kosovë siç ishte rasti i Daut Haradinajt. Edhe pse ka qenë pjesë e atyre që kanë mbushur dosjet me fakte të diskutueshme, ai nuk ka pasur kurajën t’i pranojë ato publikisht kur ka pasur debat rreth besueshmërisë së tyre.
Detyra e fundit e Bashës në Kosovë ka qenë Departamenti i Drejtësisë i UNMIK, i cili përgatiti strukturën e Ministrisë së re të Drejtësisë. Bashkëpunëtorët e tij e përshkruajnë si një njeri hije, i cili kujdesej të ishte një pasqyrë ku shefat e tij të shikonin njeriun që u duhej. Në këtë projekt ai kishte bashkëpunëtor dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin dhe ky ishte një rast për të forcuar miqësinë që e futi në politikë. Miqësia e tij me vajzën e kryeministrit Berisha në Prishtinë u forcua ndjeshëm bashkë me idenë e hedhur qysh në fillim të vitit 2004 nga Sali Berisha për mundësinë e krijimit të një Komiteti për Orientimin e Politikave pranë PD, të përbërë nga të rinj të shkolluar në Perëndim. Në Kosovë, Lulëzim Basha njihet me Damir Fazlliç, një biznesmen serbo boshnjak, i cili në vitin 2004 ndërmjetësoi në Kosovë një kontratë për shitje energjie nga një kompani serbe. Në fund të vitit 2004 Basha shkëput marrëdhëniet e punës në Kosovë dhe vjen në Tiranë. Bashkë me listën e personave që do të formonin Komitetin për Orientimin e Politikave, Basha dhe Fazlliç, kishin projekte më të mëdha. E para ishte sigurimi i një kontrate lobimi për fushatën elektorale të Partisë Demokratike. Damir Fazlliç siguroi kontaktet e para me degën evropiane të kompanisë BG&R falë lidhjeve personale që kishte me një nga bashkëdrejtuesit e kompanisë dhe në janar të vitit 2005 ai ndërmjetësoi takimin e Sali Berishës në Uashington në zyrën qendrore të kompanisë. Marrëveshja ishte shumë dyshuese. Zyrtarisht kompania mori 500 mijë dollarë, ndërkohë që do të mblidheshin 1.5 milionë dollarë. 1 milionë dollarë do të paguheshin nën dorë në rajon. Një ish ministër i qeverisë së Kosovës dhe një shqiptar i Maqedonisë morën përsipër rrezikun e transferimit të pareve nga kufiri shqiptar në Maqedoni për Damir Fazlliçin. Gjithçka ishte e dyshimtë. Koordinatori i KOP, Lulëzim Basha dhe biznesmeni serbo- boshnjak Damir Fazlliç, kishin nisur të bënin biznes ende pa fituar Berisha pushtetin.
Ndërkohë Basha kishte dhe një jetë paralele në Holandë. Prej vitit 2001 ai kishte aty banesën e vet dhe familjen e vet. Gruaja e tij, Aurela Isufi, vjen nga një familje e afërt me Vebi Alimuçën, bosin e firmës piramidale Vefa. Daja e saj Refati ishte martuar me motrën e Vebi Alimucës, por kjo nuk ishte gjithçka. E rëndësishme ishte se familja e saj kishte thuajse nën kontroll gjithë punët e VEFA, që nga arka e deri tek siguria personale e Alimuçës. Disa investime të bëra me paret e VEFA në Ujin e Ftohtë në Vlorë kaluan në emra të familjes. Sot, nëse shkoni në Ujë të Ftohtë në Vlorë, do të shikoni buzë detit, bile fare mbi det, një kantier ndërtimi rrethuar me llamarina. Ndërtues është babai dhe vëllai i gruas së Lulëzim Bashës mbi troje të përfituara në atë kohë. Nëna e saj dhe ajo vetë, kanë bërë transaksione të kësaj kompanie brenda dhe jashtë vendit. Pas vitit 1997 ajo dhe vëllai i saj u shkolluan në Holandë, ndërkohë që formalisht prindërit e tyre në Tiranë ishin të varfër dhe pa punë.
Në pranverën e vitit 2005, ndërsa Lulëzim Basha po kandidonte si “ylli” i ri i Berishës, njeriu që e kishte shkolluar dhe kishte ndjekur me përkushtim atëror gjithë rrugën e tij të vështirë në Holandë dhe më pas në Kosovë, Barend Cohen, mbërriti në Rinas me një buqetë lulesh për t’i uruar Lulëzim Bashës futjen në politikë. Ai shkoi ta priste në Hotel Sheraton, por Lulëzim Basha nuk gjeti kohë të shkonte ta takonte. Njeriu i mirë Barend Cohen u kthye i dëshpëruar në Hollandë dhe pas një muaji vdiq. Familja e tij e dëshpëruar bëri kujdes të paralajmëronte Lulëzim Bashën të mos guxonte të shkonte në ceremoninë e varrimit. Portreti mosmirënjohës i Lulëzim Bashës këtu u plotësua në çdo detaj.
Dy javë pasi Berisha fitoi pushtetin, Damir Fazlliç hap katër kompani biznesi në Tiranë, me administrator kunatin e Lulëzim Bashës. Paret e dyshimta të fushatës duket se po riktheheshin në bizneset e tyre. Në lojë hyri menjëherë vajza e kryeministrit Berisha. Studioja e saj mori përfaqësinë ligjore të këtyre kompanive, me të drejta të plota deri dhe për tërheqje paresh apo transferim pronash. Nëse heton shitje- blerjet e këtyre kompanive, duket se të gjithë dalin të kënaqur. Shqiptari nga Maqedonia që kish ndihmuar në transfertat e lekëve “cash” kish marrë aksione të dy kompanive të basteve, ndërsa kunati i Lulëzim Bashës u investua në një kompani që do të ndërtonte më pas një hipermarket. Damir Fazlliçi la mënjanë Bashën dhe vazhdoi bizneset e veta me vajzën e kryeministrit. Përpara Lulëzim Bashës u hapën perspektiva të reja financiare dhe ato lidheshin me rrugën Rrëshen- Kalimash. Berisha i kishte dhënë atij gjithë fuqinë për të negociuar me Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë për të gjetur mundësinë e financimit të rrugës. Në mënyrë të pazakontë Basha arriti ta fusë Berishën në një spirale entuziaste për financimin e kësaj rruge nga Banka Botërore duke ju referuar bisedave informale të tij me një përfaqësues të Bankës Botërore në Tiranë. Të gjithën këtë e bëri më bindëse duke thirrur dhe një konferencë donatorësh në Tiranë. Pikërisht këtu plasi skandali. Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore tha se projekti ishte jo efiçent dhe Banka Botërore nuk mund ta financonte. Berisha, i cili kishte shpallur projektin prioritet kombëtar, u gjend para alternativës së vetëfinancimit. Lulëzim Basha ja kish arritur të merrte nën kontroll gjithçka. Duke futur Berishën nën presionin e kohës dhe nën trysninë e përzgjedhjes së një kompanie si Behtel, tashmë e kishte më të lehtë. Konsulenti i përzgjedhur prej tij dhe Damir Fazlliçit, rekomandoi procedurën kosto për kilometër me faturë të hapur. 24 shkelje të forta ligjore, në kundërshtim flagrant me legjislacionin shqiptar, kanë bërë që diferenca e hetueshme e kostos të lëvizë me mbi 240 milionë euro. Në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2007 Basha, i cili kishte bërë një “nxemje” të lehtë si rival i mundshëm i Edi Ramës, nuk u fut në garë për shkak se ishte personi kyç që duhet të mbyllte letrat e skandalit të rrugës Rrëshen- Kalimash. Një muaj më pas Berisha e tërhoqi nga detyra dhe përgjatë një viti bëri betejë politike për të shmangur arrestimin e tij. Prokuroria vonoi disa ditë më tepër dorëzimin e dosjes dhe ai i shpëtoi gjykimit.
Si Ministër i Jashtëm ai përdori pushtetin sërish për të lobuar në Uashington për të blerë heshtjen e diplomacisë amerikane për problemet e demokracisë në Shqipëri dhe sidomos zgjedhjet e vitit 2009. Lidhjet e tij me Podesta Group, një kompani lobiste e afërt me Hillari Klinton, u përdor disa herë kundër ish ambasadorit amerikan në Tiran Xhon Uidhers, por pa sukses. 21 janari ishte ngjarja e fundit politike, e cila forcoi shumë arsyet përse Berisha duhet të fuste në garë Lulëzim Bashën. Nevoja për të pastruar biografinë e tij si vrasës, me vota popullore, dhe miliona që janë në dispozicion të shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve, janë arsye kryesore përse ky njeri sot është në garë. Duke qenë një krim i madh dhe monstruoz, 21 janari ka nevojë të ketë pas një betejë të madhe politike për ta pastruar nga ana e qeverisë. Testi po bëhet mbi Lulëzim Bashën. Ky qytet po vihet në provë për të pastruar historinë e një njeriu që ka lënë katër palë jetimë në këtë vend. Mbi të djathtën shqiptare, kurrë nuk është bërë ndonjë presion kaq barbar për ta detyruar atë ose të pastrojë biografinë e një “kodoshi” të Familjes, ose të humbasë pushtetin. Ky qytet kurrë nuk është provokuar deri në këtë shkallë, jo për të ndryshuar të ardhmen e tij, por për të shpëtuar të ardhmen e një figurine të familjes Berisha.
Ky njeri, e shkuara e të cilit është e mbushur plot me gënjeshtra dhe histori të dyshimta, kërkon sot votën për të ardhmen e tij në politikë dhe jo votë për të ardhmen e Tiranës. Ky qytet, i cili nuk ka pasur fuqi t’ia njohë të shkuarën këtij njeriu, po provokohet për t’i dhënë të ardhme historisë kriminale të tij. Ashtu si në eksperimentet e biologëve që studiojnë rezistencën e njeriut përmes eksperimenteve mbi minj dhe lepuj, Sali Berisha po teston kryeqytetin e vendit tonë, se deri ku mund të pranojë krimin politik të 21 Janarit, duke eksperimentuar me Lulëzim Bashën.
http://www.gazetatema.net/web/2011/07/09/lulezim-basha-nje-portret-i-paautorizuar-2/
Ate grune aurelen ishalla
ReplyDeleteSala eshte 70 vjeq, po ky ku ne pidh te sames do futet???????
ReplyDeleteDHE NUK JU NXI FAQJA HIC LULIT...
DeleteLul b.qiri nuk e rrun hic per aurelen or cun. qefi i bohet po ja punove aren
ReplyDelete