"

June 5, 2013

PD





Partia Demokratike e Shqipërisë
Dhjetor 1990 - Qershor 2013


imazhe shqip

“I dërguari i Allahut”, Lulëzim Bashës!


Nga Mero Baze

Ka një arsye të fortë përse partia e Familjes Berisha është e detyruar të shkojë drejt një partie me orientim fetar. Nuk është vetëm përkushtimi hipokrit i fëmijëve të Berishës si besimtarë myslimanë të devotshëm. Nuk janë lidhjet e tyre me grupet e rrezikshme vehabiste në Tiranë dhe frymëzimi për një vëllazëri të shenjtë myslimane në politikë. Për të qenë më të qartë përse Lulëzim Basha ndezi fitilin e parë të një lufte fetare në politikën shqiptare, duhet të shikojmë arsyet përse duhet të mbijetojë në Shqipëri partia e Familjes së Sali Berishës.

E themeluar si Parti Demokratike në dhjetor të vitit 1990, ajo shërbeu si themeluese e pluralizmit, por jo si promotor dhe as si aktore e demokratizimit të vendit. Për 7 vitet e para të jetës së saj, ajo çoi vendin në prag të një lufte civile për shkak të rrënimit të sistemit demokratik, vjedhjes dhe prishjes së zgjedhjeve të vitit 1996, drejtimit autokratik të shtetit nga Berisha dhe kufizimit të lirive njerëzore, politike dhe ekonomike të qytetarëve.

Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet, pas një periudhe tetëvjeçare në opozitë, dhe pas një stërlodhje të shoqërisë shqiptare nga korrupsioni i Fatos Nanos në krye të socialistëve, u dogj shansi i dytë për rolin që kjo parti mund të luante në demokratizimin e shoqërisë dhe fuqizimin e bazës së saj. Brenda dy viteve Berisha arriti të transferojë pushtetin nga Partia Demokratike në Familjen e tij, duke kompletuar piramidën shtetërore dhe atë institucionale me emërime të djalit, vajzës, gruas dhe njerëzve të afërt të saj, dhe duke inauguruar praktikisht atë që sot njihet si regjim i Familjes. Baza e këtij pushteti u bë tribalizmi, lidhjet fisnore dhe personale me fëmijët, devotshmëria për t’i shërbyer Familjes, etj, ndërsa kriteri i suksesit në karrierë brenda pushtetit u bë devotshmëria për t’i dalë në mbrojtje Familjes sa herë ishte në krizë. Duke u bazuar mbi këto kritere, karriera brenda Partisë Demokratike humbi kuptimin dhe në sipërfaqe të saj dolën jo vetëm njerëz që nuk kishin lidhje me historinë e kësaj partie, por u formua një amalgamë e re mafiozësh, ish- komunistësh, biznesmenësh dhe nëpunësish që kishin vetëm një kriter përzgjedhje, lidhjet me Familjen.

Ky degradim bëri që në fund të mandatit të dytë problematik të PD-së, Sali Berisha të qëndrojë në pushtet jo me mandatet e PD-së, por me mandatet e blera nga Familja në parlament, nga e majta. Falë këtyre kritereve, në listat e PD-së sot janë ish- kryetari i parë i parlamentit të Partisë së Punës dhe jashtë saj Studentë të Dhjetorit dhe themelues të Partisë Demokratike. Falë këtyre kritereve sot, njerëz që nga Berisha janë akuzuar dikur si bashkëpunëtorë sigurimi, janë sot në krah të djathtë e të majtë të tij, ndërsa njerëz që e besuan si parti antikomuniste, janë në rrugë. Por falë kësaj keqkatandisje, pas humbjes së 23 qershorit Berisha është i qartë se nuk mund ta rithemelojë më Partinë Demokratike dhe nuk mund ta mbajë dot më tej atë të bashkuar.

Për këtë, ai, krahas fushatës së tij, që është fushata e një njeriu të lodhur, që i lexohet humbja në ballë, po provon një fushatë tjetër, fushatën e pasardhësit të tij, e cila është shumë më malinje dhe e rrezikshme për demokracinë shqiptare se sa fushata e sinqertë e Berishës si një humbës i vetëshpallur.

Lulëzim Basha, i qartë se PD-ja nuk ka më fuqi të rigjenerojë një pushtet të tij, po shfaqet tribunave krahas Berishës, me dy teza kryesore.

Teza e tij e parë është politike dhe ka të bëjë me diversionin që ia përhap si një aleat i mundshëm i një pjesë të së majtës së Ilir Metës dhe si një mundësi e vetme që PD-ja të rikthehet ndonjëherë në pushtet. Për këtë bën shumë kujdes të jetë diversionist dhe i kujdesshëm njëkohësisht. Edhe pse LSI ka bashkuar votat për t’i shkarkuar Kosovrastin, ai nuk ka shkarkuar asnjë drejtues të LSI në bashki, dhe e ka këtë argumentin më të fortë brenda partisë përse duhet të jetë ai në krye pas 23 qershorit. Ai është po ashtu një vëzhgues gjakftohtë i humbjes së PD-së më 23 qershor, dhe i vetmi që duket se ka gëlltitur humbjen ende pa ndodhur fizikisht. Duket se biznesi i tij është të përgatisë staturën si njeriu që do ta shpëtojë PD-në në opozitë.

Teza e tij e dytë, e cila synon të rithemelojë një baze te re elektorale për PD-në, është myslimanizmi. Ai është shumë i qartë në këtë punë, qyshkurse është rikthyer nga Kosova në Tiranë. Ai është pjesëmarrës i seancave “të ligjërimeve në errësirë”, drejtuar shpesh nga e bija e kryeministrit, për besimtarët e vijës së ashpër, ku predikohet besnikëria ndaj islamit radikal, është i besuari saj dhe një servil i përsosur i gjithë shijeve mediokre fetare të fëmijëve të kryeministrit, të cilët mendojnë se islami radikal që promovojnë, u shpëton shpirtin nga mëkatet që kanë bërë, që nga të vdekurit e Gërdecit e deri tek të vrarët e 21 Janarit, sakrifikuar për xhepat dhe karriget e tyre. Lulëzim Basha është i rrezikshëm, jo pse është një mysliman radikal, por si nxënës i devotshëm i Familjes është gati ta përdorë këtë gjë për të rithemeluar një bazë elektorale për një parti, e cila pas 23 qershorit bëhet copë e cikë. Dhe për të qenë bindës si islamik radikal, ai hodhi poshtë një projekt modern perëndimor për xhaminë e Tiranës, hartuar nga një studio daneze, dhe po i imponon Tiranës një xhami të shëmtuar të stilit arab, siç ka dëshirë të shtiret Familja të xhumave.

Deklaratat e tij radikale dhe fitilndezëse e luftës fetare në Tiranë, si shenjë e fillimit të themelimit të një partie me bazë myslimane, i jep atij të gjitha avantazhet dhe ndaj ndonjë rezistence formale që mund të bënte rivalja e tij katolike në parti, Jozefina Topalli, e cila nuk ka më asnjë të ardhme në atë parti, as si katolike, as si besnike e Berishës dhe as si ish- e persekutuar.

Fushata teokratiste e Lulëzim Bashës, është sinjali se PD-ja do të kalojë nga një parti tribale e Familjes Berisha, në një parti, që do ketë mbështetje themelore bazën e islamit radikal në Shqipëri, i cili i siguron Bashës dhe fëmijëve të Berishës, thjesht një kupolë për të mbrojtur kokën e tyre me mjete politike, ndërkohë që lë Shqipërinë të ekspozuar ndaj luftës fetare.


Askush, përveç Lulëzim Bashës, nuk mund të marrë kaq shumë përgjegjësi dhe të ketë kaq shumë guxim për një krim të tillë. Ai është njeriu i duhur, që ka dhënë provat e duhura për këtë. Është njeriu që ka vrarë për të qenë në krah të Berishës, njeriu që ka vjedhur për t’i shërbyer Familjes Berisha dhe njeriu që është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë, për të krijuar një kupolë xhamie ku të vendosë siglën e PD që të ruajë të ardhmen e Familjes Berisha. Askush tjetër nuk do të guxonte kaq shumë, pasi gjithkush tjetër përveç Lulëzim Bashës në atë parti, ndodh që kanë një gjë të veten. Ai nuk ka asgjë të veten, as karakterin, as kontributin politik, as hipotekën e emërimit nga refugjat në krye të pushtetit, bile as buzëqeshjen. Edhe aty përpiqet të imitojë dikë nga Familja. Dhe seç ka një keqkuptim se Ai është i dërguari i Allahut për të mbrojtur të ardhmen e Familjes Berisha në politikën shqiptare. Se vetëm ai mendon që Allahu është Berisha!











6 comments:

  1. Ka ditelindje, por ka edhe dite vdekje. Ne Fakt, PD vdiq sapo lindi, kur Sali komunisti u be kryetar i saj.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Po une e di se per udheheqesit ka vec ditelindje ;-)

      Delete
    2. E po ky i joni ka edhe vdekje ...

      Delete
    3. FILLOI SHERRI NE PD, PA U MBYLL ZGJEDHJET:
      http://respublica.al/artikuj/2013/06/24/neper-studio-ka-filluar-gjyqi-ndaj-humbesit-por-largimin-nga-kreu-i-pd-se-do-ta

      Delete
  2. Kjo dit do jete fest per gjith shqiptaret e ndershem kudo qe ndodhen.

    ReplyDelete
  3. Ne er kan me ja hudh vorrin ktij pleres, ke fmijt e ti kon per ta qit inotin. shpellar katnar

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!